Dienstag, 20. Februar 2018

Shaip Beqiri: NË RRJETËZA FUNDËNDRRASH


Shaip BEQIRI

NË RRJETËZA FUNDËNDRRASH

Sa fort ju kam dashur 
Gra që gërvishtët me thonj
Faqen e lëmuar të jetës sime

Ndonjëra 
Ndoshta edhe mua më ka dashur
Me shumë zjarr e ankth 
Dhe me fshehtësi përshkuar

Ndonjërës i kam zbërthyer 
Zymbylët e paprekur kurrë 
Në kraharorin e ënjtur 
Dhe me të dyja duart 
Kam hedhur në erë 
Trëdafilë të egër puthjesh

Në sytë tuaj fërgëllues
Kam soditur tek vërtiten kuturu
Galaktika ëndjesh pa mbarim
Dhe ndonjë curril i hollë gjaku 
Në hon psherëtimash të këputura

Ujvara të panumërta rrëkëllyese
Që fashitin gjëmimin
Drejt zemrës së etur të tokës

Thellë ndër rrjeta rrënjash
Tash më pret gruaja gazmore 
Me më ngujuar përgjithmonë 
Në qelitë e veta të mërisë

Bern, 26 dhjetor 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen