Samstag, 31. März 2018
Motive marsi nga Mimoza Rexhvelaj
IMPULSE DHE INSTIKTE
Impulse të verbëra
Pati Diogjeni heret fort
Për të gjetur një njeri.
Unë jam e mbushur me instikte
Që më rrinë gatitu në çdo kohë
Kur shkruaj poezi.
Poezitë janë perlat e shpirtit
Me guackat e smeralda ngjajnë
Veshin vello gri
E valle ja marrin
Nuk e di se si!
JUGËS QË I KREH...
Më gicilojnë kycet
E krahëve e të këmbëve,
Mbi qerpikët e lagësht
Diamantet dremisin.
Era me krah të thyer
Bën pakt me shkulmet e inatit,
sa herë i shkon nëpërmend
me u matë me brigjet e Matit.
Jugës që kreh brigjet e fëmijëtisë time
nuk i vlerësohet balli i ikjes,
me ç'ka duket e ka neverin e hollë
në mos aq katallan sa kodi i pritjes!
TI BESON TE HIÇI
Vazhdon e çukit
Në cepin e mendimit,
Dorën rrallë e zgjat
Në përçartje të vegimit.
Ditët gojëshkarpa gëlltisin
Fruta me thatësirë të tepruar,
Pa pikë fantazie shoshoqen
E patën gur të çmuar.
Bën të fortin duke u hakërryer
Për dështimet ndaj unit tënd,
Pa ceremoni triumfojnë dikur
Pa u shkuar mornica nëpër mend.
Ti pret e nuk di se çka pret
Se qielli çdo lutje s'pranon
Te hiçi e kthimi imagjinar
Verbërisht e di, beson...
PSE JO, RASTIS
A mundesh me dalë, me u nda a mundesh
Prej lëkurës tënde të djersitur,
Në se jo më tundon dhe me këtë aromë
Teksa rri shtrirë nën hijen e mërzitur.
I bëj sfidë të pamundurës kryeneçe
Egon e sëmurë e harroj s’di se ku,
Viroza e stinës me putra të lagështa
S’di ku bën mriz gjithashtu.
Kot i hukat eshtrat me trille
Dielli bie në komë sa vjen muaji gusht,
Perden e harresës nuk e lë të bjerë
Rastis ta qëlloj dhe me grusht.
NGANJEHERE
Nganjëherë jeta ngec pas teje
Si ferra, pas flokëve
Dhe nuk të shqitet.
Hyre atje ku s'duhej!
Nuk e di se si
Dhe as se pse
Ajo të ngre kurthe,
Kurthe asgjëje.
Muskujt pasivë të trupit
Papritur, gjallërohen
Duke zbuluar një tjetër ego,
Një ngjyrë të verdhë
Që stina e ngrohtë e mban latente.
Muskujt e qafës tendosen,
Këtë herë jo për të mbajtur peshë,
Por,për të parë qartë.
Prespektiva është një iluzion,
Ajo pemë e zvogëluar dhjetëra herë,
Është një iluzion , po kështu rruga,
mulliri, një konstelacion botësh që presin të zbulohen ...
I tillë është edhe gishti që i tregon .
Frika të pushton,fundi i egëzistencës.
Me një kërcitje dhëmbësh zgjohesh.
Dielli rezaton mbi fytyrën e zhubrosur si mësalla pas feste.
Por, neser do të kthehet sërish në vend.
Jeta vazhdon në lojen e saj
Ditë-natë, natë-ditë,
me dublime të njëpasnjëshme, të rregullta mbi parket duke na përgatitur
për momentin e gjuajtjes,
nëse ai moment vjen ndonjëherë ..
E DI...
Me don në çdo frymë
Kur zemra ban tak-tak-tak...
E di...
Jam mramja në qiellin tand'
I vetmi yll që mundesh me pas...
E di...
Jam mëngjesi i munguar
Kur dorën zgjat e nuk më gjen...
E di...
Puthja jeme të ban
Mu nie në xhenet,ku ligësi s'ka...
E di...
Ma ke tregu pa fjalë
Shpirti në fund të shpirtin jam...
E di!
Frederik Rreshpja
Deklaratë shtypi
Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje
te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,
dhe më keni quajtur mua skandaloz
për fjalën time të lirë.
Enveri lëshonte urdhër-vdekje,
por prangat m'i keni vënë ju.
Tani shkruani për mua parrulla nëpër gazeta
dhe i varni si prangat nëpër mure.
Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë,
kope hipokritësh servilë.
Unë muret dhe prangat i pështyj,
unë kam lindur skandaloz dhe i lirë.
TI VETËM QESH
Në rrjetën e merimangës
Është ngujuar një rrebesh
Ti fjalë reperësh përdor
Nuk e di pse,kaq shpesh...
Të dalësh nga pellgu i pistë
Ujana duhet njohur cep më cep
O botë, thua, pak shpres dua
Por bota shpresë s'të jep.
Në buzën e greminës me shkumë
Botën përtokë e ngjesh
Përpëlitem, djersij e gërvishtem
E ti, vetëm qesh...
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen