Donnerstag, 8. Februar 2018

Shaip Beqiri: TRIPTIK PËR JUGUN

Poeti Shaip Beqiri - Ksamil, 2007

ÇAMËRIA

Ajo ë midis emrit tënd
Si syri me thikën ngulur
Si lulja me gjarprin rrotull
Si gjëma që djeg mishin të gjallë
Dhe gjakun që mpikset ngadalë

Çdo plagë e hapur
Zinë tënde ka brenda 
Dhe ankthin tim breg

Ç`thonë bubullimat e tua
Që kurmin ta shkallmuan

Ëndërr në çengel stuhish

Ç`udhë të dëftuan vetëtimat
Tokë e kruspulluar në vete

Sa gjatë të lamë
Sa thellë të çanë
Oh përse të qamë

Ti mbajte frymën mbi vala
Kur vetulla urash të ranë
Ndër humnera të gjalla 
Dhe skundra të preu ballin
Atlantidë e re shqiptare

Prapa flatrave të tua
Ndër re e mjegulla të mpira
Çel dita ime me bebëza të ngrira

Zemra t`u bë herbarium baladash




JONI

E preka fundin tënd
Në ëndrrat plot kripë 
Ndër guaska klithmash 
Të këngës së përzishme

Ti je syri im i zmadhuar
Pas gulfës së pamposhtur

U fute fshehtas në mua
Të më bësh një breg të gjallë
Me kokrra rëre e kodra shkume

Fytyrën ta stërpikte purpuri
Kur u krodha në uturimën tënde

Dhe rashë në gjunj 
Para asaj fryme hyjnore 
Të më bënte deltë pikëllimi 
Në trajtë të zemrës së plagosur




DETI NË GUASKË

Bilal Xhaferrit

Duhet të vdisje e të ngjalleshe
Që të mbeteshe sall një ishull
Nga s`do të dukej deti kurrë

Tevona do të bëheshe 
Një gur i madh i shpluar 
Ndërmjet reve të trishtuara
Sipër rrezeve që të përshkojnë

Të mos mbeteshe pezull
Një rrufe e gurëzuar
As ujvarë të mos bëheshe
Që mëdyshet të bjerë
Pasi të jetë shkumëzuar

Nuk do të ngjalleshe kot
Sa t`i shfletoje me aq mllef
Fletat e zhubrosura të territ
T`ua hiqje njollat pikëpyetjeve

Përsëri të vdisje patjetër
Besimin ndër njerëz të ktheje
Duke ruajtur stuhinë në bunacë
Dhe ngjashmërinë me veten

Diku midis ujit që s`e bekove
Të bëje urën deri te bregu
Oh njai breg i ëndërruar

Sall me dhembjen tënde
Sall me mllef njerëzor

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen