Lajmet e mbrëmjes u ndërprenë nga një tjetër lajm i tipit urgjent.
Hutimi dhe habia e spikerave shkaktoi përçartësi dhe përsëritje fjalësh e foljesh, si për të bindur së pari veten e tyre e më pas telespektatorët.
Kameramanët u sulën kush e kush të arrinte më parë në një nga vendet e burimit të lajmit.
Më të fituar dukej që po dilnin stacionet më të fuqishme televizive, që nisën urgjent nga një kamereman e gazetar në çdo vend të së njëjtës ngjarje.
Po, po, nuk e thashë gabim për ngjarjen e njëjtë në disa pika të ndryshme të qytetit.
Megjithatë lajmi mbeti më tepër fjalëve të spikerave, së filmimeve të kameramanëve, që pavarësisht nga aparaturat moderne të filmimit, ishte e pamundur të kapnin skenën e ndodhisë, qoftë dhe pamjet e pasojës së saj.
E vetmja gjë që u shfaq në ekrane ishin shenjat e gropkave të vogla, të ngjashme me krateret e shkaktuara nga ndonjë copëzë e vogël meteoriti.
Se për pak harrova, veç gropkave të çuditshme, kameramanët fiksuan dhe disa pamje e zëra njerëzish, që vraponin sa të çmendur aq dhe të lumtur në pamjet e thirrjet e tyre.
“Jemi të lirë, jemi të lirë!”
Kurse pranë gropkave, me shkulje leshrash e çjerrje faqesh, qanin në vaj dhe ulërimë, të tjerë njerëz të moshave të ndryshme.
Kujën më të madhe e nxirrnin të moshuarat, me duart herë të ngritura drejt qiellit, herë përkulur dhe mbledhur brenda gropkave, sikur kërkonin të nxirrnin prej aty, atë për të cilën qanin e luteshin.
Kuriozët e çorientuar nga ajo që shikonin e dëgjonin, në fillim kujtuan mos bëhej fjalë për ndonjë skenë filmi fantastik, që po xhirohej mëhallës së tyre.
E pamundur të kuptonin se si mund të qahej i gjalli, që vraponte e thërriste sa i çmendur po aq dhe i lumtur, “Jam i lirë! Jam i lirë!”
Ambulanca të shurdhonte me sirenën e saj, kurse personeli mjekësor me barelën në duar lëvizte pa ditur se për ku.
Njoftuar nga thirrjet e njerëzve, “Ai është, ja, ai që po vrapon e thërret si i çmendur për lirinë”, lanë barelën dhe filluan ndjekjen e të çmendurit.
Të njëjtat qarje, kujë, shkulje flokësh e çjerrje faqesh, të njëjtat thirrje, “Ai është, ja, ai qe po vrapon e thërret si i çmendur për lirinë”, e njëjta ndjekje nga lënësit e barelës, ndodhën në të njëjtën kohë në të gjitha pikat shfaqëse të gropkave të qytetit.
Gazetarët nguceshin me njeri-tjetrin, kush e kush të afrohej sa më afër vendit të ngjarjes, për të pyetur e marrë qoftë dhe një fjalë nga goja e atyre që qanin me kuje.
Me dorën lart drejt ballkonit, me zërin përzjerë me dënesën e qarjes, mundën të fiksonin copra fjalësh,
“Djali, shpirti i nënës, u hodh nga ballkoni dhe…”
“Babaj, doli të pinte një cigare dhe papritur u hodh nga ballkoni”
“Gruaja po ndente rrobat në ballkon dhe…”
E megjithatë asnjë viktimë, asnjë pikë gjaku, qoftë dhe në gropkën e enigmatike.
Lajmi urgjent u mbyll me thënien, “Do t’ju njoftojmë për çdo të re në lidhje me ngjarjet, që përbëjnë një mister të paparë në jetën e qytetit tonë”.
Nuk isha më kurioz për të rejat në vazhdim të lajmit urgjent.
U mjaftova vetëm me atë lajm, për t’u bindur se çdo e re tjetër nuk do kishte gjë tjetër veçse vazhdimësinë e lajmit të dhënë, në përmasa sasiore alarmuese për njerëzit, qeverinë dhe përtej saj, gjithë planetin.
Frika e shfaqjes së ndonjë virusi, që mund të përhapej në mënyrë të papërballueshme edhe në vendet e tjera, tronditi shtete e organizma ndërkombëtare, që merren me fatin e jetës dhe të ardhmen e planetit.
Misteri i qytetit pak të njohur, po kthehej në një ankth e tmerr që tejkalonte çdo gjendje sadopak të ngjashme me ankthet e tmerret e njerëzimit qysh në lindjen e tij.
Dikush e lidhte misterin me afrimin e apokalipsit, por ndjehej i pafuqishëm në argument, para shenjave që ai përmbante në librat e shenjtë, me shenjat shfaqëse të misterit në qytetin e kthyer tashmë në qendër të vëmendjes së njerëzimit dhe atyre që kujtonin e premtonin se ishin fatmbrojtësit e jetës së tij.
Ku ta dinin ata, se kishin diku mes tyre njohësin e së vërtetës të misterit e jo vetëm kaq.
Kishin mes tyre njeriun që njihte veç fatalitetit të pashmangshëm të asaj që po ndodhte, edhe kufijtë në të cilat do arrinte ky fatalitet.
Asnjë ilaç, asnjë armë ekzistuese e shpikur apo e parashikuar të shpikej e prodhohej së afërmi, nuk mund të asgjësonte virusin e ri dhe ta shëronte njerëzimin e prekur e që do prekej në vazhdim prej tij.
Mos pyesni kot për mua, pasi edhe sikur të shfaqem apo të më gjejnë përmes aparaturave më të sofistikuara që disponojnë, e folura që mund të më nxjerrin do jetë e njëjtë në fat me atë të heshtjes.
Mos kujtoni se po ju flet e liga përmes meje.
Lerini fantazitë e tërbuara me satana e demonë, me antiKrisht e më the të thashë, se as më të voglën shenjë të tyre nuk do zbuloni tek unë.
Si? Po shfaqem atëhere si Shpëtimtari i shumëpritur?
Haaa, sa më bëni të qesh, si në akuzën e rëndë, ashtu dhe vlerësimin e madh.
Vetëm një gjë po ju them tani për tani nga misteri i madh dhe nëse keni pak mend në kokë, mund të zbuloni vetë pjesë të tjera të tij të pathëna nga unë.
Po, e pranoj dhe deklaroj para jush, që jam djalli dhe shpëtimari i vetes sime, vetëm i vetes sime, pa cënuar as fijen e flokut të askujt tjetër.
Nuk është pra faji im, nëse misteri që po jetoni me kaq ankth e frikë, e pati burimin nga ky dyzim i vetes sime, dyzim që tani nuk ekziston dhe më ka bërë të jetoj më të mundshmen e lirisë njerëzore, mes iluzionit të lirisë që ju kujtoni se jetoni.
Ndodhi ajo që prisja të ndodhte, sepse s’mund të ndodhte ndryshe.
Njeriut i është dhënë aq sa i është dhënë në genin e tij dhe s’mund t’i shtohet apo pakësohet pas kësaj asnjë grimcë, përveç se formave të ndryshme shfaqëse apo mosshfaqëse të së mirës e së keqes që ai mbart.
Mos pyesni nëse jam apo jo i kënaqur nga masa arritëse e ndodhisë, pasi jo vetëm nuk e prisja këtë pasojë përmase, por as e kisha fantazuar atë as në të dytën ndodhëse pas meje.
Ajo që ndodhi pas meje kapërceu çdo fantazi, por kursesi të vërtetën e pashmangshme që ajo mbartte brenda saj.
Të vërtetën, që sinqerisht ju them, se i kapërceu kufijtë e imagjinatës sime, edhe në çastet më çmendarake të saj.
Mund të luaj rolin e matrapazit të paskrupullt dhe kjo për të tjerët e mbetur jashtë rrezes së misterit të quhet jo vetëm normale, por shfaqje zgjuarsie e imja.
Mund ta shes pra misterin e lajmit në këmbim të miliona eurove dhe brenda sekondës t’i them “Shporru nga mua!” varfërisë.
Pse nuk e bëj këtë?
Sepse varfërinë dua ta shporr vetëm sipas mënyrës sime, ndryshe nuk do t’ja ndjej kurrë lezetin të kundërtës së saj.
Ja që nuk më pëlqen të imitoj të tjerët në mënyrën e tyre shporrëse të varfërisë dhe mënyrës afruese të pasurimit.
Tashmë ndjehem një i pasur, me një pasuri që nuk matet dot me gjithë vlerën e kartmonedhave të botës, as me gjithë sasinë në flori e diamante që mbart ky planet.
Le të dalë dhe më i pasuri i botës e bashkë me të dhe më popullori njeri i saj dhe të përballet këtë çast me atë që posa fitova prej atij misteri, që e di se mezi po prisni ta mësoni.
Mos kujtoni se bëj truk penaxhiu, për të tërhequr vëmendjen e lexuesve, duke e shtyrë mistikën e rrëfimit afër fundit të tij.
Nuk kam ç’të fitoj nga truke të tilla.
Dua të ndjeni sadopak se sa mistershëm e jetoni çdo ditë jetën tuaj, përmes jetës sime të pamistershme, që pata fatin ta jetoj, fill pas çastit lindës të misterit për ju.
Fillesa e fatit tim përmban në dukje gjithë shenjat e tragjedisë së njeriut, filluar dhe mbaruar brenda dhe ndaj vetes së tij.
Nuk di sa mund të kuptohet dhe aq më tepër të shpjegohet sot pasoja e asaj që ka profetizuar kohës se tij Frojdi, përmes misterit tim, por të jeni të sigurt, që nese i hyni këtij misteri, atëhere e keni kuptuar Frojdin, edhe sikur mos ia keni dëgjuar as emrin.
Mos më thoni që po tentoj të ndroj kornizat e njohura të tregimit, duke filozofuar rreth një misteri që dikush tjetër mund ta rrëfejë më bukur me gjuhën e penës së tij.
Sipas kornizës së njohur, mund ta bëj fare lehtë këtë, duke e pershkruar atë ditë që ndroi rrjedhën e jetës sime, me gjithë arsenalin e metaforave dhe figurave letrare.
Të shkruaj, psh, që atë ditë edhe Dielli pikoi lot rrezesh deri perëndimit të tij, kurse Hëna filloi të tretej ngadalë si qiriu i fundit në manastirin e qiellit.
Të vazhdoj, psh, që mes lotëve të Diellit dhe dyllit të Hënës, unë dola në ballkon me cigaren në dorë, si një murg që mundohet të ruajë flakën e qirut nga era e marrë.
Dhe duke qenë akoma këtij vazhdimi, t’ju them, se një dorë e padukshme filloi të ledhatonte gjithë qenien time, me fuqinë eksituese të dhjetra duarsh femrash.
Pastaj…
Eeh, pastaj…
Duart në formë lutëse po largoheshin përtej ballkonit, shoqëruar me zëra joshës.
Ndjeva ballkonin të lëkundej si anija e Odiseut, pa mundur dot t’i ngjaja atij.
´´Askush nuk mund të më dylloste veshët, aq më tepër të më lidhte fort në direkun e anijes.
Dhe u nisa drejt duarve, drejt zërave, duke lënë pas anijen e braktisur.
Po zhytesha mes një deti të mjegullt, të paujshëm, mes jehonës tmerruese të zërave, që pak më parë ishin aq ndjellëse për mua.
Isha mes paujshmërisë së detit, që po më thithte thellësisë, kur pa arritur ende fundit të tij, ndjeva veten time të qëndruar pezull, si shpendët në fluturim kur ndalojnë rrahjen e krahëve.
Nuk di cilës pjesë të qenies sime i përkisja, asaj folëse apo dëgjuese, por di që pjesa folëse ishte e trupit, që i drejtohej me ankesë pjesës dëgjuese, mendjes sime.
“Pse më merr me vete drejt një fundi që do më shëmtojë në gjithshka?
Kush është mëkati im ndaj teje, që duhet ta paguaj kaq tragjikshëm bashkë me ty? Të kam dëgjuar dhe të jam bindur në çdo gjë, edhe kundër dëshirës sime, por kjo nuk do të thotë të të ndjek tani drejt një flijimi kaq shëmtues të vetes.
E di, që nuk do jetoj dot pa ty si deri më sot, sikurse dhe ti pa mua”.
E pamundur fuqia bindëse e trupit, për t’ja kthyer mendjen mendjes sime.
Heshtja, me sa duket, ishte fjala e fundit e saj.
Kaq ishte, pra, po afronte fundi im, një fund që edhe në çastet çmendarake të fantazisë për vetvrasje, e quaja me të pamëshirshmin dhe të papranueshmin për ta përdorur.
Ikjen nga kjo botë e kam dashur përmes moscënimit dhe shëmtimit të pamjes sime.
Pse, o Zot, zgjodhe për mua atë vdekje që më do kaq të shpërbërë në krahët e saj?
Edhe pak, oh sa pak, më ndante nga kjo shpërbërje e tmerrshme, kur…
Ndjeva në të njëjtën kohë trupin pezull dhe një gjëmim të fuqishëm jashtë tij, por brenda meje.
Pas gjëmimit, në tokë u krijua një gropëzë e vogël, nga e cila fillova të dal dhe shpërndahem në mijra stërkala të padukshme.
Ndërkohë ula këmbët ngadalë mbi tokë, sikur të zbrisja nga shkallët dhe fill pas kësaj ia dhashë vrapit si i çmendur, duke thirrur, “Tani jam i lirë! Tani jam i lirë!”
Kuptova se posa isha ndarë në dy gjendjet e qenies sime, tashmë larg njera-tjetrës.
Njera qenie përmbante vetëm trupin tim të dukshem dhe me të vetëm vrapoja e thërrisja si i marrë të njëjtën gjë, kurse tjetra e vendosur për flijim, pas as rënieje fatale, përmbante mendjen time të shpërndarë në mijra stërkala nga era, hapësirës së qytetit.
Për të arritur kështu në lajmin urgjent mes lajmeve të zakonshme të asaj mbrëmjeje, ku pak orë apo më pak se një orë pas vetvrasjes sime misterioze, qyteti do tronditej, habitej dhe tmerrohej për dhjetra vetvrasje të tjera, po aq misterioze sa e imja.
Vetvrasje pa kufomat e të vetvrarëve.
Të vetvrarë të ndarë njëlloj si unë në të dukshmen e tyre trupore, që vetëm vraponte dhe thërriste, “Jam i lirë! Jam i lirë!” dhe të padukshmen e mendjes, që nga përplasja me tokën, pas gropëzës bosh që krijonte, shpërndahej në mijra stërkala të padukshme.
Dhe po njëlloj si stërkalat e mendjes sime, shpërndaheshin nga era, hapësirës së qytetit.
Qyteti hyri në natën e parë të pagjumësisë nga sirenat e makinave të policisë, që lëviznin në kërkim të shkaktarit të panjohur, nga sirenat e ambulancave, që ktheheshin spitaleve pa asnjë viktimë apo të plagosur, nga sirenat e zjarrfiksëve, që më kot kërkonin ndonjë vatër zjarri banesës së viktimës.
Kisha dalë me trupin tim jashtë qytetit, në zonën pyjore të tij.
Asnjë shenjë ndjekjeje nga askush.
Ndjehesha atë moment si banori i parë i tokës, dmth, Adami.
Në të njëjtën kohë, pas shpërndarjes sime në mijra stërkala të mendjes, kisha hyrë hapësirës së një universi stërkalash pa fund, që më ngjante si mjegullnajat e galaktikave.
Dmth nuk isha i vetëm. Isha universit të ri mendor, të posakrijuar nga mendjet e mijra mendjeve njerëzore.
Mijra thashë?
Ato po shumoheshin nga çasti në çast në qindra mijra, në miliona, në…
Dhe të gjitha kaq të ngjashme me mendjen time dhe mes njera-tjetrës. Një ngjashmëri e larmishme mendjesh njerëzore.
Një harmoni e përkryer e mendimit njerëzor.
A mund ta kuptonin dot misterin e lajmit urgjent, mendjet njerëzore të mbetura gjallë bashkë me trupat e tyre, në ish planetin tim?
Po Adami im, ç’po bënte i vetëm mes pyllit?
Vetmia nuk kaloi as orën e parë të saj, për t’u bindur dhe unë se nuk isha më Adam.
Edhe pse njeriu i dytë ardhur pas meje ishte femër, vërshimi pas saj i dhjetra, më pas i qindra, më pas i mijra, miliona njerëzve nga gjithë moshat dhe dy sekset, nuk ma zgjati kohën për ta ndjerë atë si Evan time.
Të pafuqishme para asaj ç’po ndodhte, jo vetëm qytetit tim, as shtetit tim, as kontinetit tim, por gjithë planetit tim, qeveritë veç e veç dhe në bashkëpunim me njera-tjetrën, pranuan t’i nënshtroheshin fatit fatal të njerëzimit, në pritje të ndonjë shpëtimi nga Zoti.
Fundi i lajmit urgjent, pas të cilit bota do binte në qetësinë e lajmeve të zakonshme, erdhi krejt papritur, përmes një pamjeje dhe të folure të çorientuar psiqike të spikerave, që në të njëjtën kohë lajmëronin me gëzim deri në ekstazë mbarimin e vetvrasjeve masive të miliarda njerëzve, bashkë me keqardhjen deri në rënie të fikët, për ndarjen e planetit në dy pjesë.
Në dy pjesë sa të afërta, aq të largëta mes tyre, pa mundur dot jo vetëm të bashkoheshin ndonjëherë në të ardhmen, por as të komunikonin kurrë me njera-tjetrën.
Lajmi njoftoi fundin e misterit, por jo vetë misterin.
Misterin, që kisha marrë me vete unë, bashkë me miliarda njerëz si unë, në jetën tonë trupore në pjesën e Planetit të të Çmendurve të Lirë, në kufi me pjesën e të paprekurve nga “virusi” i stërkalave të mendjeve tona dhe të Universit të Mendjeve Çmendurisht të Lira, në kufirin pa kufi me Krijuesin.
Vazhdon përtej tregimit…
E, megjithate, kjo eshte mjeshteri shkrimtari fantazist, siç mund te jete Edmondi. Nje gjetje e perkryer mik.
AntwortenLöschen