Shkruan: Avdi Ibrahimi
Poeti atdhetar i dëshmuar, nga katundi Gurabardh, ish-Ashlan i Vushtrrisë, Shqipërikosovës, autor i talentuar i katër librave prej tyre dy me poezi, dy në publicistikë; njëra prej tyre me grup autorësh; na vjen sërish para lexuesit me vëllimin me të ri poetik, “REVOLTË”, botuar në muajin e festave të Nëntorit, Prishtinë 2014, viti. Libri, përmban gjithsejtë njëqind e njëmbëdhjetë poezi. Në të gjitha poezitë imazhi jetësor historik dhe mesazhi shkojnë paralel me simbolikën, duke mos i abstrahuar lidhjet e veta me jetën konkrete, me realitetin kohor nga ku krijuesi është inspiruar.
Shpirti atdhetar i dëshmuar në veprat e autorit, Fadil Shyti, është njëri ndër krijuesit e talentuar për nga shprehja e forcës poetike si frymëzim patriotiko atdhetar, vargu i tij buron para së gjithash nga ndjesi të veçanta shpirtërore, veshur e stolisur si refleksion i ngjarjeve jetësore nga mbarë hapësira shqiptare, vargje këto që shfaqen në trajtën e tyre evokative ndaj së kaluarës dramatike e tragjike të shqiptarëve të ndarë dhunshëm në pesë shtete nga trungu i Nënës SHQIPËRI, përkujtime poetike këto, që reflektojnë në kontekstin ekzistues që lidhen me kohën e pikërishme të së tashmes, që Trojet Shqiptare, ende nuk po mund të ribashkohen në një shtet të vetëm shqiptar, ngase udhëheqjet politike në mbarë hapësirat shqiptare janë të pabesa.
Ja si shprehet Fadili, në poezinë e tij i revoltuar ndaj atyre që veprojnë kundër Ribashkimit të Shqipërisë: “BESËPRERËVE”.
Ju e shkelni besën, nderin, ,E përdhosni dhe Flamurin, Ju lirisë ia pini gjakun, Atdheut ia prishni nurin!... Shqipëria e RIBASHKUAR, Ore horra, ju pengon, Se pastaj, nuk mund t´ia zhvatni, Pasurinë atdheut tonë!… Kështu, shqiponja alarmoi, Ajo kurrë s’e humbë QËNDRESËN! Kundër saj, kush ngriti kokën, Si tradhtar, e vrau veten!
- Si e tillë kjo poezi del se është zëri i ndërgjegjes që buron nga thellësi e shpirtit atdhetar të poetit në migrim, të krijuesit, i cili arrin, jo vetëm me fjalë, por në vepra të identifikohet me kombin e vet, me fatin dhe tragjiken historike e sociale të popullit shqiptar.
Përpos kësaj plage të madhe të mbarëshqiptarëve për të arrirë në ribashkimin e Shqipërisë, poetin e karakterizon edhe një plagë tjetër ajo e mërgimtarit, Fadili i shtrënguar nga rrethanat politike dhe ekonomike në vitin, 1992, emigron në Suedi, shqetësimin për gjendjen e tij shpirtërore e shprehë në vjershën e tij: “BILBIL I ÇMENDUR” !
Fat i hidhur nëpër botë, Si bilbil po më ngarend, Larg teje o Atdhe, Herë-herë po më çmend!...
- Poeti, temën e kurbetit, këtë plagë të pashëruar shekullore nga mbarë hapësirat shqiptare, e modifikon duke e përafruar me realitetin e kohës, e konkretizon dhe riartikulon me pajtimin e kërkesave e rrethanave në të cilin jeton edhe vetë poeti, si shumë bashkatdhetarë tjerë që kanë mallë për Atdheun. Kjo poezi e shkurtër, është një klithmë revolte e tronditëse mbi zezonën sociale që sjell kurbeti, që lënë vragë të thella në psikën e njeriut.
Një mesazh të tillë psiko-emocional që arrin shkallën më të lartë të bindshmërisë artistike, poeti inkuadron edhe elemente të tjera se sa e rëndë është kjo plagë e kurbetit të mallkuar në poezinë tjetër: “LAMTUMIRË”!
Lamtumirë, Toka jonë, Lamtumirë, yni Diell, Kemi mbetur në mërgime, As në tokë as në qiell!... Po ikim larg teje, o Atdhe, Me shpresat e kthimit, Po rëndojnë keq mbi ne, Ditë-netët e mërgimit!
- Pra thënë shkurt e shqip, poezia e atdhetarit Fadil Shyti, sjell një vizion mesazh autorial, vizion ky poetiko-letrar, ku shkrihet historia, miti, legjenda e UÇK-së, Adem Jasharit, me gjitha ata dëshmorë që ranë për liri e ribashkim kombëtar, ku shkrihen thekset e aktualitetit, ku shkrihet, drama, tragjedia e popullit shqiptar, ku shkrihen, heroizmi dhe qëndresa jonë mbarëshqiptare, ku shkrihet, tragjika sociale, e ditëve tona, ku shkrihet, përjetimi i thellë i jetës dhe proceseve jetësore, i aktualitetit që na del si një pasqyrim i tij në psikën dhe moralin e njeriut. Një nga krijuesit më prestigjioz për nga vlera dhe përmbajtja e vargut poetik, si krijues, si atdhetar i natyrshëm, ndjen dhembje, me respekt të lartë i përulet dashurisë që ka për Atdheun, dhe figurave të heroizmave kombëtare të gjitha kohërave, përmbajtja e vargjeve mbushur me dashuri e dhimbje për SHQIPËRINË dëgjohet shumë larg si ajo kambanë alarmi në poezinë, “Ty Shqipëri”, “Si vigan i plagosur”, “Flamurit Kuqezi”, “Gegotoskët”, ku lexojmë vargje shugurimi, malli e revolte.
-Ndërsa, në poezinë, “Ditëlindja jote, përjetësi”! -Kushtuar birit dhe udhëheqësit të madh të Shqipërisë, - siç shprehet vetë Fadili, poezinë ia kushton: - Gjeniut, Enver Hoxha, me rastin e 100 vjetorit të ditëlindjes, - Ay, burrështetas i madh i kombit shqiptarë tashmë është pjesë përbërëse e vargut të përflakur të poetit atdhetar, dhe është bërë varg i shpirtit kryengritës të tij.
- Me gjithë atë peshë të rënduar psiko-sociale, psiko-politike, dhe psiko- njerëzore, autori i librit me poezi “REVOLTË” Fadil Shyti, si gjithnjë gjen fuqinë nga Rilindësit trima të pushkës e të penës, sikurse të ishte në mesin e tyre mprehë fuqinë e tij të penës, e me dritën e mendjes prej atdhetari të pakompromis për fatin e atdheut shqiptar, gjen rrugën e lirisë, rrugën e shpresës mbarëshqiptare, pra rrugën e jetës dhe rrugën e ardhmërisë, në RIBASHKIMIN e SHQIPËRISË.
- Libri në tërësi, i autorit në fjalë, përmban në të gjitha poezitë një arritje të nivelit të lartë artistiko-letrar, ku lexuesi dhe fjala e kritikës, vërtet kanë ç’farë të lexojnë e të shkruajnë për këtë përmbledhje poetike. Libri është një pasuri e jona kombëtare e mbarënjerëzore, që duhet çdo lexues ta pasurojë bibliotekën e tij familjare me këtë libër të mrekullueshëm që ka një shpërthim të fuqishëm në fushën e artit poetik. Autorit të librit i urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme, si dhe në të ardhmen të na befasojë me plot libra të rinj artistiko-letrare.
Prizren, 22. 07. 2015.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen