Dienstag, 13. Februar 2018

Gëzim Zilja: Ku nuk jam dakord me ‘’SANDUIÇ’’-in e Mustafa Nanos



Gjithë përpjekjet e Bismarkut në Kongresin e Berlinit, qershor 1878, ishin fuqizimi i Gjermanisë dhe plotësimi i interesave të Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Anglisë. Atij nuk i interesonin aspak dhe nuk donte t’ia dinte për kërkesat e turqve, grekëve, malazezëve, bullgarëve, rumunëve e sidomos të shqiptarëve. Kongresi i Berlinit ishte një pazar i madh, ku shiteshin e bliheshin njerëzit e territoret e duhet thënë se në këtë raport Bismarku e të tjerë luajtën rolin e kasapit që ndan e shpërndanë prenë. Kufijtë u vendosën duke parë interesat e fuqive të mëdha dhe simpatitë e tyre krahas popujve ballkanas, të cilët u futën ose dolën jashtë kufijve të tyre. Në raport me Gjermaninë me atë që ai bëri për forcimin dhe rritjen e ndikimit të saj në Europë dhe vendosjen e ekuilibrave midis fuqive të mëdha, sigurisht Bismarku është një burrë shteti dhe gjermanët e nderojnë dhe respektojnë si një nga figurat e shquara të Gjermanisë. Por në lidhje me kombësinë shqiptare të asaj kohe në Ballkan, mendoj se ai është treguar i papërgjegjshën, një kasap i popujve, që kërkonin të formonin shtetet e tyre në bazë të kombësisë. Konsideratat, vlerësimet dhe vendimet e Bismarkut dhe fuqive të mëdha u shndërruan në luftëra, në barbarizma e shfarosje popujsh. Plagët e hapura në Berlin, Ballkani vazhdon ti vuajë sot e kësaj dite.
Për të mos e tjerrë gjatë po heq një paralele tjetër, me atë të figurës së Lefteri’ Venizollosit. Për atë çka ai dha e bëri për Greqinë nga shumë analistë e historianë grekë e jo grekë është mbiquajtur burrështeti më i madh grek që pas Perikliut. Por duhet thënë se gjithë dituria, inteligjenca, mprehtësia, elokuenca e tij u vunë në shërbim të Megali-Idesë, duke filluar nga fundi i shek XIX, deri në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, ku shkëlqeu në përpjekjet e tij për të zgjeruar kufijtë e Greqisë në kurriz të kombeve të tjerë. Ai ‘’ngatërroi dynjanë’’ me megalomaninë, këmbënguljen dhe shifrat e pasakata, që jepte për prezencën e popullsinë greke e shqiptare në Jugun e Shqipërisë (Vorio Epir). Hyri në marrëveshje të mbidheshme e nëndheshme sidomos me Italinë e Sërbinë, që Shqipëria të ndahej midis këtyre shteteve dhe ishte në prag të finalizimit të marrëveshjes. Ndërhyrja e presidentit amerikan Uidrou Uillsonit ( si një pingule midis dy paraleleve) ishte vendimtare për moscopëtimin e Shqipërinë dhe shumë shteteve të tjera, duke kërkuar të drejtën e popujve të vegjël për vetëvendosje, Ai do të deklaronte: “Ne tani themi se të gjithë popujt kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre dhe të kenë qeveri të zgjedhur prej tyre. Ky është parimi amerikan.... Të gjithë kombet kanë të drejtën e vetëvendosjes... SHBA-ja nuk është e përgatitur t’i bëjë padrejtësi njerëzve të Shqipërisë....’’ Megjithatë Greqia në sajë të Venizellosit ia doli të zhvaste mjaft territore nga Azia e Vogël. Mos vallë duhet të kemi edhe në këtë rast mirëkuptim për figurën e Venizellosit meqë ai është një personalitet i Greqisë e më e tej...
Personalitete të tilla duhet të shikohen në kompleksitetin e vet dhe të kohës por në raport me qëndrimet ndaj Shqipërinë, nuk kanë pse të kenë asnjë mirëkuptim dhe sigurisht, që janë antishqiptarë. Se çfarë mund të bënin më tepër ata kundër Shqipërisë, sikundër u përpoqën ta fshinin nga harta e Europës!?

‘’Megali- Idea’’ dhe efekti mbi Shqipërinë


Midis sandviçit të ilustrimeve e citimeve të panumërta, Mustafa Nano guxon këtë rradhë do të thoshja i qorrollisur ( fjalë që ai e përdor për gjendjen e popullit shqiptar në fund të shek XIX) të shkruaj: ... Përkundrazi, duke synuar rigjallërimin e helenizmit ‘’Megali Idea’’ kishte patur një efekt të mirë edhe mbi shqiptarizmin, i cili mori rrugë edhe si kundërpërgjigje ndaj asaj që ndodhte në Greqi, edhe përmes përpjekjeve për të imituar a shoqëruar grekët në atë proces komb-formimi a komb-afirmimi. Fq 87’’.
Në këtë arsyetim të tij Nano, në ndihmë citon Nathalie Cleir. Po e shkruaj si është në libër: ‘’1. Në faqen 169 [ Vangjel Meksi e Naum Veqilharxhi] u përfshinë nga rrjedha emancipuese ballkanike dhe shqiptarizmi i tyre ishte ngushtësisht i lidhur me zhvillimin e helenizmit, duke u bashkuar me të ose si reagim ndaj tij...’’
D.m.th. kur Vorio-Epirotët dëbonin nga tokat e tyre e piqnin në hell shqiptarët, këtyre u bëhej mirë se armiqësoheshin me grekët në favor të shqiptarizmës dhe kur grekët luftonin për lirinë e tyre, shqiptarëve u bëhej prapë mirë, se merrnin leksione lirie e mendonin për të bërë (formësuar në kontekst) Shqipërinë. Me shumë kthjelltësi e gjakftohtësi deklaroj, që këto janë dokrra, që mos t’i vendos një përcaktim tjetër që nuk e lejon etika.
Më tej si ilustrim (!?) Nano jep luftën e shqiptarëve në ndihmë të revolucionit grek. Le të jemi pak të saktë në data. Luftërat për pavarësinë e Greqisë morën hov pas vdekjes së Luanit të Janinës dhe Greqia u shpall e pavarur më 1830. ‘’Megali Idea’’ që është krijim i kryeministrit grek Jani Koletis, u shpall më 1844. Shembulli dhe historia e Kollokotronit, Boçarit, Andrucit, Bubulinës e dhjetëra heronjve shqiptarë, rënë për pavarësinë e Greqisë mbyllet më 1830. “Megali Idea’’ u krijua nga ëndërrat dhe fantazitë për një perandori të rilindur, që të pasqyronte kohën kur greqishtja flitej nga Roma në Krime. Thelbi i ‘’Megali Idesë’’, shprehur me dy fjalë është i thjeshtë edhe për njerëzit që lexojnë pak: Ku ka ortodoksë është tokë greke, të tjerët janë të përjashtuar: ose duhet të largohen nga ato toka me hir a me pahir ose duhet të varin kryqin në qafë e të bëhen ortodoksë.
Që pas shpalljes së kësaj doktrine, miqësia midis shqiptarëve dhe grekëve u shkatërrua, për të mos u ndrequr deri në ditët tona. Filloi një propagandë dhe luftë e pandërprerë midis shtetit grek për zaptimin e territoreve të banuara tërësisht ose në pjesën dërrmuese nga shqiptarët. Arta, Preveza, Janina dhe gjithë krahina e Çamërisë, do të zbrazeshin me zjarr e hekur. Janë të panumërta përpjekjet e armatosura të popullatës shqiptare ndaj ushtrisë dhe bandave greke për ruajtjen e territoreve dhe krimet e këtyre të fundit mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Madje duhet theksuar se nuk ishte Turqia ajo që mbronte territoret shqiptare në Jug e Veri, por vetë shqiptarët. Turqia jo vetëm që nuk i mbrojti trojet shqiptare, por me ushtritë e saj i boshatisi nga shqiptarët, për tua liruar fqinjëve. Dorëzimi i Ulqinit, Plavës Gucisë e rrethinave të Shkupit pas kongresit të Berlinit e deri te lufta për mbrojtjen e Janinës më 1913, e vërtetojnë këtë.
Vorio-Epirotët (megali-idea-sit) në përpjekjet e tyre kundër formimit të shtetit shqiptar do të arrinin deri aty sa nëpërmjet Venizellosit në Konferencën e Paqes në Paris, do të deklaronin: Shqipëria është me fat që Greqia po e përfshin atë mbi vete (gjysmën e Shqipërisë).
Çuditem sesi i ka shpëtuar ky mendim i Nanos, për dobinë e Megali-Idesë, në parathënien e tij tepër të përkorë e mirëkuptuese, një studiuesit korrekt e serioz si z. Pëllumb Xhufi!? Gjithsesi shkojmë me tezën se librat janë pasuri e të gjithëve dhe të gjithë ata që munden e guxojnë mund të thonë përshtypjet e tyre pa menduar aspak se po e teprojnë në këtë apo atë drejtim.

Vijon

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen