Mittwoch, 28. März 2018

Poeti Fran Tanushi dhe libri "Shkalla e Diellit"


SONATA E DIELLIT E NJË POETI
Rreth vëllimit poetik “Shkalla e Diellit” të Fran Tanushit

Nga: Ndue DEDAJ

Fran Tanushi, nga Gjakova, është një poet që këndon qysh në rininë e tij, që mediton e thërret për një botë më të mirë, zakon i vjetër ky i poetëve jo vetëm shqiptarë e ballkanikë. Ai në këtë libër të ri, me titullin “Shkalla e Diellit”, ka një metaforë të veten dhe ajo siç mund të merret me mend është dielli. Për diellin poetët kanë kënduar gjithmonë dhe poezia pa diell si duket nuk mund të ngrohë. Din Mehmeti shkruante dikur poemën lirike “Kosova, zog i diellit”. Ndoc Papleka, poet i Malësisë së Gjakovës, një nga vëllimet e tij poetike e titullonte “Ngjatjeta diell”. Po ashtu, “Motive me diell” ka qenë dhe një libër poetik i Kadaresë nga fundi i viteve ’60. Simbolika e diellit nuk do rreshtë, por zotësia e poetëve është të mos bien në të thënën, duke përsëritur atë çka është shqiptuar më parë e që ky poet ia ka dalë mbanë në vëllimin poetik që kemi nëpër duar.
Fran Tanushi, lindur me 7 mars 1963 dhe studiuar në Prishtinë për Filozofi e Sociologji, ka emigruar herët në Gjermani, duke fituar kësisoj poezia e tij dhe një frymim të ri, përpos atij amë të dheut të lindjes me të cilin është mëkuar që në djep. Ka shkruar e akumuluar pareshtur gjendje dhe motive, por librat ka nisur t’i botojë disi vonë. Libri i tij i parë poetik “Jetë e censuruar” i përket vitit 2011, pastaj radhazi dhe dy libra të tjerë, “Ishulli im” (2013) dhe “Shkarpa” (2015), mirëpritur dhe vlerësuar nga kritika letrare si libra që përvijojnë bindshëm rrugëtimin e poetit. “Shkarpa”, siç del dhe nga titulli, ka metaforën autentike të shkarpës, si lëndë, si toponim, si eshkë, si unë zjarrndezëse e caranit, si vibrim lirik e komunikim poetik. Ashtu si Martin Camaj, që gjen elemente në dukje të zakonshme, të thjeshta nga ashti malësor dhe relievi bjeshkëtar (gjarpni, breshka, korbi, karpa, rrungaja) dhe i poetizon bukur, edhe Frani ngre në nivelet e ligjërimit poetik shkarpën, që duket se e ka patur fort për zemër, si një prurje të veten. 
Për poezinë e tij ka patur reçensa dhe shqyrtime poetike interesante nga shumë krijues dhe studiues të letërsisë.
Poezia e këtij poeti lirik është poezi e tokës, hapsirës, lirisë, kujtimeve, dashurisë, shpresës, thirrjes për ta dashur atdheun, pa kërkuar ndonjë çmim për dashurinë ndaj tij. Bash këtu ajo fiton thekse sociale, që e bëjnë njeriun të mendojë e reflektojë estetikisht, në mos jo vetëm zyrëtarët, që e “baltojnë” atë.

***

Libri poetik “Shkalla e Diellit” është i strukturuar në një mënyrë të veçantë, në katër cikle (me nga një poezi paraprirëse, si parathënie e secilit cikël): “Ti ke diell mbi krye”, “Jep gjithë atë që të lumturon”, “Pranverë e vonë u këput në mes”, “Të duhemi vonë kurrë nuk është” dhe dy poezi-poemtha të mrëkompozuara: “Vargje të varura në kujtesë” dhe “Vargje të lidhura nyje”. Poeti e njeh mirë arën që lëron, duke e përdor mjeshtërisht fjalën e figurshme dhe kërkuar forma të reja shprehëse. Poezia e tij tashmë ka shtratin e vet. Ndër poezitë më përfaqësuese të stilit të autorit në këtë vëllim poetik janë: “Është një vend”, “Dy dashuri”, Drand(o)fillja, “Motiv qershori”, “Ibri”, “Troja”, “Mestina”, “Rruga e grafiteve të grisura”, “Koleksionisti”, “Eksodi”, “Guximi”, “Kori i britmave”, “Riti i flijimit”, “Klithma e shpirtit”, “Ti që vjen e ikën me natën”, “Karma”, “Kohë për ligjërime”, “Një qiri”, “Arrati”, “Ndryshimi i motit”, “Dritëhije” etj. 
Poezia që hap librin është një himn origjinal gjithë ndjenjë dhe muzikalitet për bjeshkën, nënën, amësinë, kohën:

kur dielli puthte atë rrëzimë
vendësit thonin 
erdh dita e ver‘s

Lirikë e thurur me ndjeshmëri të hollë, që tingëllon si një shpallje madhore e gjithjetshme e njeriut të maleve. Vargu “Erdhi dita e verës” të fton për një muzikë të re, për një stinë të re me diell. Jo rastësisht dhe njëri nga nëntitujt e librit është “Ti ke diell mbi krye”, që të kujton vashat që nusërojnë me kurorën e stringlave të margaritarta mbi ballë. 
Edhe “Shtegtari”, mërgimtari i Kosovës, e merr diellin e vendlindjes më vete ngado që shkon, atë diell që në vendlindjen e tij si për paradoks po soset prej braktisjes së trojeve nga njerëzit. Drama ndodh bash aty ku ka pulsuar jeta për qindra e mijëra vjet:

në atë oborr të gjerë
me dyer nga lind dielli,

ku ftillon kujtimet e tij të trishta “një poet i bjerrë fatit”. Aq e brishtë është pamja e atyre trojeve, ngaqë:

ëndrrat u mbytën mëngjesin që shkoi
gjarprinj e hardhuca lodrojnë rreth shtëpisë.

Nuk kemi të bëjmë asesi me nje metaforë diellore parake, pasi poeti nuk ekzaltohet dhe vargëzon si soditës, por ravijëzon kontrastin mes diellit ndriçimtar në hapësirën qiellore dhe rrënimit të pashëmbullt në tokë, duke u ngritur kundër kësaj zhbimjeje tokësore, njerëzore e shpirtërore, që njeriut i krijon vetmi dhe mungesë shprese te e ardhmja.
Në një tjetër poezi kemi përsëri kumtin e diellit dhe për diellin, me një poetikë origjinale, ku dielli është ai që jo vetëm ndrit ditën, por mbulon dhe natën, duke i vënë yjet në gjumë. Një astronomi poetike e thjeshtë në dukje, por befasuse, spontane dhe e pahasur.

diell
ti o diell
që dritën sjell
dhe zdrit ditën
yjet i vë në gjumë.

Ashtu si të gjithë poetët e racës, Fran Tanushi nuk merr poza atdhedashurie me tone ekslamative, por kuvendon me shpirt si biri më tokën e tij. Përndryshe, është një poezi e fatit të shqiptarit 
në tokën e vet:

është një vend 
me shpinë prej diellit 
e hënën mbi supe.

Poeti që e ka ndjekur më dorë në zemër e drithërimë në shpirt fatin e vendit të tij, ndaj shpërthen me një sarkazëm të pazakontë:

ky vend 
nuk është i bukur vetëm për të vdekur.

Vargje të tilla ndjehen, përjetohen, kumbojnë së brendshmi, duke mos lënë vend për koment. Secili lexues mediton gjatë rreth një vargu të tillë disi hamletian, që është një thirrje që vendi të jetë i bukur pikë së pari për jetën. Është gjithnjë fjala për atë që poeti e quan “Toka e diellit”, një sinonim i Kosovës dhe Shqipërisë:

të jap tokën e diellit
të ta shndris ballin

Dielli nuk ka të kryer në këtë tufë poezish refleksive, meditative, filozofike, plot ndjesi njerëzore. Në njëfarë mënyre ai është motivi brenda njeriut. Poeti është në kërkim të njeriut, fatit të tij, të cilit qëllon që ia thyejnë zemrën e atëherë ai vihesh në kërkim të vetevetes:

Prej kur ma thyen zemrën
kam filluar të mos e njoh as veten.

Në këtë hulli është dhe poezia e bukur “Motiv qershori”, që fshikullon me qytetari dhe patos atë që i fshin pa e vrarë mendjen gjurmët e të parëve, duke ua prerë pemët që ata kanë mbjellë, teksa vetë poeti ndjen nderim për çka kanë mbjellë paraardhësit në tokë, në letra, në kujtesë, që është dhe “kopshti” i historisë së një populli. 
Kopshti është një lajtmotiv në poetikën e Tanushit, ai është as më pak e as më shumë, por “një Planet” mbi të cilin fjala mbartet në kohë dhe hapsirë:

nën një qiell krejt ndryshe nga tjetërkund
një Planet i vetëm më është aty
në kopshtin me lule e me hardhi.

Nga poezia në poezi libri fiton një frymëmarrje të gjërë, që rrok çdo ind, detaj e ngjarje të Kosovës. Poezia “Ibri” spikat dramën e një lumi dhe të një ure, që e kemi parë të gjithë, disa si dëshmorë të saj, disa si soditës dhe të tjerë si vrasës të saj.

oh ura
që barti mbi vete 
këpucë
çizme 
zinxhirë.

Shqiptarët janë flijuar motmotesh, ndaj poeti ka marrë vendimin që të mos ia mësojë askujt ndër të sotmit ritualin e flijimit, siç del nga poezia “Riti i flijimit”, ndër më të arrirat e poetit, që ky rit të mos vazhdojë, aty “ku jeta vdes dhe vdekja lind”:

kurrë s'do t'ia mësoj ritin flijimit
atë rit të lidhur me mëkatin jetim 
ku jeta vdes e vdekja lind.

Edhe pse për Trojën si simbol i dashurisë janë shkruar qindra poezi në rreth tre mijë vjet, poezia “Troja” e këtij vëllimi mbart një dramacitet të brendshëm dhe një kumt të vetin:

“e bukur thonë ishte Troja
aq sa bukuria e saj e vrau”.

Ndoshta nuk ka një namë më të madhe mbi këtë tokë se sa “Të vraftë bukuria jote!”:

ty do të të vrasë bukuria jote
mohi i dashurisë – mallkimi.

Poezia nuk është vetëm filozofi apo këngë, shpesh ajo është dhe protestë me të vetët:

por si t‘i bie murit me kokë
për këtë tokë
të cilën T'bijtë e saj
me mburrje e baltojnë.

Vargjet e tij janë lidhur “nyje” nga ata që dje çlironin malet dhe sot djegin qytetet, ndaj shpërthen njerëzisht e atdhetarisht:

Sa më dhimbsen të rënët
që u flijuan për askënd
sepse askushët
në çiflig kthyen këtë vend.

Poeti e ndjen tokën e tij nga brenda dhe nga jashtë trojeve, në emigracion. Mjafton për këtë të citosh poezinë e bukur “Dy dashuri”, që tregon dhe jetën e poetit mes dy dashurive, Gjakovës dhe Augsburgut, duke hequr paralele mes dy kulturave, që në thelb janë një identitet (europian). Poezia vjen si një dialog i poetit me të birin, pasardhësin, teksa më lart kemi vënë në dukje raportin e poetit me paraardhësit.

Të dyja janë të bukura babi
dhe për të dyja ndiej dashuri

Në njërin kam lindur dhe unë 
e në tjetrin ke lindur dhe ti.

Poeti nuk ka si të mos kthehet gjithnjë te metafora e tij, si në poezinë-poemë: “Vargje të varura në kujtesë”:

Dirigjente e orkestrës së reve
zanë qiellore me kurora yjesh
jepja dritësimin e diellit
ditës që bukurazi vjen me rreze.

Poeti Fran Tanushi e ka kristalizuar profilin e tij krijues, duke shkruar një poezi me nerv shqiptar, ku spikasin mjaft figura të një plani poetiko-filozofik të veçanta dhe plotësisht autoriale, që e afirmojnë dhe më shumë atë, si “ku jeta vdes e vdekja lind”, “për tokë e për qiell”, “stinëve të bardha iu fala shpirtërisht”, “mbi hijen time/ e kërkoj vetveten”, “varkë e plasaritur vazhdon lundërimin”, “kufirin e fluturimit zogjve ua kam shkelur”, “hije që ndjek hijen/ dritë pas dritës”, “Lumturohu që u (ri) gjetëm” etj. Mund të qëmtohen disa elemente risore të kërkimit të autorit në aspektin e stilit, si në poezitë e ciklit të parë, ku pos titullit që siç dihet që është gjithnjë shënjues, poeti ka nënvizuar dhe nga një fjalë tjetër në tekst, si për ta bërë shprehësinë poetike edhe më domethënëse, si: Vend, Shtëpi, Copëz, Troja, Plagë-imja, Nënë, Ti, Rilindet, Vlera, Mestina, Kopsht, Pemën, Syretin, Portretin, Katërkëmbësha, So(j)zi, Shko etj. 
Edhe pse poezia e Tanushit ka diellin si lajtmotiv, ngrohtësinë dhe emocionin e shpresës, ajo sërish ka pengjet e saj, njeriu i poezisë së tij është i arratisur:

mbështjellur shtatëpalësh me lëkurën time
mes detit dhe bjeshkës arratisur.

Një distitik original, që iu shkon përshtat të gjithë poetëve amtarë, që mbijetesa i ka bërë të jenë të mbështjellë me shtatë lëkurë, aq sa lëshon në shpatin e malit bolla në pranverë, fqinja dhe “orëzeza” e shqiptarëve përtej një shekulli.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen