Sonntag, 23. August 2015

Poezi nga Myrteza Mara (1)



VETËM KËNGA

Çdo gjë, dihet, e ka një fillim
 dhe një fund e ka patjetër,
 botën e ndrit dielli në agim,
 perëndimi e le atë të verbër.

Çdo gjë e ka edhe një emër,
 e ka një ditënatë kur ka lindur,
 doemos, e ka edhe një zemër,
 siç ka edhe një fund të hidhur.

Nuk mund të ketë fund të bukur,
 fundi i fundit është harrimi i madh,
 ju lutem, njerëz, jini të lumtur
 kjo jetë e shkurtër e ka një prag.

Lumturia vjen mbi një rè besimi
 dhe po aq shpejt mund të tretet,
 prej saj pikon frut i amëshimit,
 prej saj rrjedhin burime jete.

Ju lutem, njerëz, ejani me poetët,
 për inat të vdekjes, të këndojmë,
 dashuria na bën të pavdekshëm,
 kënga i bën shpirtrat të jetojnë.



POEM E PAMBARUAR


Nuk e prisja të rrëmbeja kaq shumë zjarre nga syri yt,
 Ndaj besoj dhe në ringjallje, lumturoj edhe në shpirt.
 Unë e di që rrufeja djeg më shumë në qiell të thatë,
 Dhe i bëj dhuratë Zotit nga një lutje për çdo natë.

Ka vend plotë në zemrën time ku të prehet dashuria,
 Thonë se, pema kur s'ka fletë, nuk i rri bukur hija!
 Po kur dielli i faqes tënde s'ngopet dot me lotë vese,
 Ç'faj kam unë fatlumi që kulloj si zgjua blete?!

Më magjepsi dri'e yllit, më verboi shkëlqim i tij,
 Pa më thoni ç'farë të bëj, a nuk do i verbëri sy?!
 Le të digjem, në u djegsha, përmbi gjoks të asaj hëne,
 Dhe ta dini, se po vdiqa, do mbetem në rreshta kënge.

Ç'farë t'i bëj zemrës sime që s'lodhet duke trokitur
 Edhe buzës zjarrpashuar, edhe syrit të uritur!
 Shikoj vitet që na këputen posi fletëza ulliri,
 Nuk pyet trungu stinë dimri nën kostumin e blerimit.

Më thonë plepat degëtharë: "Ku e gjen gjith'atë prush?"
 U përgjigjem flakë për flakë: "Buz' e saj më jep musht!
 Bëhet verë në buzën time një pikë lot nga syr'i saj
 Ndaj ndihem si fëmijë, dehem, çmendem, qesh e qaj!

Dhe në gjumë e njoh yllin, atë yll që më jep dritë,
 Kur po mbyllej port'e zemrës, ish ajo që më tha "prit!"
 Prit,-më tha me ata sy, ma mbylli buzën me buzë,
 Ishte Zot, a Perëndi, s'dua ta mësoj kurrë!

Nuk hap sytë se thahet kënga, mbetet dhe qielli jetim,
 Dhe më pas ndalet zemra, nuk ka shpirt për shpirtin tim.
 Ja, kështu do të jetoj edhe njëmijë vjet të tjerë
 Sa të kem Ty dritë syri do shikoj vetëm pranverë.

Ty të kam edhe zjarr gjiri, copë-copë i thyej dimrat,
 Nga marazi edhe bilibili do vajtoj mbi këto rima.
 Kur na pa deti bashkë nisi dallgët për dasmorë,
 Edhe hëna gjithë djersë mblodhi yje për kurorë.

Fati-mik i rrugës time, ndezi diell për njëqind jetë,
 Veç i dehur mbi ata gji mora vesh se rroj vërtetë.
 Nuk shikoj kush më shikon prapa, syri veç tek ylli im,
 Nuk më fiket flak' e shpirtit, s'shteret uji në burim.

Ishte ëndrra që kam parë atë ditë që hapa sytë
 Si kjo ëndërr s'kam shijuar tërë jetën një të dytë.
 Kujt t'i falem, t'i përfalem, kujt i jam borxhëli?!
 Për këtë zjarr që më ndezi në këto vite veshur grì!

Përveç teje vetëm qiellit, që më çau kraharorë
 Dhe mbi zemrën timë plagë vuri një tjetër me dorë.
 Ti mu bëre si një fanar në këtë jetë dallgë e stuhi,
 Ku spirancën lidhi shpresa pranë molit Dashuri.

Do të jenë këto rreshta një Poemë e Pambaruar,
 Yll'i i fatit-lumturi, duhen vite për ta shkruar.
 Ndaj nxitoj, se muza e bukur është si vesa në mënges,
 Po s'e pive, ta pi dielli, mbetesh si kurorë pa mbret!

 Do rrjedh gjatë kjo poemë, rrëkezat do bëhen lumë,
 Për inat të kësaj jete vdekjen do ta vemë në gjumë.
 Tani kam një ëngjëll ëndrre që më jep dritën-magji,
 Kur të iki nga kjo botë, këtë poemë e mbaron Ti!



KUR VDES NJË DASHURI

Ma shthure folezën e asaj ëndrre
 Endur me fijet e blerta të shpresës;
 Ndaj, zëngjirrur do ia nis një kënge
 Për inatin e kësaj jetënjerke.

Si valët do shkëmbejmë shikime,
 Fjalë pendimi ndoshta mërmërisim;
 Dete, oqeane plot me premtime,
 Sa ëndrra të njoma mbeten përgjysmë!

Të kujtohen ditët që matëm me shekuj?
 E si mund të çrrënjëzohen ato ditë!
 Do i marë me vete, edhe i vdekur,
 Në botën tjetër të më bëjnë dritë.

Ta bëja trupin hartë me puthje,
 Dhe ti si lëndinë e pamatë jete;
 Sytë mjegulluar rrezatonin lutje,
 Të doja të tërën, më doje për vete.

Të thosha “Jetë”, më thoshe “Shpirt”
Humbisnim të dy nëpër një ëndërr
 Për ne nuk kishte as natë, as ditë
 Në dy gjokset punonte një zemër…

Harroi kujtimet, dhe mua harromë,
 Më verboi sytë mjegulla e kujtimit;
 Kush del nga jeta është si jehonë,
 Klithmë shpirti buzës së greminës.

Harroi puthjet, harroje parajsën,
 Harroje diellin që më mbillje në sy;
 Tani do endem si somnambul natën,
 Nëpër gjurmët e tua do ndez qiri.

Sërish zëthinjur do ia marr një kënge,
 Do më quajnë “i çmenduri”, e di.
 Por kush ka lindur nga barku i një nëne
 E di çdo të thotë kur vdes një dashuri!



MË THE TË TË PRES

Më the të të prisja?
 Tek “shtegu i Pritjes” të prita
 unë,
 nata
 dhe dita!
 Nuk dija ku ishe,
 kush qiell të shikonte,
 cilin diell verboje,
 veç prisja!
 Prisja bashkë me pritjen
 nën hijen e pemës së pritjes tënde,
 aty,
 aty ku volëm qershitë
 e psherëtimës-ëndërr!

Nuk di sa pritëm,
 ndoshta shekuj,
 duke hapur shishet e verës së vjetër
 me etiketat e zverdhura të kujtimeve,
 mbuluar nga vesa e yjeve të lodhur.
 Ti vjen e ikën,
 zog shtegëtar në folen e vjetër,
 unë dhe pritja do presim gjithë jetën.

Kur të kthehesh
 do gjesh vetëm këo gërma,
 gdhendura me thonjt e durimit
 në trungun e pemës, por ti
 mos i lag me lotë pendese:
“Unë jetova për ty
 Ti, jeto për vete!”



NËSE NJË DITË

Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit,
 Nën ombrellën time ka vend përherë.
 Aty do i gjesh gjithë "puthjet e kujtimit",
 Dhe shpirtin tim muzeum me pranverë!


Nëse një ditë do të duhet një urë,
 Të kalosh pa frikë detin e brengës,
 Mos u mundo, varkë bëhem unë
 Gjoksndezur shkrijmë dhe ajzbergët.

Nëse një ditë do të humbas kënga
 Trokit tek muza ime e vjetër
 Veç, të lutem, mos m'i zgjuaj ëndrrat,
 E vetmja pasuri që më ka mbetur!

Nëse një ditë do të duhet një qiell,
 I pastër si lotët e tu kristal,
 Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer,
 Për ty do e le jetim atë varr!



VAJZAT E QYTETIT TIM


Vajzat e qyetit tim i ngjajnë detit
 Të ëmbla si vala, të serta si shkëmb
 Ato janë muza e këngëve të poetit
 Maten me palmat, sfilojnë nëpër këngë.

Vajzat e qytetit tim-shtatë ngjyra ylberi
 Verbojnë sytë e shtretërve të ëndrrës.
 Puthen me detin, lahen me rreze dielli
 Dhe netëve krihen në pasqyrën e hënës.

Dallëndyshe në ajër, pulëbardha mbi ujë
 Dekori më i bukur në syt’e këtij qyteti
 Diell plotë shkëlqim edhe nëpër muzg
 Kurora ulliri mbi “kurorë të mbretit”.
Vajzat e qytetit tim janë si flutura

Të lehta, verbuese, ngjajnë si imazhe
 Netëve ndriçojnë, xixëllonja të bukura
 Gjurmët e puthjeve si yje-tatuazhe.

Ndaj Zoti e pagëzoi me emër vajze,
 Me emër dashurie e thërret qytetin tim!
 Nga vajzat është bërë si gjoks dallge
 Sfinks i rilindur-Vlora- për dashurinë.



KUR TË VISH DHE TI

Nëpër rrugët e qytetit tim
 Gra dhe vajza si në sfilatë,
 Njera më e bukur se tjetra!

Duken si pemë plotë flutura,
 Shkëndia që ndjellin flakë
 Herë dhe si lule të etura.

Kjo nuk ndodh vetëm në verë,
 Qyteti im është vëlla me diellin
 Dhe dimrit di të buzqëqesh.

Motivet e këngëve dhe poezive,
 Edhe të dashurive
 Të gjitha i gjeni në këtë qytet!

Nxito, çfarë pret? Nxito!
 Vetëm për këtu s’është kurrë vonë,
 Qyteti im ka zemër të madhe!

Oh, kur të vish dhe ti
 Ylberet do bëhen më dy harqe
 Dhe palmat si pishtar me zjarre!

Mundohem të ndërtoj portretin tënd
 Me copëza të ngjashme imazhi
 Por më del një bust i tëri prej qelqi!

Mbytem në djersën e psherëtimës,
 Sytë verbohen nga malli...
 Eja! Vetëm ti i mungon këtij qyteti!



EJA

Pa ty dhe gjumi më ka mar inat
 Dhe ëndrrat janë bërë toruturë.
 Më vijnë të veshura me flakë
 Nuk shuhen as kur zhytem në ujë.

Pa ty, hëna më shikon shtrembër
 Dhe yjet bëjnë sikur s’më njohin
 Ata me të cilët kam ndarë çdo ëndërr
 Verbuan sytë të mos më shohën.

Pa ty dhe pylli më ka kthyer shpinën
 S’më pranon vetëm as në hije
 Pa ty dhe viti më ka vrarë stinët
 Mbështjellë ditët në vorbull stuhie.

Pa ty dhe lumi e këputi urën
 E shembi dhe vahun të mos kaloj
 Eja, se dhe vargu ma thinji Muzën
 Më thuaj, pa ty nga mund të shkoj?



NË PYLLIN E ËNDRRËS

Ti më erdhe si një magji në oborrin e poezisë,
 Vargut tim i vure flakën në kufijt’e marrëzisë!
 Si kometë qenka kjo jetë, le një gjurmë edhe fiket,
 Kush ka rrojtur di të vdes nuk ia di emrin frikës!

Zemrën kam pikë të dobët, siç pati thembrën Akili,
 Atë ditë s’di nga dole, përmbi buzë më zbriti ylli
 Ylli-dritë i syrit tënd më flladiti shpresë e jetë,
 Shenjtëria e qiririt që për dritë shpirtin e tretë...

Diell shpirti, yje zemre, çiltërsinë kam gjymtyrë,
 Eci shtruar, nuk ngutem, si gamile në shkretëtirë.
 Nuk ruhem nga drit’e diellit, as nga zjarri i një buze.
 Shihni harkun e ylberit, e ka lindur veç një puthje!

Nëpër pyllin tim të ëndrrës erdhe ti si xixëllonjë
 Nuk e di se ç’pati zemra, ja, dëgjoje!... S’e dëgjon?!
 Vire dorën pak këtu!... A e ndjen si zien vullkan?
 S’e kuptoj, ç’ndodh kështu, apo unë s’jam i gjallë?

Gazi, helmi janë në udhë, njëlloj vrasin që të dy
 Qoft dhe lodër nëpër shpuzë më mjaftojnë ata dy sy!
 Si i çmendur do të dehem, ashtu siç dehen poetët
 Veç nuk di të rrëfehem, më pëlqen “pus’i sekretit”.

Këto vargje vetëm Ti, askush tjetër në këtë botë
 Ose digji dhe bëji hì, ose, ... lule përmbi lotë.
 Lule loti, nga ata lotë, që t’i pi si musht vere,
 Po më bëre një çast Zot do të fal një jetë pranvere!



VETËM NATËN

Natën, kur hëna harrohet
 nëpër koridoret sekrete,
 të mbuloj yjet që kanë ftohtë,
 unë zgjat dorën e mallit
 të përkdhel yllin tim,
 pagëzuar me emrin Jetë.

Është xheloze hëna,
 rojtarja besnike e qiellit,
 yjet i do të gjithë për vete,
 por dashuria gjen përherë një shteg,
 ajo nuk njeh kufi,
 as shtete, as planete!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen