Samstag, 22. August 2015

Shpëtimi i Nizamit

Tregim nga Kujtim MORINA 

      Kishte dalë dielli kur i doli gjumi Aledinit. I shtrirë ashtu në tokën e thatë, në shkretëtirë, iu deshën disa minuta ta merrte veten. Ku ishte kështu!? Në shkretëtirë!? Si kishte ardhur këtu!? Si e kishte zënë gjumi jashtë ashtu!? E shkundi trupin disa herë duke u përpjekur të kthjellohej. Pa që rrobat ushatarake që kishte veshur i ishin bërë pak me pluhurin e shkretëtirës po kjo s’ishte ndonjë gjë e madhe. Vështroi terrenin rreth e rrotull deri sa kapte syri në horizont, në përgjithësi i rrafshët me duna të vogla rëre që i jepnin një ngjyrë të hirtë gjithandej. Bari kishte dalë vende-vende por ishte gati në të tharë. Asnjë pemë nuk shihej afër apo në largësi.
 
      Ndërsa filloi të ambjentohej me vendin ku e gjeti dita e re, ai solli ndërmend ato që i kishin ndodhur natën e kaluar. Kishte ardhur në këtë provincë si pjesë e një taborri të perandorisë për të vënë rregull në këto anë që po rrëshqisnin drejt kaosit. Muajt e fundit, provinca kishte qenë shumë e trazuar. Karvanet e ushqimeve plaçkiteshin vazhdimisht duke lënë edhe të vdekur si pasojë e përplasjeve mes beduinëve vendas dhe tregtarëve. Ishte arritur deri aty sa ishte sulmuar edhe një depo ushqimore dhe veshmbathje e stacionit lokal të xhandarmërisë prej së cilës ishte marrë goxha mall. S’flitej këtu për tatime për t’u mbledhur sepse pothuaj e tërë provinca ishte në shkretëtirë kështu që s’ishte vjelë ndonjëherë ndonjë taksë për të qenë përveçse në raste shumë të rralla kur kishte pasur prodhime të bollshme të hurmave, të vetmet pemë me fruta të ngrënshme në vend. Vjedhjet dhe grindjet mes vendësve gjithashtu nuk i hynin në sy shumë perandorisë. E rëndësishme ishte të mos trazohej rendi i përgjithshëm, pa nuk u ndryshohej mendja këtyre, gjallë në botë.

      Beteja mes trupave perandorake dhe vendasve kishte qenë shumë e ashpër. Beduinët vendas me siguri e kishin marrë vesh për nisjen e kësaj ekspedite ndëshkimore dhe ishin përgatitur mirë. Armë kishin pasur mjaft nga plaçkitjet e herëpashershme. I ishin dashur rreth një javë rrugë batalionit otoman për të mbërritur në provincë duke i ndërruar herë pas herë udhërrëfyesit dhe me siguri mes tyre mund të kishte pasur ndonjë spiun që i kishte njoftuar vendasit për sulmin që i priste. I kujtohej rruga e gjatë që kishin bërë, vendpushimet thjesht sa për ta marrë pak veten nga lodhja e madhe dhe pagjumësia. Megjithëse disa qindra trupa të ushtrisë, të gjithë të armatosur me armë të lehta, në shkretëtirë dukeshin si një togë e vogël.e pafuqishme. Ata kishin dashur t’i kapnin vendasit një nga një, për t’i vrarë e zënë rob por dukej se ata ishin njoftuar më parë dhe ishin bërë bashkë duke lënë nëpër shtëpia vetëm gratë dhe fëmijët.

      Natën e kaluar, trupat e ushtrisë ishin përplasur me vendasit e egër. Ishte një betejë për jetë a vdekje. Asnjë palë nuk i shmangej më tjetrës. Batalioni që kishte bërë gjithë atë rrugë s’mund t’i shmangej ndeshjes së hapur për t’i shpartalluar e mbaruar punë njëherë e mirë me ta dhe beduinët vendas që ishin përgatitur mirë dhe kishin vendosur që këtë herë do t’i dërmonin keqas trupat e ushtrisë që iu ishin bërë si një zgjedhë e rëndë, e padurueshme. Krisma nga të gjitha anët, thirrje, britma, një çartallim i vërtetë nga radhët e trupave të ushtrisë që nuk ambjentoheshin as nga territori vendas që dukej kudo njëlloj. Dukej që vendasit përveç armatimit që kishin siguruar, kishin bërë edhe një përgatitje të madhe psikologjike. Ishte beteja për lirinë e tyre, në vendin e tyre që s’mund të shkëmbehej me asgjë dhe prandaj ata kishin mbledhur të gjithë forcat dhe energjitë e tyre të pashterrshme për t’iu kundërvënë ushtrisë. Pa lirinë, jeta për ta s’kishte asnjë kuptim. Të mbylleshe në një vend në shkretëtirën e pafund pa lëvizur ishte më keq se në një burg të madh të mbyllur. Pas më shumë se dy orësh luftimesh të ashpra, trupat e ushtrisë kishin marrë arratinë duke lënë pas shumë të vrarë e të plagosur. Asgjë nuk komandohej më. Secili shihte të shpëtonte kokën e vet. Vendasit atëherë ishin turrur me tërbim të papërmbajtur. Ishte fat që kishte qenë duke u errur dhe nuk kishin parë shumë ndryshe do t’i kishin shfarosur të gjithë.

Në atë zallamahi dhe çoerientim të plotë, Aledini që kishte zënë pozicion diku nga anët e batalionit, ia kishte mbathur edhe ai me sa kishte mundur për të shpëtuar jetën. Nuk dinte sa kishte ecur. Me siguri, 5-6 orë të mira. Mbante mend vetëm që sado që ecte në errësirë për t’i ikur luftës, dëgjoheshin vazhdimisht krisma dhe britma të frikshme dhe ai rendte sa më shumë larg tyre. Në orët e para të arratisjes, shihte afër edhe shokë të tjerë të batalionit por më vonë i humbën sysh dhe vazhdoi të ikte i vetëm. S’bëhej shaka. Këtu mund të shkonte jeta si një gjë krejt e pa vlerë. Pa ta ditur kush se të kishin vrarë për interesin e atdheut, perandorisë, shtetit, padishahut, etj, etj.

                                                                  ***

       Aledini e mblodhi pak veten nga ravgimet e një natë më parë dhe qartësoi shikimin në horizont. Falë zotit, ai kishte shpëtuar. Megjithëse tani ndodhej në një vend krejt të panjohur, në mes të askundit, siç kishte dëgjuar një shprehje nga një oficer anglez. Por ishte gjallë dhe të gjallit i bëhet halli sidoqoftë. Çfarë do të bënte tani? Si do ta gjente rrugën për t’u kthyer drejt Anadollit ku ishin kazermat e tij të ushtrisë që ishin edhe vendbanimi i tij? Filloi të ecte ashtu kot ngaqë nuk dinte asnjë drejtim. Megjithëse rrugës kishte hedhur të gjitha pajimet e tepërta, pushkën e kishte mbajtur me vete për tu ruajtur në moment të fundit. Ajo tani po i rëndonte në trup. E ndau mendjen, të ecte derisa të shihte ndonjë banor vendas për t’i kërkuar që ta orientonte drejt Damaskut dhe më pas Turqisë. Doemos do t’i ruhej grumbullimeve të vendasve të armatosur sepse ata do ta kuptonin që ishte nga trupat pushtuese, armike dhe mund ta vrisnin.  Ecte pa u ndalur, duke ngjeshur këmbët mbi rërën e shkretëtirës me shpresën që do të ndeshte ndonjë njeri apo qënie të gjallë që do t’ia tregonte drejtimin për më tej. Ndërkohë, dielli ngrihej në horizont dhe bashkë me shpalosjen më të plotë të tij, vinte edhe nxehtësia që shtohej vazhdimisht. Por ishte mëngjes dhe megjithëse nuk i ishte hequr ende lodhja e madhe e natës së mëparshme, Aledini kishte energji dhe forcë për të vazhduar rrugën.

      Po bëheshin dy orë ecje pa u ndalur. Aledini nuk kishte orë me vete por e maste kohën me lëvizjen e diellit: një pash, dy pash, tre... Dielli ishte ngritur mjaft tani megjithëse donte edhe ca të arrinte në mesditë. Filloi ta merrte etja. Ku do të gjente ujë të pijshëm? Atë që kishte pasur me vete, e kishte pirë të gjithin mbrëmë, pa e menduar më gjatë. Si do të bënte më tej? E dinte që është shumë vështirë për të gjetur ujë në shkretëtirë por prapë e mbante shpresa. Po sikur të mos gjente!? Një duhmë frike iu duk sikur ia përshkoi trupin megjithatë gjeti forca në vetvete për ta larguar me shpresë se rrugës do të bënte ndonjë gjë. Ecte më tej pa e hequr kapelen që e mbronte sadopak nga vala e të nxehtit që shtohej vazhdimisht. U përpoq që të largonte mendimet që më shumë ndillnin keq dhe të vazhdonte rrugën me shpresë se Allahu i madh do ta ndihmonte dhe orientonte më tej.

      Ndërsa mesdita po afrohej, Aledini u ul pak për të pushuar. Shikoi rrobat që mbante veshur dhe thoshte me vete: Si jam katandisur kështu!? Në luftë kam qenë, iu përgjig një zë nga brenda. Si shkohet në luftë!? Dihet si shkon por nuk dihet si vjen, ia ktheu një zë tjetër. Lëvizi trupin dhe sikur iu gëzua vetes së tij që ishte akoma gjallë duke kujtuar dhjetëra shokë të tij të vrarë e të plagosur. Por tani, ai kishte një betejë të madhe përpara. Dhe duhej ta administronte mirë se ndryshe i vinte edhe atij fundi. Jo si atyre në luftë, të vrarë e të sakatosur por në fund të fundit, prapë fund ishte. U përpoq ta kthjellonte mendjen nga mendimet që i vinin me vrull nga të gjitha anët. Duhej të gjente forca të vazhdonte rrugën. Por prapë e ndjente lodhjen e madhe në trup që ia errësonte shikimin dhe e ftonte për disa orë të tjera gjumë. Po ku të flinte ashtu në pikë të diellit, në atë vapë shkretëtire. Me sa dinte, ishte fundi i muajit maj. Vera mbërrinte herët në shkretëtirë, fundi i prillit apo maksimumi fillimi i majit. Në ato mendime, e pa që po kotej dhe s’po i rezistonte më gjumit që po vinte nga të gjitha anët si një mbulesë e madhe gjoja shpëtimtare por nëse e shtrëngonte shumë, mund t’ia zinte frymën.

                                                                ***

       Kur u zgjua, ndjeu një dhimbje të madhe koke. Dielli ishte zhvendosur nga mesi i horizontit drejt lindjes por prapë ishte ende i fortë. Shkundi pak kokën majtas-djathtas në përpjekje për ta larguar atë dhimbje që e kishte kapluar por me sa dukej nuk bënte punë. Dhimbja i ishte përqëndruar te balli dhe në pjesën e sipërme të kafkës. E pa që ishte djersitur gjithashtu. Brofi në këmbë dhe vazhdoi rrugën. Kishte shpresa se duke ecur do t’i pushonte dhimbja e kokës duke besuar në magjinë e lëvizjes. Mirëpo tani, nuk i kishte më energjitë e paradites. Sidoqoftë, u përpoq të gjente forca. Ec e ec deria pa një palmë diku larg në horizont. E ndoqi drejtimin e saj dhe shtoi ritmin e ecjes për ta mbërritur sa më shpejt. Tani kishte një pikë reference dhe kjo e qartësoi disi. Mirëpo, pema nuk kishte qenë aq afër sa e mendoi në fillim. Por prapë, kjo nuk e shkurajoi për të ulur ritmin derisa ta arrinte dhe të pushonte pak në hijen e saj. Koka vazhdonte t’i dhimbte. Gradualisht, dhimbja i kaloi nga balli dhe pjesa e përparme në pjesën e pasme mbi qafë. Në gjykim të parë, iu duk si hedhje e barrës prapa që do ta kishte më të lehtë por pastaj u kujtua, që kjo dhimbje pas koke do të thoshte rritje e tensionit të gjakut nga i cili po vuante vitet e fundit. “Eh, i ka jeta këto- mendoi- tani që po i afrohem të dyzetave”.

      Më në fund, e arriti palmën. U ul nën hijen e saj dhe e ndjeu pak freskinë dhe uljen e temperaturës. Dielli i pasdites vazhdonte të ishte i fortë madje dukej më i fortë se dielli i mesditës. Megjithatë Aledini, pati më shumë besim se po i afrohej mbasdites së vonë kur edhe diellit do t’i binte fuqia dhe ai do ta merrte pak veten. U mbështet në trungun e trashë të palmës dhe kjo i dha një shenjë sigurie. Shikonte gjethet e saj të mëdhaja apo degë-gjethet e saj dhe mahnitej nga bukuria e kësaj peme. Degë dhe gjethe për disa lloje palmash ishte e njëjta gjë. Sepse kur dega dilte nga trupi i palmës, ajo krijonte një gjethe të madhe disa metërshe që derdhej në një drejtim të caktuar dhe të gjitha degë-gjethet krijonin kurorën e palmës. I erdhi prapë etje por u përpoq ta largojë mendjen prej aty. Gavetën bosh e kishte mbajtur me vete dhe kur të gjente ujë, do ta mbushte që t’i gjindej më vonë. Hapi trastën e vogël dhe gjeti ende ca copa buke të vogla të cilat i hëngri shpejt. Jo se kishte shumë uri por meqë i gjeti dhe s’kishte ç’të bënte, mbaroi punë me to. Dhimbja e kokës nuk po i hiqej. Dukej që hija e pemës këtu nuk ishte si në vendin e tij në Shqipëri, ndjehej shumë pak. Ndoshta për shkak të avullit të të nxehtit që nuk pyeste diell apo hije por vërshonte gjithandej. Pa disa miza të vogla që lëvrinin në trungun e pemës. Gjallesa edhe ato, si njeriu. Rendnin me siguri për të gjetur ushqim. Aledini i kundronte dhe kaloi disa minuta kështu duke i parë në lëvizjen e tyre të pareshtur. 

       Duhej të vazhdonte rrugën. Po ku!? Si!? Këtë nuk e dinte por mjaftonte të ecte tani që edhe mbasditja e vonë po afronte dhe nuk do të ishte i nxehti i mëparshëm. Aledini mblodhi veten dhe u ngrit në këmbë. Çudi! Sa herë pushonte, e kishte më të vështirë për t’u ngritur dhe vazhduar rrugën. Duke ikur nga palma, ktheu edhe njëherë kokën për ta parë atë si një shoqe e vjetër që i ishte gjendur në kohë të vështirë. Ecte më tej por nuk po shihte asnjë shtëpi banimi apo njerëz të tjerë. A ishte në drejtimin e duhur? Ku ta dinte ai! Kishte rëndësi që të haste njerëz duke besuar se ata do t’ia tregonin rrugën.

       Mbrëmja erdhi më në fund por jo e freskët siç pritej. Dukej që temperatura u ul fare pak dhe avulli i nxehtë dukej sikur turfullonte duke mos gjetur rrugë tjetër për tu hapur përveçse në hapësirë. Si u errësua, Aledini pati frikë të ecte. Le që ishte edhe i lodhur. Atëhere dukej se mbeti vetëm me veten. Vetëm kishte qenë edhe më parë gjatë ditës por tani në errësirë, e ndjente më shumë vetminë dhe frikën që të shkakton ajo. Ndërkohë, koka po i dhimbte nga prapa. Kjo ndillte një farë lodhje të përgjithshme të trupit dhe mjegullim të syve. Ai u shtri diku në kurriz në një stom të vogël dhe u përpoq të flinte. Nga një anë e tërhiqte gjumi dhe nga ana tjetër gjithfarë mendimesh i vinin në kokë. Ai përpiqej t’i largonte me shpresën se kështu do të ishte më i qetë dhe do t’i pushonte dhimbja e kokës por më kot. Ata vinin si dallgë të furishme dhe nuk largoheshin pa u përplasur fort në breg, pastaj ktheheshin, për të ardhur përsëri. Kur i doli gjumi ose kllapia njëherë nga mesi i natës, po digjej nga etja. Koha ishte freskuar disi dhe i bëhej të vraponte dhe të gjente ujë ku të mundte. Por pasi lëvizi pak kokën, e kuptoi se e kishte plumb të rëndë, Atëhere e pa se s’kishte zgjidhje tjetër përveçse të përpiqej ta kalonte atë natë ashtu me besim se të nesërmen, siç thoshin: ditë e re, nafakë e re.

                                                                    ***

      Të nesërmen i doli gjumi herët. Dukej se ishte qetësuar pak megjithëse dhimbja e kokës, tensioni ose gjaku, siç e quante ai nganjëherë, nuk ishte hequr plotësisht. Më saktë, ai dukej sikur ishte shpërndarë në të gjithë kokën duke peshuar në qafë e deri në mes të shpinës. Sidoqoftë, ishte herët, sapo kishte filluar të agonte dhe ai u këndell një copë herë duke parë qiellin pa re që po e ripushtonte sërish tokën në çdo cep. Pasi u shtriq pak, u ngrit në këmbë dhe vazhdoi rrugën. Ndërsa ecte, pa se ndryshe nga toka ku nuk haste gjë të gjallë, në qiell ishte ndryshe. Herë pas here i parakalonin zogj të vegjël, sorra, laraska e shpendë të tjerë të egër që ai s’ua dinte emrat. I kishin thënë se në shkretëtirë hasen edhe fajkonj apo skifterë por ai s’po shihte ndonjë. Ngushëllohej duke i parë dhe kjo ia shtonte besimin për të vazhduar më tej.

       Kur arriti në një vend ku kishte tek tuk fije bari megjithëse gati të thara, Aledinit iu shtuan shpresat. Përderisa kishte bar aty, mendoi se duhet të ketë pasur edhe ujë. Shtoi ritmin e lëvizjes dhe rendi sa andej këndej me shpresën se do të gjente të paktën ndonjë pellg të vogël ku të shuante pak etjen. Më tej pa edhe disa shkurre të vogla fare si ferra apo driza me gjethe të vogla. U soll gjithandej por nuk gjeti ujë. Një mendje i thoshte të gërmonte se do të dilte ujë diku por s’kishte mjete dhe as fuqi. Eci kështu nja tre orë të mira dhe pastaj u ul për të pushuar. Etja e kishte lodhur shumë. Buzët i ishin tharë megjithëse përpiqej t’i njomte duke i lëpirë me gjuhë. Filloi të humbte shpresat se do të haste njeri. Kishte shpëtuar në luftë por a do t’i shpëtonte paqes, në mes të shkretëtirës së paanë!? Nëse humbte këtu, kush do të kujtohej për të!? Ai kishte 15 vjet që kishte lënë vendin e tij Shqipërinë për të ardhur nizam dhe e kishte shtyrë kështu vit pas viti. Vitet e para, i ri dhe i fortë, ai nuk donte t’ia dinte për asgjë. Komanda dhe shokët e donin dhe e çmonin. Por me kalimin e kohës, ndërsa trupa më të reja i bashkoheshin ushtrisë turke, vëmendja ndaj tij dhe të tjerëve të moshës së tij kishte rënë. Ata nuk ishin më trupa të freskëta që të kallnin datën por radhiteshin në toga të tjera që në luftime vendoseshin diku nga mesi apo në prapavijë. Atëhere çdo vit bënte mend të kthehej tek familja e tij në Shqipëri por e shtynte vazhdimisht ngaqë komanda gjente gjithfarë pretekstesh duke ia shtyrë për një operacion apo për një tjetër, duke i bërë premtime të gjithfarëllojshme, pjesa më e madhe e të cilave shkriheshin si kripa në ujë. Familja, gruaja, djali që e kishte lënë në Shqipëri, vëllezërit, njerëzit e tjerë të afërm, një valë kujtimesh e pushtuan dhe ai i la të vinin tani pa mëdyshje ngaqë s’i kishte mbetur shumë rrugë për të zgjedhur...

        Kur kishte ikur nga Shqipëria, kishte vetëm dy vjet martesë. Djalin që e la një vjeç, nuk e kishte parë më. Tani ai ishte rreth 16 vjeç dhe kushedi si e përfytyronte të atin. Kishte lënë gruan në moshën më të mirë duke menduar se do të kthehej pas 2-3 vjetësh. Por edhe kur kishte qenë në Shqipëri, ai nuk është se bënte shumë biseda me të. Forca e zakonit që ai si burrë duhej të mos shfaqej shumë i dashur dhe i përulur ndaj gruas së tij, kishte bërë punën e vet.Megjithatë në dhomë, shpreheshin pak më lirshëm me njëri-tjetrin, derisa trupat e tyre kapërtheheshin e i zinte gjumi. Kishte edhe tre vëllezër të tjerë që ishin martuar e kishin krijuar familjet e tyre. Vit pas viti kur ndonjë nizam kthehej, ai i çonte ndonjë porosi familjes së vet, rrallë edhe pará. Apo kur vinte ndonjë nizam i ri nga zona e vet, ai i jepte të njohur, e mirëpriste, e takonte dhe shkëmbente me të, të rejat e fundit. Kur vinte ndonjë nga fshati i tij, i bëhej zemra mal, e bënte shok menjëherë dhe ai i tregonte pastaj në hollësi për familjen e tij dhe për fshatin ku kishte lindur dhe ishte rritur. Pas disa vitesh, ai mësoi se familjes së tij, i kishin dhënë disa dynymë tokë dhe disa bagëti me siguri si shpërblim për kontributin e tij në luftë. Por këto ishin shumë pak për të mbajtur frymën gjallë në atë vend të ashpër. Duke e shtyrë për një vit e për një tjetër, ai kishte lënë të kalonte kaq kohë sa tani që po i afrohej të dyzetave, kishte mbetur në dilemën e fundit tej çdo parashikimi të mundshëm.     

       Malli po e brente pa pushim për gjithçka që kishte lënë në vendin e tij. Për të gjithë njerëzit e tij të afërt që tani i shfaqeshin si para një pasqyre ku ndërroheshin vazhdimisht objektet e pasqyruara. Vitet e fëmijërisë që i kishte kaluar në një shtëpi të madhe me njëzet e ca anëtarë, në varfëri por me shumë dashuri për njëri-tjetrin. Dhe ai si djali më i vogël, ose “sugari” siç quhej që ndihej shpesh i privilegjuar. Sapo u rrit pak, e morën në dhomën e pritjes ku rrinin burrat dhe të mëdhenjtë e shtëpisë në katin e dytë. Aty edhe flinte me djalin e xhaxhait. Kështu i dukej vetja më i madh, dëgjonte turli lloj bisedash në odën e miqve dhe i admironte ata burra të fortë dhe të matur në fjalë e në gjeste. Pastaj kur u rrit, kishte shkuar shumë vite me bagëti dhe e pa veten në bjeshkët e larta me ujë të kulluar burimesh dhe gjelbërim të pafund. Dimrit edhe kishte vuajtur shumë në ato bjeshkë por i riu si veriu thonë, nuk pyet. Sa të bukura kishin qenë ato kohë! po mendonte ai. A janë përsëri sic kanë qenë apo çdo gjë ka ndërruar edhe atje!? Një mall i pashuar po e digjte së brendshmi dhe ai e harroi fare vendin ku ndodhej, dhimbjen e kokës që po i vlonte nga brenda dhe po këndellej në vitet e rinisë së tij. Pastaj kur u rrit, tema kryesore në familje u bë si t’i gjenin një nuse të bukur dhe nga një derë e mirë për të. Diskutime pas diskutimesh në familje derisa ata e morën vendimin. Ai thjesht dëgjonte dhe askush s’ia mori mendimin kur vendosën. Me sa dukej kishte rëndësi që ai të mos kundërshtonte hapur. Nusen e kishte parë ndërmjetësi apo “misiti” siç quhej, një mik i familjes, dhe një ditë edhe i ati i tij dhe gjithçka quhej e kryer. Kur ishte fejuar, dhe kishte shkuar në një darkë te krushku, ai kishte dalluar në mbrëmje nga dritarja një hije që lëvizte me shpejtësi në hajatin e katit të dytë kur po sillnin bukën dhe i shkoi mendja menjëherë se ishte e fejuara e tij. Për një moment, i fërgëlloi gjithë trupi por u përpoq të mos binte në sy. Pastaj martesa, netët dhe muajt e parë të paharruar dhe përshtatja edhe me këtë zakon të ri. Vendimi më pas për të shkuar nizam që ishte detyrim dhe kontribut për familjen sepse shteti do t’i obligohej për t’i ndihmuar sadopak.

       Bashkë me mallin, e kapi edhe meraku tani sidomos për gruan dhe djalin që kishte lënë në Shqipëri. Si trajtoheshin ata në atë familje të madhe me shumë breza, shumë kurora dhe shumë fëmijë të tjerë!? Si do të dukej tani djali i tij, 16 vjeçar, të cilin nuk e njihte as vetë i ati!? Po gruaja!? Sa kishte vuajtur ajo!? Jo thjesht vuajtjet fizike të punës po qëndrimi i njerëzve të tjerë ndaj saj. Sado që ai ishte i sigurt që kishte përkujdesje dhe mbrojtje për të, prapë s’mund të shmangeshin edhe gjeste apo sjellje të tjera. Ata e dinin se shumë burra të tjerë që kishin shkuar nizamë, nuk ishin kthyer kurrë më. Për një pjesë kishin marrë lajmin se ishin vrarë dhe kishin pritur e përcjellë njerëz për ngushëllim pa kufomë ndërsa për një pjesë tjetër nuk kishin dëgjuar më kurrë. Një pjesë e vogël ishin kthyer pas disa vitesh por kur ishin kthyer nuk njiheshin më, ishin plakur, shpërfytyruar dhe mezi pranoheshin si më parë në familjen dhe rrethin e tyre. Sado që gratë nuk shprehen, edhe ato kanë ndjenja si burrat, po mendonte ai. Kanë nevoja për dashuri, për seks, aq më tepër në moshë të re. A i kishte rezistuar ajo, po mendonte për gruan e tij,  ngacmimeve të ndonjë burri apo më në fund kishte pranuar të shkonte me të, në fshehtësi, duke iu bindur dëshirave të trupit? Besnikëri bashkëshortore! Sa! Deri kur!? A do ta donte gruan e tij kur të kthehej si më parë? Donte të besonte kështu por vështirë...Koha bënte punën e vet.

                                                                       ***

       Në këto mendime, Aledini u përpoq të vinte përsëri në vete. Ashtu siç ishte shtrirë, fillimisht ngriti supet për t’i ndjerë dhe shkundur nga lodhja dhe dhimbja e kokës që e kishte kapluar, pastaj shpinën dhe këmbët. E ndjeu edhe organin e tij por megjithëse u përpoq ta lëvizte, nuk iu bind. Kishin kaluar ato vite kur i rrinte dru gjithë kohën dhe ai përpiqej ta fshihte nga njerëzit e tjerë që të mos binte në sy. U përpoq ta ndjente qarkullimin e gjakut si rridhte poshtë siç parapëlqente ai, nga truri, në shpinë, poshtë në organin gjenital ku natyrshëm duhej të grumbullohej më shumë gjak pastaj në kofshë, në gju e deri të këmbët. Ngriti paksa edhe kokën për ta lëvizur pak qafën për t’u çliruar sadopak nga tensioni i rritur i gjakut por e ndjeu se i ishte rënduar shumë. Pastaj pa njëherë afër dhe pastaj tutje në horizont për t’u siguruar ku ishte dhe për tu shkëputur nga ajo kllapi dhe ato ëndrra të vendlindjes së tij. Për disa minuta, u kthjellua pak. Duhej të mendonte tani si t’ia bënte në atë gjendje ku e kishte sjellë fati që dukej pothuaj pa rrugëdalje. Pa diellin në horizont që megjithëse nxehte si saç, nuk ndriçonte edhe aq shumë por jepte një dritë të vagullt, gjysëm të mjegullt dhe në dukje të zbehtë. Nuk ishte si dielli i Mesdheut i vendit të tij me rreze që shpërhapeshin nga të katër anët dhe me një dritë që sado që nuk dallohej me sy, dukej se i përmbante të gjitha ngjyrat me të gjithë forcën dhe magjinë e tyre depërtuese. Kishte kaluar mesi i ditës. 

       U përpoq të largonte të gjitha mendimet për njerëzit e tij apo për kohën e kaluar në ushtri. Por e ndjeu se e përshkoi një kllapi nga e cila sado që mundohej, nuk dilte dot. Kaloi edhe disa orë kështu derisa në mbasditen e vonë kur dielli i ishte afruar perëndimit, u qetësua pak dhe mblodhi forcat e fundit për të bërë edhe pak rrugë. Kishte kohë për të pushuar mjaft kur të binte nata. Eci një copë herë ashtu me këmbët që i kalamendeshin por edhe duke besuar se lëvizja do t’ia lehtësonte qarkullimin e gjakut dhe tensionin. Pushkën që e mbante më vete, e hodhi tani. Kjo do t’i paraqiste rrezik në rast të hasjes së ndonjë njeriu dhe në vend që të shpëtonte, mund të vritej. Le që s’ishte në gjendje ta përdorte më. Tani mbante vetëm trastën bosh me një gavetë të cilën shpresonte ta mbushte me ujë ku të mundte. Ndjeu që po i dhimbte më shumë shpina. Eci sa eci kështu dhe ndërsa mbrëmja po binte, dhe shikimi po i mjegullohej, ai u shtri në një vend për të kaluar natën.Ishte nata e tretë që e kalonte kështu, në mes të shkretëtirës, pa bukë, pa ujë, i vetëm, i sëmurë...

       Po shihte një ëndërr sikur i qe afruar më në fund një pusi me ujë por s’mund të pinte. Nga forma e pusit, me parmakë të lartë druri ndërsa nga brenda me mur rrethor prej guri, dukej që do të ishte afër ndonjë qendre banimi por në atë moment nuk po dallonte njeri. Hodhi sytë përreth për ndonjë kovë metalike por nuk pa gjë. Një mendim tjetër i vinte që të hidhej me not në pus dhe të pinte ujë. Po si do të dilte pastaj? S‘ kishte ku të kapej për t’u ngjitur. Vëzhgonte rreth e rrotull për ndonjë bucelë uji apo litar por s’po gjente. Afrohej te parmaku dhe shikonte ujët e pusit që megjithëse ishte pak poshtë, prapë dallohej qartë saqë mund të pasqyrohej në të. Në një moment e uli kokën shumë për të parë saqë po i merreshim mendtë. Duke qëndruar ashtu dëgjoi disa hapa që po afroheshin nga prapa dhe kur u kthye pa një grua arabe me hixhab që po vinte me një bucelë uji në shpinë. U largua pak dhe i hapi vend duke pritur që ajo pasi të mbushte vetë,do t’i jepte edhe atij. Ishte një grua e re dhe megjithë cohën e zezë të veshjes që e mbulonte nga koka te këmbët, prapë se prapë dallohej nga lëvizjet e shpejta të këmbëve dhe nga hepimi i trupit. Gruaja nxori ujë me kovë disa herë derisa e mbushi bucelën dhe pastaj kur e pa të panjohurin që po priste, la një kovë uji të mbushur dhe u largua pak duke pritur pa folur. Ai u afrua dhe ndërsa po ngrinte kovën për të pirë ujin aq shumë të dëshiruar, i doli gjumi...

       Nuk e dinte çfarë ore ishte, para ose pas mesnate por e kishte kapur një etje e tmerrshme. Buzët i ishin tharë dhe madje edhe gjuha edhe gurmazi mezi lëngështoheshin nga etja e madhe. I gjithë kanali i tretjes që nga goja, në fyt e deri në stomak iu duk se ishte zmadhuar pa fund dhe mezi po priste për një pikë ujë. Koka vazhdonte t’i dhimbte fort. Mbylli sytë duke u përpjekur të flinte por i dukej se dallgë të furishme uji i turreshin për ta mbytur e ai nuk ikte dot po përballej me to ndërsa forcat po e linin....

      Të nesërmen s’mundi të lëvizte më nga vendi. U përpoq disa herë por e pa se e kishin lënë fuqitë. Dielli po nxehte më shumë se asnjëherë tjetër atë ditë. Dukej se kishte rënë në koma sepse gjithë kohën i shfaqeshin pamje të turbullta dhe hije të frikshme që dukej se do t’ia zinin frymën.  Në një moment, çoi dorën për të fshirë hundët që po i kruheshin dhe sapo e afroi dorën dalloi një lëng që po i rridhte. Si në gjysëm errësirë pa ngjyrën e gjakut që ia kishte kuqëluar duart. Atëhere u shtri edhe më shumë në kurriz të ndalonte rrjedhjen e tij.

       Pas kësaj, ai nuk shihte më rreth e rrotull. Përpiqej të shkëputej nga ajo gjendje kome apo kllapie që e kishte kapur por nuk dilte dot. Copëra kujtimesh i vinin të vagullta dhe ai kapte disa prej tyre për një kohë të shkurtër por s’mund t’i mbante gjatë. Fëminia, vendlindja, njerëzit e afërt, djali, gruaja në Shqipëri. A iu shkonte mendja atyre se në çfarë  gjendje ishte ishte ai tani? Pastaj iu kujtua ajo kënga që për nizamët  shqiptarë ishte kënga e lamtumirës apo e fatit të keq: “Mbeçë, more shokë, mbeçë/ Përtej urës së Qabesë”. Sa e kishte përshpëritur këtë këngë nëpër dhëmbë kur kishte qenë mirë duke iu druajtur fatit të keq dhe po i vinte në mend tani! Sa ia kishte përsëritur shokëve të vet nizamë atë këngë të shoqëruar me një ofshamë vuajtjeje për destinin e tyre të pashmangshëm! I vinin në mend strofa të tjera të kësaj kënge  të dëshpëruar dhe ai i këndonte me vete si duke lënë amanetin e fundit. Ai s’ishte vrarë në luftë megjithëse ishte plagosur disa herë. Atë po e vriste paqja. Kishte mbetur në mes të shkretëtirës pa bukë, pa ujë, pa njeri që t’i vinte në ndihmë dhe a nuk ishte njëlloj? Sikur të vritej nga plumbi do të ishte një fund i tmerrshëm por sidoqoftë po mendonte më i mirë se një tmerr pa fund siç po e provonte ai. Kishte mbledhur edhe ca para nga gjithë këto vite nizamllëk që i kishte lënë në kazermë në Turqi. Të paktën, ato t’ia dërgonte familjes. Po si t’ia dërgonte tani!? Për ato para që kishte fituar dhe të tjerë që ia kishin premtuar, po linte kockat në këtë vend dhe madje as ato s’ishte në gjendje t’i dërgonte. Eh, fati i shqiptarit, mendoi edhe njëherë dhe ndjeu se iu mbushën sytë me lotë... 

       Ai e dëgjonte se dikush po i fliste dhe po e shkundte nga trupi por nuk shihte gjë. Zërat po i vinin gjithnjë e më të afërt por vështrimi i ishte mjegulluar plotësisht dhe nuk dallonte gjë. As fjalët nuk i kuptonte por po bindej se një njeri i qe afruar dhe po i fliste. Nuk e dinte sa zgjati kjo gjendje vetëm se erdhi një moment kur ai i hapi sytë dhe dalloi një njeri që i fliste një gjuhë të panjohur. Në duar i dalloi një pagure me ujë me të cilën ia kishte lagur buzët dhe po përpiqej t’i jepte për të pirë. “Turkye, turkye?” po pyeste i panjohuri. Jo, jo, mohoi ai duke u përpjekur të tundte kokën. “Arnaut” iu përgjigj Aledini, pa qenë i sigurtë që i panjohuri do ta kuptonte. Këtë herë i huaji e vështroi me dashamirësi dhe u duk se u morën vesh. Kaq i mjaftonte vendasit, që të mos ishte turk me të cilët ai identifikonte trupat e ushtrisë pushtuese që ai dhe njerëzit e tij sapo kishin luftuar, pa për tjetër?... Ai ishte qënie njerëzore që duhej ndihmuar. Atëhere ia afroi paguren me ujë dhe ai piu pak sa për ta marrë veten. Aledini e shikoi me një ndjenjë të madhe mirënjohjeje vendasin. Vështroi nga qielli duke iu drejtuar Zotit të madh që ia kishte sjellë këtë njeri të mirë. Nuk kishte nevojë për fjalë për tu marrë vesh. E pa se kishte shpëtuar. Më në fund.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen