Freitag, 14. August 2015

Poezi ga Josif Gegprifti (1)


DO MARR BUZËQESHJEN TËNDE

Iku koha shpejt pa kuptuar,
 një brengë në shpirt më rëndoi
 të erdha me zemër të gëzuar,
 me dhimbje në zemër po shkoj!

Po si do të mundem vallë,
 të shkëputem nga krahët e tua,
 nga puthjet e gjata plot zjarr,
 nga sytë me ndriçim të kaltëruar?

Do iki me zemrën zjarr,
 lotët do mbeten në buzët e tua,
 me vështrimin tim do marr,
 buzëqeshjen tënde që aq fort e dua!



DRITËS

O Dritë
 sa çudi,
 vetmia iku larg
 kur në sytë e mi u shfaqe ti!
 Shkriu
 bora në male,
 pranvera me lule hodhi valle.
 Kur erdhe ti
 u zgjova prej gjumit letargjik
 dhe ndjeva që jeta filloi përsëri.
 Kur erdhe ti,
 shpirti u mbush me dashuri.
 Kur erdhe ti
 Rilinda përsëri.



EMIGRANTI

Të lashë qyteti im i dashur,
 në moshën time të rinisë,
 me dallgët e detit jam përplasur,
 për të bërë një jetë më të mirë!

Të lashë edhe ty mikja ime,
 e dhimbjen e ndjeva në shpirt,
 në çdo agim zgjohem me kujtime,
 dhe me shpresën për t'u takuar një ditë!



HESHTJE S'KA

Asnjëherë
 S’kam bërë miqësi
 Me heshtjen.
 Merita
 Është e jotja,
 Që më ke dhurruar
 Një kopësht të tërë
 Me ndjenja të ëmbla dashurie.
 Më ke dhurruar
 Një varg poezie,
 Një buzëqeshje dhe
 Një vështrim.
 Aty kam lundruar gjatë gjithë jetës.

Ëndërrime pafund,
 Heshtje s’ka.



PUTHJA

Ishte pranverë,
 Vështrimet e tua
 Më lidhën këmbë e duar.

Putha dy buzë
 Dhe ndjeva burimin e frymëzimit
 Të shpirtit tim.

Puthja
 Ishte vargu i parë i një poezie,
 Ëmbëlsia e asaj dashurie.



BIONDINËS

Kam mall të shkoj dhe një herë,
 Atje në të bukurën lëndinë,
 Ish ditë e bukur, ish pranverë,
 Kur e njoha vogëlushen biondinë.

Kur një lule asaj ja dhurrova,
 Më buzëqeshi me shpirtin e gëzuar,
 Në sytë e saj të kaltër dallova,
 Dashurinë e dashurisë të lulëzuar.

E kam në sy dhe sot atë lëndinë,
 Atje në mes një pylli të gjelbëruar,
 Atje të shoh dhe ty moj biondinë,
 Se shpirtin kam njësoj të dashuruar.

Vlorë prill 1976
 (…e ripunuar)



KUJTIMET

Eci në një rrugicë të errësuar,
 Dhe në sy
 Kam vetëm një dritare te ndriçuar.
 Kujtimet e një kohë të largët,
 I ndjej që rrëmbyeshëm pushtojnë trupin tim,
 Ashtu si gjethet pushtojnë degët e një peme.
 Ah këto kujtime të bukura
 Që ma mbushin me dritë shpirtin tim,
 Se pjesa tjetër e tij është bosh,
 Monotoni,pa emocione,pa jetë.

Ashtu si një verë e dashur,
 Edhe kujtimet
 Depërtojnë në venat e gjakut
 E në degëzimet e tij
 Dhe rinojnë shpirtin.

Në rrugicë
 Po bie drita e trishtueshme e hënës.
 Por janë kujtimet e shumta
 Që ndezin shpirtin,
 Ashtu si vetëtimat ndezin qiellin.

 Përloten sytë
 E lotët pikojnë si pikat e shiut.
 Kujtimet
 Vërshojnë drejt shpirtit
 Ashti si një lumë vërshon drejt detit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen