Donnerstag, 6. August 2015
Poezi nga Rrahim Sadiku (1)
ARDHJA NË ATDHE
“O lumenj të shpejtë
të gjatë,
o fusha luleshumë!
Jungjatjeta, o trima!
Përshëndetje Atdhe!
Na ngrohe shpirtin!
Shpirtin ta japim...”
Dialog pranvere
në dritë lirie,
me këngën e jetës
rrugëve të qëndresës
pranverës që rritet...
Po gjëmojnë topat
po ushtojnë granatat,
zemra e Atdheut
po rritet,
po ndritet...!
TAKIMI ME LIRINË
Sa gjatë të shikova
E nuk të shijova!
Isha i robëruar!
Vuajtjes të njoha,
pashë se s’kisha patur sy,
derisa nuk besova me ty,
Liri!
Mandej më ftove,
rrugën për jetë tregove,
madhështi!
Ah, sa isha i lumtur!
Kuptova sa kohë kot kisha humbur,
pa u betuar në ty!
BETEJË
Zdirgjemi teposhtë Pashtrikut
të gjithë ardhur për herë të parë aty,
sikur jemi shndërruar në vesh e sy...
Bafti Plaku tregon me shenjë:
jemi futur midis fushimit të armikut
t’i biem befas, tmerr t’i fusin të ligut.
Dhe pushkë e bomba pëlcason
mbi bedena e tenda
digjet e piqet gjithë çka ka brenda,
frikacët ikin nëpër kaçuba e gjemba...
Hasin në breshëri nga të gjitha anët
plojë bëhet në ushtrinë ardhur nga Serbia...
Për ta varr e humbje bëhet Shqipëria...
MIDIS MALESH
Pashtriku ka mbuluar rrethinën me hije,
rreth tij hedhur tonelata sulfuri e baroti,
e gjitha shkon krejt së koti...
Ne qeshim e vërsulemi mbi armikun:
Nuk digjet ky dhe as nga napalmi,
Ky dhe forcohet kur për të lufton i zoti...
DILA E MARKUT
“O Dila e Markut, shko se rrezik,
Vetëm rreziku të pret në këto anë...!”
“Bukë u solla o bij, bukë e ujë...
Jam shqiptare, më thërret atdheu,
Të bëj aq sa mundem...
Jam grua shqiptare...
O, edhe unë jam nënë...”
RRËZË PASHTRIKUT
Kudo mirësia
me trimëri lidhej,
me qëndrim stoik
edhe toka sikur dridhej.
Kur vdekja korrte
Të gjithë mendonin: jetë!
Po jetë e falnin si me le
për liri të vërtetë!
Dhe në mendje nuk kishin
etje për trim e hero,
për ta ideali plotësisht përmbushej
kur liria të agonte kudo!
PRANVERË LUFTE NË PASHTRIK
Erë e jugut mbi Pashtrik
sjell gjelbërimin idilik,
na jep forcë e mall shtëpie,
na ngjall shpresa ardhmërie.
Shikojnë Drinin luftëtarët
kah përshkon Dukagjinin,
përkrah tij tankse armike
duan ta zgjasin robërimin...
“Jo e jo” – bërtet trimëria,
kjo pranverë nuk shkon kështu,
është me ne aleate,
do ta kemi liri këtu...”
Dhe ngado ushtojnë topat,
do ta kemi Shqipëri.
kur fitorja të agojë,
kremtja jonë
do të jetë: liri!
ASTRIT SULIT
Astrit Suli e tundi malin,
ia ndjeu Pashtriku mallin:
“Të puth atdhe!”
Mbi serbët u hodh me furi,
jetën e dhuroi sikur me le!
Me ne je jeton kohën e pavdekshme
Madhështive të përjetshme,
O. burrë burri!
Shqiptaria është aty,
Zemra e zemrës së Kosovës,
Zemën e vet hapi për ty!
ALIRIZA SELMANIT
Ishte kohë për ndijime pranverore,
kur jetën iu fale Atdheut
para syve tanë u rrite si lastar
dhembje e dritë na u bë gjaku Yt!
Në kujtesë na mbeti
shtrëngimi i duarëve.
si nisje për në Tokën e Premtuar!
Kombi mori kumtin e flijimit,
ne kumtin e dhembjes…
Para se të shkonim në pozicione thamë:
djalë gazmor e trim!
Zëri i Atdheut e grishi.
me mallin shumëvjeçar në gji
plumbave u doli përballë!
Ngopi me gjak rinor
sinoret e Kosovës martire!
Dritë u bë gjaku i tij
në pranverën më të madhe të Atdheut!
LUFTËTARIT ANONIM
Kreve misionin më të shenjtë ndaj Atdheut!
Për të mbetur i gjallë në gjallërinë e kësaj toke!
Na e shtove dhembjen e na e rrite krenarinë!
ZONA E NDALUAR
Kishin shkruar:
“Zonë e ndaluar!”
Madje në gjuhë të huaj!
Shikoi komandanti e tha:
“Po, vërtetë zonë e ndaluar,
Por jo për ne... është për ata”.
Dhe u hodhëm mbi armiqtë
Shkelëm gurin kufitar
Shkyem mbishkrimin...
Larg e larg iku armiku
për të mos u kthyer kurrë më,
zonë e ndaluar për të u bë Pashtriku....
SI PISTOLETË
Shiko atë luftëtarin
me shumë trima rrethuar,
me shumë të tjerë prapa
tek vijnë vargan, vargan...?!
A nuk të duket kreshnik,
si Mujë Bylykbashi vërsulet,
me urra sikur malet ngrit përpjetë!
Në dorën e tij edhe mitrolozi
duket mu sikur pistoletë...
SHTIGJE LIRIE
U nisëm malit
ia thamë të vërtetën:
Atdheun e duam
më shumë se jetën!
Secili që këtu
nuk vjen si mik,
e meriton plumbin,
e kemi armik!
Atdhe e kemi mendjen,
shpirt e kemi Atdhe
Atdhe hapet në horizonte,
dritë Atdheut i jemi ne.
Deri te liria
rrugë e gjatë mund të jetë,
e gjatë dhe e vështirë!
Ne nuk ndalemi,
me të ligën përballemi
ngulisimin shpresën e dëlirë..
Kur ngrohtësi lirie
ngoh fusha e male,
lugina e brigje...
Ne gjallë a vdekur do të jemi aty
lirisë të marshojmë nëpër këto shtigje...
LIGJËRIM DËSHMORI
Me ideal në gji dola malit
e veten shkriva ndër luftëtarë,
Për vete e dija, do fitoja
fëmijët e mi në radhë të parë!
Detyrat kreva pa hezitim,
kudo armikun prita me zjarr,
heroikën me shokë ushqeva,
armikut i hapëm kudo varr!
Një ditë rash në betejë,
biri im erdhi në jetë pastaj,
atë e rrahën me “liri”,
e shpërblyen me vuajtje pa skaj!
Lirinë e gëzojnë ata që fjetën,
ata që donin paranë e jo rrezikun,
ata tashti kanë në duar pushtetin
dhe pozita ndajnë për hajnin, të ligun!
Nuk jam atje të ndaj drejtësi,
as mund fëmijët e mi të ndihmoj,
po që kisha të madh ideal
jam krenar, nuk e mohoj.
E mohoj që më bjerrin gjakun,
që vrasin e shkelin secilin ideal,
po e shoh se liria gjetiu realizohet,
se leht thërmohet ajo që fitohet në mal!
BETONARME QËNDRESE
Ato ditë maji e qershori
nëpër fushëbeteja
njëri pas tjetrit ranë:
Baftiu, Selveri, Shpendi..
dheun arbëror me gjak e lanë....
Ganiu, Abdurrahmani, Beroni,
lart e ngrehen thirrjen liri,
Alirizai, Astriti, Baliu, Florimi..
i dhanë kuptim fjalës atdhedashuri...
Salihu, Zejnullahu, Safeti, Ejypi, Xhelali...
përballë vdekjes ishin madhështia vetë
ishin krenari...
Ranë, njëri pas tjetrit ranë...
kufomat e armiqëve ferrave e lugjeve i lanë...
KTHIMI NGA GOROZHUBI
Vij nga një fshat i djegur, Nënë, me aromë lirie mbështjellë ngado.
Nga atje ku guximi kalonte kufirin e shkonte përtej ecjes së imagjinatës.
Një rrugë hapej gurëve, barit të pashkelur, bombave të kurdisura
për të arritur deri te ëndrra e dritës, tej viteve të kaluara në terr e tmerr!
Kohën për ta pasur mike, pas armiqësisë aq të gjatë, pas mallit e etjes.
Për të kënduar lutjet e përjetësisë e për t’iu bashkuar rrjedhës së lumit,
dheun e atdheun për t’i bërë një, për t’i ujitur me gjakun e bekuar.
O, sa lotë janë derdhur për të mos patur më lotë, sa zemra është zhuritur
për të mos e fshehur dashurinë, për t’i thënë fjalët pa dry, pa pranga?!
Ditës për t’i dhënë emrin e saj, ditëlindjen për ta festuar me ditën e re,
deri në qiell për të lëshuar fishekzjarret e lumturisë... Mos qaj, Nënë!
Vdekjen këtu e përqafuam si gjirin tënd, e pagëzuam lindje e re!
Po vdisnim, Nënë, si nuk vdiset e deshëm të mos jetonim fyeshëm,
deshëm ta meritonim dashurinë tënde, dhembjen tënde, klithmën e zemrës.
Të gjitha i deshëm, Nënë vetëm robërinë e poshtërimin nuk i duruam...
Këndo, Nënë, se ne jemi me ty në ata flamuj, në atë vrull jete, në ato etje!
E gjitha ka kuptim, si dhe dashura ime për Ty, e vuajtura ime, e djegura,
Nënë, Ti je ky dhe, Ti je ky qiell, Ti je kjo lumturi e vizatuar nëpër fytyra.
Dasmorët priti si duhet, ata po sjellin nusen çfarë ëndërronte kjo tokë!
Vallëzo, Nënë, me lotin, me zhuritjen, me fotografinë time në sy!
Edhe unë në valle jam, Ty të kam edhe më shumë në zemër, Nënë!
Më në fund edhe Ti do të ndjesh se sa mirë merret frymë në liri!
Në liri, Nënë, në liri, në liri... Nënë e gjitha nënave mbi këtë dhe
Ecja drejt vdekjes ishte fryma Jote e jetës në mua, kuptimi i kuptimeve!
Ajo për të cilën thuhet me zemër: ishte më shumë se dashuri.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen