Mittwoch, 21. Februar 2018

Bujar Salihu: QYTETI PA VETMI

Poeti Bujar Salihu

QYTETI PA VETMI
(Mikut tim Shaip Beqirit)

Miku im, në këtë qytet mos iu frikëso vetmisë
Rrugët e vjetra labirint edhe mund t`i ngulfasin
Por ti kalo nëpër to përmes hijesh të mëndafshta
Me sytë qepur qiellit pas pulëbardhash të ngathta

Sa i bukur është ky qytet në bregore edhe i pispillosur
Ulur shuan etjen në lotët e qiejve liqenit fundosur
Por nuk është Shkodra jote as guri që te një baladë ke çarë
Është qytet ankthi e jermi me varrin e Xhojsin ndarë

Kurdo që të vish unë tek Parku i Drenushave të pres
Takohemi te lumi që merr kthesën e madhe mes nesh
Duke vënë rrëfanën e këputur të yjve në këtë shesh
Me harqe nënujore që mban në shpatulla një Hyjneshë...

Trotuarëve na ndjekin hijet tona mes njerëzish të ngujuar
Në një akuarium gjigant që askund s`i duket ana as fundi
Ngatërrohemi në rrjeta ëndrrash dhe rrënjësh ngallmuar
Pas gjurmëve që kafshojnë fytyrën e tokës shkallmuar

Udhëtimi ynë nis një labirinti që s`i kanë vënë emër
Ta pagëzojmë Vallja e Yjve ose thjesht: Lasgushi
Të vëmë anash statuja me nga një kandil në zemër ndezur
Labirint le të mbetet shtegu që s`e shkel dot qenie e fshehur

Nëse resh borë ne duhet të dalim shpejt në anën tjetër
Shihemi në vrushkujt e bardhë të Fontanave të etjes
Andej tramvajët ikin ngarkuar me gjumin e të pafjeturve 
Qytetin pa vetmi dhe zhurmën që në ne qenka tretur

P.S Me këtë poezi, gjegjësisht me një version të parë të saj kisha konkurruar në Konkursin anonim të "Flakës së Janarit 2018". Juria e nderuar e mori për botim kurse unë u ndjeva mirë posaçërisht pasi lexova poezitë fituese!


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen