Mure akulli ...rasti më kaloi prane vilës tënde, poet. Ç’shoh? Pyeta Zotin. “...një mur prej akulli ngrihet për rreth”, më tha, Zoti, “dhe dyer prej akulli” Ika. Isha më i ulet se muri. Ika dhe m’ u kujtua thënia e nji herë një plaku të çmendur të veshur me rroba jeshile, bridhte rrugët e shenjta të qytetit tim me bastun hekuri në dorë, si Moisiu kur u printe hebrejve, “...paratë janë copa akulli” ika, dhe luta diellin të kaloj ndonjëhere përsipër vilës... Fier, 11 shkurt 2019 Asgjë e saktë Në jetën time nuk erdhi e hyri asgjë e saktë, unë i saktësova shpirtërisht dhe... më të shumtat i mbajta për vete. Fier, 6 shkurt 2019 Koha …dje kur dita ecte hapat e fundit të saj, hapa një varr dhe varrosa të gjithë vitet e mi të vdekur. U ula mënjanë dhe prita, kohën të shkonte mbi varr të fshinte çdo shenjë, por koha nuk shkoi! Fier, 5 shkurt 2019 Litari i këmbanës …një kult më ruan gjurmët hap pas hapi, po unë nuk di ta përdor litarin e kambanave! Fier, 31 janar 2019 Diçka ...asnjëherë nuk e mbajta mend se kush më tha, “...gjurmët e tua janë alfabeti që do të shkruaj jetën tënde deri tek varri”. Shoh hartën e shpirtit të shqiptarëve, mungojnë shumë qytete me dashuri. Gjithmonë ka patur pak gjëra për të jetuar jeta ime, por nëna më ka dhënë diçka që përherë ta jap. Fier, 29 janar 2019 * ...poet, qielli është i yti, toka është prangë! Fier, 29 janar 2019 Kopeja e njerëzve ...i kyça në gojë sytë, nuk dua të shoh se si Shqipërinë e fortë e plugon uji, nuk dua të dëgjoj kur malet si kuajt e luftrave çalojnë, nuk dua të mbaj mend si kuturisja e përgjegjshme rrjedh mbi fushat e pambarsura e derdhet në det, tërë ndy. I kyça në gojë sytë, të mos kujtoj kur vetja më vret veten e kopeja e njerëzve gëzohet... dhe, u bëra armiku im. Fier, 31 janar 2019 Kriptizëm …kam vjet, nuk i bëj unë hapat e mi, i bënë kryeministri, gjurmët i bëj vet… dhe nëse i vdekur. Fier, 29 janar 2019 Uni. Radha …unë jam Uni, hedh sytë nga ballkoni, sytë lexojnë fushën e orëve përball dhe të mësuar vijnë e më thonë, “…tani e kanë radhën këmbët!” Unë jam Uni i ditur ose errësira e natës përbrinj, ku ndjenjat han barin e artë të yjeve të formësuar fytyra grash dhe ngopur, vijne e më thonë, “…tani e ka radhën koka!” Unë jam udhësi i rrugëve të këputura ilire, me shalë arrat e pyjeve të prera ne Pukë të cilat bëhen krevate për shtëpitë e kurvave udhëheqëse të shtetit shqiptar, ku shputat vijnë e më thonë, “…tani radhën e ka arkivoli!” Unë jam Uni i fëmijërisë sime, ku ecja ime ngatërrohet me këmbët e mia dhe rrëzohet në humnerën e kokës sime e vjen në mëngjes e më bërtet, “…tani radhën e ka sperma e pastër shqiptare!” Fier, 21 janar 2019 Ndërgjegja e syve ...fle i qet natën në shkretëtirën time, por mendt më ikin si gratë nomade, shkojnë atje, ku larg është gjithmonë… Mëngjes. Shoh përpara ...ndërgjegja e syve të mi. Fier, 17 janar 2019 Shëllirëza ...atje ndër shëllirat (tokat) e kripura të Semanit, ka një zog me emër kripe, "Shëllirëz". Të vjetër sa fusha janë ata zogj. Më 1996 gjahtarët e ardhur nga Italia i vranë barbarisht, sa miti i zogjve u shtang. Moteve mbi kuaj atyre troktheve ndalnin zonja të bukura dëgjonin këngët e zogjve dhe hipur anijeve në Skelën e Semanit, treteshin në Itali. Prej qëkuri më vret kënga e vrarë e zogjve, kënga e vrarë shpie përpara fundin e fushës. "Shëllirëzat" u shtuan përsëri, por shëllirëzat e reja i urrejnë njerëzit, tashmë, ndaj kur shkoj atje, eci leht dhe lut pluhurin e artë të diellit të më mbuloj. Është tmerr kur ke dëshirë të degjosh, e di se dëgjon dhe nuk dëgjon asgjë! ..."është një orë kur s' tringllin asgjë", por atje në ato kripthe, kur ka njerëz, asnjë "Shëllirëz" nuk këndon në të gjitha orët... Fier, 28 Nentor 2018 Shtëpia e vjetër Shtëpinë e vjetër e kisha buzë një lumi të vjetër në Sheq Marinas. Lumin e mbushnin lidhjet e ujshme të stuhive të malit Tomorr, të cilat nuk e di se përse vraponin per në Adriatik! Viktor Belting nuk hipi kurrë mbi rrjedhë, s' arriti, u mbyt larg së bashku me "Shën Pjetrin". Shtëpinë e mbushnin njerëzit, edhe njerëzit rridhnin në shtratin e tyre. Porta e shtëpisë për anë kishte dy sheqa të mdhenj, s' i rroknin dot dy shenjtore. Në kokë sheqat kishin yje, jo draper e cekan. Hynin njerëz të gjatë në portë, sa sheqat, sillnin lajme pellazgjie, rrinin pak me gjyshin dhe iknin boçe plotë. Por "të gjatët" nuk erdhën më, erdhën njerëz të shkurtër. Sheqat i rrezoi stuhia e detit, lumi u pre, vetëm dimrat i huanin ca ujë deri në mekje. Në shtëpinë time s' mbërritën kurrë të pa udhët, mendjet e sheqarakeve i mbinte dheu i but i fshatit. Ne, ishin ç' ishte toka. Shumë vonë erdhën mësuesit, më përpara kishte bërë tkurrje porta. ...nuk rilindëm ndonjëherë, ishim të lindur dhe pse gëzimi ishte i trishtuar. Fier, 21 nentor 2018 Akulli më pyet... ...dje ndërtova edhe një rrugë për arsyen, Iku dashuria e fundit. Si perëndimet e ftohta kam ngelur, me betimin e vjetër të njeriut, me eren e vjetër me token e vjetër. ...akulli më pyet nëse dua shtëpi. Fier, 29 tetor 2018 Shega... ...po çel shega prapë, nënë shega që mbolle ti, po hapen sythat, lulet e ndër degë shegëza do të duken... e mbolle nënë dhe shkove, prapa i le psherëtimat... Edhe babai iku, por ai mbolli rrap, afër Skelës së Semanit, "...të pres vetëtimat, armiqtë e vonuar të cilët bëhen miq", më tha. O, nënë, po ti përse mbolle shegë? Fier, 25 shkurt 2018
ZGJOHU POET Nuk jam engjull i thinjur në tempullin e durimit as memec i përgjumur arratisur prej vetes Zotin mallkoj që as kokën e ktheu kur Kosovës ia lidhje plagët Zgjohu poet se përseri po „Tkurret Atdheu“ Zgjohu e zhvishi të gjitha marrëzitë e kësaj bote Europëzeza prapë fle e djalli me shajkaqë ngre krye Zgjohu për tokën dardane për „gjakun që nuk falet“ Zgjohu Ali Podrimja e ti zëm pusi të keqës se koha nuk pret Zgjohu... O burr i dheut Të thërret Kosova me zërin e saj të mekur 17. 06. 2013 _ _ _ _ _ Disa nga komentet në Facebook Pal Ndrecaj: Nje poezi e bukur, e fuqishme dhe tronditese! Poeti, H. Muhaxheri, therret kredon njerezore, poetike e kombetare te poetit te madh Ali Podrimja, per ta mbrojtur nga e liga qe po na i kanoset kohes sone, njeriut tone; per ta mbrojtur ardhmerine qe, kur te vije, te mos na gjeje duke vuajtur denimin e tkurrjes se atdheut. Eshte nje ze i revoltuar qe shperthen papermbajtshem ne mallkim edhe kunder Zotit qe nuk e kthente koken kur Ali Podrimja po ia lidhte plaget Kosoves. Mehmetali Rexhepi: Haxhi kjo poezi shpërfaq reflektime aktuale, thërret për ripërtëritje të qëndresës. Në radhë të parë të qëndresës është poeti, është shpirtërorja e poetëve, pararoja e identitetit. Qofsh i uruar! Ymer Nurka: Kjo eshte thirrja e poetit... Ketu shungullon bukur si vete verbi poetik i Podrimes se Madh dhe jo vetem... zgjimi me se pari vjen prej genit te dijes qe flen ne mendjet tona kur deklamohet paqja...dhe veshtire eshte te dallosh opiumin prej nga vjen. Por ne shqiptaret me se tepermi kemi qene te tradhetuar prej vetes, ndaj duhet te themi sikur fleme me te keqen... E zgjimi duhet te jete motivi i vete jetes. Anastas Nika: "Zgjohu Ali Podrimja / E e ti zëm pusi të keqës / Se koha nuk pret"... Vete Ali Podrimja dhe vargu i tij ka qene eshte e do te jete nje kembane e forte e dashurise per dheun e tij Kosoven, dhe ai flet per ata qe kane sy, e kumbon per ata qe kane vesh e duan ta degjojne.("Kosova asht gjaku im qe nuk falet") Vargjet tuaja i nderuar Haxhi kete bejne, qe njerezit te drejtojne syte nga ai i madh mjeshter i dashurise dhe vargut te dhimbjes, dhe e ngrene lart kete figure dhe bejne thirrje per mprapshtite e kohes... e kjo barre i bie poeteve "O prapesi o dreq, qe une paskam lindur te te ndreq". "Zgjohu o Ali Podrimja"! Tang-tang! Mbrekullisht bukur! Fran Ukcama: Thirrje poetike e përktryer, alarm se dheu i Arbërit prap po hjek. Ngrihu zgalemi i kushtrimit, po thërret Haxhiu poet! Gjon Rroku: Qartesia e mendimit shoqeruar me forcen shprehese dhe lirshmerine e vargut percjell mjaft bukur mesazhin e poetit "Zgjohu per token dardane per gjakun qe nuk falet". Ndjeshmeria e poetit eshte prekese...." Po, tkurret Atdheu". Poezi qe te fymezon, te mbushe me ndjenjen e madherishme te atdhedashurise, te ben te mendohesh se zot i kesaj toke jemi ne... Xhevair Baxhia: Nje dedikim teper mbreselenes dhe me shume shkelqim, vleresime plotesisht te merituara keto vargje kushtrim dhe plot madheshti per Podrimen e Madh! Agim Gashi: Nje përkushtim dhe kushtrim poetik shumë i fuqishem. Ka hohë qe nuk kam lexuar vargje me te bukura. Poeti Haxhi Muhaxheri, figurën e poetit Ali Podrimja e ngrit në nje figur profetike, duke iu drejtuar atij "Zgjohu poet / Se përseri / Po „Tkurret Atdheu“. Gjon Neçaj: Nje thirrje, nje kushtrim qe simbolizon tjetersimin e poetit me kombin, per t'u zgjuar se Ali Podrimja eshte i perjetshem me kombin e vet.
PSE MA PREVE MOLLËN E KUQE Liber me poezi, pjesa e parë Etyde për një Bard e një Shegë BARDI Një ndajnatë më hamgjisën bukuritë e egra E zbrita nga malet për të kërkuar Vendlindjen Në bohemën barbare të këtij qyteti E Mollën e Kuqe e kisha lënë vetëm Në të qarën e shtëpisë prindërore E në mallin e dallëndyshes Kur kthehej në atë strehëz miti E në vajet e dasmave të çupave Vjeshtave me rituale rrëmbimi Dhe Shegën atje kisha braktisur Tej portës së gjumtë të shtëpisë Mbërthyer në rekuiemet e Orfeut Udhëve i humba fanitjet dashurore Dhe lashë murga fluturat, gruan e Mollën Më çmendi kjo harresë dhe Shega Që më zgjoj me vegime të trillta E më ngjalli të vjollctat agmi të legjendës Kurrkund më s'e gjeta Vendlindjen Në mugën e përrallës moti kish sharruar As çupëri e Shegës s'm'u fanit kurrkund Fustanin prej ëndrre, yllimën e blertë Në orgjitë hamëtore barbari çjerrë ia kish Dëgjoja veç të qarën e Mollës së Kuqe Në legjendën e të vetmuarës Shqipëri Dhe më mbeti veç kjo prushimë kangjeleje Që Shegës e Mollës prapë t'u ndizja zemrat SHEGA Më ëmbëlhidhura grua e pemë Me të kuqen e agimeve buzët e emrin ngjyer Më e hamgjisura pemë e grua Që më prure vegimin atë të hënë të bardheme Kur Nëna e Mbrothit ngjalli Adonisin E vjollca e vendlindjes qiellin zbriti në petale Ishe farë e fjetur e bimës dhe gruas Dhe unë sakaq në zemrën e dehur të mbolla Që në verë qiellin të ta prekte korora E në acar rrënja të të mos mërdhinte U çmendëm pastaj tre muaj, tre mijë vjet Në tundime e mynxyra bashkë Dhe tash po hyjmë në vjeshtën e rrëmbimit të Persefonës A do t'i shkosh prapë Zotit të Mugës A do të rrijsh me këtë Bard nostalgjik të vendlinjes Që vetë i dhe këtë çmendje të pijë Apo duhet të ndodh Lufta e Dytë e Trojës Që nga ti sërish të krijoj gruan
I ME ATË PUTHJE NISI HISTORIA E ZJARRIT vajzat e vendlindjes Majë botës thërrasin jetën të pafajshme si lulet Secila nga një diell në vete ka Me flokët e artë lidhin pranverat në prozhmë Me sytë e blertë shprishin të dashurimtat mugje Për njërën nga ato fushëtirave do t'ua rrëmbeja verën Njërës nga ato do t'i korrja vajzërinë nën dehje xixëllonjash Për njërën nga ato do të vidhja mëkatin në Kopshtin e Edenit Njërës nga ato lakuriq do t'i shkoja mespërmes ferrit Në natën virgjërore Dhe veç Shega do të lindte Zotin e Dashurisë Që çdo të premte ta mbërthenin në kryq Dhe çdo të diel të rilindej nga hiri i të lashtës fajni Atëherë unë Ati i Tij Sërish do të prisja të më pikte Mollë e Ndaluar Në shtratin e së ëmës serenadat për të magjishmen e diel: SERENADA E PARË Të dielën vjen e përgjumur si angjelika Me flokë të ngjyer me purpur diellor Dhe nga fjalët më shtrydh sipri dashurinë Si prilli shiun mbi atë prush zambakësh Atëherë kuptoj se jam Krishti yt Që më ringjall çdo të diel me qumështin e gjirit E unë gjysmë i çmendur pas të bie Të ta gjurmoj natën mitike të vajzërisë Larg në burimin e gjakut, në të kremten e përrallës Ku bëje gjumë lakuriq me perëndeshat Atëherë ta ndiej nga larg vallëzimin e bjeshkës Atëherë s’di ç’të bëj me gjithë atë gufim shpirti Atëherë prehrin tënd shpall Tempull të Shenjtë e hënë: SERENADA E DYTË Të hënën t’i lyej qepallat me vjollcat e çupërisë Flokëverdhën hënë ta zbres në ballë E faqet t’i spërkas me ëndërr lulemolle E ciklonin e dhembjes ta zdjerg në gjirin e ënjtur Mauthes atëherë i bie sëmundja e xhelozisë Dhe ngutet të t'i vjedh tingujt e emrit Dhe ngutet të t’i zhvesh bukuritë e Hirushes Po unë e shpoj tejpërtej me heshtë Po unë i përzë të gjitha lulet nga vjershat Dhe zogun e artë dhe të Bukurën e Dheut Ujvarat e kaltra dhe vetë Tanushën e Bardhë Kurrkush më s’më duhet Kur ty të kam ngujuar brenda e martë: SERENADA E TRETË Të martën këmishën e virgjërisë tënde bëra flamur Dhe përpara i dola Medaurit idhnak Ulë heshtat, zot i marrë i luftës Ç’të duhen këto zjarre, këto gjëmë rrufesh E trillshmja tashmë m’i pushtoi Vjershat, mua dhe tërë mbretërinë e shpirtit E trillshmja më mbylli në ëndrrën e vet Dhe kurrë më portat nuk do të m’i hapë Ulë heshtat, zot i grindjeve Kurrkujt më s’i duhen pushtime të reja e mërkurë: SERENADA E KATËRT A mund të kapërcesh të narcisshmen pasqyrë E në prillin e Mollës sërish të kthehesh Në pyllin e të lulimtës çupëri Në mos mundsh po ta çoj Pegasin Me fre zambaku e patkonj yjesh Në mos ardhsh Melpomenin do të kurorëzoj Mbretëreshë absolute të kësaj kangjeleje Bardi e enjte: SERENADA E PESTË Në ardhshin krushqit të të çojnë gjetkë Zogjtë do të vdesin duke kënduar pikëllimin Era do të shkulë me rrënjë bohemat e vjeshtës Kali i baladës do të hajë barin e varrit tim E unë do të shndërrohem në gjon E përnatë do të të hyj në nusërinë e brymtë e premte: SERENADA E GJASHTË Nata e dehur nga vallet Rrotullohet rreth yllit tënd E ti digjesh e hirshme si dashuria Jemi pak këtej të lashtës fëmijëri Flokët tu gështenjë prej ujëvarë hëne Po lidhin nyjë natën e mëkatit të parë Kuajt e dasmave ireale afrohen me trokthe Me tallaze daullesh trembin furtunat E serenada ime ka veç ty e Mollën e shtunë: SERENADA E SHTATË Kur po kërkoja zanafillën e çmendjes Në të shkruarin mister të syve tu Papritur më dolën krahët e engjëllit kusar Dhe drejt nga kupa e qiellit Të rashë në të nxehtin pëqi Dhe pastaj me vete të mora Në të dalldisshmet bohema të zotave Që nga ajo natë atje poshtë Njerëzit po të kërkojnë Në çdo dasmë e në çdo katund vdekja në këngën e mjellmës (Psalm për Shegën) Tërë ditën, Shegë, iu luta Engjëllit Rojtës Të ta dëbojë kukuvajkën nga kurora Ag e terr, Shegë, iu luta Zotit të Dashurimeve Të ta hedh sëmundjen në gërxhe, në ujë, në zjarr Tërë ditën, Shegë, iu mëgjunja qiellit E sonte do t'i falem vetë Hyut të Madh Të m'i bëjë blatë krahët fajnorë të Erosit Atëherë Si hajn zemrash do të të përvidhem në shtrat Atëherë N'e këndofsh ti Këngën e Mjellmës Unë vdekjen do të ta marrë helena çmendi trojën E mban mend, Shegë me trille Kur me zjarrin e puthjes Harlise timen verë E më shtrydhe sipri lulet e Vendlindjes E shpirt i dhe dashurimit të mbramë Me aromë të Mollës së Kuqe Me erë gruaje, me të kaltër xixëllonje Tevona tre mijë vjet larg Helena çmendi Trojën Atë ditë e sot ti ende ngurron të ma fshish Të qarën që më pikon në prehër Qe tre mijë vjet e pak më shumë Veç mbas pak do të gdhijë e enjtja Këtë ditë lulja shënmitri flijon virgjërinë E malli i kangjeles zbret mbi syrin tënd Të t'i bëjë dritë nusërimit Sa të gdhihet do të nisë Prendën të të sjellë Me treqind shtojovalle pas Mbi kuajt me patkonj yllime E unë në fyellin e lashtë të Bardit Do të të këndoj ty e Zotit të Vendlindjes E në mos ardhsh, ndoshta unë do të vdes Atëherë veç ti e dashuria do të mbeteni gjallë Ajo në këtë vjershë të trishtë Ti në të vetmuarën lule shënmitri Ndoshta atëherë mes të qarash me llohë Mbi muranë do të më thërrasësh zemër Atëherë mbase do t'i hedh dhe e dërrasa Dhe Jezusit do t'i vjedh ringjalljen flijimi Për pak më flijove atë të enjte gushti Për pak më vrave si Adonisin Cibela trillane Po a e di se kori i mjellmave atëherë Copë e thërrime qiellin do ta bënte Po a e di se dhimbjen s'do të ta zinte asnjë bjeshkë Po a e di se kurrë më s'do të shkruhej kjo vjershë kangjelja me dy të hirshmet Hijen mund të ta çojnë nuse gjetkë Veç ti do të nusërosh gjithmonë në këtë vjershë E kur të më vijë Morti do t'i përgjërohem Kangjele, moj vjershë me shi Shegën po ta lë dhe dashurinë bonjake Do të qajnë ndoshta të zëna dorë për dore Atëherë ti bjerë në gjunjë dhe lotin ua fshijë Mos lërë brenda hidhërime, vjershë Se mund t'i prishet Shegës nusërimi i bardhë Se mund t'i turbullohet afshi vegullor Se mund t'i ngjiret zëri, balli t'i errësohet Moj kangjele me të hirshmet brenda hënë e vjershave të bajronit Ai që të solli atë të hënë tek unë Të veshur me vjollcat e Vendlindjes Të mbushur me hënën e vjershave të Bajronit Të ngrirë në të shtojzovalltin nusërim S'ka se si të të mos ruajë për mua Veç nganjëherë më mbushin trillet Dhe e xhelozoj edhe vetë Krijuesin Që të pa e s'u nginj me bukurimën tënde Përpara se të të pija unë në këtë kupë çmendjeje një mijë kalorës prej lulesh Kur t'i putha sytë për së pari Qepallat qanë nga malli Zjarri malit i ra vrullimë Lotnusja dogji virgjërinë Kur të zdorgja puthjen Në atë blernajë sysh Lodërtare puthja ime Herë përvidhet të të pushtojë faqen Herë te sytë prapa kthen paqen Dhe sërish fle e rritet A do të hedh kësaj vjeshte shtat A do të nisë të epshmen fushatë Me një mijë kalorës prej lulesh molla Atë pasditë të brishtë Gushti të poqi Mollën Molla në prehër të ra Dhe ti ma bëre blatë S'kish sherrin e Afërditës Veç të Evës hamgjisje kish Mbante të ngrotën e gjirit Dhe erën e pëqirit tënd Mbyllmë në këtë arkivol Molle Shegë Mos lërë vjeshtën të më zërë jashtë kataklizmi Kur të ketë rënë kataklizmi E botën ta ketë kthyer përmbys Veç mua e ty s'do të na lërë të vdesim Çmendja e të dashurimtës verë E duke qenë të vetmit të çmendur të gjallë Sërish marrëzisë do t'i ngjizim zanafillën Atëherë ti botës do t'ia qëndisësh lulet E unë qiellin do t'ia vizatoj Me sytë tu në të blertën e mëkatit Tevona te fëmijët që do të lindim Do të shumëzojmë fanitjen tonë prej engjëjsh kusarë Dhe ata do të ruajnë në kuti antikuaresh Copëra të këtij dashurimi të lashtë të kremtat e çmendjes Ti u shndërrove në zë dhe përmes telefonit Në studio më hyre Me lulet, hijet dhe shtëpinë prindërore Zëri t'u bë këngë dhe kënga Grua Gruaja atëherë më dorëzoj Ftesën solemne për të kremtat e çmendjes Sot e në një mijë vjetët e ardhshëm fundvjeshtat e perëndive Prillat bien në gracka trillane bilbilash E brezat në kurthe të të lashtës fajni Dhe bashkë ecin tutje tëhu Duke i marrë mëkatit të parë Rrudhat, psherëtimat, plakjen Dashuria atëherë tund krahët e lahurimtë Dhe në prita të reja vihet Pse të ikim me baltorët, Shegë Kur Zoti i Vendlindjes vetë hodhi firmë Të mbajmë gjithmonë këtë uniformë vegullore E të çelim prillave si lulekumbullat për shembull E fudvjeshtave si perënditë Të biem në shtratin martesor deri në pranverën tjetër privilegji Nga të gjitha lulet e shtojzovallet, Shegë Ty Zoti të dha privilegjin e Hirushes Të hysh në këtë vjershë me të pafajshmen virgjëri Në këtë varg të zdirgjesh dhe të mos plakesh kurrë Shirat të të rrisin, prillat dehjen të të mbrujnë E unë t'ia vjedh Orfeut krejt këngët për ty Dhe lyrën e artë dhe nostalgjinë për Euridikën E unë mos të të lë t'i shkosh Burrit të Mugës, zemër Se bota s'do të kish atëherë As shpleksje vallesh, as diell në kangjele Se atëherë në këtë vjershë Nëntë vjet shirat do të qëmtonin E nëntëdhjetë e nëntë vjet do të shkruaja Të zymtin rekuiem për ty ritual Ndajmë trupin nostalgjik të ditës Me nga tri telefonata E me nga gjashtë vjet pritje në mes Në fillim të të shtatit Zëri yt u çelë kangjelen Shpirtit të fjalëve Në mirëmëngjeset e shebojta Në mirëditat purpurore Në mirëmbrëmat e gjumta E kur dyshoj për prita baltorësh Çukapiku u ha ndezullinë fjalëve Telefoni kullon të lakuriqtën kujë E unë marr botën në sy Mbi të egrin kalë të xhelozisë Kur do të të ngujojë Zoti, Shegë Në gjithkahnajën time Në ç'orë do të t'i mbyllë portat pas shtatë mëkatet e zotave Zojsi me gratë e tij Ngjizën shtatë tingujt e dashurisë Me shtatë ditët e javës Dhe krijuan të yllnajtën fajni E çmendjen time e mua e Shegën E na hodhën në të dy skajet e botës E na vunë në provë me çirrjet prej zotash Gjejini gjysmat tuaja U gjetëm mbas mijëra vjetësh Dhe unë fët e fët piva Shtatë kupat e ditëve Me shtatë mëkatet e yllimshme Dhe asaj i çeli luledielli në buzë Dhe asaj i rëndoi qepallën e qara e mëkatit Si mund ta hidhja në baltë, zemër Dhuratën e shpikësve të dashurisë Që ngjalli marrëzinë biblike të Adamit Tash kam frikë se do të të vjedhin zotat Në vend të lakuriqësisë pagane Se vetë do të të pijnë në kupë E sërish nga e para do të shumëzohen Në të burbujtat orgji zanafilla e zjarrit S'është e mundur që në këta pak muaj Zemrat tona të shtrijnë mbretërinë prej prushi Nga Vendlindja në tjetrin diell të botës Ajo do të ketë qenë më e lashta rrufe Me të do të ketë filluar historia e zjarrit Më pas nga kjo prushimë, Shegë Do të kemi farkëtuar puthjen e parë E kur të ketë rënë zia e Tizbës për Piramin Ne mund të jemi murosur në dhembjen e saj Pastaj do të jemi shpërngulë në baladën shqiptare Ku Çika i shkon nuse varrit të bandillit E para vdekje e lumtur do të na ketë zënë, shpirt Në atdheun prej lulesh të Mollës së Kuqe Këtu me piramidë zemrash do të kemi shënuar Kufirin e legjendës për Shqipërinë Atëherë e tash më nuk jemi zgjuar Deri këtë verë me shtatzënësi engjëjsh Ti mbase ende s'beson, zemër Për bredhëritjen tonë mijëra vjet të gjatë Deri te ky rikarnim i të hamgjisurës puthje sfurku i hidhërimit Po të vdisje ti, Shegë Vjershën do të bëja kukuvajkë E ajo do të shpërngulte vajet Brigjeve të Drinit të Zi Po të të merrte ty Morti, shpirt Me sfurkun e hidhërimit Mes botës do të nxirrja Bjeshkën e Kujës së Madhe Po ti Mbas sa orësh, mbas sa ditësh Do të pije të harrimtën kupë shegë e trillit S'mund të rri pa të parë në fije të barit E në shkundullimë marsi me zogj e me sqotë Grua e Zjarrit S'mund ta grish zogun për gjumin tënd të prillit Pa më pasë kthyer shpirtin me qumështin e gjirit Shegë e Trillit S'mund ta dua shiun as bukurezën e verës Pa u dhënë ti vesën e të blertën e syrit Hirushe e Përrallës S'mund të rri pa të zënë në fillin e romancës E pa të vjelë zërin prej dritë trëndafili Perëndeshë e Hënës S'mund ta zgjoj kangjelen as gjethin e lisit Pa më pasë dhënë vallen për savan të varrit Shtojzovalle e Mrizit ( V i j o n ) _________ Poezite dhe vargjet e tyre kan qene te organizuar ndryshe nga autori, por ne nuk kemi pasur mundësi teknike ti publikojme ashtu si jan ne liber.
SHKRUMI I NËNËS QË E DJEG KËNGËN Ai atje në turrë të druve I mbuluar nga flakët I fundosur në pellg prushi Nuk është Giordano Bruno Është fëmija im i pambrojtur Tek digjet për së gjalli Mes krismave të drurëve në zjarr Kot e shpoi qiellin kot kërkoi zot Me klithmat e fundit Kot thirri tmerrshëm Oh Nanë O Nana ime Mua më ngulfati vrasësi serb Duke ma mbushur veshin me zë të egër Tash do ta ngjizim fëmijën tjetër Me gjakun tim Kur pushuan vrasjet Asnjë shi nuk e fshiu shkrumin tim Derisa po hyja me trishtim Në kolonën e padukshme të grave të dhunuara
Pasthënie për përmbledhjen me poezi “Në secilën dritë pak hije’’ të Anton Markut. (IWA Bogdani, Prishtinë 2019) Nga: Prof. Dr. Jeton Kelmendi Arti në përgjithësi, e veçanërisht arti poetik paraqet primesa elitash, prandaj ka shumë persona që shkruajnë poezi, ndoshta është fusha që më së shumti ka konkurrencë. Anton Marku e ka para sysh këtë çështje, prandaj e mendon mirë shkrimin e tij, e mat me kujdes dhe e thotë me konsideratë. Thjeshtë është i kujdesshëm me secilën fjalë, me secilën poezi, ndërsa ndërton fjali të shkurtra me mendime të kompresuara. Kësi soji mund të konsiderohet se hyn në grupin e poetëve që përpiqen të shkruajnë pak dhe të thonë shumë. Në letërsinë shqipe kemi disa autorë, të cilët e kishin dhe e kanë ketë formë të shkrimit si model dhe këtu duhet potencuar se Ali Podrimja ishte ai që shkruante shkurt dhe thoshte shumë. Poeti Marku mbi këtë koncept nxjerr nga vetja e tij unin e vet dhe origjinalitetin poetik, duke shkruar shkurt, madje me një pedanteri dhe pa e tepruar me shprehje dhe fraza patetike siç bëjnë disa militantë që duan me zor ta shkruajnë poezinë. Tematologjia e Anton Markut Është një larmi temash me të cilat krijon botën e tij poetike, teksa dominojnë temat përkushtuese ndaj personaliteteve të kulturës dhe historisë kombëtare, gjë që dëshmon se poeti është person i dashur dhe i afërt me të tjerët. Ai din ta do vendin e tij, ngase vërehet se ka një përkushtim suptil dhe me kujdes shkruan, për t’i sjellë ‘pranë’ vetës dhe lexueseve të tij vendin e vet me begatitë që ka atdheu. Tek poezitë përkushtim për personalitetet kombëtare, Poeti Marku shfaq një talent ndoshta më të madh dhe atë duke krijuar personifikime për personazhet, me qasjen që kishin ata në fushat e tyre të veprimit dhe duke ju dhënë fuqi drithëruese, gjithnjë me fjalë të zgjedhura dhe kujdes në shprehjen e tyre. Anton Marku është ndër ata krijues që nuk shkruan shumë në sasi dhe as në fjali nuk ndërton mendime të gjata dhe kjo nuk e bënë autorin më të pasigurt, për rrugën e tij, por i jep atij vizionin, ndjenjë dhe mendim. Jeta e secilit njeri ka kuptim nëse ajo jetohet sipas asaj që e donë njeriu, dhe kur bije fjala për jetën, nuk mund të i iket as kësaj teme. Ai i shkruan jetës, madje jo vetëm tek poezitë dedikuar drejtpërdrejtë dashurisë dhe segmenteve që ngërthen jeta, por edhe tek shumica e poezive, me tematikë të ndryshme, sepse hapërojnë nëpër vargjet e tij elemente që sendërtojnë jetën në forma dhe parametra të qasjes mbi parimin e asaj që poeti e do, ose do të donte ta kishte sipas një dëshire të caktuar. E meqenëse poezia është art që dinë dhe mundet t’i shpërfill rregullat dhe kodet e shkrimit, edhe leximi i poezisë për mua është i kësaj natyre, prandaj unë kështu e lexoj poezinë e Anton Markut, i cili ka krijuar një nivel dhe qasje të konsoliduar në ketë gjini letrare. Duke pasur në duar dhe lexuar edhe librin paraprak të Anton Markut, e kisha pak a shumë idenë se për çfarë niveli të poezisë bëhet fjalë, prandaj edhe pranova që edicioni i botimeve ndërkombëtare “IWA Bogdani”, ta botoj këtë libër me poezi, dhe kritika të merret me këtë autor, sepse paraqet vlera letrare dhe artistike. Disa nga krijuesit, sot përpiqen të shkruajnë me një qasje osciluese temash dhe konstruktesh poetike, të cilat konsiderohen si pos-moderniste, me çka jo rrallë herë arti në poezi nuk po na sjellë vlera të mirëfillta. Poeti Marku për mua mbetet poet modern, për çka i mjafton të jetë poet i mirë, mbase edhe këto duket të jenë ambiciet e autorit.
KUR VJEN E DIELA... Të hënën të dua marrëzisht, për të urrejtur të martën … prej dashnisë! Të mërkurën të dua si sytë, që të enjtën të urrej sa veten … prej syrit të keq! Të premten të dua sa jetën, për të urrejtur të shtunën – veç pak … prej xhelozisë! Të dielën... Oh... kur vjen e diela, të dua baras me Zotin dhe veten e harroj duke u lutur për Ty! 24. 04. 2018