Sonntag, 20. September 2015

Mësuesi, misionar i të sotmes dhe i të ardhmes.

  • Kadri Tarelli: ”Misionarë në udhën e dijes”

Nga: Sejdo HARKA & Murat GECAJ


“Misionarë në udhën e dijes”- kështu e titullon librin e tij, mësuesi dhe publicisti i njohur, K.Tarelli. Ai ka dalë në qarkullim kohët e fundit dhe dallohet për mesazhe të ngrohta dhe narracion të rrallë, për mendime të kthjellëta dhe gjuhë të gjallë. Gjithashtu, përshkohet i tëri nga  filozofia e  ideatorit dhe frymëzuesit të Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashërit,i cili midis të tjerave thekson:”Në se ka gjë ,për të cilën shqiptarëtë duhet të kujdesenë më tepër, pa dyshim, ajo është dituria”. Dhe përçuesit e parë të dijeve  dhe dashurisë për Kombin dhe gjuhën, ashtu siç e thekson dhe shkrimtari i madh Viktor Hygo ,janë nëna e mësuesi. Është kjo arsyeja, që ata konsiderohen nëpunësit kryesorë të kombit. Si të jetë mësuesi, ashtu është dhe shkolla. Si është shkolla dhe mësuesit sot, ashtu do të jetë edhe shoqëria nesër.

Shkolla dhe mësuesit janë  dhe do të mbeten  pararendësit  e të ardhshmes së njerëzimit. Për të argumentuar vlerat e padiskutueshme  të mësuesit në shoqërinë e sotshme dhe të ardhshme,autori përdor sentencën e bukur industane”…zgjidh mësuesin, pasi ta njohësh mirë atë”. Përvoja e gjatë,  mësues dhe drejtor në shumë shkolla të Durrësit, Kavajës dhe  Lushnjes, e ka pajisur Kadri Tarellin me njuhuri të thella në fushën e arsimit dhe kulturës.Këto njohuri të gjera  teoriko-praktike, i kanë dhënë mundësi që të shkruajë një libër me vlera, jo vetëm për mësuesit, por edhe për lexuesin e gjerë, të moshave  dhe shtresave të ndryshme. Në thelb, ky është një libër publicistik,por në brendinë e tij janë ndërthurur natyrshëm letërsia me pedagogjinë dhe filozofia me historinë. Mes larmisë së shkrimeve të shumtë, në këtë libër lexuesi gjen portrete dhe opinione, reportazhe, esse dhe përfundime me vlera historike e kulturore.

Objekt i portreteve janë bërë figura të spikatura të arsimit dhe kulturës,mësues  e nxënës të talentuar dhe drejtues, që janë dalluar me aftësitë e përkushtimin e tyre, në shkollat e qarkut të Durrësit. Për skalitjen e këtyre portreteve,  rëndësi të veçantë i kushton autori përshkrimit të personalitetit të tyre: moral dhe shkencor, fizik dhe njerzor, përkushtimit për punën dhe zbulimit para lexuesëve  të sekretit të sukseseseve në punë dhe në jetë, të cilët i kanë bërë ata   model  dhe të admirueshëm  nga mësuesit, nxënësit dhe gjithë shoqria. Objekt i portreteve në këtë libër janë bërë figura të rralla të arsimit, si ajo e “Mësuesit të Popullit” Sulejman Ali Zalla, të cilin, për punën e tij të shquar 50-vjeçare në arsim, durrësakët e thërrasin me epitetin kuptimplotë, “Sul Shqiponja”. Ai ishte dhe mbeti mësuesi i shkollës së parë shqipe në Durrës.Siç shkruan dhe vetë autori i librit, Sula për kombin mbolli farën e diturisë dhe mirësisë,ndërsa për vete e shoqërinë, rriti 10 fëmijë, që ndoqën me besnikëri rrugën dhe shembullin e të atit.Sekreti i suksesit të tij, ishte këmbëngulja dhe përkushtimi, vullneti i hekurt dhe studimi  e hulumtimi i përditshëm.

Bukur skalitet në  këtë libër edhe figura e “Mësuesit të Popullit” Preng Kaçinari, me orgjinë nga Mitrovica. Madhështia e tij qëndron, sa te personaliteti  i tij njerëzor e profesional, aq dhe te guximi për të mos u bërë kurrë mashë e sigurimit të shtetit monist. Ai ,duke e ndjerë veten edukator të njeriut të lirë, më mirë pranoi t’i jepte fund jetës me vetëvrasje, sesa të bëhej  vegël qorre në duart e një sistemi , që dhunonte lirinë. Është kjo arsyeja që P.Kaçinari, krahas titujve të tjerë të lartë, mban dhe  emrin e bukur, “Martiri i Demokracisë”.Në shkrimin për ”Msuesin e Merituar” Eqerem Shijaku,autori ndalet në përshkrimin e aftësive të tij, për skalitjen e bukurisë së shpirtit të nxnësve,ashtu si gurgdhendësi laton  qoshetë e shtëpive të rralla. Në përshkrimin e portretit të  drejtorit të shkolls së Mëzezës, Zyber Sollaku,para lexuesit shfaqet drejtori lider, i cili më shumë udhëheq  se sa drejton, më shumë ndihmon se sa konrollon,më shumë frymëzon se sa komandon. Ëshë kjo një nga arsyet  kryesore, që kjo shkollë u bë model për shkollat më të mira të qarkut të Durrësit dhe të gjithë vendit.

Një vend të dukshëm në këtë libër zë  figura  e publicistit Sokol Demaku, nga Kosova, i cili ka shumë vite që  punon mësues  emigrant në shkollat e Borasit, në Suedinë e largët. Ai është bërë atje, simbol i përçimit të atdhetarizmit dhe i gjuhës shqipe te shqiptarët emigrantë, që sot punojnë, jetojnë dhe  mësojnë në Suedi. Lexon shkrimin për Sokol Demakun  dhe përpara të shfaqet portreti i misionarit të flaktë, figura  e “ambasadorit shpirtëror “, që nëpërmjet  botimeve të shumta,ndërton “ura”  të padukshme kulturore dhe miqësie, mes shqiptarëve dhe suedezëve, figura e njeriut “fortune” dhe me energji të pashtershme , që rend  sa në shkollat suedeze, aq dhe në ato shqiptare, për të mbjellë miqësi, dije dhe kulturë.Bukuria e sentencës filozofike të Xh.D.Pasas, se ”Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund t’i shkëputësh vendet nga zemra e njerëzve”, i shkon  për shtat, jo vetëm  misionarit  emigrant Sokol  Demaku, por dhe mësueses  Rukie Rama, e cila u mëson gjuhën shqipe  fëmijëve shqiptarë  në Bruksel, në mes të Europës. Është kjo arsyeja,që Dr. Sami Gega  i kushton figurës së saj librin monografik “Shqiponja e Malësisë”.

Objekt i shkrimeve të bukura të këtij libri janë bërë  edhe figura të tjera të arsimit, si: Islam Alikaj, Hasan Ulqini, Mustafa Faja, Lirim Harka, të cilët me punën dhe përgjegjësinë e tyre si misionarë të dijes,janë bërë burim frymzimi për mësuesit e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.

Një vend të dukshëm në këtë libër zënë reportazhet.Si  lloj i veçantë i publicistikës, ato janë bërë  sintezë e bisedave të ngrohta të autorit me nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollve dhe të shumë aktorëve të tjerë, të  procesit të msimit dhe edukimit. Kadri Tarelli komunikon ngrohtë me mjedisin dhe historinë, që observon e përçon dije dhe kulturë. Personazhët kryesorë të këtyre reportazheve janë bërë misionarët  e së ardhshmes.Në shkrime të tillë lexuesi  njihet me të veçantat, që mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të qarkut të Durrësit gjetën në shkollat turke,gjatë vizitës në Turqi dhe me mënyrën se si i pritën mësuesit dhe nxënësit e shkollës “Demokracia “, në Durrës, miqtë nga Suedia. 

Ç’bëhet në një ditë të zakonshme, në gjimnazin”Gjergj Kastrioti”? Ç’emocione u fali durrësakëve një koncert i bukur i fëmijëve, në qendër të qytetit? Ç’talente i dhuron vendit shkolla e mjeshtërisë  sportive, në Durrës? Në këtë libër gjejmë dhe shkrime-opinione, për dispozitat normative të shkollës, për kurrikullën dhe hartimin e planeve e programeve, për rrugët e moderrnizimit të procesit të mësimit dhe të edukimit, për minimizimin e braktisjes së shkollës, për rolin e drejtorit në shkollë, për përmirësimin e teksteve  shkollore etj.Përmes opinioneve, K.Tarelli tregon, se mësues i mirë nuk është ai, që zbaton në mënyrë të verbër udhëzimet, tekstet dhe programet, por ai që i zbaton ato në mënyrë krijuese dhe jep mendime të vlefshme për përmirësimin e tyre të mëtejshëm.

Në jetën e përditshme K.Tarelli është udhëhequr nga ideja , se libri ka qënë dhe do të mbetet edhe në të ardhshmen një mik i përhershëm i njeriut. Dhe kjo është më se e vërtetë. Siç thotë dhe një sentencë e bukur filozoike,”Kur lexon për herë të parë një libër të mirë,sikur ke fituar një mik të madh,ndërsa po e rilexove, të duket sikur je takuar përsëri me një mik të vjetër”. Prandaj, K.Tarelli, jo vetëm lexon dhe rilexon shumë libra, por jep dhe mendime  për vlerat dhe dobësitë e tyre.

Objekt i këtij libri janë bërë edhe recensat e shënimet për disa libra, me përmbajtje pedagogjike, letrare dhe historike. Në shënimet për librin e S.Llambros ,”Drejtori i shkollës”, autori i jep përgjigje pyetjes: ”Ç’është në të vërtetë drejtori i shlollës: komandant, administrator, apo menaxher?! Për të, para së gjithash, drejtori duhet të jetë një lider, që udhëheq me shembullin, fjalën, punën, kulturën dhe guximin e tij. Në libër gjejmë dhe shënime për libra artistikë e historikë, si ai për librat”Bukuri suedeze”të Viron Konës dhe “Më shumë heroizma, se sa gurë”, shkruar nga studiuesi dhe miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Kvik. Në këto analiza, autori jo vetëm zbulon vlerat e padiskutueshme të këtyre veprave, por dhe bukuritë e heroizmat suedeze dhe shqiptare. Në librin e U. Kvik, autori mundohet t’u japë përgjigje pyetjeve: Ç‘është Shqipëria dhe shqiptarët? Cilat janë heroizmat gjuha, kultura dhe traditat e rralla të popullit shqiptar?

Emocione të rralla  përçojnë te lexuesit edhe esse-të  me brendi historiko-filozofike: për” Këmbanën e dashurisë”,për historinë tragjiko-komike të”Kaut spiun të plakut 75-vjeçar”etj. Shkrime të tillë ,jo vetëm  të emocionojnë,por dhe të zgjojnë kërshërinë për t’u njohur me vlerat historike dhe arkeologjike të vendit tonë.

Së fundi, mund të themi se mësuesi dhe publicisti Kadri Tarelli, nëpërmjet këtij libri, me një gjuhë të bukur dhe me fakte konkrete, na ka sjellë  pjesë nga historia e gjallë  e arsimit shqiptar. Botime të tilla kanë vlera të padiskutueshme, sepse në qendër kanë mësuesin, i cili,siç thekson Babuef, edhe në të ardhmen, do të  mbetet personaliteti kryesor i shoqërisë njerëzore.

Tiranë, shtator 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen