Nokë Gërguri, furrëtar nga Zymi |
Për shkak se Hasi është vis kodrinoro-shkëmbor, banorët e kësaj krahine gjithnjë janë ballafaquar me mungesë të tokës së bukës. Ata, në vend të kësaj mungese jetike, e mësuan zanatin e bukës. Sipas një dokumenti të viteve 1.700 del se ky profesion është shumë më i hershëm. Është e njohur mikpritja hasjane me “Bukë e krypë e zemër”. Nga viti i kaluar në Zym të Hasit u lind manifestimi kulturor-trashëgimor “Dita e bukës zymjane”.
Shkruan: Frrok KRISTAJ
Shpatijet e Hasit të Thatë, të Komunës së Prizrenit, por edhe të një pjese të Hasit të Komunës së Gjakovës, kanë ngjyrën e hirit - ngjyrën e gurit, ngjyrën e thatësisë. Edhe Zymi, që është diku në mesin e këtij rajoni, i ka karakteristikat e Hasit. Është i thatë dhe i mbuluar me gurë e me ngjyrë thatësie.
Prodhimet e hasjanëve nga brumërat
Zymjanët, përkatësisht hasjanët, me familjet e tyre më kohë kishin gatuar e prodhuar bukë në forma të ndryshme. Në fakt, nga brumërat e grunjta (grurit) zymjanët kanë gatuar bukë pogaçe, bukë pogaçe për të bekuar (për Festën e Pashkëve), bukë pogaçe apo siç është quajtur edhe ndryshe bukë nore (në prush, në hi e në çerep), bukë simite, bukë mrume me maje të thartë, kuleçë (kulaçi i buzmit (më i madh), kuleçë për pjestarë të familjes dhe të farefisit, për bija, si dhe kulaçi i nuses, bukë thekre, bukë elbi, tërhan (trohan – troha), petulla, pite, pite me lakra të rasojta, pite me rrath - kallpite, nërpetë, nërpetë me arra, pite me kulloshtër – përpeç, ose përpeç me imitim të kulloshtrës, që bëhet me vezë e qumësht, fli (i grunjtë dhe i misërt), fli me petë të shtrira në tërë tepsinë, fli me petlla, lakror (me lakra të egra, që mblidhen nëpër livadhe), lakror me hithëra, çull, kaçamak, paçamur, krelanë, kungullor, leçenik e të tjera.
Llojet e tharmit të bukës
Bukët kryesisht janë nxënë me maje (me tharmë). Dikur zakonisht maja e bukës formohej nga “kumshti” i thartuar, që përzihej me pak miell, që duhej të pritej një kohë “me ardhë” dhe pastaj – të nesërmen, të gatuhej buka. Për përgatitjen e tharmit (majes), Pjetër Bogdani na ofron të dhënat se “maja” e bukës punohej nga lëvorja e breut, e cila zihej e pastaj me atë materie përfitohej maja e bukës. Maja duhej të përtërihej disa herë që të gatuhej buka mrume, që ishte nga gruri. Në fakt, maja është nxënë edhe me materi të tjera (me mel). Ndërkaq, maja për bukët simite është punuar me disa kokrra të çiçrrës (eblebisë) apo me fasule. Kokrrat e çiçrrës apo të fasules vendoseshin në një shishe të vogël qelqi që njihej me emrin bardak. Në shishe mbi copat e çiçrës apo të fasules qitej ujë i vëluar dhe kështu bardaku vendosej në krunde apo miell të grunjt për t’ia mbajtur temperaturën e nevojshme dhe kështu pritej derisa vinte maja. Kur vinte maja përzihej me pak miell që të vinte përsëri (maja), e më vonë edhe një herë shtohej maja me miell dhe në fund gatuheshin bukët.
Zeja e furrtarisë daton para vitit 1700
Për shkak të përbërjes shkëmbore të viseve të Hasit, edhe në Zym blegtoria e vreshtaria, si profesione të hasjanëve, nuk i plotësonin kërkesat e zymjanëve apo të hasjanëve për të jetuar. Kjo bëri që popullata zymjane apo hasjane ekonominë jetësore ta orientojë në drejtim të zejes së bukëpjekësisë, apo, siç e quanin dikur, “kah zanati i grave”.
Do përmendur se banorët e fshatit Zym të Hasit të Thatë dikur jetonin nga vreshtaria e blegtoria, kurse më pas u dhanë pas zejës së bukëpjekësisë. Thonë se në mungesë të tokës së bukës, e mësuan zanatin e bukës.
Ata kishin gatuar bukë në tërë Gadishullin Ilirik (tash Ballkan). Bile më së shumti ishin koncentruar në Nish. Në këtë qytet kishin qenë më shumë se 25 dyqane furrëtarësh nga Zymi. Bile, thuhet se një i ri e paska pyetur të et se në ç’gjuhë flisnit furrëtarët zymjanë në Nish, kurse babai i kishte treguar se flisnin kryesisht shqip, ngase shumë banorë të këtij qyteti (Nishit) asokohe ishin shqiptarë.
Furra e parë u hap në shtëpinë e Lazër Sebë Prekpalajt
Në Zym shitorja e parë me mallra të përzier ishte hapur në shtëpinë e Ndue Lazër Kërhanajt (rreth vitit 1925), kurse më pas shitore e tillë ishte hapur në shtëpinë e Gjergj Pal Kërhanajt në të cilën kishte punuar Tush Dejhalla, por edhe të tjerë. Më vonë shitore ishte hapur edhe në shtëpinë e Gegë Nokë Prekpalajt (raftet e të cilit dyqan, ku i kanë vendosur artikujt e nevojshëm, ruhen edhe sot), pastaj shitore kishte hapur edhe Jozë Pjetër Dulaj. Një tjetër shitore njihet edhe Granapi i Lazër Sebë Prekpalajt, ku në fillim kishte punuar një shitës i njohur me emrin Petrush, e më pastaj aty punoi Sahit Reshyt Tanushaj. Do përmendur se në kuadër të Granapit ishte hapur edhe furra e parë në Zym, përkatësisht në Has. Në atë furrë kanë punuar Sherif Muharrem e Limon Avdi Çoçaj e Iliaz Adem Kabashi, që të gjithë nga fshati Gjonaj, pastaj Hazer Ahmet Çollaku e Gegë Llesh Prekpalaj, nga Zymi. Në atë furrë kishte punuar edhe vetë pronari - Bibë Lazër Prekpalaj. Më vonë shitore është hapur edhe në një lokal të Elez Çollakut, ku punonte Dedë Frrok Dulaj, pastaj Mark Gjin Dulaj, që të gjithë nga Zymi, si dhe Qazim Kamber Çoçaj (nga Gjonaj). Kjo shitore, tash më e zgjeruar, është aktive edhe sot. Në të tash punon Sytki Çollaku me familje.
Në Zym furra e dytë e bukës është hapur në vitet 1959/60. Atë e kishte hapur në shtëpinë e vet Mark Frrok Kërhanaj. Në fillim ai kishte punuar vet, kurse më vonë aty punoi Dodë Nika e Kolë Lazër Kërhanaj, pastaj Franë Kolë Kajtazi, Jozë Lekaj, Noz Franë Marklushaj e Hazer Ahmet Çollaku.
Monumentalizimi i “Gurit të kurbetçarit”
Edhe tash zymjanët, përkatësisht hasjanët, e ushtrojnë zejen e të punuarit të bukës nëpër botë. Bile, sipas studiuesit Nikollë Kërhanaj, del se imzot Pjetër Karagiqi, nga Novobërda (tash Artana), ipeshkv i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, ipeshkvi kjo e strehuar në Zym të Hasit (1702-1752), në vitin 1702 i kishte dërguar raport Propagandës Fide në Romë, ku thuhet se besimtarët e Zymit, përveç që janë blegtorë e vreshtarë të mirë, janë edhe furrëxhinj të zellshëm.
Profesionin e gatimit të bukës para disa vitesh zyjmanët e kanë monumentalizuar në një gur që e simbolizon rrugën e kurbetit, pra me “Gurin e kurbetçarit”. Në Kosovë, por edhe në mbarë viset etnike shqiptare, i vetmi vend që i bashkon, i nderon dhe i përkujton kurbetçarët, është Zymi i Hasit të Thatë. Siç do të thoshte shkrimtari e studiuesi Prend Buzhala, “më shumë se sa akt kulturor, lapidari ‘Guri i kurbetçarit’, që identifikohet me manifestimin kulturoro-trashëgimor ‘Dita e bukës zymjane’, është pjesë e kujtesës popullore, pjesë e kujtesës së përjetimeve dhe e ngjarjeve që kanë ndodhur përtej fatit historik të atdheut, vetëm për ta mbijetuar situatën në mbrojtje të vetvetes, e për mbajtje të familjes”.
Me furrtari filloi ngritja e mërgatës shqiptare
Zymjanët, përkatësisht hasjanët, duke servuar bukë taze nëpër qendra të ndryshme jashtë trojeve etnike shqiptare, ngritën themelet e para të mërgatës shqiptare të krijuar nga kurbetçarët e jo nga të shpërngulurit nga luftërat e ndryshme, që do të thotë se në një mënyrë themelet e mërgatës shqiptare i kanë vënë bukëpjekësit hasjanë, që e kultivuan profesionin më të vjetër – profesionin e gatimit të bukës.
Kurbetçarët bukëpjekës të Hasit janë të prirur për t’iu përshtatur popullatës nikoqire ku punojnë për ta siguruar kafshatën e gojës. Kjo nuk do të thotë se kurbetçarët e Hasit shkëputen nga vendlindja. Është krejt e natyrshme se gjatë punës në kurbet, si konstaton Nikollë Kërhanaj, “bëhen përzierje gjuhësh”. Megjithatë, dashuria ndaj gjuhës amtare, por edhe ndaj atdheut, që identifikohen me “Gjuhën e zemrës”, iponuan edhe lindjen e “Gjuhës së bukës”. Kjo do të thotë se “Gjuha e zemrës” është gjuhë e fjalorit të vendlindjes, sepse ajo krijohet për ta ruajtur e kultivuar gjuhën amtare, pra gjuhën shpirtërore e etnokulturore brenda kombit, kurse “Gjuha e bukës”, është gjuhë e punës, përkatësisht është gjuhë e mjedisit ku punojnë kurbetçarët.
Megjithatë, kurbetçarët zymjanë, duke aspiruar që së paku fëmijëve t’ua bëjnë vendlindjen e nivelit të vendeve ku jetojnë e punojnë, vazhdimisht janë angazhuar për ta përparuar Zymin, pra këtë vend të vjetër me plot histori. Nga kjo del se kurbetçarët zymjanë janë dashamirë të vendlindjes, andaj në vazhdimësi ata e kanë ndihmuar në forma të ndryshme vendlindjen e tyre. Bile, kontributi i zymjanëve që jetojnë në Zym dhe ai i kurbetçarëve, ka bërë që sot Zymi t’i ketë mbi 100 monumente kulturo-historike e trashëgimore, që e begatojnë dhe e afirmojnë Zymin. Një begatim i tillë ka zgjuar interesim te shkencëtarët, shkrimtarët, artistët, studiuesit, ekskursionet shkollore e grupet e ndryshme, që në vazhdimësi e vizitojnë Zymin.
Etimologjia e fjalës “bukë”
Etimologjia e fjalës bukë është e hershme. Ajo qysh herët është gjetur e shkruar dhe është dokumentuar. Kjo fjalë përveç që përdoret në viset etnike shqiptare, përdoret edhe te shumë banorë të ishujve të thellë të bregdetit kroat. Kjo fjalë është e frigjëve. Fjala “Bek” është përmendur nga Herodoti në anekdotën e tij me faraonin Psammetich kur flet për Bukë. Në fakt, ky emërtim i hershëm “Bek=Bukë” është edhe pronë e fjalorit të gjuhës së lashtë shqipe. Kjo do të thotë se mielli i zënë brumë, pra masa e qullët, punohet në forma të ndryshme dhe piqet me mjete të ndryshme, konstaton studiuesi Fahri Xharra. Diçka e ngjashme ndodh edhe me fjalën shqipe kulaç, përkatësisht qull.
Çka flet “Kanuni i Lekë Dukagjinit” për bukën
Në gjithë literaturën e trashëgimisë kanunore te shqiptarët, e veçmas te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që e mblodhi dhe e kodifikoi Atë Shtjefën Gjeçovi, del se "Shpia e shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut" (Paragrafi 602). Si duket Gjeçovi derisa e kishte vizituar Zymin apo kishte shërbyer në Zym, u njoh me rëndësinë që zymjanët, përkatësisht hasjanët, ia kushtonin bukës. Ai te banorët e kësaj treve e gjeti shprehjen që i bëhet mikut për mirëseardhje me "Bukë e krypë e zemër" (Paragrafi 608). Bile, thuhet se “Kur të vjen miku në shtëpi, e ha bukën e vet”, por edhe se “Mysafiri vjen me nëntë të mira, tetë i le te miku që e viziton, kurse vetëm me një kthehet”, që do të thotë se mysafiri sjell bereqet në shtëpinë ku shkon. Ndaj, po të hyri miku në shtëpi, edhe gjak në të pastë borxh, do t'i thuash "Mirë se erdhe!" Nga kjo del se edhe sot njihet dhënia e bukës dhe mikpritja e hasjanëve.
Vlen të përmendim se që nga viti i kaluar në Zym të Hasit filloi të mbahet manifestimi kulturor e trashëgimor “Dita e bukës zymjane”, manifestim ky që mëton të bëhet tradicional, ku u mbajt një tribunë shkencore dhe u ekspozuan mbi 70 lloje të gatimeve nga brumërat.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen