Samstag, 22. August 2015

Dr. Ibrahim Rr. Gashi - pedagog, shkencëtar e diplomat.


PEDAGOG, SHKENCËTAR E DIPLOMAT...

Nga: Prof. Hulusi Hako, prof.Emil Lafe, prof. Murat Gecaj e Namik Selmani

Ka disa rastësi të çuditshme edhe shumë të bukura, në jetën dhe veprimtarinë e një njeriu, të një fushe të caktuar shoqërore, që përbën dhe Kodin e karakterit të tij. Kështu ka ndodhur dhe me Dr. Ibrahim Gashin. Ai u nda përgjithnjë nga jeta në datën 9 maj, që prej shumë  kohësh është “Dita e Europës”. Po, një jetë të tërë ai e jetoi për shqiptarizmin dhe për identitetin evropian të shqiptarit. Jo thjesht me moralin e tribunave, por me atë që është më e prekshme, më e dobishme, më e mira që mund të bëjë një njeri i nderuar  për kombin e tij

Rastësia e dytë është emri i tij Ibrahim, që lidhet ngushtësisht dhe me veprën e tij shumëvëllimshme në fushën e astronomisë. Profecia e emrit të tij sikur ishte kodi i një pune të jashtëzakonshme, që ai bëri tërë jetën dhe në të gjithë vendet, ku shkonte dhe se shumë herë, sakrifcat që kalonte, ishin sfida të mëdha dhe të denja për t’u fituar, vetëm nga një njeri me karakter të fortë e atdhetar, si ai. Ibrahimi  ynë i ngjante një miniere, nga kishin dalë shumë metale të çmuara dhe shumë të tjera priteshin. Me këto veti të larta, kolegu ynë Ibrahim Gashi krijoi një emër të çmuar dhe la një vepër të pasur, të paharrueshme.

                                     x   x   x

Ky bir i Kosovës martire, pinjoll i një familjeje me tradita atdhetare dhe vlera të pamatshme në arsimin kombëtar shqiptar nëpër breza, lindi me 23 gusht 1935, në Krujë dhe u brumos me atdhedashuri e kulturë të shumanshme, në Shtetin-amë dhe në Kosovë.

Mbaroi shkollën e mesme në Mitrovicë të Kosovës (1955). Vazhdoi Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë-astronomi, në Universitetin e Beogradit (1955-1959). Për vite me radhë, ka qenë mësimdhënës i matematikës në shkollat e mesme të Krujës, kurse në vitet 1984 deri 1990 dha mësim në Universitetin e Tiranës, si pedagog  i jashtëm. Për punë të mirë në mësimdhënie, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medaljen “Naim Frashëri”.

Gjatë punës së tij 31-vjeçare në arsim, ai u dallua për punë të shkëlqyer në mësimdhënie, ashtu dhe në veprimtaritë shkencore e pedagogjike. Për shumë vite kreu detyrën e kryetarit të komisionit të lëndës së matematikës për shkollat e mesme, në rrethin e Krujës. Mori pjesë në diskutimet për hartimin e teksteve të reja për matematikën e astronominë. Madje, për këtë të fundit, përgatiti dhe botoi librin “Probleme të zgjidhura astrononomike”, si dhe studimin “Vrojtimet astronomike”, për vitin e katërt të shkollave të mesme.

 Puna e tij e vazhdueshme, në thellimin e studimeve shkencore, kurorëzohet në vitin 1979, me gradën “Kandidat i Shkencave”, më vonë, e barazvlershme me “Doktor i Shkencave”.

Gjithashtu, veprimtari të rëndësishëme ka zhvilluar dr. Gashi për pasqyrimin e traditave kombëtare dhe të luftës së çetave për çlirimin e Kosovës. Në  vitin 1982, pas një pune 2-vjeçare, i ndihmuar nga një grup historianësh, për grumbullimin dhe sistemimin e të dhënave historike, të shkruara ose gojore, fotografi e objekte të gjetura në muzetë a ndër njerëz të ndryshëm, ai organizoi në  Fushë Krujë  Simpoziumin shkencor për “Heroinën e Popullit” Shote Galica dhe luftëtarët e çetës së Azem Bejtës, si dhe hapi një dhomë-muze përkatëse, në  shkollën e mesme “Shote Galica” të Fushë Krujës, ku ishte zëvendësdrejtor i saj.

Dr. Ibrahim Gashi, nga dhjetori i vitit 1992 e deri në në shtator 1996, kreu detyrën e diplomatit në Ambasadën e Shqipërisë, në Slloveni. Atje ndoqi çështjet e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e politikës, arsimit, kulturës e mbrojtjes, si dhe çështjet konsullore. Detyrë të veçantë ka pasur për Diasporën shqiptare në Slloveni.

Dalja në pension  (shtator 1996), nuk solli ndonjë ndryshim thelbësor në ngarkesën dhe ritmin e veprimtarisë së tij. I përfshirë në veprimtaritë e Shoqatës kulturore “Tirana” dhe në Shoqatën e Arsimtarëve të Shqipërisë, ai niste dhjetëvjeçarin e shpërthimit të hulumtimeve dhe akumulimeve të tij, i udhëhequr gjithnjë prej mesazhit të rilindësve tanë: “Dhe drit’ e diturisë, përpara do na shpjerë”.

Dr. Ibrahim Rrahim Gashi dhe  biri i tij, Rezarti, janë nismëtarët dhe themeluesit e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (2009). Dr.Ibrahimi ishte jo thjesht drejtor i Bordit, Kryetar i Komisionit Qendror dhe Koordinator i Institutit, por shpirti dhe frymëzuesi i pasionuar i të gjitha veprimtarive, për të cilat ishte aq i përkushtuar. Ai dhe Rezarti, drejtori ekzekutiv i Institutit të Integrimit të Kultures Shqiptare, ishin  ideatorët  dhe organizatoret e  Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (Tiranë, 17-18 shtator 2011). Ai u zhvillua me temën thelbësore: “Studimi i mundësive të përafrimit, deri në njësim, të programeve e teksteve mësimore, në trojet shqiptare dhe në diasporë”. E theksojmë, se kjo ishte Konferenca e parë e këtij lloji për trevat etnike shqiptare. Pra, dr.I.Gashi e zhvilloi dhe e përpunoi idenë tonë të përbashkët për studimin e mundësive të përafrimit, deri në njësim, të pogrameve e teksteve mësimore, në të gjitha trojet shqiptare, bashkëpunoi e organizoi takime me komisionet dhe istitucionet e ndryshme arsimore e kulturore, si në Kosovë e Shqipëri, po  kështu edhe në trojet e tjera shiptare, në Luginën e Preshevës, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri e diasporë. Shënojmë këtu se ka qenë kënaqësi e veçantë për ne, që në këto veprimtari kemi qenë të pranishëm dhe kemi bashkëpunuar me me dr.gasgin.  Ideja e tij  brilante e studimit të kësaj çështjeje, sa të vjetër po aq aktuale për Kombin tonë,  tërhoqi  angazhimin pa rezerva dhe me shumë entusiazëmt të anëtarëve të këtyre komisioneve dhe përkrahësve të tyre. Në detyrën e tij, ai tërhoqi kolegë e bashkëpunëtorë të përkushtuar. Vetëm ose me ekip, misionar atdhetar e vizionar, shtegtoi në Krajë, Ulqin, Manastir e Strugë; në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Mitrovicë e deri në Diasporën e Amerikës, duke i dhënë kështu Institutit dhe projektit të tij frymëmarrje mbarëshqiptare. 

Dr. Ibrahimi Gashi bëri përgatitjen e plotë, faqosjen, sistemimin dhe redaktimin e librit "Një Komb, Një Shkollë, Një Kulturë", i  cili vjen në kulturën dhe historinë e arsimit tonë kombëtar edhe si një nderim e kujtim ndaj jetës, veprës dhe emrit të dr. Ibrahim Rr. Gashit (1935 - 2012). Më 9 maj 2012, vdekja e pamëshirshme e ndau atë nga familja, miqtë e kolegët, në kohën më kulmore të energjive dhe vlerave, që po rrezatonte tërësisht për çështjen mbarëkombëtare shqiptare.

Ibrahimi ynë ishte intelektual i shquar, i fushës matematikë-astronomi, hulumtues e krijues i palodhur, autori i tetë librave për kronologjinë dhe kalendarët, një temë unikale, që e bëri hyrje në pasurinë e kulturës sonë kombëtare.

Ai shkroi shumë artikuj shkencorë e metodikë, për lëndët matematikë dhe astronomi, si dhe artikuj  me tematikë politike-shoqërore. Ishte nga më të diturit në fushën matematikë-astronomi, u dallua për ndihmesën e tij në mendimin shkencor dhe kulturën mbarëkombëtare. Kshtu, 8 libra të tij janë vetëm për Perëndinë Kronos, Kohën, Kronologjinë, rrjedhjen dhe matjen e saj, sisteme të ndryshme matjesh dhe mënyrat, kriteret e konvertimit dhe rakordimit të tyre për t‘u orientuar drejt e saktë, kur ekzistojnë e janë në përdorim disa kalendarë. Këto punime kanë tematikë pak të rrahur në vendin tonë. Me njohuri për kronologjinë, si shkencë dhe kalendarët,  janë hulumtime origjinale, një ekskluzivitet i tij, ndhmesa madhore vlerash e orientimesh, si për njehsimin e lëvizjeve të trupave qiellorë (në veçanti të Diellit e Hënës), ashtu dhe në terrenin e kërkesave tona të historisë kombëtare.

 Po aq virtuoz, vizionar e prodhues mbetet Ibrahimi edhe në fushën historike-sociologjike, siç dëshmon vepra e veçantë dinjitoze, “Sllovenia dhe shqiptarët në Ballkanin e trazuar” (Tiranë, 2007, 660 faqe), e përgatitur në vitet e detyrës diplomatike, në Lubjanë. Aty shpalosë bindshëm, fuqishëm e gjithë­përfshirëse, të drejtën më madhore të një kombi kaq mizorisht të nëpërkëmbur, sidomos në këta 130 vjetët e fundit. Në përurimin solemn, që iu bë veprës në Institutin e Diasporës, pranë Ministrisë së Jashtme, më 23 tetor 2007, u nënvizua: “Ky libër madhor, original, shumë i pasur me informacion, si një arkiv i gjallë, i konceptuar me çiltërsi, me skurpulozitetin e një hulumtuesi për të Drejtën shqiptare”.

Së fundmi, ishte edhe projekti madhështor i Institutit, që çoi në lindjen e librit me shumë vlera, i cili mbetet kurora monumentale e natyrshme, e emrit dhe veprës së tij.

                                   x    x   x

Një jetë të tërë, dr. Ibrahim Gashi e vuri në shërbim të shqiptarizmit dhe për identitetin evropian të shqiptarit, gjë që përbënte një kod të karakterit të tij, më i prekshmi, më i dobishmi, më e mira që mund të bëjë një njeri i nderuar  për kombin e vet.  Ai ishte i begatuar me virtyte dhe vlera te larta njerezore. Burrë i urtë, fisnik, guximtar, intelektual, shkencetar, bashkeshort dhe prind shembullor, atdhetar largpames, i brumosur me dashurinë e pakufishme për Shqipërine natyrale, gjuhën, kulturën dhe traditat e shkëlqyera të Kombit tonë - ky ishte profesor Ibrahim Gashi, që ishte dhe mbetet simbol i mirësisë njerëzore dhe mishërim i shqiptarizmit.

Dr.Ibrahimi ishte i pajisur me ideale te larta kombëtare shqiptare. Ashtu si dikur rilindësit tanë mendjendritur edhe ai e ndjeu të nevojshme që të bënte më të mirën e mundshme, pra iu pergjigj një zëri të lartë, të dalë e ardhur nga historia, nga kujtesa jonë kombëtare:"Të bëjmë diçka për Shqipërinë, të bëjmë diçka për Kombin tonë!"

Nuk e kemi më fizikisht midis nesh dr. Ibrahim Gashin, por brezave u mbetet përjetë imazhi i një personaliteti të kulturës e arsimit kombëtar, i një atdhetari të përkushtuar, i një qytetari, njeriu, prindi e kolegu shembullor, me veprimtari të dobishme dhe me shumë vepra shkencore, që pasurojnë kulturën, nderojnë Kombin dhe kështu e bëjnë atë të paharruar.

Njerëz të tillë, si dr. Ibrahim Gashi, kanë vetëm nderim dhe kujtesë të blertë, pra që njeh vetëm pranverë. Kujtimet për atë, të familjarëve dhe të miqëve të tij të panumërt, e bëjnë atë shumë më jetëgjatë, në kujtesën e  brezave. Ishte vërtet krenari, që ta njihje nga afër dhe të punoje më këtë njeri të jashtëzakonshëm, ashtu siç e përjetuam dhe ne, që po i shkruajmë këto pak radhë, në nderim e kuljtim të tij.

Punonjësit e arsimit, kulturës e shkencës shqiptare, shoqëria civile dhe institucionet zyrtare, kanë arsye t’i mbeten mirënjohës këtij biri tonë të shquar, i cili bëri kaq shumë për Kombin e vet.

                                  x   x   x

Dr.Ibrahim Rr.Gashi botoi 14 libra, nga të cilët: 3 me përmbajtje astronomike,  8 të tjerë me tematikë pak të rrahur në vendin tonë. Në ata pasqyrohen njohuri për kalendarët dhe kronologjinë si shkencë, të domosdoshme për studiuesit e periudhave të ndryshme historike dhe tre me tematikë politike-shoqërore, ndimesa të vyera sociale-historike.


LIBRAT E BOTUAR (nga Dr. Ibrahim Gashi): 

  1. "PROBLEME TE ZGJIDHURA ASTRONOMIKE" (“Libri Shkollor”, Tiranë 1972).
  2. "NGA QIELLI YNE" (Lubjanë, 1995).
  3. "KALENDARI DHE KRONOLOGJIA në botë dhe te shqiptarët"(Tiranë, 2000).
  4. “DITËNATA DHE DISA KUPTIME, QË LIDHEN ME TË"-Njohuri astronomiko-gjeografike (Tiranë  2002).
  5.  ”KALENDARI HIXHRI HËNOR dhe lidhja e tij me kal. Julian e Gregorian dhe me ditët Juliane"(Tiranë, 2003). 
  6. "KALENDARI MALI-RUMI dhe lidhja e tij me kal. Hixhri Hënor, Julian e Gregorian dhe me ditët Juliane" (Tiranë, 2003).
  7. ”BAZIME ASTRONOMIKE PËR RITET DHE FESTAT FETARE ISLAME” (Tiranë, 2005).
  8. ”SHQIPTARËT, SLLOVENIA DHE BALLKANI I TRAZUAR, sipas një diplomati”, (Tiranë, 2007).
  9. ”BAZAT E KALENDARIT KADHAFI DHE LIDHJA E TIJ ME KALENDARË TË TJERË “, (Tiranë, 2007).  
  10. “XHEMAL PAZARI, PATRIOT I SHQUAR TIRANAS”(Tiranë, 2009).
  11. "MËSUESI RRAHIM GASHI, me brezat në trojet arbërore"- bashkautor Fazli Hajrizi - (Tiranë, 2010).
  12. "KRONOLOGJIA ILIRO - SHQIPTARE NDËR SHEKUJ" - (Tiranë, 201).
  13. "KRONOLOGJIA SHQIPTARE DHE KALENDARËT ARABO - OSMANË" - (Tiranë, 2011).
  14. NJË KOMB, NJË SHKOLLË, NJË KULTURË" - (Tiranë, 2012).
Ndërsa, dr. Ibrahim Gashi la të gatshëm për botim 3 libra të tjerë dhe 2 libra, në anglisht, për kronologji të huaj.

Tiranë, maj 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen