Bajram Sefaj |
Prozë urbane
ëmbëlsira...!
Në krahun, nga i bie Kosova, është e përhapur dhe shumë e njohur qesëndia kur thotë se, njëherë moti, një zot shtëpie të kamur e pasanikut të madh, të njohur, denbabaden bamirës e mikpritës, me dyer çelë, si ia thonë fjalës, i shkon për vizitë një mik që nuk e kishte parë kushedi sa kohë. Pasi e pyet se a është lodhur nga rrugë e gjatë, pasi e pyet për shëndetin e tij dhe të gjithëve të tijtë, siç e do rendi, i thotë: sigurisht se je për një kafe të rreshkët, mik?
Sigurisht se jam, ia kthen mysafiri dhe precizon: ma pjek një kafe, por, ama(n), sa më me pak sheqer!
Po kush po të pyet bre, për sheqer, aman o mik!, ia pret zot shtëpia mysafirit tek i thotë: po edhe atyre që i dua njëqind herë më pak se ty, kur me vijnë, e gati me vijnë për çdo ditë, kafen ua pjek më pesë-gjashtë rrasa sheqer, e ty, ty brejtar, që ke bërë gjithë atë rrugë, ke ardhur prej se largu, e nuk të kam parë aq gjatë e jam djegur e shkrumbuar malli...
Nuse, oj bijë fisi, piqja mysafirit, një kafe me dhjetë gurë sheqer, mos kurse, se fytyrë është kjo!
Nikoqiri e çon në vend porosinë e i kthehet mysafirit me terë respekt, me pyetjet e zakonshme... Gjersa përgatitet e bëhet gati dreka a darka. shtrohet muhabeti...
Kurse ajo që pason është një (dh)uratë (pa shkronjën dh, del edhe më mirë: uratë!) e kemi dhuratë nga Shqipëria jonë. Është made in Albania. Vjen pra, nga Shipnia e vjetër, siç i thoshin dikur Shqipërisë Natyrale. Pa guxuar kurrë të shqiptohet Shqipëria e Madhe që njëherazi ta mbush gojën plot (ëmbëlsirë) e zemrën plot (krenari), eh...!
Çdo gjë e re a e vjetruar (e brejtur a e hedhur shohë!) që vjen nga Shqipëria, për ne të Kosovës, ishte, është dhe do të jetë edhe për shumë kohë, e mirëseardhur dhe e dashur, e ëmbël, si kjo ëmbëlsira që, siç thotë qesëndia, do të mbys dike, një dashur mysafir, po se po!
Me kryeneçësi (kush është fajtor për mungesë dijenie!) mund të thuhet se kësaj fjale, kësaj uratë, e dëshirë të shqiptarëve, ata të matanë gardhit, ia di hilen, ia marrin mëkatin. Mos bëni mëkatarin e mos i harroni kohërat, jo aq të largëta, kur ëmbëlsira ose s’kishte hiç fare, ama hiç, as për be, as për dasma, as për fejesa e martesa dhe për ndonjë gazmend, thuajse fjala ëmbëlsirë ishte shlyer e zhdukur krejt edhe nga Fjalori i Gjuhës se Sotme Shqipe, motërzimi i botimit të parë (1980), kur mjeshtri stilist i krimit, akoma ende ishte gjallë. Atëbotë, ishin raste të rralla e të veçanta, ju kujtohet, kur ëmbëlsirat shijoheshin nga masat e gjera popullore. Pos kur ato paketoheshin e vishi, prej Tirane në Fieri, po e zëmë nga ana e Unionit Rajonal të Alimentacioneve të Pastiqerive Socialiste ( shkurt: URAPS).
Shkërdhatë moj, shkërdhatë, kujtohu, njëherë!
*
Në rrëfim, me çykë të zorit, depërton e hyn rasti i doktorit fatkeq që klientit të vet alkoolik, përnatë i jepte spiritus, a diçka edhe më beter zeher, në vend të alkoolit, për t’ia djegur etjen kronike që kishte për raki e që nuk gjendej kund as për ilaç,e as që i qëllonin lek për ta paguar e blerë, për të pirë!
Një prej ditëve të atij dimri, përplot mjegulla të murrme, mjekut i soset alkooli dedikuar kërkesave të klientëve të vet. pijanecit, kur e kishte edhe mik dhe komshi, kur ia dinte dhe prekte hallin me themel, në vend spiritusi, detyrohet t’i bëj hall duke ia dhënë një lloj lëngu fort të fortë në yrnek alkooli, që përdoret në raste të rralla dhe krejt të jashtëzakonshme, kur pjesëtohej në pika të vockla. Ishte një dreq ilaçi ai, që përnjëherësh ti kallte zorrë e mushkëri!
Alkooliku merr shishen e lëngut nën sqetull të palltos se grisur, dhe, si i xhindosur, i jep me të katrat dhe veçse nuk rrëzohet në llaç. Merr vrapin pas kthinës së parë për të humbur në bërrylin e rrugicës se errët, të periferisë se qytezës me lumth midis. Nxiton i gjori plotë shend e gëzim për të njomur buzët e shkrumbuara e të plasaritura etjeje për një pikë shpëtimtare...
Mjeku fort mirë e dinte se ç’është duke e pritur të shkretin vdekatar! Vdekja e sigurt. As më shumë, as më pak! Këtë mjeku e dinte shumë mirë. I tmerrua nga ajo që kishte bërë, krim të madh, sado që me dozë humanitet brenda tij: kur mjekët kanë për detyrë që pacientëve të tyre t’ua shpëtojnë, t’ua zgjasin jetën, ata njëmend kanë, duhet ta kenë, të drejtën edhe t’ua shkurtojnë atë. Me një gusht të fortë migjenian, mjeku ia jep prizës se dritës se zbehtë elektrike. Nuk deshi që, as ajo, drita vetë, të jetë dëshmitare e krimit që kishte bërë kur mikut alkoolist, ia dha helmin vdekjeprurës. Endi nëpër dhëmb një kafshatë që nuk kapërdihet dot, në fytyrë i shkrepi një e qeshur sa e hidhur aq e më shumë absurde dhe ironike kur mendja i vajti tek eutanazia! Po, njëmend a nuk është eutanazia ajo që njeriut ia shkurton jetën e bashkë me te edhe vuajtjet e pareshtura, kur janë të padurueshme e shpirtin ta bien në fyt!
Mjeku ngel fill vetëm, vishkull i pikëlluar në ordinancën e tij, keq të ndriçuar. Në terrin e trashë që mund e preje me brisk, me zë të mbytur thellë në vete, lëshoi një kuku, kuku për mua, ç’bëra, kuku e mbyta të gjorin me këto dy duar të pista! Ani, kur mjek i popullit, me thonë, kuku për mua! Shikoi duart dhe nga maje gishtërinjsh të hollë iu shpif se i rridhnin pika gjaku. Edhe në këtë çast të mallkuar dëshpërimi, pranë iu gjend eutanazia, e gëzuara ajo! Ashtu i tretur në mendime, si të ishte në një pus të pafund, kur ishte bërë një me terrin, e kishte ngatërruar një gjumë plot ankthe, me kokë të rëndë mbi tavolinën e punës në ordinancë, kur as dëgjueset e stetoskopit nuk i kishte hequr fare dhe tashmë i ishin ngul diku thellë, ani, vetëm mos ta dëgjonte lajmin e keq të kobshëm për vdekjen e ngutshme të alkaliku. Të gjitha rrugët qonin në dyert e ordinancës se mjekut fatzi. Ajo ishte rruga e fundit. Shtegu i fundit nëpër të cilin kishte kaluar klienti i tij. Kështu e ngushtonte dhe e shtrëngonte lakun rreth qafës se vetë mjeku fatzi. Gjersa tjerrke në mendje gjithfarë mendimesh të kobshme e haluçinante në lidhje me përfundimin tragjik të alkoolistit dhe pasojat që ai, si mjek e specialist me reputacion që ishte, mund t’i ketë nga gjithë ky skandal, papritmas dera e ordinancës se tij hapet, si me forcën e një uragani. Në derë shfaqet ai. Pijaneci me pallto të shqyer deri në thembra këmbësh. ma një shall të leshtë rreth qafës së gatë e me një kapele të madhe që ia mbulonte veshtë, mbi kokën me fokë shumë, të thinjur e të palarë.
Me plot lavd e mallkim përzishëm, e qorroi mjekun e shkretë duke e qortuar me fjalë miradije: po çfarë mut shoku e biçim mjeku me je ti, kur aq shumë, aq gjatë me kë ushqyer, sa për të me hequr qafe, me çfarëdo alkooli, po ky që me ke dhënë mbrëmë, ishte një mrekulli e shkuar saj, me ka rehatuar duke me vë në gjumë të thellë, jo pas një a dy gotash, por veçse e kam vu në buzë, sa e kam ujitë pakëz gurmazin, me ka përhumbur në gjumë të trash nga i cili pandeha se nuk do të dalë kurrë....
Gëzim ishte i dyënshëm: i alkoolikut që, më në fund kishte qëlluar në pijen e preferuar dhe, gëzim shumëfish me i madh, i mjekut kur klienti kishte shpëtuar gjallë nga ai medikament katil, kur koncentrati i tij i sertë edhe buallin e plasë!
Mjeku me pacientin u përqafuan e duar shtrëngua. Do të shiheshin serish!
*
Kush mendoi, gaboi kur mendoi se u këput saga mbi togfjalëshin: do ta mbysim më ëmbëlsira. Se ngelëm pa ditur cila është urata e cila është lëngata (mallkimi) i kësaj porosie. Uratë është ajo pjesë që shpreh dëshirën që një të afërm, farefis, mik, dashamirë e tjera e tjera, ta gostitim me ëmbëlsira. Pra të haje sa t’ia do qejfi e zemra! Kuptimi i dytë i kësaj urate që del kërcënues, nga se është përmbysës, është i keq, është katil. Një hasmi, a një të tilli, të supozuar, do ti japim aq shumë ëmbëlsira sa të kop, të plasë e të përcet prej tyre! Vdekje e rënde, e mundimshme, duhet të jetë, mbytja me ëmbëlsira! Mos na provo, zot!
E kjo uratë e mallkuar, ka ngel kështu si është, në këtë ambalazhim dhe paketim, ndoshta nga koha e pakohë e të Keqit, kur as që mund të paramendohej se njeriu mund të mbytet duke ngrenë ëmbëlsira, njëmend!
(Diku në Kosovën kreshnike, 2014)
ndodhi...
Në një parking publik, para një tregtoreje të madhe, si të ishte një Merkatto (në qytetin tonë të mijëra dritareve në Beratin tonë të lashtë e të Onufrit), ku nuk kishte shumë automjete të parkuara, asaj mbas dite, më shumë kishte vend se automjete, një mesoburrë (nuk me pëlqen fare kjo fjalë e eksportuar dhe harxhuar aq shumë e aq pamëshirshëm deri me tash), me një qese të madhe najloni, i afrohet një automobili të vjetër, të shqyer krejt, të bërë pendël-pendël. Ishte një tip woklsvagen-i që këtyre herësh u thoshin breshkë. Përbri veturës, lëshoi përtokë, qesen e madhe. Bëri disa lëvizje të zakonshme, sikur të hallakaste xhepat për t’i gjetur çelësat!
Asgjë e jashtëzakonshme deri këtu!
Para se t’i nxirrte duart prej xhepave, filloi të sillet rreth e përqark veturës me një shikim të mprehtë vrojtues sikur mbi xhamat e saj të përlloçur, të ishte varur anonsa e shitjes, që nuk e dallonte mirë çmimin. Pas edhe të disa hapave, andej këndej, rreth e rrotull veturës, ndalet prapa saj, bash sikur synonte të hapë gepekun e në të fus qesen e madhe të mbushur përplot, me çka mos.
Asgjë e jashtëzakonshme deri me këtë dekik!
Por shih ti çudinë: në vend se nga qesja të nxirrte ato që i kishte blerë në tregtore, mesoburri (pasi me ngeli në dorë, gjegjësisht në gojë me mbeti kjo fjalë a ky term a çka dreqin është!), nga qesja, me shpejtësi vetëtime, nxori një litar jo shumë të gjatë, me një kalavesh kambanash, kanoçesh bosh dhe rraqe të tjera të zhurmshme. Me shpejtësi të rrufeshme, fijen tjetër të litarit e lidh shkathtë e mjeshtërisht, për skapamento a diku afër tij, për ndonjë çengel tjetër të prapanicës se automjetit të shkretë, të lodhur nga rruga e gjatë e jetës. Mesoburri, me hapa të imtë, por të mbrehtë ia thek vrapit deri të pas trupi i gjerë i një lisi mijëvjeçar. Mirë pozicionohet e fshihet pas trupit të lisit shtatgjatë e, terë buzagaz, shikimin e shigjeton andej nga vetura e vjetër.
Ngjau ashtu si pritej se do të ndodhë!
Një tjetër mesoburri (si rriqër me ngjitet për trupi, lexo: me është ngujuar në gojë (kjo dreq fjale). Me nervozë, që i pikonte nga pallto shqyer, nxjerr çelësat dhe më parë se u ul, u përplas në sedijen e automjetit plak, me dertin e përhershëm se a do të merr kontakt me të parën, a jo! Për habinë e çuditshme, kur mendjen e kishte diku krejt tjetër, shumë larg reales, shtyp marrshin me nxitim e fuqishëm dhe në fugim të shpejtë, si të ishte pa krye, pa ia var fare veshin orkestrimit të një melodie të prishur karioke që, më zhurmë të çakorduar, derdhej pas tij. Më zi se tallave! Pas nja gjysmë kilometër rrugë, pas gjithë asaj kunjave e zhurme, pas shikime potë habi të kalimtarëve të rastit, është kujtuar i gjori se diçka nuk është në rregull. Diçka keq po i kërcet mbrapa kerrit...
Në e parë mendoi, i shkreti ai, se iu shkatërrua shkapërderdh, krejt skeleti i makinës, se iu derdhen krejt azatet e trupit tij të vjetruar. Me nxitim frenoi, veçse nuk i shqeu e dërmoi gomat e vjetruara. Doli jashtë. Makinës iu vërsul me inat. Veçse nuk ia fiti një shulakë të nxehtë. shqelm, a boks të fortë. Se pari i doli përpara. U mat të hap hauben. Nuk deshi t’ia shoh tymin duke i dalë tymi nga motori i moçëm kur aq gjatë kohë vuan nga veremi kronik dhe i pashërueshëm. I doli mbrapa. Çka me pa. Beter me sy... Kanoçe gojëhapur, si të kishin klithur nga dhimbjet e mëdha, këmbora të lënduara, zile, copa kartonësh, lecka të bardha e të pluhurosura, fasulet mbi fasulet, ndonjë peshqir...
Hodhi shikimin para-mbrapa, anash, në të djathtë e të mëngjër, asgjë. As nuse as krushqi. As dajre, as dajrexhi, tupan as tupanxhi...
E pastaj, pastaj çfarë ndodhi. Asnjë haber. Pyeteni ëndrrën. Kot! Ajo tani është këputur, është zhdukur kur është dinake e pabesë dhe e mbytur në trill të zi, terr..
(diku, në Shqipërinë tonë, 2014)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen