Freitag, 14. August 2015

Si e varrosën të gjallë Mitrush Kutelin në Kënetën e Maliqit


Si e varrosën të gjallë Mitrush Kutelin 
në Kënetën e Maliqit 

Nga Admirina Peçi

Ndërsa njerëzit ngatërroheshin nëpër zhurmën e ceremonisë së përkujtimit të ditëlindjes së Mitrush Kutelit, një burrë i thinjur nisi të rrëfejë një histori të vjetër. Me këtë qëllim kishte ardhur enkas nga Elbasani. Fillin e nisi nga një ditë e veçantë…nga viti 1948.

Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh. I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte.

"Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike"- nis të tregojë burri i thinjur.- "Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t'i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t'i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë". Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç'kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë. Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq. "Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra"- shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimatrit të madh. "Pastaj-vazhdon më tej ai- e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t'i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor"- thotë Hamzai- "Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë : "Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t'i tregosh ( unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë - "Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe. Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete."


Kanë kaluar shumë vite, që nga 1948. Gjithsesi burri i thinjur nuk ka mundur ta zbehë kujtimin e atyre ditëve. Aq më shumë ky kujtim iu përforcua në ditën kur një djalë dhe një vajzë i kishin trokitur në derë. Ishin bijtë e atij shkrimtari të përvuajtur të cilët kishin dashur ta njihnin nga afër njeriun për të cilin babai u kishte folur gjatë. "Më thanë se babai i tyre u kishte rrëfyer për një njeri që e kishte shpëtuar dikur nga vdekja. E ai njeri isha unë. Ndaj jam këtu, më shumë për të nxjerrë nga vetja atë kujtim që më rëndonte shumë mbi supe, sesa për të marrë pjesë në diskutimet e kësaj ceremonie përkujtimore."-përfundon rrëfimin e tij Hamzai.

Poezi nga  Mitrush Kuteli 
* kushtuar gruas se tij kur ishte ne burg*

Kaq afer jemi, por kaqe larg,
Te lutem mos me prit
Na ndajne terre rreth e qark
Dhe yll per mua s'ndrit.

Perse ta lidhesh fatin tend
Me nje pafat si une,
Kur di se emri im u shemb
Me dhune e perdhune?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetes se gezuar
Dhe me harro ketu, ne varr,
Te vdekur pa mbuluar... 

____________
Marrë nga gazetaminrva.com


.   .   .

Visar Zhiti: Si e varrosën për së gjalli Mitrush Kutelin

Libri i ri “Ferri i çarë”, burgologjia për Qafë-Barin, është një rrëfim tronditës i shkrimtarit Visar Zhiti, një retrospektivë e përjetimeve të tij personale,në burgjet e komunizmit.

Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i Visar Zhitit ai rrëfen se si e varrosën për së gjalli Mitrush Kutelin.

"– E di ti që e kanë varrosur njëherë të gjallë Kutelin? – më tha A. S., ndërsa pinim kafe. Shqeva sytë, por mendova se mos qe fjala për ndonjë metaforë. Sidoqoftë, jo kaq egër.

– Si?! – klitha.

– E kanë varrosur vërtet, ishte i dënuar në kënetën e…

– Këneta e Koçitas, e ferrit?

– E Vloçishtit. Duhet të ketë qenë viti ’48-49…

Po, po, e dija. Kisha pasur njerëz të mi atje. Edhe Makesen Bungo rrëfen për një shkrimtar të burgosur që e thërret polici dhe e pyet: “Ç’punë bëje ti më parë, ë?” – “Shkruaja libra”, – i përgjigjet i burgosuri. “Ashtu? – ulërin polici. – Pse, Lenini je ti? Vetëm ai shkruante libra”, – dhe e godet në kokë. Mitrush Kuteli nuk lëvizi. As u mënjanua. I plasi gjaku…

– Dëgjo tani, është e tmerrshme, e dëshmon Hamza Tusha nga Elbasani, është gjallë, e ka parë me sytë e vet, ka qenë dhe partizan dhe e burgosën, por i shkonte fjala te komandanti i burgut, Tasi Marko, me vëllanë lart, në Byro. O ky, o njëri nga kapterët, me urdhër të komandantit, s’dihej të cilit komandant, a iu shkrep vetë, se dëshirat e një kapteri të xhindosur ishin barabar me ato të shtetit, thërret pra ai, kapteri, që t’ia sjellin aty, menjëherë, atë shkrimtarin. Të burgosurit punonin si robër për tharjen e asaj kënete, këneta e ferrit, siç the ti. “Shpejt, hapni një gropë, aty në llum, e dua të thellë, – bërtiste kapteri me zë komandanti. – Hë, mbaruat? Shpejt, të dënuar, se… Ja, këtë, këtë shkrimtarin, hidheni brenda, lakuriq!”

Dhe i vërsulen Mitrush Kutelit – s’u pa ç’ishin, roja, të dënuar në shërbim të komandës – ia shkulin rrobat dhe ai, i hutuar, rri në këmbë, drejt, si një Krisht. – Hidheeeeni, në gropë! Mbulojeni shkrimtarrrrin!” – dëgjohet britma e kapterit si një armë. Lopatat hedhin baltë mbi të, kënetë… Sa veta kishin mbuluar ashtu pas punës, në llurbë…

– Kjo është makabre, e papërballueshme edhe ta dëgjosh.

– Po, po. Dëgjo vazhdimin. Hamzait i qaset bashkëqytetari i tij, i burgosur edhe ky, Tahir Çiftja, i përgjërohet që t’i thotë komandantit t’i lejojë që ta hapin varrin – e ç’varr ishte ai? krim, hatá… – thuaji, aman, turp, gjynah, thuaji: a ta shohim, ka vdekur apo jo? Sa duron robi… mbase gënjehet.

Komandanti turfulloi, ç’është kjo… hapeni gropën. Dhe e ashtu bënë. E zbuluan. Nxjerrin atë grumbull balte që pak më parë kishte qenë mish dhe kocka, gjë e gjallë, i burgosur, njeri. Mitrush Kuteli… regëtinte ende… Mbase llumi, uji, lëkura merrte ajër, lakuriq… prilli, ishte muaji prill… Zoti… Grahmat e fundit të baltës.

Mjeku i burgut, ai që të dënuarit e kishin shpëtimtar, engjëll mbrojtës, Dr. Isuf Hysenbegasi, u përkujdes shumë, e solli në jetë. E ngjalli…

U meka. S’po kisha më fjalë.

– E di ç’bënë me gropën? – e kishte vendosur, donte të më lemeriste prapë.

– E mbyllën, – bërtita – çfarë tjetër?!

– Po, po, “por më parë futni këta dy pleqtë”, urdhëruan. S’donin t’u shkonte dëm gropa dhe kapterët hodhën të gjallë dy peqinas, s’e di si quhen.

– E tmerrshme! "




Dëshmia e Hamza Tushës

Mirëpo, tashmë në media është publikuar edhe rrëfimi autentik i Hamza Tushës të cilin Zhiti e përmend më lart si dëshmitar të asaj ngjarje makabre.

Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh. I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte.

"Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike. Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t'i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t'i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë".

Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç'kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë. Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq.

"Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra"- shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimatrit të madh.

"Pastaj-vazhdon më tej ai- e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t'i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor"- thotë Hamzai.

"Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë : "Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t'i tregosh ( unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë - "Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe. Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete." Kanë kaluar shumë vite, që nga 1948. Gjithsesi burri i thinjur nuk ka mundur ta zbehë kujtimin e atyre ditëve. Aq më shumë ky kujtim iu përforcua në ditën kur një djalë dhe një vajzë i kishin trokitur në derë. Ishin bijtë e atij shkrimtari të përvuajtur të cilët kishin dashur ta njihnin nga afër njeriun për të cilin babai u kishte folur gjatë. "Më thanë se babai i tyre u kishte rrëfyer për një njeri që e kishte shpëtuar dikur nga vdekja. E ai njeri isha unë. Ndaj jam këtu, më shumë për të nxjerrë nga vetja atë kujtim që më rëndonte shumë mbi supe, sesa për të marrë pjesë në diskutimet e kësaj ceremonie përkujtimore."-përfundon rrëfimin e tij Hamzai. (Panorama)


.   .   .

Kutelin e varrosën për së gjalli

Behar Gjoka/ Një nga studiuesit e veprës së Mitrush Kutelit rrëfen jetën e tij dhe rolin që ka ky autor në letërsinë shqipe

Ka qenë adhurimi ai që e çoi drejt eksplorimit të letërsisë dhe jetës së një prej autorëve më interesantë të letërsisë shqipe. Behar Gjoka, sot një nga studiuesit më të njohur të veprës së tij, e kujton ende atë kohë kur për të herë parë mori në dorë libërthin e tij me përralla "Xinxifillua". Gjithçka gjeti aty ishte aq afër përfytyrimeve që kishin zgjuar në imagjinatën e tij përrallat dhe legjendat e gjyshit. Sot një burrë që ka lidhur jetën me letrat, ai ua faturon dy njerëzve këtë dashuri, gjyshit dhe Kutelit.

Ne kërkojmë të ndalemi te Kuteli, te ky prozator kaq elegant i letërsisë sonë, i cili pati një jetë jo të qetë. Këtë vit Ministria e Kulturës e ka shpallur "Viti Kutelian", të cilin e ka nisur me një sërë aktivitetesh kushtuar personalitetit të tij. Por sa e njohim ne këtë shkrimtar shumëdimensional, i cili në të gjallë jetoi një kalvar vuajtjesh, duke mos e shijuar për së gjalli meritat e letërsisë së tij.

Për Gjokën, Kuteli ende nuk është në vendin e duhur. Mospërkthimi i veprave të tij në gjuhë të ndryshme, e ka bërë atë të qëndrojë vetëm në një aneks të jetës sonë letrare, duke mos u bërë një faktor ndoshta më i gjerë. Ndëshkimet me të si autor nuk kanë qenë vetëm të aspektit njerëzor, ku kemi parasysh këtu jetën e tij, burgosjen dhe persekutimin si autor. Sipas Gjokës, te Kuteli ka pasur dhe një ndërhyrje në tekst, gjë që ka bërë që proza e tij të mos vijë në dimensionin real.


Si u gjendët në letërsinë e Kutelit për t‘u kthyer më pas në një nga adhuruesit e studiuesit besnikë të tij?

Mund ta quaj lidhjen time me Mitrush Kutelin një rastësi. Isha student kur më ra për herë të parë në duar libri i tij me përralla "Xinxifillua". Më kujtohet se e kam lexuar dhe rilexuar disa herë. Ajo çfarë më tërhiqte në këtë libër ishte fakti se rrëfimet e Kutelit më zgjonin përrallat dhe rrëfimet që më kishte treguar gjyshi im mbi legjendat shqiptare.

Tashmë kanë kaluar shumë kohë nga ai moment kur unë u njoha për herë të parë me letërsinë e tij, por sot mendoj se dy janë njerëzit të cilëve unë u kushtoj lidhjen time me letrat. Gjyshi im për fantazinë e mrekullueshme që më zgjoi nëpërmjet përrallave dhe Kuteli nëpërmjet artit që më dhuroi në rini.

Kuptohet se njohja ime me këtë autor pas asaj çfarë mund të quhet edhe si "takimi i parë" nisi të bëhej më e thellë, për të vijuar më pas në vitet 1990 në atë kohë kur Kuteli u botua i plotë.

I kam lexuar dhe rilexuar disa herë veprat e tij dhe kuptova se ishte vërtet një shkrimtar i panjohur, por tepër i vlefshëm, sidomos në raport me prozën. Të gjitha këto më çuan në një situatë ku Kuteli do të ishte objektivi i studimeve të mia. Libri im i parë si studim ka qenë "Rrëfenja dhe pasrrëfenja", ku unë ndjek lidhjen shpirtërore me Kutelin. Pas këtij momenti vjen edhe lidhja logjike me këtë autor për ta studiuar për ta rivlerësuar dhe për ta nxjerrë nga ajo hije ku ai qëndronte. Pasi unë mendoj se Kuteli edhe në këto momente që ne flasim është i pazbuluar në tërësi, i pavlerësuar si prurje, pasi ky shkrimtar është një dukuri letrare në të gjitha kuptimet e kësaj fjale.


Sa i aftë keni qenë të ndani pasionin personal ndaj këtij autori nga studiuesi, i cili duhet të jetë më i kthjellët në gjykimin që do të japë?

Është një nga pyetjet më të vështira për t‘iu përgjigjur, pasi unë vazhdoj të besoj se Kuteli është një nga prozatorët tanë më të mirë. Kjo edhe në kuptimin se pas tij ka disa ndjekës, disa autorë që kanë ecur në rrugën e tij, si Xoxe, Trebeshina, Laço gati një plejadë e tërë shkrimtarësh. "Gjoli" letrar i Kutelit ka prodhuar jo pak letrarë të tjerë, por për mua për të qenë edhe studiues, edhe verifikues i vlerave ka qenë mjaft i vështirë. 
Njohja pas viteve ‘90 me teoritë e ndryshme letrare më dha mundësi për të qenë më i kthjellët në vështrimin e këtij autori, të distancohem disi.
Ashtu si në konceptin e Bartit për vdekjen e autorit si shenjë simbolike dhe metaforike, por në raport me çdolloj teksti, ai duhet të jetë një realitet për studiuesin. 
Të them të drejtën ka qenë një distancim mbase jo i plotë në raport me admirimin, por kam tentuar dhe verifikimi letrar më ka mundësuar që me gjithë vlerësimin maksimal që unë kam për Kutelin, të çohet vëmendja edhe te ndalimi si figurë.
Për Kutelin nuk është folur vetëm si një shkrimtar, por edhe si poet apo kritik. Për të qenë të qartë në këto përcaktime, unë mendoj se ai vërtet ka lëvruar poezi, por në këtë gjini ai nuk mund të krahasohet me Lasgushin. Ai është marrë edhe me kritikë, por nuk ka dimensionin e Arshi Pipës, nuk ka dimensionin e Sabri Hamitit apo të Ibrahim Rugovës etj. Plotësia ose shpërndarja që Kuteli është marrë me krijimtarinë na çon në një ndarje, ku unë vlerësoj maksimalisht prozën. Proza e tij është e tillë që lexohet e rilexohet dhe gjithsesi, mbetet sërish diçka për t‘u zbuluar. Pra, ka qenë një përpjekje, por sa është realizuar nuk jam i aftë ta jap këtë përgjigje.

Pse ende sot nuk kemi një Kutel, figura e tij në raport me letrat të diskutohej edhe në arenën ndërkombëtare. Të kishim p.sh. kritika apo studime të autorëve të huaj për të. Pse nuk kemi ende një Kutel të përkthyer? 

Mendoj se ka arsye letrare dhe jashtëletrare. Do ta filloja me arsyet letrare, pasi ai u përzu për gati 45 vjet nga vlerat letrare. U përzu për arsye të niveleve shkrimore të admirueshme. Së dyti, Kuteli nuk lëvron në asnjë lloj situate apo rrethane, letërsi e cila mund të përdoret si ideologji. Ai lëvron vetëm letërsi që mund të shihet si art. Së treti, do të thosha se në momentin e mospërdorimit të sistemit apo të realizmit socialist, për nevojat e letërsisë me tezë, pasi Kuteli është lëvrues i letërsisë pa tezë

Janë këto arsyet letrare që pamundësojnë që ai të komunikojë me lexuesin perëndimor.

Nëse librat e tij do të komunikonin me lexuesin e huaj, përveç bashkëkohësisë që do të ngjallnin veprat e tij, letërsia e përbotshme do të kishte dhe një shtesë më shumë dhe jo në kuptimin e emrave, por të teksteve. Pjesa e prozës së tij, sidomos ajo e novelave, si e "E madhe është gjëma e mëkatit", "Vjeshta e Xheladin Beut" u rrinë fare mirë emrave të shquar si Borges, Markezit etj., si nivel letrariteti. Jo si një nivel ngjashmërie teknike, por ka edhe arsye jashtëletrare. Veprimet dhe kundërvëniet e tij ndaj sistemit janë të ditura tashmë, pasi ato e çuan edhe në burg. Heshtja e mëtejshme do të jetë disi e trishtueshme, pasi është mirë që letërsia shqipe të prezantohet me nivele të përdorimit.


Më fol pak për Kutelin jashtë skemave letrare, për Kutelin njeri? 


Në dimensionin si njeri për Kutelin ka shumë për të treguar. Mund t‘ju rrëfej një episod tragjik të jetës së tij. Vetëm një vit pasi të ndërronte jetë, ai përjetoi një ngjarje tepër të trishtë.
Kështu, pjesë e ndëshkimit ka qenë edhe varrosja e tij për së gjalli. Atë e kanë varrosur për së gjalli në Elbasan dhe e kanë lënë për 24 orë atje. Pasi ka dalë prej asaj gjendjeje, ai nuk ka qenë më në një gjendje normale. Kjo është një sprovë e jashtëzakonshme për qenien njerëzore, por Kuteli meqë kishte udhëtuar në botën e ferrit, dinte të mbijetonte.
Sigurisht, si shkrimtar, ai ka jetuar edhe kënaqësi, të cilat mund t‘i gjejmë te një nga kryeveprat e tij që është "E madhe është gjëma e mëkatit"...
Ky është vetëm një episod që na ndriçon tërë kalvarin e burgimeve e ndëshkimeve të Kutelit, nga jeta sociale ose shoqërore intelektuale dhe artistike, që na tregon në një farë mënyre se ajo çfarë ne prekim nga ky shkrimtar është shoqëruar edhe me humbje të pallogaritshme me humbje tekstesh, me humbje jete ose të vlerave gjuhësore.

Humbje tekstesh. Si mund ta kuptojmë këtë?

Po, është e vërtetë. Te Kuteli ka pasur ndërhyrje në tekst në leksik, në fjalë dhe kjo ka bërë që ne ta shohim gjysmën e tij si shkrimtar. Unë di që në botimet që janë bërë në vitin 1972, sidomos në botimin e vitit ‘90 nga redaktorët është gjykuar që disa fjalë, të cilat ishin instiktive të origjinës së tij nga Pogradeci apo Korça, të hiqeshin. Kjo ka bërë që Kuteli nuk është ai në tekstet e tij në kuptimin gjuhësor e letrar. Pasi ashtu siç thotë një kritik i njohur "shkrimtari është në gjuhën e tij". Ndërtesa e një shkrimtari është gjuha. Në këtë kuptim, ajo çfarë ka ndodhur me tekstet e tij është e pakrahasueshme për nga humbjet.
Pasi vërtet i përzunë nga letërsia shqipe Martin Camajn, Arshi Pipën, apo Trebeshinën, por tekstet e tyre nuk i prekën.
Në këtë mënyrë, ndëshkimi ndaj Kutelit është i shumëfishtë, është jetësor dhe letrar. Por pavarësisht të gjitha këtyre, ne gjejmë tek ai autor vlera të jashtëzakonshme edhe me këtë dhembje.

Pse nuk ka ende një biografi të këtij autori? 

Mendoj se është një vërejtje dhe gjykim me vend. Por midis biografisë së shkrimtarit dhe asaj të tekstit unë do të preferoja të shqyrtoja biografinë e teksteve. Megjithatë, autori dhe teksti nuk janë shumë larg. Megjithëse teoria moderne e zhvendos autorin dhe nuk merret fare me biografinë e tij. Me rastin e Kutelit, për shkak të ndëshkimeve apo jetës tejet të vështirë, nuk është thjesht në interes të lexuesit, por të gropave që kanë mbetur të pashpjegueshme me fatin e teksteve të tij, me ndryshimet gjuhësore me ato sprova që tentojnë të rrokin dukurinë letrare, në kuptimin e gjuhësisë, e thellësisë.
Them kështu, në kuptimin e gjuhësisë, pasi nuk ka gjini letrare që Kuteli të mos e ketë lëvruar. Sipas gjykimit tim, kjo ka ndodhur pasi ai e ndiente se çfarë po ndodhte me letërsinë shqipe, e cila ishte një truall bosh dhe ai kërkoi që ta mbushë, ka lëvruar prozën në të gjitha llojet letrare. Edhe sot e kësaj dite, mbetet pa përgjigje pyetja në ai ka lëvruar roman? Sipas gjykimit tim po. Është fjala për një tekst, i cili është 241 faqe. Kjo sasi, sigurisht që nuk mund të rreshtohet në tregim, por edhe si novelë është e diskutueshme. Por nisur nga fakti që ka disa linja dhe të gjitha mbyllen, nisur nga fakti që ka shumë personazhe dhe ata jetojnë në të gjithë kurbën e vetë ekzistenciale. Kësaj ideje i mëshon edhe mjeshtri tjetër, Martin Camaj, në një studim që ka bërë për Kutelin apo studiuesi Kujtim Shala. 
Kuteli është dukuri letrare, pasi ai është edhe botues. Është e çuditshme, por po të mos ishte Kuteli, ne nuk do të kishim të plotë Poradecin apo Nolin. Ata ekzistonin, por si tekste i kemi falë Kutelit.

Cilat kanë qenë lidhjet e Kutelit me bashkëkohësit? 

Bashkëkohësit e tij janë Poradeci, Noli, Kris Maloku dhe përgjithësisht ajo plejada e shkrimtarëve të ndritur të viteve 1912-1944. Ai ka pasur lidhje miqësore dhe profesionale me këta autorë. Njihet dhe është e dëshmuar miqësia e tij me Poradecin. Madje, ata kanë qenë pasqyrë e njëri-tjetrit.
Nëse Poradeci është i pakrahasueshëm në gjininë e poezisë, i tillë është edhe Kuteli në prozë dhe kjo është një dhënie-marrie shumë interesante që ata kanë pasur nga kjo miqësi.
Por në jetën e tij dihet dhe interesi që ai ka pasur si një individ ndaj jetës sociale apo ekonomike. Janë dy fakte që kanë bërë me një ndërhyrje vendimtare të Kutelit në mbrojtje të lekut shqiptar. Në vitet e luftës është ndërhyrja e tij që e shpëtoi nga falimenti bankën shqiptare. Kjo do të ndodhë dhe më pas më 1944-ën me jugosllavët. Këto momente dëshmojnë natyrën e hapur dhe komunikuese të tij. Pas 1946-ës kur fillon burgosja e tij dhe sigurisht që marrëdhëniet e tij me miqtë ndryshojnë. Të gjithë ishin të rrezikuar. Por te Kuteli njeriu, shkrimtari, intelektuali sipas njohjes sime janë në ekuilibër. Nuk mundet që një njeri i shëmtuar të realizojë vepra si "E madhe është gjëma e mëkatit". Nuk mundet që një njeri i rëndomtë të kryejë akte qytetarie në mbrojtje të Bankës Shqiptare. Është ky ekuilibër që mua vazhdon të më joshë dhe të më mbajë ende pas tij.
Por ai është edhe shkrimtari që në gjallje nuk provoi asnjë fjalë vlerësuese. Ndoshta duhet t‘u besojmë rregullave që në gjallje heshtet për vlerat dhe në amshim nis vlerësimi i tij.
Qielli letrar nuk mund të kuptohet vetëm me hënë dhe me diell, qielli letrar kuptohet me gjithë pasurinë e vet, me yjet dhe yjësit ku Kuteli është një nga perlat e letërsisë shqipe që nëse do të përkthehej në gjuhë të ndryshme, do të komunikonte me lexuesin përtej këtyre kufijve, letërsia shqipe do të vlerësohej ndryshe. (fryma.info)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen