Pjesa e dytë
Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk u krijua për të mbrojtur kufijtë e perandorisë turke.
Lidhja shqiptare e Prizrenit përbën një nga pikat kulmore të përpjekjeve të shqiptarëve për mbrojtjen e tokave të tyre (vatanit) dhe shënoi një rizgjim të ndërgjegjes kombëtare, që do të finalizohej 30 vjet më vonë me shpalljen e pavarësisë. Ishte e para herë, pas vdekjes së Skënderbeut, që shqiptarët bashkoheshin e luftonin për mbrojtjen e trojeve të tyre, në të katër vilajetet shqiptare: Janinë, Manastir, Shkodër e Kosovë. Por Nano, ka një mendim krejt ndryshe. Ja si shkruan ai për Lidhjen e Prizrenit, duke theksuar dy herë fjalën xhami, vendin ku u mblodhën themeluesit e Lidhjes, sikur ky të ishte një mëkat:
‘’... Për herë të parë në mënyrë të organizuar të drejtat e tyre po i mbronin bash ato ditë në një lidhje të mbledhur në një xhami, në xhaminë e Bajrakut, (Ende nuk ishte bërë pallati i Sportit të Prizrenit, prandaj u mblodhen në xhami. Shën.im) ku ‘’vetëm pesë prej tyre ishin të krishterë’’, ku Abdyl Frashëri, ishte një prej përfaqësuesve nga Jugu i Shqipërisë e ku të gjithë kishin një synim që komprometonte kauzën shqiptare, kishin synimin t’i dilnin zot kufijve osmanë e të krijonin një vilajet shqiptar brenda kufijve. Fq.79-80’’
Fraza, këtë herë jo me stil elegant, është sa e stërzgjatur aq dhe e ngatërruar. Nga njera anë shqiptarët në mënyrë të organizuar po mbronin të drejtat për herë të parë (që nga cila kohë dhe çfarë të drejta?!) dhe nga ana tjetër kishin synimin t’i dilnin zot kufijve osmanë.... D.m.th shqiptarët do të luftonin e vdisnin për perandorinë osmane e pastaj nëse tepronin do bënin autonomi!? Lart, shumë lart është ngritur steka e të pavërtetave këtë herë! Po citojmë qëndrimin e dy historianëve të huaj të kohëve të sotme. Misha Glenny në librin e tij voluminoz prej 733 faqesh ‘’Historia e Ballkanit 1804-1999’’, botim i vitit 2000, shkruan për lidhjen e Prizrenit midis të tjerash: : ‘’ ... Tri ditë para se të hapej Kongresi i Berlinit një tufë burrash u mblodhën në Prizren me një hije madhështie të qetë në vilajetin e Kosovës,... Shumica e delegatëve të lidhjes ishin myslimanë por kishte edhe disa katolikë dhe një a dy ortodoksë. Ata i kishte bashkuar vetëm rreziku i madh, që po u kanosej nga shembja pak e nga pak i perandorisë osmane, si dhe gjuha e përbashkët –gjuha shqipe... Lidhja në të vërtetë nisi përgatitjet për të bërë një luftë mbrojtëse kundër malazezëve, grekëve e bullgarëve.Por ajo po i jepte njëkohësisht dhe një paralajmërim Stambollit, se sistemi i mileteve kishte vdekur dhe kishte lindur lëvizja kombëtare shqiptare.... Duke treguar trimëri e zotësi taktike, shqiptarët prapsën forcat po aq të forta malazeze në katër rrethe deri më 1880. Kështu ata qenë të vetmit që arritën të revizionojnë Traktatin ( e Berlinit. Shën.im) me forcën e armëve. ..... Shqiptarët muslimanë erdhën në përfundimin se mbrojtja e ofruar prej perandorisë osmane ishte pa vlerë. Vetëm një shtet i pavarur arsyetonin ata mund t’i shpëtonte të mos gëlltiteshin nga fqinjët...fq.152-154.’’
Ndërsa historiani tjetër George Gawrych në librin e tij ‘’Gjysmëhëna dhe shqiponja 1874-1913’’ botim i vitit 2007, megjithëse jo fort i qartë në mendime (Ai merret në mbi 50% të librit të tij me dramën ‘’Besa’’ të S. Frashërit dhe figurën komplekse të tij. Mbi këtë bazë nxjerr përfundime për Shqipërinë dhe shqiptarët!?) shprehet për Lidhjen: ‘’Më 10 qershor vetëm tri ditë para kongresit të Berlinit më shumë se 300 delegatë u mblodhën në një xhami në qytetin e Prizrenit. Edhe disa boshnjakë morën pjesë me shpresën për të bashkërenduar qëndresën...Sidoqoftë shqiptarët u përqëndruan në gjendjen e vështirë, që ishte krijuar për trojet e tyre dhe iu shmangën një angazhimi konkret për t’u ardhur në ndihmë myslimanëve boshnjakë.... Grupi i udhëhequr nga Abdyl Frashëri kishte qëllime më ambicioze. Ky grup dëshironte t’i organizonte shqiptarët në një lëvizje kombëtare me qëllimin për të krijuar një Shqipëri autonome me të drejta kombëtare dhe kulturore faqe 68-69’’. Të dy këta autorë Nano, i citon në libër, por jo mendimet e tyre për Lidhjen e Prizrenit.
Veçanërisht të dytin, George Gawrych, lidhur me dyzimin e shqiptarëve për dy vatane, (Turqia apo Shqipëria) e identitetin e tyre të dyfishtë ( mysliman=turk=shqiptar), Nano e citon e merret gjërësisht në libër. Mendime të tilla për ‘’allasojshmërinë’’ e shqiptarëve dhe ‘’qorrollisjen’’ e tyre , duket se i ngjisin si me zamkë autorit të ‘’Sanduiçit’’ e të krijojnë përshtypjen se kur i citon, gëzohet si një fëmijë periferie, kur i blejnë sheqerpare në dyqanin e lagjes.
Të gjitha figurat kryesore të Lidhjes, u dënuan pa gjyq, u internuan ose u burgosën nga marshalli turk, Dervish Pasha: Ymer Prizreni Sulejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Shuaip Spahiu, Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf Dohoshishti etj, etj. Edhe në Jug ndodhi e njejta gjë. Krerë të lidhjes së Jugut si Mustafa Nuri Vlora, Omer Pashë Vrioni, Memet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza etj, u arrestuan dhe u internuan në Çanakala. Në përfundim të ekspeditës ushtarake osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shpërnda. Pushtetin në vilajetin e Kosovës e mori sërish Porta e Lartë. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë udhëheqës, veprimtarë e luftëtarë të Lidhjes, tre mijë në Kosovë e 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Tani le të bëjmë pyetjen e fundit për këtë çështje: Ç’të bëjmë me varret e udhëheqësve, luftëtarëve e heronjve të Lidhjes së Prizrenit? T’u themi pasardhësve që u vranë për llogari të Turqisë për t’u dalë zot kufijve të perandorisë, sikundër del në përfundim zoti Nano?
Vijon
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen