Dienstag, 29. September 2015

Poezi nga Naxhije Doçi (2)


NË SHFLETIM KUJTIMESH

Në shfletim kujtimesh të ruajtura
brerore me frymëmarrje zemre 
më shfaqesh ti
dashuria ime e parë
larë në ishullin e nektarëve
me peizazhe të dëlira bukurie,
trokitje e papërsëritur magjike
me drithërimë të derdhur mitike.

Valesh të dalldisura me suvalë
madhështi rinore krejt çiltërsi 
e madhe sa bota,
sa yjet vezullues në gjithësi 
që na kishin lakmi.

Në zemren time të patravajë 
me dehje shpresash të pashuara
pranverë larë me rreze dielli,
krejt aromë bliri
ishte ajo kohë 
kur të pashë për të parën herë
kalorës i vrulleve të bardha. 
Zëri yt melodi e përcëlluar
gurrave të kristalta në gurgullimë,
thellësive të guximta vërshuar. 
Te lisi me rropatje motesh
brigjeve të fushëblerta
të dheut tim sublim
fjalët oshetinin edhe të heshtura, 
buzëqeshje me sy deti 
reflektonin 
stolisur me orkide zgjimi.

Vallë,
si nuk ma tronditi përballjen
edhe ndonjë herë tjetër 
një drithërimë e tillë
me radhë
si ajo dashuri e parë,
perlë me përflakje miklimi
si ylber i buzëqeshur pas shiut
mbërthyer në kornizë përmallimi?!

(Poezi që zuri vendin e tretë në Konkursin letrar të Drejtorisë për Kulturë, në Therandë -17. 02. 2015)



FLAMURI IM 

Flamuri im me fushë të kuqe 
e me shkabë të zezë dykrerëshe 
në sfond
ishe i gjyshërve të mi
lozë pas loze.
Kohëve të furishme
në ballë të trimave valoje
me hienat-lubi fyta-fyt 
që na suleshin pa pikë faji
stinëve të diellit 
për t’na i zënë diell e tokë

Në epoka tiranie 
të mbanim në arkë
forcën për t’na shtuar për mbijetim.
Dashurinë dhe mallin për ty
në qendisma 
e në sexhade e përjetësonim
si pajë nusërie
ku derdhej tërë mjeshtëria rinore
krenari brezave për jetën stërgjyshore.
Në shpalim kujtimesh të kallura
me zërin e zemrës,
këngët më të bukura t’i kushtonim.

Flamuri im
në dymijëvjeçarin në mbyllje
mbi ty edhe një sprovë e rëndë e historisë
nga zgjimi im i njëmendshëm
lodhur prangimit të rëndë.
Moti gjëmoi tmerrshëm 
në Kosovën 
ankthesh të trishta mbërthyer,
se t’parrënjët e përtej diellit
sërish na i përgjakën agimet
në shuarje ngjyrash të ylberit. 

Flamuri im 
hukamë shenjtërie 
mbi dheun arbëror. 
bimë në bulim në çdo stinë jetike
syprinë deti në hapsirat tua etnike! 



FRYMOJ LIRSHËM 

Kur shkoj në vendlindjen time
në Therandën e shekullit të ri XXI
malesh të larta rrethuar
e fushash pjellore zbukuruar
më duket vetja krejt e përtrirë, 
frymoj lirshëm kënd më kënd
me etje të dehura përmallimi,
e dua për së tepërmi këtë vend. 

Krenari të çmendura mitike
me rreze të zjarrta lumturie
më reflektohen në zemër
për lirinë e bardhë 
në flakërimë të derdhur, 
baladën e madhështisë së ndritur 
të trimave ballëlartë të kohës, 
Syshqiponjave Heroike.

Logut të kujtimeve gjurmuese
shpalos copëza jete të thepisura 
me dhembje të renditura 
sa një muranë,
si në pikturë shoh 
errësirat në përmasa hakërruese 
të robërisë së dalë kohe, 
ku zhvillohej procesi i mbijetimit
të bashkëvendasve të mij imagjinativë
me pranvera të vjedhura mizorisht
dhe ninulla të shpërndara.
Burgosje me shtresime të pakuptimta 
shkallë - shkallë
kthinave të tjetërsimit,
shpërngulje shfarosëse 
largësive të braktisura të globit 
hapësirave të harrimit. 

Në sfond shoh prangat në duart e babait 
shtrënguar thellë në mish e kockë
deri në mavijosje e nxirje,
se frymoi me zemrën piramidë 
për një epokë të re, 
pa stuhi  
në tokën e idhujve të dritës,  
për këngën e ndezur pa cenzurë, 
gardhin gur i palëkundur 
dhe shtizën me flamur.



KUR RIGON SHI

Kur rigon shi i fjetur
orëve të vona të natës 
dendësi e mbërthyer
nëpër pore të ndezura shpirti
me ledhatime të braktisura,
mbretëri e zbehur në pikturim.

Në fragmente kujtimesh të derdhura
hijet e patrajta 
hakërrojnë qetësinë e portretizuar
nga zbrazëti e heshtjes,
klithin e ulërijnë me trokëllimë shëmtie
mjegullnajave imagjinare
për syrgjynim pranverash
me etje blerimi,
për shdërrim vjeshtash tona 
sërishmi në shtektarë.

Kur rigon shi i rebeluar
çmendisë së pakëputur përmalluese
jehu në flakërimë të dehur
muraneve të gurta të zemrës
për agun e vonuar 
nga iluzione të gjembosura
hapësirave të kafshuara të pakohësisë.
Ngarendjet e buzëqeshura 
vrulle hovesh sublime 
me frymëmarrje të etura pranvere
në shpërthim shtigjesh të ngatërruara
edhe nëpër thepisje stuhish,
uverturë e dëlirë dashurie 
për plotni drite
matanë errësirës. 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen