Samstag, 15. August 2015

Poezi nga Adem Zaplluzha (1)


AFËR SHTATË DHIMBJE

Një zë i ngjirur,
 Si një vullkan i papërmbajtur,
 Gufon nga errësira;
 Furtuna në maja të plepave
 I përtyp ëndrrat e saja të pazbërthyera.

Prej një rrënje në tjetrën,
 Hulumtoj prejardhjen e njeriut,
 Gjethet më shikojnë me xhelozi,
 Bari i zhuritur
 Ecën si drurët gjetherënës.

Çdo ditë dhe në secilin hap,
 Hasi ekuacionet me shumë të panjohur.
 Ndonjëherë, as vetë nuk di,
 Se kush isha dje dhe kush jam sot!
 Pasqyra e vjetër, si çdo herë, më shikon
 Në mënyrë habitore.

I preki duart e mishta të erës,
 Rrugët janë të gjata.
 Kur trishtimi përtyp dhimbjen,
 I kalëroj shpirtrat e furtunave
 Për shtatë plagë të hidhura
 E nuk ia prishi qejfin vetes.


TË LUTEM, MOS IK SONTE!

Mos ik sonte,
 Asgjë nuk më ka mbetur
 Përpos vetmisë sime.
 Kjo lule e fishkur në vazo
 Nuk di se çfarë emri ka.

Unë kam mbetur pa emër,
 Mbiemri i erës është furtuna.
 Cila grua më mori në qafë,
 Asnjë puthje e egër
 Nuk ndiejnë buzët e fishkura të erës.

Të lutem, mos ik sonte,
 Rruga e gjatë dhe kjo natë
 Nuk kanë të sosur;
 U përngjajnë dhimbjeve të shiut,
 Shih se si vajtojnë stërkalat
 Në xhamat e palara të fjalëve.
 Të lutem, mos ik sonte!


FANARI

Nëse mbetem pranë këtij stoli,
 Do qaj me erën;
 Si gjethet e fishkura të vjeshtës
 Do hingëllojnë ndjenjat e mia.

Më janë shterrur sytë e gështenjtë,
 I shkyça të gjitha shpresat.
 Sa kam mall t’i përngjaj pritjes,
 Ndoshta, ti do kthehesh një ditë.

Unë jam çdoherë te moli
 Me një rrjetë peshkatari,
 Në lotin e dehur të mëngjesit
 I peshkoj ëndrrat e përmbytjeve.

Një mjellmë e bardhë
 Fluturon me pulëbardhat e uritura,
 Fanari duket si roje nderi,
 Me sy të kyçur kundron detin e përgjumur.




ZGJATMI DUART E SHPRESËS

Zgjatmi duart e shpresës
 Nëpër dunat e hapësirave,
 Ngacmoje lëkurën e ajrit të verbët.
 Kjo natë qenka e lindur
 Vetëm për prekjet e mëndafshta të erës.

Sytë e tu si dy burime të pangopura,
 Të ngrohta deri në përsosmëri;
 Vetëm një qeshje mungon
 Për zgjimin
 E ndjenjave të furishme të lumit.

Kjo stinë e vjeshtës ngarkuar me barrën
 E gjetheve të argjendta
 I paska fshehur
 Me miliona grimca dashurie,
 Që vezullojnë nga sytë e tu të kaltër.

Zgjati duart kah hapësira e paanë,
 Përqafoje siluetën e mjegullave;
 Një aromë e këndshme
 Prej njeriu
 Fshihet nën hijet e puthjeve të pritjes.




AI ISHTE VETË DASHURIA
 -Lasgushit-

Nuk më kupton askush,
 Por unë jam shumë i sigurt
 Se e kam njohur,
 Fare mirë e kam njohur Lasgushin,
 Kam ecur zbathur
 Dhe i uritur nëpër vargjet e tija.

Ai njeri i madh,
 Jo vetëm që thuri vargje më të bukur
 Për dashurinë,
 Por ai ishte vetë dashuria;
 Ishte aq i ri në moshën e shtyrë,
 Sa që dashuroi si i çmendur
 Lotosin e posaçelur në sytë e agullimës.

Shpesh herë më vjen në ëndërr
 Me një lule të bardhë
 Dhe më thotë:
 Dashuro si i marrë,
 Nëse dëshiron të bëhesh poet!

Hyrë në rrënjën e lules,
 Bisedo me thimthin e bletës,
 Në çdo shpirt,
 Te i cili mbarësohet jeta,
 Takohesh me buzët e paputhura të pranverës.



OSE SI NJË ZAMBAK PA AROMË

Sa herë që i hapë krahët
 E duke buzëqeshur
 Më pret në shtëpi,
 Unë përherë,
 Në sytë e tu të gështenjtë,
 Shkruaj nga një poezi.

Kur nga flokët e tu të argjendta
 Ngrehi një kala,
 Ku strehohen me qindra bohemë,
 Unë fshehtazi depërtoj
 Në sytë e tu
 Dhe gjatë tërë kohës
 Sërish shkruaj një poemë.

Po të mos ishe ti,
 Nuk di se çfarë do të bënte
 Shpirti im zezonë;
 Ndoshta, do të rritesha
 Si një therrë në saksi
 Ose si një zambak,
 Pa shije dhe pa aromë.



ME MILIONA NJERËZ

Me miliona njerëz
 Punëtorë krahu dhe poet
 Latojnë ekzistencën e një ngjyre

Pastaj
 Të gjithë këta
 I përngjajnë kokëfortësisë
 Shndërrohen
 Në pastele prej trishtimeve

Sa e vockël
 Më duket kjo tokë në shuplaka
 Sa që e fsheh
 Mes përrallave të fëmijëve
 Kur i dëgjohet klithma e erës
 Ajo qan si një kërthi

Me miliona njerëz
 E ustallarë të gurëve
 Dhe poet endacak
 Shtrydhin nga shpirti i ylberit
 Bukurinë
 E një grimce pluhuri


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen