Sonntag, 18. Februar 2018

Gëzim Zilja: Ku nuk jam dakord me ‘’SANDUIÇ’’-in e Mustafa Nanos

"Naçertanie" një variant i ‘’Megali-Idesë’’ për Veriun e Shqipërisë.

Krahas Megali-Idesë çuditërisht po atë vit më 1844, (duket si një linjë e përpunuar e ortodoksizmit Rusi, Serbi, Greqi.) lindi projekti politik i autorit serb Grashanin, i ashtuquajtur ‘’Nacertanije’’. Ashtu si edhe te grekët në jug, duke u nisur nga dobësimi i Perandorisë Osmane, kërkohet që kufijtë e Serbisë të zgjeroheshin edhe në toka ku nuk flitej serbisht, kryesisht Bosnja Herzegovina, Mali i zi dhe Shqipëria. Nano thotë:
‘’... Projekti politik i Grashaninit nënkuptonte një Sërbi të madhe, që të përfshinte serbët, plus të gjitha viset, (Mali i Zi, Bosnjë, Herzegovinë, Shqipëri e Veriut) që historikisht u takonin serbve, pavarësisht që banoheshin edhe nga jo serbë, ose vetëm nga jo serbë.... dhe nuk është se ky projekt përqëndrohej në mënyrë të vecantë te shqiptarët. fq. 178”
Nano shprehet në mënyrë aksiomatike se tokat e pretenduara nga Sërbia, ku banonin boshnjakët, malazezët e shqiptarët historikisht janë toka sërbe dhe si të tilla mendimi shkon sot e kësaj dite, që ato toka duhet t’u kthehen të zotërve. Nuk di ku i gjen autori i Sandviçit këto të dhëna se nuk na i thotë, por sigurisht që nuk janë të vërteta dhe për këto tema është folur mjaft dhe unë nuk kuptoj se ku do të dalë ai.
Po le të shkojmë më tej:
‘’Ashtu si ‘’Megali Idea’’ dhe ‘’Nacertanija’’, morën në rrugë e sipër një theks të fortë antishqiptar, në momentin kur u krijua bindja se turqit nuk do të qëndronin më në Evropë dhe kur ende nuk dihej se ç’do të bëhej me popullsinë myslimane e me viset që banoheshin prej tyre. fq179...’’
Sa i përket fjalisë: dhe nuk është se ky projekt përqëndrohej në mënyrë të vecantë te shqiptarët ...”kjo nuk e bën më të mirë shpikësin e ‘’Naçertanijes’’ dhe vetë ‘’Naçertanijen’’ në raport me viset shqiptare dhe pasojat e tmerrshme që ajo solli.
Natyrisht që turqit nuk kishin ç’të bënin më në Evropë, se perandoria e ngritur prej tyre tashmë po kthehej në gërmadhë. Por myslimanët, që banonin në ato treva ishin shqiptarë dhe nuk kishin ardhur nga stepat e Azisë, as kishin pushtuar toka të të tjerëve. Ishin në trojet e tyre dhe gjithmonë ‘’pak cm’’ më tutje ose ‘’pak cm’’ më tëhu’, por kufitarë me sllavët. Në kushtet e reja komshijtë qindravjeçarë tashmë nuk po e njihnin më njeri-tjetrin. Nano ose nuk ia ka haberin ose qëllimisht bën sikur ngatërrohet dhe ve shenjë barazimi, mysliman baraz me turk, duke bërë kapërxime akrobatike pastaj me fraza të llojit ‘’jo se myslimanët shqiptarë nuk e ndjenin veten shqiptarë por..’’. Më tej autori i ‘’Sanduiçit’’ kërkon të shpjegojë se Garashanini është më i mirë ( më mëndjehapur) se Çubrilloviqi, sepse ky i fundit përdori termin ‘’Staraja Sërbija’’ dhe u shpreh hapur për dëbimin ose shfarosjen e shqiptarëve dhe i pari jo. Se ç’rëndësi ka kjo kur të dy kërkonin zgjerimin e kufijve në dëm të kombeve të tjera vetëm Nano mund ta kuptojë. Por le të shkojmë më tej. Duke folur për Çubrolloviqin dhe akademikët serbë ai ironizon akademikët shqiptarë, duke i futur në një thes me ata të Serbisë. Në parathënien e tij historiani Xhufi madje shprehet : ‘’Mustafa Nano nuk ushqen ndonjë kosideratë kushedi çfarë për studiuesit shqiptarë. Kjo e bën të sikletshëm pozicionin e autorit...fq.9’’.
Ai thotë:
Në stilin e këtyre akademikëve serbë (memorandumi i vitit 1986) janë aktivizuar më pas në kulmin e luftës së Kosovë (1998) kolegët e tyre të Tiranës, të cilët me një ton luftarak e me një shqipe totalitare (*’’ në suazën e lakmive të tyre’’ ; ‘’kryengritja e Prizrenit e skuqi tokën e Kosovës me gjakun e mijëra bijve të saj’’; ’’ shqiptarët u kanë rezistuar rrebesheve të vazhdueshme të historisë’’; ‘’masa e shqiptarëve të etur për liri’’) kërkonin sendërtimin e ëndrrës së rilindasve shqiptarë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve pavarësisht se ku banojnë brenda apo jashtë trojeve etnike në një shtet të vetëm shqiptar. Vetëm në Ballkan mund të gjesh Akademi Shkencash që dalin me programe të natyrës politike. Faqe 180... ‘’ Mendoj se u takon akademikëve shqiptarë, që kanë ngritur (ose jo) teza të tilla të përgjigjen kësaj akuze të rëndë, që i barazon ata me akademikët serb të sojit Grashanin e Çubrilloviq.

Epika Historike si mollë sherri.

Duke u endur midis xhunglës së shkrimeve e citimeve për të shpjeguar pse sërbët e shqiptarët urrehen (janë armiq) aq shumë me njëri-tjetrin, Nano nuk rri dot pa u ‘’kruajtur’’ edhe me epikën historike, duke i gjetur legjendat, baladat e këngët historike, si shkaktarin kryesor të armiqësisë midis serbve dhe shqiptarëve. Sigurisht ato janë copëza të vërtetash mbi ngjarje e personazhe dhe si të tilla nuk mund të merren si dokumenta historike të vërteta.. Autori shprehet:
‘’... I ngatërron disi punët eposi i kreshnikëve pasi me gjasë ky epos është krijuar para se të shpërthente revolucioni serb, por eposi ashtu si dhe tradita epike në përgjithësi na fusin në udhë të gabuara, kur përpiqemi t’i lexojmë si kronika të historisë .... Epika historike e këtyre anëve (Veriu i Shqipërisë. Shën. im) ndonëse është harxhuar shumë bojë e letër, për ta shitur si një thesar ka shërbyer si benzinë për zjarret, që janë ndezur për arsye të tjera. Pa këtë epikë, pa këto legjenda, madje dhe pa letërsinë e e natyrës historike (shihni Pjetër II Njegoshin, apo ‘’Lahutën e Malcisë’’ apo akademitë nacionale apo gërricjen emulative mbi autorësinë e këngëve popullore e legjendave etj) , Ballkani do të ishte më i qetë.... fq. 184.... ‘’ Dhe më tej si një usta i mirë për ta lustruar i jep një ‘’kadife’’: ‘’ ...Për t’u kthyer në temë, kronika e historisë nuk legjitimon këtë armiqësi të dalë nga gojë rapsodësh shqiptarë nën tinguj lahutash..fq 184.’’
Thënë shkurt , një rapsod dikur , diku, atje në bjeshkët e larta, duke u ngrohur nën rrezet e diellit vjeshtor apo dimëror ( fort po shndrit ai diell/ e pak po nxeh) , apo ndonjë vjershëtor popullor, duke kullotur bagëtinë, kanë shpikur një baladë apo legjendë antiserbe, të shoqëruar me lahutë apo me fyell. Kjo këngë na qenka dëgjuar e përhapur edhe te barinjtë e fshatrave aty rrotull e më tej, dhe kjo ishte arsyeja kryesore që armiqësoi serbët me shqiptarët... E po kjo logjikë nuk shkon fare! Armiqësia midis popujve ka lindur, lind dhe do të lindë kur njera pjesë kërkon të rrëmbej mallin, gjenë e tokën pjesës tjetër, që e zotëron këtë. Më vonë lindin legjendat, baladat e këngët. Në fillim është veprimi, ngjarja, pastaj epika historike. Nuk u paraprin ngjarjeve epika, ajo është rrjedhim i tyre. Baladat, legjendat e këngët i shoqërojnë ngjarjet herë me teprica e herë me mungesa, por të thuash, që epika historike ka shkaktuar armiqësi midis popujve në rastin tonë serbo-shqiptar është foshnjarake. Duhet kuptuar se këto lloj armiqësish, që po zgjatin me shekuj zanafillën e kanë të atdheu, te vatani. Vatani i kujt është Kosova i shqiptarëve apo i sërbve? Pse ulërijnë sot e kësaj dite ekstremistët serbë për Kosovën, për shkak të legjendave e baladave? Kjo është çështja.... Po nëse teoritë e ‘’Nacertanija-s’’ e ‘’Stara Sërbija-as,’’ që kanë pjellë vetëm luftra e urrejtje, kanë lindur nga Eposi i Kreshnikëve e të tjera legjenda e balada të Veriut, simotra e tyre ‘’Megali-Idea’’ dhe ‘’Vorio Epiri’’, nga cilët balada dhe legjenda të Jugut lindi?! Të cenosh, injorosh e tallesh me eposin e kreshnikëve, baladat, legjendat, (përfshi dhe Gjegj Fishtën) , në përgjithësi të fshish epikën historike, do të thotë të godasësh kujtesën dhe ndërgjegjen historike të një populli. Por në rastin e Shqipërisë, kur Porta e Lartë ndaloi shkrimin shqip (të vetmin në Ballkan) për katër shekuj me rradhë, epika historike për një kohë të gjatë, ishte i vetmi dokument, që përcolli midis shqiptarëve bëmat e tyre qysh nga koha e Skënderbeut. 

FUND

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen