Mittwoch, 28. März 2018

Kujtim Sojku: Cikli poetik "Fllad pranveror"

Kujtim Stojku

LULET E EGRA

Në heshtje më nanurisin mëshirshëm,
Tjetër unë nuk di asgjë për atëherë,
Shihja vetëm lulet e malit tek shkurtonin egërsinë,
Emrat e tyre imagjinare shkurtoheshin me mjegullën.

Dikur ne ishim shtruar me netët e errësirës,
Për ne atëherë kjo ishte një imagjinatë,
Pafundësinë gryka e yjeve ndezur zjarr e kishin,
Vetëm një herë n’fraksionin e sekondës kishin xixëlluar.

Nga dhimbjet të çmendnin mënyrat tona të jetesës,
Sepse rruga shtegtonte nëpër rrëpirën e thiktë,
Siç duket këtu s’ka asnjë filozofi, është ëndrra e ndërgjegjes,
Brenda nesh jetonte, zemrat tona bënte me u dridhë.

Ne qiellin e vështrojmë përsëri nëse grumbullohen yjet,
Nëse i shohim ata për herë të parë apo të fundit,
Nëpër hapsirë ndoshta dallojmë të padukshmet yje,
Që themelet e botës mbi këtë planet vuri.

Tashmë kjo duket si një ngjarje e re,
Që për vendin, dhe vitet janë kaq të çuditshme,
Si dkur fëmijë përsëri gati jemi ne,
E luleve të egra emrat ua kam vënë të gjithëve.


REZONANCË ZËRASH

Rezonancë zërash, padukshmërisht zënë vend n’mes të njerzëve,
Lotët pikojnë në tokë, ofshama turret drejt qiellit,
Këmbanat përthyejnë tingujt e detit të valëve,
Kur dëgjojmë ikjen e tyre ne heshtim.

Rrezet e shikimit bien tangent mbi hënë,
Sirenat mbi detë këndojnë këngët e tyre të çuditshme,
Era kuis si qen nëpër honet e hapsirës,
Nata mbyll sytë me fletën e një korbi, yjet n’qiell ndizen.

Tingujt lëkundin ajrin në formë valësh rrethore,
Qielli ngadalë fillon e qërohet nga retë,
Pulbardhat mbi detë njëra pas tjetrës vargohen,
Nga dhimbjet fytyra ishte rrudhur krejt.



PRANVERË E TRISHTË

Dremitja gogësin gjithë natën e gjatë,
Me zor i hap pranvera sytë e mufatyr në fytyrë,
Duke përzënë dimrin si një plak gërnjar,
I cili është në buzë të varrit, ditën mezi duke e shtyrë.
Fytyra e qelqtë i është plasaritur,
Rënkon gjithë natën dhe ditën e gjatë,
Se di sepse pranvera qenka shumë e ngrysur,
Petalet që çelin i shoh duke qarë.

Brenda kafkës sime zgjohen mendimet,
Harrojnë ëndrrat që i kam parë,
Imazhe t’veshura me kostum të bardhë ecin nëpër muzg,
Nëpër trurin tim kalojnë radhë – radhë,
Si hije dalin nga varrezat e vjetra pa bërë zhurmë.

Lëndinat dhe pemët pergadisin fustanet shumë ngjyrësh,
Kanë të drejtë të më mburren, më të bukur asnjëherë s’i kam parë,
Pikat e vesës mbi petale duken si lot që u rrjedhin nga sytë,
Si nëpër mjegull shoh një ëndërr, duke kalëruar mbi kalë të bardhë.

Aroma e luleve të çelura përhapet anemabnë,
Më deh më ëmbëlsi, mendimet m’i fton papritur,
Manushaqet përkulin kokën pasi në sy më panë,
N’fytyrën time qëlluan shenjën e një vrage
prej ëndrrash kapitur.

Kokën e mbështes n’gjoksin e dheut ku mbijnë zambakë e karafila,
Shushërimën e gjetheve dëgjoj kur fryn era me ngadalë,
Më zgjojnë nga mendimet në të cilat i kredhur jam,
Me të madhe qeshin zogjtë kur ngrihen në fluturim,
E përreth meje duke kënduar vijnë vardallë.



LËNDINA

N’lëndinën e blertë fërshëllima e gjarpërit m’i ndërpreu mendimet,
Për një çast kjo pamje brenda qenies sime mbolli një ankth,
U përhap në hapsirë me shpërthimin e një klithme,
M’u ngjeth mishi nga kjo ëndërr e trembur që nuk e pashë.

Kryet përkulet, mjekra mbështetet mbi dërrasë t’kraharorit,
Me gjuhën ngjyrë trëndafili njom buzët e tharë,
Bari i njomë sa ka filluar me harlisur,
Ëndrron vesën kur bie natën me sumbulla të artë.

Mendimi mërgohet, n’burimin e gurrave përzihet,
Pasqyrimi i hënës duket si një ishull i zjarrtë,
Bari dhe lulet me krëhër t’padukshëm kanë filluar të krihen,
Qyqja kalëron shaluar mbi kalin e bardhë...



PAMJE HIRËPLOTË

E bukura rri varë n’sqepin e verdhë të mëllenjës,
N’tingujt që ajo këndon nëpër gëmusha,
N’trajektore e dallëndysheve që fluturojnë në qiell,
Nën rrezet e diellit ku vezullojnë gjethet e gjelbra,
Me larminë e përthyerjes së ngjyrës nëpër fusha,
Përmes mugëllimit t’gjetheve që stërpikin rrezet e diellit,
Thellë n’horizont ku kaltëron pylli vështrimin ngula...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen