Freitag, 7. August 2015

Poezi nga Mërgim Osmani (1)


Selia e BE … Vjenë

Sa here hyj në këtë shtëpi
Më dhemb shpirti …
Më dhemb zemra …
Nuk e gjej dot veten prej nga vij
Prej nga kam rrënjët e të parit.

Unë Bir Iliri ... Bir Shqiptari
Flamuri im kuq e zi….
Le të jetë e shkuar e harruar….
Shqipëria Kosova duhet të jetë Nji.

Dhe do të bëhet
Se ska si ndodh ndryshe …
Ky komb i lashtë e meriton …
Tok me Familjen Evropiane
Aty e ka vendin… të jetë gjithmonë …

Ujqit e tërbuar
Në këtë kohë të pakohë
Ulërijne  Ujqit e tërbuar
Nga mesjeta dhe deri ne kohën tonë
Në këtë kohë të pakohë !
Vallë duan të na gllabërojnë
Përherë e më shumë
Jo jo sikur skanë të ndalur
Ujqit e tërbuar
Në këtë kohë të pakohë .

 


Duke pi ujë Shadërvani

Sa herë vij i përmalluar
Ndalem e freskohem me ujë të kulluar…
Etjen e shuaj duke pirë ujë Shadërvani…
Në qendër të Prizrenit të Bekuar.

Ai ujë zbret nga Pashtriku kryelartë
Gurgullon zhurmshëm kur zbret poshtë …
Kush ka pirë ujë Shadërvani aty ka mbetur
Duke shuar … etjen… dhe mallin për këtë tokë .



Radio Kukësi

E vetmja erë e ngrohtë që na valëzonte shpirtin
Kur në Dardaninë  tonë mbretëronte errësira
Pranë saj ...mblidheshim
Dhe me ëndje dëgjonim
Ajo na afronte pranë Nënës
Si të  ish Perëndia .

Si sot më  kujtohet kur isha Fëmijë
Radio Kukësin e dëgjonim fshehurazi plot ankth
Ajo na jepte forcë  për të  ëndërruar ...
Se Liria jonë ishte shumë pranë .

Më  kujtohet kur dëgjoja Radio Kukësin atëherë
Fëmijë ...



Qentë e Sharrit

Nëse do pyesnit për Qentë e Sharrit …
Do ishim në një mendje tok …
Janë Qentë më besnik …
Si ata nuk ka në Botë .

Gjithkush do ti kishte zili …
Gjithkush do ti donte pranë vetes së tij …
Lum ata që i kanë në shtëpi …
Janë të zgjuar … shumë besnik .



Mulliri

Si një melodi e bukur më kujtohet
zhurma e ëmbël e mullirit...
Kam qenë i vogël por në mendje e kam si tani...
Mulliri i gjyshit tim Zyber Orllati...
Edhe sot e ruan emrin e tij nostalgjikë.

I rrethuar si kurorë  nga gjelbërimi i natyrës...
Ku toka pjellore jepte frytet e djersës...
Pranë mullirit kishte shtratin lumi i bardhë...
Ku ne fëmijet laheshim dhe freskoheshim gjatë verës.

Aty në Pjeshkasin sot Brestovc i thonë buzë Ravecit...
Mulliri i gjyshit tim se ndalte këngën ditë e natë...
Prej duarve të tij dilte buka e bekuar...
Që ishte aq e ëmbël ......si mjaltë.

Sot kur shkoj në Dardaninë time....
Pjeshkasit dhe Dajët e mi kur vizitoj…
Tek mulliri shkoj i përmalluar...
Por mulliri më nuk ekziston.   



Dardani pse hesht ti sot …

Pse o tokë e Skënderbeut
Ti kaq shekuj derdh veç lotë
Eh sa bij po ti tretë dheu
E ti prap sot po lëngon ...

Kush mallkimin ta ka lënë
E ti kokën spo e ngre
Këtu ku jam …shumë larg teje
Fortë  kjo zemër po më therë.

Eh mbi ty kanë rënë këto halle
Lotët në sy kurrë nuk tu thanë
Sot po thërrasin dhe këto male
Gjakun e bijëve ku e latë.

Qielli ytë ka veshur Flamurin
Kuq e zi ai flakëron
Kërkon ty ta zbukuroj nurin
Hapur krahët si Shqiponjë .



Kohë e çmendur

Kohët sot kanë ardhur të zbrazëta
Në shpirtëra Njerëzish tundohet lakmia
Mirësia lakohet në kohët e largëta
Në sy sot ulërinë zilia ...

Kohët sot janë dallgë deti
Përplasën fuqishëm mbi shkëmbinj zemërimi
Në buzë fjala pa fjalë mbeti
Nga frika e lumturisë ka humbur gëzimi..

Kohët kanë humbur arësyen
Me talljen dhe përbuzjen janë përqafuar
Të ftohta të akullta ... pa jetë
Kohë e çmendur …



Mjegulla

Aty ku ka mjegull mungon liria
Zemër plasurit gjakun pijnë
Në mjegull vetëm Ujqërit trimërohen
Në errësirë të natës a të ditës ulërijnë …

Aty ku ka mjegull jeta tjetërsohet
Fryma ndalet  shikimi  verbon
Nga mjegulla  Dielli i frikësuar largohet
Rrezet e tij të ngrohin harrojnë …

Aty ku ka mjegull mungon liria …
Në mjegull Jeta vdes pak e nga pak …
Të  pangopurit nuk ngopen nga uria …
Qielli  humb  kaltërsinë zhytur në këtë mjegullnajë …

Mjegulla një tymnajë pa jetë ...


Mërgim Osmani u lind më 07.04.1971 në Randobravë të Prizrenit ku kreu studimet e mesme në Gjimnazin „ Gjon Buzuku“ , te shkencat natyrore, dega Biologji. Gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Shkencave Filozofike dega Histori,detyrohet të largohet në Austri nga përndjekja e që u bënte studentëve dhe intelektualëve  aso kohe sistemi politik i Serbisë.I shpëton përndjekjes së UDB-së, dhe ia del të bashkohet me të atin , Nasip Osmani në Vjenë të Austrisë. Aty , në Vjenë një kohë vazhdon studimet në fushën e Shkencave Politike.Shquhet si aktivist i çështjes kombëtare dhe integrohet me shoqatat kulturore të Shqiptarëve.
Në vitin 2008 humbet dëgjimin dhe i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale ku i mundësohet  kjo aftësi përmes implantimit të cochleas .Rikthehet në jetën kulturore dhe bashkëpunon me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve  e të krijuesve Shqiptarë „ Aleksandër Mosiu“, në Austri.
Ka bashkëpunuar në takime të ndryshme letrare me krijues Shqiptarë në Austri , në aktivitete të mbështetura nga Qendra P.E.N. e Austrisë.
Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjuhën Gjermane. Është pjesëmarrës aktiv i tubimeve letrare  dhe kulturore që organizon klubi „ Aleksandër Moisiu „ në vendet gjermanishtfolëse.
Në vitin 2013 botoi në Kosovë librin e parë me poezi, në gjuhën me titull „ Do ti mbledh „, të cilin e promovuan në bashkëpunim me Shoqatën „ Aleksandër Mosiu „ dhe Qendrat P.E.N. Kosova dhe P.E.N. Albania në Prizren.
„ Me sytë kah qielli „ është libri i tij i dytë me poezi, i cili vjen si botim i kolanës së autorëve Shqiptarë në Diasporë nga Qendra P.E.N. Albania, në bashkëpunim me Qendrat P.E.N. në Kosovë dhe në Austri
Në vitin 2014 P.E.N Albania  në Tiranë e nderoi me çmimin P.E.N Albania në Diasporë.
„Shpirt i trazuar“ është libri i tretë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen