Shkruan: Shefqet DIBRANI Romani “MALËSORJA”, i Nazmi Rrahmanit, si asnjë vepër tjetër letrare, e ka pasur ndikimin e vet në letërsinë shqipe, veçmas ka ndikuar në edukimin dhe formimin intelektual të gjeneratave të tëra tek shqiptarët në Kosovë dhe hapësirën e ish Jugosllavisë. Ky roman që nga botimi i parë në vitin 1965, është preferuar si lekturë shkollore për nxënësit e shkollave fillore, për klasat e larta, si dhe nëpër shkollat e mesme, qofshin ato gjimnaze apo të karakterit profesional. Këtë roman kam pasur fatin ta lexoj gjatë shkollës së mesme, diku në vitin 1978. Padyshim, ky kontakt, me këtë vepër letrare, ka ushtruar ndikimin e vet, ashtu siç ka mundur të ndikojë edhe tek të tjerët, në varësi me situatat dhe rrethanat kur kjo vepër është lexuar dhe si referat është komentuar. Romani “MALËSORJA”, është roman i karakterit social, por si vepër e këtij zhanri e ka kryer misionin e vet shembullor, në planin edukativ, në aspektin pedagogjik dhe në konceptin patriotik, sepse nuk ka patriotizëm më të madhe se sa me edukuar dhe arsimuar një shoqëri të tërë. Pavarësisht kësaj, nuk mund të përjashtohet mundësia se tek autori mund të kenë ushtruar ndikim rrethanat shoqërore e politike të asaj kohe, por si vepër letrare romani është i zhveshur tërësisht nga ndikimet e politikës, sikurse edhe nga frymëzimet tjera patriotike. Të gjitha ndikimet e mundshme të kësaj natyre lidhen me formimin intelektual të autorit, me atë frymëzimin e asaj kohe, për edukim dhe emancipim të shoqërisë, e cila në masë të madhe ishte analfabete. Kjo vetëdije dhe ky frymëzim intelektual, u përket atyre viteve kur një shoqëri e tërë ngarendte për tu shkolluar, për tu emancipuar dhe për tu ndryshuar, madje si vetëdije kolektive në Kosovë kemi përjetuar një lulëzim kulturor i cili prekte ndryshime edhe në rrafshin kulturore, arsimore, edukative dhe pedagogjike nëpër zona rurale dhe të lënash anësh nga kujdesi shtetëror. Në tekstin e shtruar brenda romanit, ngjarjet e asaj kohe, rrethanat sociale e patriarkale, autori i ka përshkruar në mënyrë brilante. Thjeshtësia dhe modestia e shkrimit letrar, janë edhe një shtytje tjetër, një vlerë tjetër letrare, që manifestohet si një përshkrim i detajuar, prandaj qasja jonë ka të bëjë edhe me përkushtimin e atij brezi në aspektin edukativ e arsimor, në ndikimin e tyre në vetëdijen kombëtare, duke i apostrofuar aspekte të pabarazisë shoqërore, (edhe pse nuk është theksuar aq), dihet se në ato vite ekzistonte një vullnet dhe ishte ngulitur një vetëdije qytetare e cila ndikoi në ato ndryshime, e kjo kishte ndodhur falë përkushtimit të atij brezi i cili përmes angazhimit kulturor i dha këto porosi të fuqishme, kurse autori i ka përcill përmes formës së shkrimit letrar. Jeta në fshatin rural në Kosovë, gjithmonë ka qenë e vështirë, arkaike dhe e ashpër për tu jetuar. Kurse për femrat, (duke i ditur zakonet arkaike e patriarkale), ka qenë edhe më e ashpër për tu jetuar, për të punuar, për të përparuar dhe për tu emancipuar. Në romanin “MALËSORJA”, ajo jetë është përshkruar me të gjitha karakteristikat e asaj kohe, madje kjo vepër tregon se njohja e autorit me doket dhe zakonet e trevës paska qenë shumë e fuqishme, lidhja shpirtërore edhe më shumë, e kjo njohje e mentalitetit ka nxjerr një përshkrim letrar të detajuar të këtij niveli, për ngjarje dhe ndodhi, andaj përshkrimi i veprës bëhet kaq i thellë, kaq përjetues, logjik dhe mjaftë përmbajtjesor. Zakonisht këto vlera e bëjnë romanin “MALËSORJA” të dalluar, të dashur dhe si vepër letrare më të respektuar. Sigurisht, janë këto vlera letrare e estetike, të cilat kanë ndikuar që romani “Malësorja” të përzgjidhet si lekturë e detyrueshme shkollore, si lektyrë e preferuar, lexim i sugjeruar, që iu dedikohej nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme kudo në hapësirën shqiptare, kuptohet më shumë në ato treva që kishin mbetur jashtë Shqipërisë Socialiste. Gjatë hulumtimit kemi ndeshur në informacione të shumta, dhe sigurisht interesante e mjaftë inkurajuese, për përdorimin e këtij romani në të gjitha nivelit shkollor, pra që nga klasat e larta të fillores, nëpër shkollat e mesme e deri në universitete, në të cilat shihet ndikimi i pashmangshëm i këtij romani dhe i autorit në përgjithësi. Natyrisht nuk kemi ndeshur studime të shumta e shteruese, edhe pse as ato nuk mungojnë, por me sa kam kuptuar mungesa e një përpjekje për një bibliografi më të kompletuar është evidente. Librat bibliografik, sado të vështirë për tu bërë, janë tabela rrëfyese për studiuesit dhe hulumtuesit, nga ku zakonisht dalin porosi të vyeshme, ide të caktuara për një vepër e cila arriti t’i përballoj edhe ndikimet politike, mjaftë të ashpra, që i prodhonin situata dhe ndikime nga politika komuniste e sistemit rozë jugosllav. Gjatë këtyre hulumtimeve kemi hasur në informacione, në të cilat shihet se romani “MALËSORJA”, është pjesë e programeve shkollore edhe nëpër universitete të tjera, aty ku mësohet Albanologjia, ku janë marrë fragmente për nevojat e mësimit akademik të shqipes, po ashtu fragmente nga ky roman gjejmë edhe nëpër libra “Gjuha shqipe”, për klasat e larta të shkollës fillore ose nëpër ato të mesme. Nëpër ato tekste shihet se si në mënyrë profesionale analizohen aspekte letrare të këtij romani. Pastaj e kemi ndeshur edhe si pyetësor nëpër testet e maturës dhe formave të tjera të matjes së inteligjencies. Çka do të thotë se nëse dikush do të merrej me këto aspekte, jo se do t’i sillte letërsisë shqipe një vepër të mirë bibliografike, por historisë së romanit shqiptar në Kosovë do t’i bënte një shërbim të madh, veçmas nëse do të trajtoheshin edhe aspekte pedagogjike dhe ndikimi i këtij romani në planin profesional. Kritiku letrar dhe studiuesi i letërsisë shqipe, akademiku dhe profesori universitar dr. Sabri Hamiti, ka bërë një studim të përmbledhur për romanet e Nazmi Rrahmanit, duke përfshirë edhe romanin “Malësorja”, por dr. Sabri Hamiti, edhe më vonë në kontingjentin e gjerë të kritikës letrare, nëpër disa fragmente do t’i rikthehet këtij romani dhe do ta citojë në kontinuitet prozën e Nazmi Rrahmanit. Ndërsa një studim më të kompletuar, për romanin “MALËSORJA”, vite më parë, e ka botuar profesori universitar dhe ligjëruesi i teorive letrare dr. Zejnullah Rrahmani, “MALËSORJA E NAZMI RRAHMANIT OSE ARTI I INTERPRETIMIT”, në të cilën janë analizuar në mënyrë të spikatur disa aspekte letrare e estetike të këtij romani. Por për t’iu rrekur një studimi më të kompletuar për romanin në fjalë, përveç këtyre njohjeve dhe përgjegjësisë profesionale, janë edhe njohjet e drejtpërdrejta me autorin, të cilin për vite me radhë e kam pasur redaktor dhe botues të librave, poetik e publicistik…
DASMA E ZEZË në dasmën e zezë mungonin krushqit me këmishë prej dielli e dylberet e zverdhur shqelmonin tokën duke lozur mbi muranë vallën e shpendkeqës nga djersë e kokës së tyre u grisën plisat e nxirë dhe një erë e lehtë rrokullisi shtëpinë prej letre 24.11. 2019 MASHTRIMI Keq të kanë mashtruar Kosovë... Nëna ime Ende nuk janë thyer Të gjitha vezet e djallit Në dasmat e përmortshme Prapë këndojnë qyqet bre Ëndrrave të zverdhura Kaherë - çelin karafila të zi E tokës - shtati po i dergjet Prej damarëve të gjymtuar 3.10. 2019 ATA DHE HESHTJA Thonë se qyshkur vrapuan pas sheqerkave të djallit, ata harruan çdo gjë tjetër. Emrin... Nderin... Fisin e Plisin. Gjakun e dëshmorëve harruan dhe lotët e të shkretave nëna, që ende vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e fëmijëve të zhdukur. Harruan dhe gjëmën e grave të dhunuara. Oiiiii... Medet ! Më asgjë s'ju kujtohet bre, bash asgjë... Dhe heshtin e heshtin e heshtin, heshtin porsi vdekja. Zot, mos qofsha në lëkurën e tyre ! 12.09.2019 SA HERË NDRYSHON MOTI / Një si poezi, për tre faqezi./ Sa herë që ndryshon moti, më dhemb gishti i vogel i dores së majtë. Ai gishti që ma ke thyer ti JLL, sall për hatër të hasmit. Heu, ti mos pafsh ditë të bardhë! Sa herë ndryshon moti e më dhemb ai gisht, të kujtoj edhe ty o njeri me maskë, që keq më preve në besë. E tash... tash ke veshur lëkurë engjëlli dhe atje diku largë... largë, ( tej maleve e deteve ) ndërron shtatë fytyra. Heu, ty tu ndaltë ora sonte! Sa herë më dhemb ai gisht më kujtohet edhe Xila, i ziu Xilë i Kryshecit qe tash digjet në ferr. Heu, atij ju harroftë emri! ___ JLL - Jakup Llonqari. Inspektor famëkeq i UDB-së në Pejë. Dy të tjerët kanë qenë informatorë apo hafije, siç i quante populli. MALLKIM Ti... Përditë ndërroje nga një emër Që të fshihje gjurmët e krimit E ti shpëtoje mallkimit Ti... Shpirtin shitur ia kishe djallit Gjakun e t‘parëve përbuzje Dhe kobin ia sillje sh‘pisë Ti... Mbillje kudo sall trishtim e vdekje E diellin doje t’ja qorroje atdheut Që sorrëzezat të këndonin qiellit Heu, kurrë mos paç bukë në sofër! Heu, mos t'leftë djal në votër! Heu, kristë një pushkë e t‘marrtë bri për bri! Heu, n’dakik t’dekës mos paç ujë me pi!
1. Shekulli i mortit Fundi i shekullit XIX Nuk është veç një rrëfim i legjendave, një mit… Por shekull i mortit, i rrugëve të pakthim Ishte një dimër i egër, binte shi i zi në pikëllimë Iknim rrugëve të pakthim prej Naissusi për Tullar, Rëfente gjyshi… Sikur në shekujt e legjendave Pas lamë shtëpitë e braktisura Ëndërrat, dashurinë, fëmijërinë Me këmbë nën dhé baba Shqyente orteqe malli e dhembje Me vajin e nipit të posalindur Këtej lumit të vrarë për herë të mbramë Gjyshi e kujton këngën me fyell, lisat e gjallë… Ato fusha të paanë, pa diell, pa qiell Përsëritshëm prapa perdeve të mashtrimit Fati im po shkruhet me alfabet të panjohur Sikur në shekullin e mortit 2. Armiqtë e atdheut Lufta dhe vdekja Nuk është historia që e kujtojmë sot As rrëfimi i rrejshëm për heroin në bronz Në kohën barbare Ka pasur më shumë dashuri se sot Atdheu im i vrarë në dritë të hënës Tregimi i nisur për luftën dhe vdekjen është ngatërruar në gjymtyrë të gjarpërit Armiqtë e atdheut kanë gjak në shuplakë Dhe shkëlqim vrastar 3. Ëndrrat e ndaluara Çdo mëngjes i lexon ëndrrat e mallit Të ndaluara për këtë letër Fjalët dhe çastet më të ëmbla i kam hedhur në lumë Për të mos mbetur asnjë gjurmë Përgjithmonë është ndarë rruga e gjatë e jetës Për t’u takuar në stacionin e njëjtë A besohet në të paarritshmën deri në frymën e fundit fluturojmë për t`i prekur yjet Sa herë fytyrat ndërrohen në pasqyrë 4. Kohë barbare Hija ime krijon portretin tënd, frymën Dhe atë që i mungon shpirtit Hija jote Flet me muret, me letrat e zverdhura Para pasqyrës magjike rri gaditu Vrasës të egër të ëndrrave jemi bërë Si në kohët barbare Kemi mbetur hije e gjallë, hije e vdekur 5. Libri i mosdurimit Nën ombrellën e verdhësisë Gjak i ndezur damarëve Pëlcet harrimit të zgjatur Me buzë të etura A gjymtyrë të thyera Ajrit të helmuar frymojnë Në pasqyrën e thyer Gishtat me thonj të përgjakur Pikojnë deri në gjunjë të lidhur Këtej lumit të gjallë Kallet libri i mosdurimit 6. Portret torze Në qytetin e andrrave të frikshme Të përcjell trishtimi e hijet e gjalla Në imagjinatë fluturon gjysma ime te ti Dhe gjysma jote tek unë Por kurrë s`u bëmë nji Në portret torze shikimi i vizlluar E buzëqeshja e ngrime Janë mbyllur në rrugicat e jetës Qyteti asht shndërruar në pikturë të dekun Shi plumbi bjen në plagën e moçme Dhe era i banë gjethet e verdha Vetëm në imagjinatë Ti ishe gjysma ime, unë isha gjymsa jote Sa mirë që kurrë s`u bamë nji As tash s’jemi ma As qyteti i andrrave të frikshme 7. Përsëri, si në fillim Përsëri, si në fillim Do të rrëfejmë për ëndrrat për letrat e vizatuara në yje Në atë vend të zhveshur e të mallkuar i ndamë rrugët për të mos u harruar kurrë Pas lamë ëndrrat në fluturim Me sy të zmadhuar nga qielli Sa më larg që ikim Dashuria rritet më shumë Dhe bëhet e përjetshme Afërsia na trishton Në largësi e paarritshmja na mban gjallë Përsëri, si në fillim Në gjysmë të rrugës marrim frymë thellë duke e fshehur mallin në sy
8. Vendi i zbrazët i nanës E mërkurë e ftohtë, akull në zemër Ora 16:40, Viti 2018 Çasti më i pafuqishëm e më i trishtueshëm Me u nda prej nanës Dhe me pa me sy fluturimin e saj Fryma jote e fundit jeton në mua Me erën e bukës me mërzinë e dhembjen e pafundme Nanë, të zbrazët e le vendin Në shpinë e rritës së nëntë fëmijëve Duke i thurur andrrat më të bukura Nanë, askush sikur ti Nuk ka ditur me çelë zemrën time E me i shnoshë dhimbjet sikur sytë e tu magjikë Afër teje, nanë Gjithnjë diçka e bukur ndodhte Dumnicë e Poshtme, 10 prill 2019 Fadil Halimi u lind më 21 qershor 1965 në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmën në Podujevë, kurse studimet e larta për Letërsi e Gjuhë Shqipe i mbaroi në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Me shkrime letrare është marrë që nga koha kur ishte nxënës. Ka punuar gazetar – korrespodent nga Podujeva për gazetat “Rilindja” e “Zëri”. Tash punon në arsim si arsimtar i Gjuhës Shqipe në Podujevë. Në vitin 1992 ka botuar përmbledhjen me poezi: ”Proces në kafkë” nga SHB “Rilindja” në Prishtinë. Autori Fadil Halimi do të na vije së shpejti edhe me përmbledhjen e tij të dytë poetike.
NGA MITI I LIRISË E DERI TEK ARRITJA E SAJ Gani Morina:"Ecje drejt lirisë", dramë, SHB "Vorea Ujko" - Klinë. Me botimin e dramës "Ecje drejt lirisë" të autorit Gani Morina, Klubi i shkrimtarëve " Vorea Ujku " po dëshmon për se riozitetin e tij, përveç aktiviteteve të ndryshme letrare, duke arritur botimin e mbi njëqind veprave letrare, nën përkujdesjen e Prend Buzhalës, me vetëdije e përķushtim të pamohushëm kulturor, redaktor edhe i kësaj drame dhe pasthënie cilësore të poetikës së dramës, që hapë mundësitë e kënaqësisë së leximit. Gani Morina, më parë kishte përvojë si regjisor dhe aktor, për të sprovuar talentin e tij si dramaturg. Është kjo një sprovë e preokupimeve shpirtërore krijuese, tipologjinë e së cilës mund ta përkufizojmë sipas diskursit tematik, motivor dhe përmasave kohore dhe hapsinore që trajtohen në këtë dramë. Sipas metodave teorike, nëse drama shkruhet për tu lujtur në skenë, autori ia ka arritur këtij qëllimi krijues, duke ju shmangur stërngarkimeve tekstore, si për lexuesit dhe për shikuesit. Nē këtë mënyrë autori e ka ndihmuar edhe regjisorin e ardhshëm. Vlerësimi i shkrimit të historisë bashkëkohëse, sa duket i lehtë dhe i përafërt me ngjaret e përjetuara, po aq është edhe komplekse, pasiqë mund edhe të "keqkuptohen " dhe të përzihen diskurset fiktive me ato reale. Teksti i dramës " Ecje drejt-lirisë" jep mundësi përjetimi për të shijuar artistikisht, ngjarjet tronditëse të popullit tonë, si në aspektin shpitëror dhe fizik. Tundimet jetësore, janë trajtuar dramatikisht si me përpunimin e personazheve historike dhe atyre fiktive-imagjinative, të cilët i ka lëmuar mjeshtërisht, kryesisht, personazhin simbol të një gjenerate të viteve '81. Përmasat kohore dhe hapësinore shtrihe që nga Lëvizja Ilegale Kombëtare e deri në kohën e Paraqitjes Publike të UÇK-së, pas vrasjes së mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës, më 28 nëntor 1997. Autori, në këtë dramë, me sukses i ndërlidhë gjurmët dhe ngjarjet historike nëpër kohë, qe edhe për autorin ishin gravujë e pa shlyeshme Ide e lirisë, robërisë, Lirinë e shumëpritur, për të cilën u derdhë shumë mund e përvujtje ( Lëvizja ilegale deri tek Lufta e UÇK-së, dëshmi se Robëria nuk mund të mposhtet pa vetflijimin e UÇK-së. Ngjarjet, veprimet, motivet, situatat, figurat dramatike, na duken si prekje artistike, që veç sa ja shtojnë veprës vlerat estetike, duke kuptimsuar masën e leximit pa ndonjë ngarkesë tekstore, siç na thotë Mevlan Shanaj, duhet përkujdesur për mosngarkesën e shikuesve. Edhe sentenca e motivit ideor ndërlidhet pashëm më ngjarjet atdhetare dhe dridhjeve të ndërdymjeve, si të mposhtet robëria dhe ecjes drejt lirisë e përforcojnë tekstin dramatik siç janë kënga atdhetare në dasmë, prishja e dasmës nga forcat e ar.ikut, lēvizja atdhetare, pajtimi gjaqeve, si Shenjë e Bashkimit Kombëtar. Por edhe Hija e së ligës vije nëpërmes atyre që jo gjithherë vijnë për gëzime, figura dramatike që ishin në shërbim të djallit, që është Simbolika e oronikes kundër luftës përiri, sa është ironi po aq është edhe satirë therrëse. Autori i kësaj drame, Gani Morina e ndjen se kur duhet përdorur fjalën ironike, duke i përballur ngjarjet, faktet, idetë dhe veprimet e personazheve, gjendjen e tyre shpirtërore, deri tek interpretimi i realitetit jetësor dhe të vërtetës. Gjallërisë së dialogeve dhe monologëve u jep përmasë përkryrje të realizimit artistik. Synim jetësor e artistik për të është ecje drejtë lirisë, siç thotë edhe titulli i kësaj vepre dramatike. Suksese, autorit!.
____ Lexuar në përurimin e dramës më 11. IX. 2006.
VATRA E SHUAR Digjen trungjet e qershisë me gjysmë në flakë në vatrën e mbuluar me blozë Gaca prej kristali vezullon në xham Drita u shtri me përtesë në të katër anët e horizontit mbuluar me flakën e purpurit të kujtimeve Në shuplakë e mbyll atë gacë të fshehur derisa të mos lëshojë tym lëkura e të na bëjë të japim shpirt duke qeshur me zë VETEM NJË ARSYE Çast e vetimtar kur puthiten akrepat kur dy kokat në shkabë bëhen bashkë kur vetëtin drita e syve Durimi është fitore kur e kalon kufirin e humbjes të vënë me vija gjyku Vjen si çast kur nuk e pret hy nëpër vrimen e çelësit nëpër të çarat e murit dhe nëpër spiralen që ndan dy hemisferat e trurit Vjen duke mbyllur çdo hapsirë boshe në kujtime kur duhet ngritur nga shtrati me baltë si Gjergj Elez Alia FTOHTËSIA E GJËRAVE Nga retë e tymit fusha është zverdhur dhe pemët shkundën gjethet nëpër dysheme Pema e vitit të ri zgjat degët me hala deri të retë e tymit mbi kokë Kopshti i Edenit në perde ka ndërruar pemët sa duket si një lulishte plastike në vitrinë Dritarja e dhoës përlotet me vesë të ftohtë nga malli për verën e qyqes Hajde më bëhu gati për stinën e gjumit të madh që po troket pa ndalë në portën e hapur DUART Si dy degë me copa akulli ranë nga trungu në dyshemenë e mbuluar me gjethe durt e këputura në mes. Një dhembje që s’pushon përdridhet si spirale nëpër asht Të therurat nga palca përzihen me të kuqtë e gjakut që është ngrirë mbi gjethe Vetëm gishti i vogël lëviz si kokë e këputur zogu tek përpëlitet nëpër baltë Një gjilpërë e akullt rri pezull mbi bebzën e shuar kur dielli ka marrë trajtën e një amebe: ndahet në një mijë qeliza të vdekura për një sekondë Ato ende mbledhin gjethet e ankthit nëpër dyshemenë e shtruar me pllakëza gjaku diku në një cep të një ëndrre GISHTAT Nëpër baltë të verbuara kërkojnë thonjtë e rënë ato kokërrza të verdha misri që kanë lëshuar rrënjët në gjak fëshfërrijnë gjethet e verdha nëpër ara Frutat janë vjelë para se të mugullonin fara. Ata zogj të verbër s'e dallojnë se s'e dallojnë verdhësinë e thonjve që kanë mbirë nëpër mur. Rrënjët Shtrirë janë thellë në mish ku thithin lagështi nga kafka e ndriçuar nga dielli i pashuar i syrit I harruam të vjelat tashti vetëm në ëndërr mund të mbjellim atë që kemi korrur në jetë NGROHTËSIA E GJËRAVE Nga avulli i frymës në xham peisazhet e perdeve kanë marrë ngjyrën e fushës në varr Ja një radh plepash buzë rrugës renditur si mburojë rreth mullarit pa çati kurse matanë plepave zvarritet kodra e argjendtë duke pirë ujë në lumin jeshil që rrjedh tatëpjetë kujtesës Në taketuke rrinë fjetur ngjyrat e hirit dhe psherëtimat e një goje të përgjumur mbi tryezë Ca flutura të kuqe gjak vërtiten rreth llambës gjigande që duket si një diell i varur në mes të dhomës me një fjango të zezë në bisht Dikush tha: mblidh çaklat e ik sa nuk të çeli lulja në ballë e nuk foli shtatorja prej fildishi mbi komodinë GJENDJE NEUTRALE Lufta ime e fundit me veten time mbaroi Me pat. Zbrita shkallëve në bodrum ku më kish zënë gjumi. Çelësin e pata përbi dhe s’pata më si të dal. Duart i harrova në bedene mbështetur për heshte tek vigjëloja retë e pluhurit të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë. Edhe në ëndërr më dhemb në shpirt teksa ai nëpër vrimën e çelësit përvidhet në astral. Një gjilpërë e harruar më ther në palcë dhe askush s’ më dëgjon. Vetëm jehona e klithjes shndërrohet në spirale dhe më mbështillet nëpër asht. Një dritë jeshile vjen nga syri im në abazhur. Nëpër fushën e ballit hingëllojnë kuajt duke u tërhequr zvarrë nëpër orenditë e pluhurosura teksa koha grindet me rrudhat në trurin e lodhur për haloret e flokëve të mi. Anash shkëmbinjtë e shpellës me stalagmite me therin në zemër. Euridika qanë për këngën e mbetur përgjysmë. I mbyllur mbeta në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus çelësin e humbur për ta gjetur në një guaskë. AKTI ABSURD Dëgjoja në radio lajmet mbi kohën e turbulltë dhe zërat që fikeshin qetësisht nga butoni nën gishtërinj Doja të dilja nga realiteti paralel nga ajo membranë e hollë e gjërave pa formë doja të dilja nga lëkura me një të mbyllur të syve Nuk e dua më rolin kryesor ne këtë skenë pa dërrasat që përbëjnë jetën nuk dua më ta luaj Hamletin në Danimarkën time të vockël 4 x 4 Zvarrë dola nga dhoma duke lënë një copë absurdi teatror të derdhur kudo nëpër dërrasa Më mirë është të mos jesh se i ndarë në dysh me atë membranë të hollë mes sendeve dhe fjalëve . GOZHDA E NDRYSHKUR Në një gozhdë të ndryshkur varur është portreti i heroit në gravurë Në sfondin gri duket një vend nga vijnë luftëtarët e rralluar prej betejave të pashënuara në histori Aty më nuk kris pushk’ e vjetër as teret barot’ i lagur as mburojat hiqen më nga ku janë varur në mur Edhe gishti në qark i pushkës së vjeter i ngrirë ka mbetur në atë kornizë Në këtë gravurë çdo burrë me bërryla hyn në histori e çdo grua qëndisë flamurin me shkabën pa krahë derisa një ditë të lakohet ajo gozhdë e ngulur në murin e vajit PORTRET ME NGJYRA TË ZEZA Nata rrëshqet nëpër fytyrën tënde nga terri nuk shihet loti as mimika as hëna e fshehur në bebëz Sytë e mi tretur janë në boshësi dhe nuk e shohin buzëqeshjen tënde që po fundoset në dy vrimat e faqeve Re të zeza ranë mbi qiellin tënd errësuan horizontin nga shtrihen pyejet e pashkelura deri te ajo flakë e fshehur në zemer ___ Nga libri: "Gjendja neutrale".
KOKA VEZORE Mbi kokë të Vuçiqit Dikush hedh një vezë Ngrihet Vetëvendosja, S’janë t’miat për besë ! Vezët i kem’ zier Për Pashkë e Bajram, Të lozësh me vezë A nuk është haram ?! Të kesh sot vezë Do të jesh me fat, Jo veç në protesta Por edhe n’krevat ! Mendohet Vuçiqi Shikon me çudi, Sheh te Vetëvendosja Një tjetër dredhi ! E kujton Sanxhakun Deri në Luginë, I thërret me radhë Putin dhe Vulin… Tani që i gjetëm Vezët me gjithë pulë, S’e kemi vështirë Kush-kujt me ia ngul ! Nuk i dihet garës Me këto marifete, Kunjin më të gjatë Le ta mbajnë për vete ! KOKA PA TRU…! Nga vdekja e Sllobës Kaluan shumë vjet, E mister i mortjes Ngjalli një sekret ! U mbushën gazetat Me plot me befasi, Truri i “Kasapit” Iku në Rusi..! Na këshillon Holanda Mos kini merak, Ata që kanë tru S’i kemi në Hagë ! Po, mbetja mortore Nën hije te Bliri, Nuk ndjehet rehat - Dreqi as i biri ! Qarkullojnë të thënat Deri në skandal, Slloba nuk ka vdekur Na qenka i gjallë ! Kërkon t’i ketë pranë Shokët kriminelë, Ashtu si Mlladiqin Karaxhiq e Sheshel ! Kështu e ka kjo botë Shpeshherë acarohet, - Kush fle me qen, Me pleshta zgjohet ?! VUÇIQI NË BUJANOC Kur erdhi Vuçe në Bujanoc, Desh i ngeli në fyt një koc..! Me të kaluar nëpër Levosojë, Nuk e foli një fjalë me gojë ! Mendon, nga t’ia filloj fushatës: Këndej, apo matanë autostradës ?! Të hamendësohej s’e shihte të udhës, E ardhmja e Serbisë, matanë hekurudhës. Struket ngadalë me shumë kusuritje, Nuk sheh shtëpi, që s’është në shitje ! Mosni vëllezër serbë, lutet presidenti, Qëndroni këtu, mos ikni nga vendi ! Kjo është vatra Juaj, çështje më intime, E hapim kuletën për shumë investime. Tek fliste Vuçiqi ndër serbët lokalë, Shkëlqente premtimi sall elektoral. Korrigjim kufiri - do të ketë garant, I gjithë Bujanoci gjendet në ankand ! KUVENDI I GRAVE I rrëshqet buza në gaz Sytë e zezë mbush’ maraz Kur e pyetën përse qesh Me gjithë zemër çuar peshë - Tha se burrin s’e ka burrë As në ëndërr s’e sheh kurrë Mirëpo, hallin ku e ke I thotë Sala nuses s’re Thua se burrin s’e ke burrë As në ëndërr s’e sheh kurrë Po a di Ti moj fisnike Një fjalë t’urtë aq simpatike Pse në popull thuhet pra - Burri është për shtatë gra E ti ngrihesh kritikon Gjuhën brisk e praktikon Rri ulur e s’punon fare Burri yt moj burrë me halle E ndan rrogën me mijë grima Si t’i mbushë gjithë ato vrima Me ngadalë tha zonja Hyrë Merrni gjërat me të mirë Duhet t’jeni shumë krenare Sekëlldi t’mos keni fare Vërtet burrin s’e ke n’shtëpi Po t’punon në Gjermani Zërin ngriti vithetrasha Tha ku rafsha mos u vrafsha Pse t’mërzitem për hiçgjë Unë për shembull nuk e zë Aspak burrë atë njeri Që pa lidhje rri n’shtëpi Burri është mik n’shtëpi Pse mungon s’është çudi Kasavetet zonja Suza Si purtekë i dridhet buza Mall e kam burrin në shtrat Por kam shtëpi në katër kat Flet me naze zonja Beti S’e le t’ftohet muhabeti Qiraxhinjtë t’mos ishin fare Na zënë hallet për idare Kukuriset zonja Sime E kam burrin në studime Dhe të shkretit tim burrë Libër n’dorë s’i shoh kurrë Flet ndër buzë zonja Maja E dalldisur nga sefaja S’di mosha është në pyetje Apo kriza është në rritje I ngarkuar gjithë me punë Kurse unë s’mërzitem shumë Sa për qejfe e argëtime Del diçka dhe n’lagjen time Burri im bën politikë E dredh zërin zonja Mrikë Gjithë shoqëria i rri rrotull Ditë e natë punon për popull Nuk ka kohë moj zonja Zizë T’i kryejë punët e shtëpisë E di mirë për çfarë detyra Kemi nevojë zonja Lyra Burrit tim shef i thonë Nis bisedën si gjithmonë Zonja Tule rrumbullake Me një pamje qesharake Por n’shtëpi nuk është çudi Unë jam shef e jo Ai I vazhdojnë llafet gratë Deri vonë në mesnatë Për ta nxjerrë pyetjen n’shesh Me tamam siç thuhet shpesh Pse edhe gratë e thonë pra Burri është për shtatë gra! Qesh e shkundet një buzellkë I shtrin krahët si lejlek Burrit kurrë s’ja bëjë hallall Gruaja është për një mëhallë !!!
BRUKSELIADA Pas kaq vitesh në Bruksel Shkon Lugina me “bedel” Ngase vet nuk qe në rend Për t’u qasur përnjëmend Në tryezën brukseliane Me aq shumë opsione Ky i fundit për korrigjim Të kufijve pa kuptim S’zgjidhet kriza jug – veri As problemet Kosovë – Serbi Pa Luginën u mor vesh Dialogu shkon për lesh O Hashim o President Me shqiptarët s’e ke lehtë Aq më pak me te tjerë Që u ka marrë koka erë Rrotullohen nëpër stile Çdo veprim e kanë me hile Kur Lugina është për festë Dalin zëra për protestë E për zgjedhje aq më shumë Pse dhe jo Referendum Nga Muçi Baba në Llukar S’ka me mbet asnjë shqiptar Pa u bashkuar n’emër t’Zotit Si në kohë të Kastriotit Me të mirat e kësaj ane E Kosovën Evropiane Dhe Luginën “tata-mata” Të na rroj Brukseliada LUGINA NË BERLIN..! Për Samitin në Berlin, Pyesin shqipet për Luginë: A do t’gjendet në Kuvend, Sipas rendit me agjendë ?! Rendi i ditës, nuk çon peshë, Po ngatërrohet lëmshi shpesh, Nuk i gjendet fija për fare, Bëhen burrat për pesë pare ! Keni parë dialog me bisht, Që me t’ngulur qëllimisht ?! T’i çon gjërat n’pambarim, As bashkim, as korrigjim ! Pse gjermani pati “bllombë”, Kur u bë bashkë si Komb ?! Theu murin copë më copë, Duke hyrë në Evropë! E ne shqipet e Ballkanit, Me atë zjarrin e vullkanit, Marrim turr për atë pazarin…. E pa “hop” kërcejmë gardhin ! Pastaj, ngulemi me pa hir, Duke thënë e kemi mirë! Si ta kemi kur për besë Jemi bërë pikë e pesë ?! Disa lypim bashkim kombëtar, E disa asgjë për farë..., Bëhemi copë për pushtet. E harrojmë se s’kemi shtet ! Si të bëhemi shtet Unik, Pa koncept në politikë. E t’mos flasim për Luginë, Që ka ikur në Berlin ! Sa nga dhuna, sa nga puna, Sa nga vendi me spiuna, Që për hir të Babës Mbret, U pëlqen Lugina shkret ! Ç’U KALL MALI..! Nga Lugina e deri n’kufi, U dogj pylli shkrumb e hi ! Thotë njeriu me shqetësim, Ky s’na qenka korrigjim ?! As nga minat me rrezik, As nga zjarret me taktikë! Çfarë bashkimi o shqiptarë, Me t’shku’ pylli me hektarë ! Ta kthesh malin në lëndinë, Mos t’bashkohesh me Luginë ! Pse atëherë të digjet mali ? T’shkoj për lesh dhe ideali ! Nga urtia një gjë dihet: -Shpija digjet, plaka krihet ! PËRTEJ KUFIJVE Nga Morava tej Vardarit Shpërthen zëri i shqiptarit Në Luginë kemi shtëpinë Deri n’ Nish edhe tapinë Kemi besë, bukë e kripë Edhe malet flasin shqip Kemi Plisin – Letërnjofim Krenarinë e kombit tim Mijëra vjet në këto anë Kanë jetuar t’parët tanë Me disa regjime shtetërore Duke ndarë tokat Arbërore Deri sot në këtë botë Nuk na shembën me të fortë E në paqe edhe më hiq Me të dashur e me miq Vjen një ditë Lugina flet Si dikur me dinjitet N’ Referendumin për bashkim Drejt kufijve me korrigjim Drejt kufijve natyralë Jo siç janë artificialë Me vija të kuqe e të zeza Që na ndoqën nëpër breza DASMA PA NUSE Çështja e Luginës... Çmallet për çudi, Nëpër kafet tona Me meze e raki! Shpërthejnë opsionet Me nga një premtim, Të urta të brishta Siç thotë në vazhdim… Fjalë e urtë devollçe: - Si të bëjmë e si të themi, Bir, o Muço kokë - demi, Dasmë bëjmë e nuse s’kemi ! LUGINA E REFERENDUMIT Kur u mbajt për bashkim Referendumi, Luginën Dardane, thanë e mori lumi..! Po që nuk e mori, me rrënjët e thella, Nga se Ariu, s’nxirret dot nga shpella ! Brez pas brezi ruajti gjuhë edhe zakone, Duke u përplasur, në shumë opsione… Madje nxori n’treg, emrin e kësaj treve, Nga Kosovë Lindore, në Luginë Presheve ! Kosova Lindore, nuk matet n’peshore, As më pak nuk është, sikur zorra qorre, Njerëzit e kufirit kanë thënë me të drejtë, Janë si rrathë lakrori, që s’përtypen lehtë ! Le ta dijë Brukseli deri në Serbi, Edhe ne n’Luginë, jemi kuq e zi. Kuq e kemi gjakun e zi situatën, Që kur na ndanë, si dita me natën ! Lugina e Preshevës, shtyhet në agjenda... Ajo është vullkani, që zien nga brenda ! Nga flakët e saj ndizet gjithë Ballkani, Për një plesht të vogël a digjet jorgani ?! (Me rastin e 27 vjetorit të Referendumit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje Kosovës, pjesë e pandashme e së cilës ka qenë, gjithmonë, gjatë historisë) VDEKJA E AKADEMIKUT Kur u nda nga jeta, Akademik Idriz Ajeti, Nga dhembjet me lot, ka qarë Alfabeti..! Të gjithë germat shqipe, me tinguj mortorë, E nisën në amshim, "Rrapin Shekullor"! Pa qarë s’mbet, vendlindja prej Medvegje, Që ka mbet e ndarë me gardh e me megje ! Këto ndarje u panë, në të pame e n’varrim, Me një grusht njerëzish, mbushur pikëllim ! Kjo shoqëria jonë, me shumë “detyrime”, Po si nuk e gjeti, një vend për ngushëllime ?! Gabimet me thasë, i kemi n’praktikë, A s’na ngeli Noli, me varr n’Amerikë ?! POETI I SPICËS ( Sevdail Hysenit) Në këndin e spicës Krijuar këto ditë Poet Sevdaili Shumëkend e shpotitë Ca spica ca kungja Shumë mirë di me i gdhend Për ca "burra të mirë" N'këtë vend që mbajnë rend Rendin e mbajnë mirë Janë për çdo lavdatë Spica t'"shkurta" u duhen E jo shumë të gjatë Kungjat i meritojnë Dhe ca burra tjerë Ngado që të shkojnë Puna u lëshon "erë" Spicat edhe kungjat Kur s'bashku veprojnë Asgjë nuk lënë mangut Gjithçka rregullojnë Spicat Sevdaili Ua gjuan n'kurriz Nuk "therrin" aq shumë Se janë therrë murriz ! 10.02.2019 PUSHTETI “ALTERNATIV” Mik i dashur more vëlla S’kapet zogu për hava Dëgjo vëllaçkon ç’ka po t’thotë Në Preshevë nuk thuhet kot S’qeveriset vendi mbarë Me debillë e kllosharë Po qe do o mik i mirë Ka hy sherri në çdo birë Nuk mendon pushteti ndryshe Veç në pare e “gjymbyshe” Sa për art dhe informim S’i ha palla asnjë grimë Por një ditë pak nga pak Ka m’i hy lepuri n’bark Me qetësi e dashuri Do të shkoj në Gjermani Se Kuvendi pa shumicë Shkon e ngulet mu në Spicë... GRUSHTAT NË KUVEND N’Kuvendin preshevar Ndodhi një incident U rrahën këshilltarët Për një grusht pushtet Ky konflikt banal Erdhi pas fjalimit Në Natën e Bajramit Në Festën e Flijimit Askujt nga Foltorja Nuk i ra në mend Ta kursej fjalorin Nga sharjet n’Kuvend Në vend që debatin Ta vejnë në binar Ata i ndërrojnë grushtat Si t’ishin në pazar Luftojnë për kolltuk E pushtet fiktiv Duke promovuar Ndryshim alternativ Shih nga ana tjetër Vendi është në krizë Po na vijnë kufijtë Në prag të shtëpisë N’vend të fushatës Për Këshill Nacional Ata kacafyten Zhyten në skandal E shefat e tyre Që nesër n’mëngjes I nisin urimet Gjithë me interes Gëzuar qoftë Bajrami Me t’mira pa fund Ndonëse rehatinë S’e kemi askund MADE IN LUGINA Në jug të Serbisë Shpaloset Krahina, Që e quan veten Made in Lugina ! Lugina e Preshevës Shtrihet ne tre shtete, Trekëndëshi magjik Që lidh kontinente... Po rastis njeriu Të vijë në Luginë, Mendon se ka hy Diku n'Palestinë ! Nuk të kap syri Gjësendi për farë, Nga të gjitha anët Policë e xhandarë ! Me kufij shtetërorë Edhe me dogana, Që bëhen kalimet Në disa kolona ! Nuk e ha meraku Njeriun e Luginës. E fiton “idaren” Në kokërr të shpinës ! I ka falë natyra Të mirat varg e vi, Edhe me dy nëna Kosovë e Shqipëri ! Dy nënat dhe njerka Tamam pite e pulë, Ashtu si dikur Qengji në fabulë ! PIKTORI DHE DOKTORI Kuvendi shqiptar Çmendet o mik, Seancat plenare Kthehen në cirk! Tronditet Shqipëria Aferë e skandale, Me fjalë të pista E shprehje banale ! Ku mbeti Etika Kodi e Zakoni, Në ç’nivel ka rënë Medet, Institucioni ?! Kapen në të shara Piktori dhe Doktori, Nga shprehjet bizare Lumi seç na mori ! Llafet nuk kursehen Nga fjalët me bishta, Na shkoi me nder F’tyra për dy gishta ! Kundërmon Kuvendi Një erë me t’palara, Njollosen shqiptarët Fisi edhe fara ! Skuqet Parlamenti Në sytë e publikut, Sharjet a nuk janë -Arma e të ligut ?! NË PRITJE TË QEVERISË Po e presim Qeverinë, Të na vijë me të renë, Ç’e do kur zvarriten Punët si me tren..! Si me tren klasik, Që s’i dihet destinacioni, E me disa parti Pa lidhje koalicioni ! Pa një hap konkret Deri në pambarim, E me qindra vota Që lypin numërim… Ashtu zgjatet puna Si një shkop magjik, Për t’i sjell proceset Me nder në rrezik ! Festat e nëntorit Po vijnë me ngadalë, E ne jemi zhytur N’ vakum institucional ! Nga ky marifet Askush nuk e di, A kemi dhurata Për Vitin e Ri ?! Me këto dukuri Të llojit njerëzor, Struket Qeveria Në gjumin dimëror ! KALI PA TAGJI Ngarendi fukarai Te Beu për ndihma, - Ma jep një teneqe grurë Se më doli fryma ! Beu fërkoi mjekrën -Ti paske vdekur, o fatzi, Pse po ma len kalin Një ditë pa tagji ?! ANGARIA Pashai gomarët e fshatit I mblodhi për angari, Me të nuhatur Nastradini Ikë dhe fshihet në shtëpi ! Mirë i thotë e shoqja Ç’ke kështu, ti s’je gomar ?! Derisa ta marrë vesh Pashai Më del djersa mbi samar ! MUSHKA ME ZOG Pashai Nastradinin E zë mik shtëpie, I jep një mushkë Në shenjë dashurie ! Pas tri vjetëve T'i kthehej tok, Sipas porosisë Mushka me zog ! Njerëzit i thanë Nastradinit prore: Po ku pjell mushka A je çmendur fare ?! Tri vjet janë shumë Të dashur miq, Për këtë marifet Nuk mërzitem hiç ! Për gjatë kësaj kohe O ngordh veshgjati, E na merr të keqen, O Pashain e zë taksirati ! LIDHJA SHEKULLORE Turqia na ka sunduar Pesëqind vjet me shpatë, E tani po na “ushqen” Me filma për çdo natë ! Nëpër ekrane televizive Buçet kënga mesdhetare, Në çdo cep të katundit Ngre Xhamia me minare ! Kur e pyetën Erdoganin: Pse në kulturë investime ? -Tha na duhen shqiptarët, Për “lutje” dhe “dëfrime” ! VJESHTA POLITIKE Me frytet bashkë Bien dhe gjethet, Partitë në fushatë Kaplohen nga ethet ! Kapen nga droja E quajtur “Disfatë” Duke mos kursyer Mundin dhe paratë ! Disa do t’i humbin Të gjitha me radhë, Veç ata të mësuarit Që rrinë nën dardhë ! Pastaj do të ulen Edhe pak në peshë, Me zërin e ngjirur E veshët në lesh ! Flasin statistikat Me gjuhën faktike, Ka hy në sezon Vjeshta politike... Nuk është me rrezik Aspak për shëndet, Sillet ky “virus” Në çdo katër vjet ! Prapë vjen retorika Premtimet e buta: “Si kopshti me lule, Që nuk na jep fruta !” ERDHI DITA..! “Erdhi dita”, s’ka me pritë, Nuk jetohet në Opozitë ! Kjo parullë me krekosje, Zuri vend n’Vetëvendosje ! Është e bindur kjo parti, Se do t’ngjitet në Qeveri ! E pret Ditën me gëzim, Në fitore me çdo çmim ! Seç ngrihet në avantazhe, E lazdrohet me sondazhe ! “Erdhi dita” mos “Beso.” Nuk është Vota dosido... ! Pa përvojë në pazare, Vetëvendosja dështon fare ! Do të mbetet e Zezë Ditë, Si dikur në Opozitë ! Për t’vazhduar me këto mend, T’i hedh vezët në Kuvend ! Kështu e kanë n’koalicion, Kush - kujt "hilen" ia pallon..!
FUSHATA ZGJEDHORE Një politikan arushan Ç’e gjeti belanë Fushata zgjedhore Nuk i shkon për dore Të fitojë vota Provon medet Meqë fort e do Jetën në pushtet Nga goja nxjerr Ky farë oratori Premtime shumë gjëra Po si thotë të tëra Sepse i ngel në grykë E shkreta oratorikë Qytetarët thanë me premtime Nuk na mbetën qime Në kokat me halle Ti me ideale Vjen midis nesh Me fjalë kalavesh Mjaft frazat e kota Shkurt të duhen vota Për ne mos qaj kokë Deputet o “shok” Kjo është e tëra Mjerë masa e mjera! BUDALLALLËK E MASKARALLËK ! Në një Katund Me lumin në mes, Ishin çuar peshë Nja dy teknefes ! Për fatin e jetës Të dy të zi, Njëri shan Katund Tjetri qesh shtëpi ! Me këta sojsëza Nuk kalonte ditë, Pa rënë në telashe Pleqtë dhe të rinjtë ! Katundi të keqen Nuk kishte qetësi, Me një parazit Dhe një belaxhi ! Po ky stil i jetës Nuk ndryshon lehtë, Kur nga Katundi Zbritën në qytet ! Dhe zanat i vjetër Nuk mbaron me kaq, Njëri do biznes Tjetri lyp haraç ! Duken sikur “Bossa” Kravatë e jelekë, Mirëpo, kanë harruar T’veshin edhe brekë ! I pari vendosi Të blej Autobus, Ndonëse biznesi S’është për baksuz ! I dyti politikën E merr si model, Mendon se pushteti Qenka për dembel ! Këta dy mendjemëdhenj Janë zhytur në stres, Me fjalë e kopalla Nuk bëhet biznes ! Ashtu siç duken Ngelin për çudi, Me budallallëqe Deri n’pafundësi ! Me këto aventura Nuk ndalen aspak, I pari nxjerr mjekër I dyti lëshon bark ! Pasulxhi e Duhanxhi Vazhdojnë me hajgare, Me biznes, kuptohet Fitohen shumë pare ! Uroj të mos preken “Bossat” pa kuleta, Me një poezi Nuk ndryshohet jeta! Kush e di nga janë Këta dy kallafatxhi ? Do ta gëzoj pushimin Një javë në “Victori” ?! RIKTHIMI I ZJARREVE Zjarret prapë rikthehen Në tokat shqiptare, Ato vijnë t’qëllimshme, Duket ashiqare… Bëhen shkrumb e hi Me qindra hektarë, Shkurre, pisha, male Përfundojnë në zjarr ! Flaka edhe tymi Vazhdojnë n’pafundësi, Askush nga këto zjarre Nuk jep përgjegjësi ! S’japin llogari Bëmat me taktikë, Nga të cilat jeta Vihen në rrezik ! Me këto marifete Fare s’na bënë puna, Po na shkon për lesh Flora dhe fauna..! Institucionet me nder Nuk skuqen kur thonë: -Malet janë mushkëritë E planetit tonë ! PSE IKIN SHQIPTARËT ?! Sikur të shpallej, një garë maratonike, Shqiptarët radhiten, të parët në ikje ! Nuk ikin nga mendja, por ikin nga zori, Nga ikjet e shpeshta, lumi seç na mori ! Ata që kanë ikur e kanë një pikëllim, E shijojnë jetën me mall në mërgim ! Kafshatë e gurbetit, s’përtypet lehtë, Të lidhet në fyt e s’të lë të qetë… Ata që kanë ikur, për një jetë të mirë, Të shkojnë e të vijnë, nuk e kanë vështirë ! Sidomos gjatë verës, për dasmë e gazmend, Dhe për sa ahengje, që nuk mbahen mend..! “Dita e Diasporës”, “Sofër mërgimtari”, Si dhe “Promenada”, për qejf gurbetqari ! Sa shpenzojmë për "gëzime" me miq e shokë, Askush s’do të ngelte, pa kulm përmbi kokë ! Kjo çmenduri e jonë, s’matet me kufi… Kush e thotë se s’jemi popull gjymishli ! Po rastis gjermani, të vij para derës, Mendon se shqiptari, martohet veç verës !!! KËRMILLI NË BREGDET U mërzit kërmilli, Në guaskë të vetë, Vendosi të shkoj, Një javë në bregdet. E doli si dalin Nudistët bythëtrashë, Lakuriq i zhveshur Turravrap në plazh ! U çmendën turistët Desh ngritën padi, Çdo hap të kërmillit Ndiqnin me bezdi ! I thanë të largohej Larg-larg nga Ulqini, Ose do ta çojnë N’fabrikë konservimi ! U vërejt keq kërmilli, Lëshoi jargë nga goja, Me guaskë më falni S’mundem të notoja ! Keni ardh’ me nder Të laheni pa derte, Po ju pse si morët Shtëpizat me vete ?! AS-AS-ët e HEM-HEM-ët Në këtë kohë të çmendur, nuk di si të them ? Na u mbush Lugina, As-As dhe Hem-Hem ! As-As-ët nuk n’grahen, as n’grehen pa fund, Besa dhe Hem–Hem-ët, nuk lidhen askund ! N’Bujanoc të parët, kur ishin në pushtet, Desh sa nuk e zhvatën dhe bythën e vet ! Po tani si duken këta As-ët e ngratë, Sikur Qyqe bregu, malit t’u kukatë ! Mallkojnë të shfrenuar, për fatin e zi, Duke sharë e shpifur, ndjellin lemeri ! S’pajtohen kështu, të ndarë pikë e pesë, Po dhe e nesërmja, s’i ushqen me shpresë ! Në batak të zhytur, përpëliten me zor, Nuk mund t’i tërheq, “Saba” me traktor ! Ashtu dhe n’Preshevë, Hem-ët n’pushtet, Me gjitha të mirat, nuk ndihen të qetë ! Me mendje të krisur, sulen si të çmendur, I bren nga thellësia, një marrëzi e vjetër ! Meqë koha ndërron, siç ndryshon një modë, As-ët edhe Hem-Hem-ët, dehen bëhen rrotë ! Kur shohin rrezikun, sillen urtë e butë… Nga loja djallëzore:”Tërhiq e mos këput!” LUFTA PËR PUSHTET U çmendën shqiptarët Në luftë për pushtet Nga brenda dhe jashtë Shpërthejnë si tërmet Nuk kursejnë fjalët Me premtime shumë Sharjet edhe shpifjet Rrjedhin sikur lum Anë e kënd Shqipërisë Protesta pa fund Nuk dhunohet vota Si te ne askund Po edhe n’Kosovë S’është aspak më mirë Dalin n’sipërfaqe Maskat pa fytyrë Fluturojnë karriget Për një grusht pushtet Kthehen Kuvendet Në cirk të vërtetë Por maskat shqiptare S’janë pa origjinë Ato rreth e rrotull Sillen në Luginë Me shumë opsione Të mëdha e të vogla E me do të tjera Që nuk vlejnë për gogla Për shtet të luftonim Sikur për pushtete Nuk do t’ishim ndarë Në shumë “Vilajete”! KA MË KEQ..! Një që s’kishte krahun E hiqej me të meta, Donte sa më parë, Të ndahej nga jeta ! Në kulm të ndërtesës Hipi me siç thonë, Për t’i dhënë hallallin Jetës përgjithmonë ! Nga lart e sheh poshtë Njërin pa krahë, ore Që lëvizte shpejt, Si i çmendur fare ! E pyet nga lartësia: Pse kërcen o vëlla? - Thotë më kruhen koqet E nuk kam me çka...! Ngreh kokën Çallaku, Duke hequr valle... Paska dhe më keq, Në këtë botë me halle !
LEPURI NË BARK N’fushatën zgjedhore Na u sëmurë Miku, Për pak sa s’na zuri Për bishti rreziku ! Dhembjet cicëruan Përmallshëm në t’zezë, E kishim të ziun Si “çelësin francez”! Hynte për çdo punë E dilte me nder, Po, ja, u sëmurë Miku Pa faleminder ! Me vrap në spital Derdhëm lot për faqe, Për pak sa si shkulëm Vetull e mustaqe ! Mjeku tha gjakftohtë Mos keni merak, Mikut i ka hyrë Lepuri në bark ! Merreni me vete Në shtëpi ngadalë, S’ka nevojë Turreci T’shrihet në spital ! ORËT E KRIZËS DEMOKRATIKE Shpërthyen të zëshme Me vrulle patriotike Orët e krizës Demokratike Ngarendën të shfrenuara Gjithandej me fatalizëm Dje të përgjumurat Në komunizëm I “mirëpritëm” orët E dhembjes krenare Nëpër protesta Nëpër trotuare Nëpër Kuvende Me grushte e karrige Përveç zjarrvënies N’objekte publike Po sot si duken Të lumet medet E kanë humbur rrugën Në oborr të vet Me zor i ngatërrojnë Hapat maratonike Orët e krizës Demokratike! SOJSËZI Populli e thotë bukur shpesh, -Dreqi s’ka dhen e shet lesh ! Shet ore laneti - qoftëlargu, Sepse “malli” i vjen te pragu ! Krejt në rregull ç’i ka hije, N’formë dhurate po për besë ! Prapa tij ndonëse fshihet, Një botë plot me interes ! Nga ky fat në këtë krizë, Kalon njeriu nëpër mend ! Por, ju lutem n’çfarë sistemi, Soji i dreqit priti rend...?! Në monizëm u gjet fare, Për t’vazhduar edhe sot... N’skenën tonë “plurale”, Pa e ndërruar vesin dot ! Engjëllor me pamje qengji, E qaf nipi e puthë daja... Mirë e di ky lloj Sojsëzi, -Me hesap hahet dyjaja ! VESHËT POLITIKË Me veshët në krahë, Zgjohemi çdo ditë, Veçmas ata… Që janë n’opozitë ! Fuqimisht ngrihen, Për të marrë vesh, Për të përgjuar Ç’po ndodh mes nesh ! Por, shoqëria jonë “Plurale”, “fisnike”, S’heq dorë nga zakoni I grindjeve politike ! Me sa mend Evropës I themi ashiqare, E kanë lënë veshët Është shurdhuar fare ! Po ku jemi ne Me të lumet bigë, Flasim për unitet S’e kemi n’praktikë ! Thonë gjatë historisë Na janë shkulur shpesh, Veshët muskulozë Të strukur në lesh ! PENSIONI Pjesët e trupit Një ditë me pasion, E lutën Zotin Të dalin në pension ! Të parët u ngritën, Dy sytë e ngratë: -Jemi të lodhur, Nuk shohim qartë ! Pastaj me radhë: Veshët dhe këmbët, Të gjithë me arsye, I treguan dhëmbët ! S’ndiejmë as ecim Me vrull si atëherë, Zoti ua pranoi, Lutjet me nder ! Në fund nga thellësia E barkut piskamë, Një zë i dobët, Doli me ofshamë ! Dua që të shkoj N’pension dhe unë, Mu ka prish kandari, Nuk jam për atë “punë”! -Çohu! i thotë Zoti, Kush je ti, dëgjon ? - Me mund me u çue S’lypi pension! ARIU KARIZMATIK Një Gjahtar mendjevrarë, I mllefosur ndizet zjarr ! Merr në shenjë një Ari, Do ta vras, gjithsesi…! S’pranon këshillë e qortime, Në Ariun s’ka lëshime… Ka plaçkitur disa dele Edhe mjaltin në koshere. Ngjitet malit me ngadalë, Kur Ariu i del përballë ! E zë pritën skaj një Lisi, Mirëpo, pushka nuk i krisi ! Mbet i shtangur fatziu, Çka po do i thotë Ariu ? Zgjidh, s’të luti shumë, Jetën, apo atë “punë” ?! Të dytën pranoi me pishmane, Hoqi rrip e pantollone … Gjahtari u kthye në shtëpi E nuk zuri gjumë në sy ! Zgjohet herët mendjepëlle, Prapë i lindi një ide…. Hyn në mal pushka s’lun Dhe Ariu, prapë atë “punë” ! Thotë e treta e vërteta, Niset malit si shigjeta, Kur arrin në atë vend, Mbet Gjahtari i pa mend ! E hedh pushkën që nuk krisi, E drejtohet për te Lisi, S’pat nevojë të flas me gojë E bën punën me përvojë ! Seç i lindi dyshimi Ariut, E i thotë Gjahtar fatziut: -Vjen t’më vrasësh, hë si thua ? Apo t’bësh seks me mua ?! Pasi ta lexoni këtë humor, Besoj se nuk e keni zor. Të përcaktoheni për fitimtarin, Me Arushën, apo Gjahtarin ?! OPOZITARI Opozita e zezë dita, Sikur dhelpra nëpër prita, Bam këndej e bum atje, Me dredhira sikur dje… E ndërron qimen e zanatin, Në pafund e shtyn inatin, Veç të kthehet në pushtet, S’e kursen nënën e vet ! Me idenë përmbi re, Po s’i bëri gjeli ve! Nuk i bën se është dinak, I ka hyrë dreqi në bark ! S’e ngop leku as byreku, Vetëm gropa e hendeku, Që është rrasur në skandal, Si veshgjati në kanal ! Sa për popull merret vesh, Nuk e lodh rradaken shpesh, Sall premtime drithë e miell, -Lavdi n’qiell – bytha n’diell ! Mjaft shpifje e mashtrim, Vota e lirë e ka një çmim, S’ngjitet lart opozitari... Sa i vdekuri – del nga varri ?! DITËLINDJA E “SPICËS”! I ka mbushur Spica plot 60 vjet, Thotë se i shkuan si uji përpjetë ! Dy dekada mësoi për kodra e brigje, E katër të tjera pa punë nëpër gjyqe ! Çdo kush nëpër botë sillet me të mira, Vetëm Spica “hajrin” e ndanë me satira ! Mbeti me t’vjetrën me hall përmbi hall, Duke u përpëlitur sikur peshku në zall ! Ndërroi qeveritë një nga një me radhë, Pak i ra Spicës të qëndroj nën dardhë ! Por edhe kur qe, si t’mos ishte fare, Tugjarët i hynin, për derë e dritare ! Po Spica me majën e mprehtë metalike, Asnjëherë s’i ndahet skenës politike ! I thumbon veset me t’gjitha dredhitë, Që sot po harlisen me nder n’opozitë ! Por ç’e do se Spica plaket për çdo vjet... Me shpresë se majën do ta ketë shigjetë ! Ende rron e thëna - gozhda kur përkulet, Përballet me Spicën, nëpër spica ngulet ! FESTA DHE PROTESTA Këto ditë vikendi, proteston Shqipëria, Kurse në Kosovë, feston pavarësia… N’vend se shqiptarët të jenë bashkë në festa, Ata të përçarë shpërthejnë në protesta ! Pa mbaruar dimri, qe “Pranverë Shqiptare”, Erdh’ me tensione – duket ashiqare ! Fillon me protesta, madje dhe trazira... Nuk shembet pushteti, me vezë e ngjyra ! Aq më pak e keqja, që fryhet tupan, E zihet me t’mirën, brenda në kazan ! Lufta për pushtet, nuk mbaron me kaq, Dhe se zjarr i saj, përvëlon si saç ! Flenë sikur lepuri, me një sy hapur, Për një pushtet nga krimi i kapur ! Por edhe kur ngjiten shkallëve n’Qeveri, Sillen si të çmendur, nuk janë n’terezi ! E zhveshin Kuvendin nga vlerat morale, Duke e zhytur n’aferë e skandale ! Po edhe opozita nuk lë asgjë mangut, E dehur për poste, kërcen përtej pragut ! Këndej nga Lugina pyesin me t’vërtetë, Pse kaq shumë shqiptarët, vuajnë për pushtet ?! * * * Sevdail Hyseni, lindi më 24 mars 1959, në Priboc, Komuna e Bujanocit. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik – Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë, në vitin 1982 si dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare. Me gazetari merret që nga viti 1990. Një kohë të gjatë ka qenë kryeredaktor i revistës “Jehona” (1992-2002), pastaj gazetar korrespodent nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja i gazetës “Kosova sot” (1998-2000), korrespodent i gazetës “Bota sot” (2000-2002), bashkëpunëtor i revistës mujore “Ekskluzive” etj. Mes viteve ’94-’96 ka ushtruar misionin e kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Në periudhën prej viteve 2002-2006, ka ushtruar funksionin e kryetarit të Asamblesë komunale në Bujanoc. Gjatë viteve 2006-2008 është editor i revistës javore “Perspektiva”, revistës për fëmijë dhe të rinj “Diellori”, si dhe revistës mujore për informim dhe kulturë “Jehona”. Ka ndjekur disa trajnime gazetareske, të organizuara nga OSBE-ja si dhe ka marrë disa certifikata. Që nga viti 2001 është president i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva” dhe nga viti 2008 është kryetar i Klubit të Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës. Që nga viti 2009 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Bujanocit, të cilin funksion e ushtron në mandatin katërvjeçar. Përveç gazetarisë merret edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Deri tashti ka të botuar si bashkautor një libër dhe qindra shkrime publicistike. Jeton në Bujanoc.