Donnerstag, 8. März 2018

Fshehtësia e Kështjellës së Mbretit

Nga Gani MEHMETAJ

Për Kështjellën e Mbretit askush nuk e di pse e mori këtë emër. S' ta thotë njeri me emrin e cilit mbret u pagëzua, Nuk përcaktohet kur u ndërtua dhe kush e sundoi këtë fortifikatë malore me luginën që shtrihet para deri në pakufi. Qetësia parajsore është ajo që t'i mbyll veshët e të duket sikur je në një botë tjetër. Pylli i dendur të shkëputë nga bota. Era e malit fëshfërinë lehtë, duke t'i përkëdhelur veshët. Edhe pas më shumë se dy mijë vjetësh, aq sa vlerësojnë se mund t'i ketë, rrënojat e kështjellës mbetën, ndërsa emri i mbretit u harrua, e ç'regjistroi koha. Është ndërtuar në një kodër ideale për vrojtim e mbrojtje, ka pamje madhështore që e mbulon tërë hapësirë para e prapa.

Molliqi i Gjakovës është katundi më i afërt, tri orë këmbë në një terren të rrëpijtë malor. Në të majtë Kështjella e Mbretit e ka Kështjellën e Lekës, në të djathtë është Kështjella e Jerinës. Që të dyja kështjella antike, me vazhdimësi nga parahistoria, mbase mund të ketë krye funksion edhe në mesjetë. Kronika të shkruara për këtë ngrehinë nuk ka as nga autorët antikë, as nga kronistët e mesjetës. Shkencëtarët ende nuk kanë gjetur shkrime për te. Kështjella e Mbretit është e ngjashme në mënyrën e ndërtimit me Kështjellën e Lekës dhe me Kështjellën e Jerinës, mbase edhe qëllimi e funksioni kanë qenë të njëjta, mu si janë të braktisura e të rrënuara po në atë mënyrë.

Ata që duan ta vizitojnë, duhet të ecin nëpër cepat e epërme të bjeshkëve, një copë të rrugës e bëjnë leqeve (kthesave) të forta, pastaj mund të vazhdojnë dhiareve që të lodhin me pjerrtësinë e vrazhdësinë e terrenit.

Në vazhdim duhet të hapesh me dorë shkurret e degëve të dendura që t'i kalosh, duhet të orientohesh me ndihmën e ndonjë vendësi që e ka ecur këtë rrugë me dhjetëra herë, sepse ndryshe mund ta shmangësh cakun e të sorollatësh me orë të tëra, pa e marrë orientimin e duhur. Nëse shpëton pa u fshikulluar fytyrës dhe pa ndonjë vragë nga gërvishtjet, del në një terren të shpëlarë, ku të paraqitën dy mundësi, të vazhdosh drejtë dhe të huqesh cakun, apo të kthehesh djathtas dhe t'i afrohesh kështjellës.

Terrenet e këtyre maleve e të kështjellës para vitit 1999 i shfrytëzonte ushtria armike serbe e paramilitarët që vranë barinj vendës për argëtim, torturuan popullatën dhe e ruanin me egërsi kufirin më Shqipërinë.

Para se të mbërrish në rrënojat e kështjellës, është një grykë mali nëpër të cilën kalonin luftëtarët andej e këndej kufirit.

Kështjella, pos që mbronte vendin e banorët, mund të qe pushimore, strehim, vend ndërrim i karvanëve që vazhdonin tutje në luginë. Nëpër këtë grykë mali vendësit edhe në kohën më të re bartnin armë e municione, kalonin kufirin dhe iknin nga masakrat. Nata ishte e frikshme e plotë të papritura, tregon vendësi Ibër Avdyli, që na udhëhoqi deri në kështjellë. Ecnim në frikë se do të na dilnin në pritë ushtarët armiq. Ai e kaloi dhjetëra herë këtë grykë mali që të furnizonte ushtarët më armë.

Nëpër këtë terren malor kanë kaluar ushtarët në antikë e në mesjetë, kanë kaluar edhe në mesjetën e vonshme e në luftërat çlirimtare, herë duke patrulluar nga një kështjellë në tjetrën, herë duke e përforcuar linjën e luftës, herë duke sjell kumte për luftë a paqe. Pas çlirimit këto male duken pothuajse të pashkelura si xhungla kontinenti, prandaj u ngjitëm me aq mundim, sikurse që zbritëm me mundime, sepse në mungesë të një rrugice malore që ishte shlyer nga mugullimi i pemëve e shkurrishtave, duhej të kërcenim nga një gur në gurin tjetrin. Shpesh gurët të rrëshqitnin nën këmbë sa gati e thyeje qafen.

Kështjella e mbretit është kështjellë e vjetër, parahistorike, me gur të mëdhenj, gati ciklopik, me visore që të hapin horizontet. Nga kështjella e dikurshme kanë mbet vetëm rrënojat, gurë të futur thellë në dhe, e rrethuar në një hapësirë të madhe të bjeshkës së lartë. Meqë ishte kështjellë e braktisur kohë të gjatë, mbase mbi njëmijë vjet, pylli e ka pushtuar kështjellën nga brenda e nga jashtë. Kur e shikon nga afër, duke ia bërë analizat e terrenit, ekipi i arkeologëve me në krye Haxhi Mehmetajn mendojnë se nuk është kështjellë e mesjetës, është shumë më e hershme, është fortifikatë e parahistorisë me vazhdimësi rindërtimi në antikë. Pastaj për arsye të panjohura e kanë braktisur.

Ciceroni vendës Ibër Avdyli që mori përsipër vullnetarisht të na e tregonte rrugën, nuk dinte shumë për Kështjellën e mbretit, për te nuk dinin as vendësit tjerë në restorantin më të afërt, qendër turistike, por Ibra e njihte mirë terrenin, ishte i shkathët e i lehtë si kitra, dikur e kishte kaluar fëmijërinë bari afër mureve të kështjellës, por befas pas disa orësh ngjitjeje të mundimshme e humbi rrugën dy herë, merrte një pikë orientim që ta merrte vetën dhe të vazhdonte, duke u habitur me ndryshimin e konfiguracionit nga dendësia e drunjve e shkurreve. Kohë të gjatë nuk ishte pastruar terreni, kohë të gjatë askush nuk kishte shkelur nëpër këto male, prandaj drunjtë e shkurret kishin mugulluar e mbuluar hapësirë të madhe. 

Kështjella e Mbretit mbetet ndër pikam më atraktive të antikës, është ndër vendet që ende nuk është zbuluar dhe që ka aq pak informacione për banorët, mënyrën e jetesës e për historinë e saj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen