Mittwoch, 14. Dezember 2016

Përvjetorët e lavdisë sonë kombëtare


Bedri TAHIRI
Bedri TAHIRI

TRIMI, KËNGA DHE PUSHKA

-Merre çiftelinë e krisja këngës, o trimosh, se kullat tona nuk durojnë heshtje e zymtësi.
-Sa ta pijë Hamza kafen, o komandant, do t’ia krisim e do t’ia themi deri sa të zbardhi dita.
Dhe, s’bëhej pak e tingujt lozonjarë shpërthenin vrullshëm, duke i dhënë shpirt odës së madhe të Jasharëve:
Oj Kosovë e bukur do ta sjellim dritën
Gryka jonë e skuqur ngjall Azem Galicën
Toka jonë e djegur po lahet me gjak
Ty ta falim jetën e na duket pak...
Bacë Shabani, ulur këmbëkryq, bri oxhakut çemerli, si një orakull ndjellamirë, dëgjonte vëmendshëm dhe ngazëllehej e përjetonte me shpirt. Zemra i bëhej mal me dëborë. Sytë nuk ua ndante djelmoshave, tek të cilët shihte lirinë...
Me një lule s’vjen pranvera
Muaji i bukur i qershive zakonishte vjen me këmbë të mbarë. Ashtu erdhi edhe ai i vitit 1967. Kur hodhi çapin e gjashtë, Çabiqit iu shtua edhe një çifteli, iu shtua edhe një pushkë, iu shtua edhe një gëzim: u lind Mujë Krasniqi! Ç‘është e vërteta, nga kjo derë fisnike, edhe shumëherë të tjera rrodhi gëzimi i jetës. Me një lule s’vjen pranvera,- thoshin Halili e Shehidja, dhe shtonin hisen e tyre e të atdheut. Ndryshe as që mund të mbijetohej zezona që na kërcënonte mbi kokë. Ata lindën njëmbëdhjetë fëmijë. Satanait, që planifikoi ndryshe, i therri fort në zemër dhe klithi përvajshëm: Më mundi Nëna shqiptare!
Komandant Mujë KRASNIQI
Djaloshi topolak rritej me ëndrra të mëdha lirie. Shpirti i tij njomëzak depërtonte thellë e thellë në labirintet e mugëta të historisë kombëtare. Aq shumë u mishërua me këngët historike saqë edhe e morën me vete, e bënë histori...
Lisat e mëdhenj i rrahin erërat më shumë, andaj edhe i lëshojnë rrënjët më thellë. Muja herët u ra në sy pushtetarëve serbosllavë. Veprimet e tij atdhetare rrezatonin në gjithë rrethin. Në çdo protestë e demonstratë ishte i pari. Veçan u dallua në ato të vitit 1989. Edhe përndjekjet ndaj tij u shtuan. Por, kot. Arra e fortë nuk thyhej lehtë. Atdhedashuria e tij veçsa po rritej e lartësohej deri në ideal jetësor. Tashmë e ndihmonin edhe vëllezërit: Aliu, Avniu e Afrimi.
Kur lëvizja çlirimtare grisi tisin e ilegalitetit, Muja sërish i pari në grupet e armatosura. Në nismë, për ca kohë, qëndruan në truallin e shqipeve, në Prekaz. Adem Jashari kishte besim të plotë tek ai dhe e ngarkonte me detyrat më të rënda. A ndalej dielli të ndriçonte? A pushonte Drini i Bardhë? Aq mund të ndalej a të pengohej Mujë Kraniqi! Orët e tij frymonin në Drenicë, në Dukagjin e në Pashtrik.
Lajmëtari i ditës së re
Agu i së mërkurës u gdhi fare i zymtë. Qielli i mërrolur veçsa s’lotonte. Drenica ende po nanurisej në djepin e ëndrrave liridashëse, kur lubia e përtej Tunës po futej në zemrën e saj...
Sakaq, te lugina midis Llaushës, Rezallës së Re e Rakinicës, dheu u trand në themel.
-Priti matanë, o komandant, erdhi një zë nga maja e malit përballë.
Edhe tri fishkëllima therrëse, shenja të moçme sulmi, jehuan dhe u përcollën tej e tej lugjeve gojëmëdha.
-Krisja malësorçe, o Mujë kreshniku,- thirri komandant Adem Jashari, që e kishte fare pranë, duke i dhënë zjarr mitralozit të madh. Helikopteri i gicur në bark, iku lart. Krisma e britma. Tym e flakë. Djajtë e humbën fare. Kukulelet e tyre i përpiu Manastiri heshtak...
Dhe, të nesërmën, në varrimin e mësuesit Halit Geci, njëri nga lajmëtarët e ditës së re, u bë Mujë Krasniqi...
Kacafytja
Zjarri i luftës mori krahët e dragoit. Kudo luftohej: në Drenicë e në Llap, në Dukagjin e në Shalë të Bajgorës, në Anadrini e në Pashtrik. Pena e poetit skalit vargjet:
Kushtrimi del e pushton malet
Në njëqind Drenica ndezen idealet.
As djaloshi i aksioneve të rrufeshme nuk pushonte dot. Trimave u prin fati, thuhej qysh moti. Ashtu ishte, edhe atë e gjeje kudo e kurdo në ballë të fronteve e të betejave. Sa e sa herë u plagos. Por, ashtu, me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë në shtat, kacafytej me bajlozat e zinj, të cilët mëtonin ta nëpërkëmbnin nderin e trojeve tona stërgjyshore. Shumë punkte policore i hodhi në erë e shumë arkivole nisi për në Shumadi.
Më 5, 6 e 7 mars 1998 iu ça zemra në dysh. Medet, nuk mundi t’i shkonte komandantit në ndihmë, por kolonës së gjatë serbe, që vinte nga Klina, ia preu rrugën. Bashkë me bashkëluftëtarët e tij shfreu dufin mbi samnabulët e hekurt, duke i paaftësuar. Snjaperi i tij ia kënaqte shpirtin. Për bacë Shabanin!...Për Hamzën!...Për Adem Jasharin!...Për gjithë të pavdekshmit!...Kështu i numëronte ata që i çonte në atë botë.
Edhe më vonë avazi i njëjtë. Luftë, beteja, sakrifica. Me muaj e mbajti vijën luftarake Kijevë-Dollc-Dush. Dy muaj kalitje në frontet e luftës është njësoj si të mbarosh një akademi ushtarake,- thoshte një oficer i lartë shqiptar. Në betejën e korrikut mbi shtatëmbëdhjetë orë qëndroi i palëkundur në istikam. Stoicizëm i pashoq. Taktika e tij luftarake qe e thjeshtë dhe unikate: i pari futej në front e i fundit tërhiqej. Nisur nga kjo, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, më 19. 8. 1998,  e emëroi Komandant të Brigadës 113. Rroftë Komandant Kapuçi!- brohoriten luftëtarët që e donin shumë, saqë jehuan edhe male e fusha përreth.
Trimi sypatrembur në beteja përdorte edhe armën tjetër- këngën. Kur këndonte për legjendarin, të gjithë ngriheshin në këmbë dhe ishin të gatshëm për t’u hedhur në grykë të topit:
Na u bën kala kullat me bedena
Prapë n’këtë tokë po rriten Hamza e Adema
Amaneti i tyre ta fitojmë lirinë
Me pushkë mbrojmë Kosovën e nderojmë Shqipërinë.
Koha ecte me ritmin e saj e ofensivat serbe nuk kishin të ndalur. Edhe numri i vullnetarëve rritej e rritej. Armët e municioni mungonin. Komandanti harroi plagët dhe u priu drejt Alpeve Shqiptare.
Rënia e madhërishme
Vallë ç’kishte Hasi i Thatë i Prizrenit që lotonte në heshtje mëngjesin e 14 dhjetorit 1998?! Këtë kurrë nuk e kishte pasur zakon. Lotët nuk ia pa kush as kur osmanët e zhvarrosen më të dashurin e tyre, Pjetër Bogdanin e madh, as kur cerberët nga pusia ia vranë atë Shtjefën Gjeçovin mendjendritur. E sonte ç’kishte që ishte ligështuar aq shumë?! Një gjëmë më e madhe se ato e kishte pllakosur këtë fundvit të acartë. Një tog ushtarësh të lirisë kishte ngelur në pritat kobtare serbe...
...Ora 2 e 10 minuta. Terri i natës skëterrë u bë copë e grimë. Vëzhguesit pararojë ranë në pritë!
-Tërhiquni prapa!- briti me gjithë zë komandant “Kapuçi”, duke zënë pozicion me shpejtësi rrufeje.
Dhe, sa keq! Lufta u ndez ashpër. Qielli u zbardh nga flaka e armëve. Komandanti, si përherë, në mbrojtje të bashkëluftëtarëve. Fare pranë edhe i vëllai, Aliu, edhe dhëndri Beqiri, edhe Rifat Mëziu, edhe...
O Zot! Gorozhupit i treti fare qetësia. Gjaku i lirisë ujiti gurët e kufirit të mallkuar vëllandarës. Tridhjetë e gjashtë lulëkuqe lirie stolisen borën e ngrirë. Edhe nëntë të zënë robër...Por, fati ua zgjati dorën. Në Shalë u kapën tetë ushtarë serbë. Dhe, pasoi këmbimi i tyre. Një barazvlerësim shtetesh...
-Jam krenar që pata djem të tillë!- thotë xha Halili pasditën e ftohtë të 20 dhjetorit 1998, kur po i varrosnim në Kodrën e Dëshmorëve, në Polacin e Hasan Prishtinës...
Lavdi për jetë e mot komandant Mujë Krasniqit dhe luftëtarëve të lirisë të të gjitha periudhave historike!

Galicë, 11 Dhjetor 2016

Sheremet Prokshi

Sheremet Prokshi

LAJMËTAR I DRITËS
(Heroit Mujë Krasniqi – Komandant “Kapuçi”,
me rastin e përvjetorit të rënies me 14.12. 1998 në Pashtrik... Lavdi!) 
1.
Çdo gjëje i vinte 
Erë lufte e tmerri…
Me rrahje, rrenime,
Vrasje, arrati,
E diku në bjeshkë
Ngjitej Mujë Krasniqi 
I ngarkuar me armë
Për shokët e tij.

Atje shkrepi pushka
Në atë ditë dhjetori,
Bajloza armiku
Kishin zënë pusi,
Askush nuk besonte 
Se kundër një togu
Do sulmojnë me tanke
Topa e ushtri.

Forca të blinduara
Shtynin lisa malesh,
Ti nxjerrin me rrënjë
Trungjet qindvjeçare,
Po nuk trembej Muja
Komandant “Kapuçi”,
Përpara iu doli 
Hordhive barbare.

Një kënge ja nisi
Pa e ndalur krismën
Ashtu siç këndonte
N’kullë të Bac Shabanit,
Zërat rrezatuan
Ëmbëlsi lirie
Frymë bashkëluftëtarësh 
Të Adem Jasharit.

Jehona përplasej
Në shkrepa Pashtriku,
Ku përskuqej bora 
Mbi gjoks komandanti,
Me tridhjetë e gjashtë
Luftëtarë të tjerë
Yje ndriti qielli
Në fushë horizonti.

E nuk ndalej Drini
Acarit të ftohtë
As pushkët s’pushuan
Deri në fitore,
Mbinin gonxhe t’reja
Për çdo ditë e muaj
Të vishej Kosova
Me lule kurore.

Shumë kam për të thënë
Për ty drangua mali
E në varg poezie
Shkurt më mbesin fjalët, 
Do të shkruaj Hero 
Ditëve që vijnë
Një tregim të gjatë,
Të gjatë sa vargmalet…
.................

13.12.2016.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen