Samstag, 6. Januar 2018

Dhjetë fabula nga Ferit Lamaj

Ferit Lamaj

Lavjerrësi

I përkundur qysh në djep,
i lëkundur cep më cep,
zhvat e shqyej e gërlep,
gjuhëzamkë e gishtagrep,
mbushur thes, dyshek e xhep,
i ndërfutur porsi xhol,
gjer të shkojë me arkivol.

Veç ahere, miqtë e mi,
do të bjerë në qetësi.



Leka

Leka ngeli pa një lek,
shtratin shet me gjithe dyshek.

Eh, medet ç'e gjet të gjorin,
kapi Zonjën me Dashnorin.

Leka keq humbet toruan:
- Shita shtratin, s'shita gruan!



Shtrat

Gjeli çohet në mesnatë,
nuk e sheh pulën në shtrat,
bëhet bishë, psikopat.

Këqyr rrotull kot më kot;
teksa kthehet, llap si rrotë:
- Ç'po lajthitem, dreq o punë!
Tani s'qenkam edhe unë...



Djali

Njëri kishte nja tri çupa.
"Boll me çupa, u mbush kupa.
Pa provoje dhe një herë,
mbase djali vjen në derë!"

Ia kthen burri mjaft serbes:
"Një në katër del kinez..."



Dashnorët

Një çift zogjsh, dashnorë të marrë,
cicërojnë mbi Bashki:
- Bulevardin "Zogu i Bardhë",
pse s'e quajnë "Zogu i Zi"?!



Nxirje

Polli buçja këtë herë
dy këlyshë blozë, sterrë.

Qen kuqali tym e flakë:
"Ububu, qenushë zezakë!

Bushtra llapën qet një pash:
"Vjet harrove, qemë në plazh..."



Gjurma e gishtit

Jam i vogël natyrisht,
ndaj dhe sot firmos me gisht.
Kur të jem sa Babi im,
do hedh firma pa mbarim.
Jo veç firma sa të doni,
po dhe vula "Dr. Dioni"!



Çaj

Te lokali sonte Fili
me feçkë pi çaj kamomili.

Luanesha dhe Bizoni
seç po gjerbin çaj limoni.

Derrit fort ç'i paska hije:
- Nja dy dopio çaj rakie!



Makina dhe Kali

Një makinë dhe një kalë
te rrugica ballë për ballë.

S'qenka kalë, qenka mushkë,
këmbëngulur rri si shushkë.

Dhe makina nuk hap udhë,
buzët shprish e ballin rrudh.

Qysh t'ia hapë, ta pret mendja:
ajo kish gomarin brenda...



Stallieri

Një stallieri me përvojë
kryemiku, hajt, t'i rrojë!

Lopët la jetim i shkreti,
sakaq zuri punë shteti.

Shef' i zyrës: - Ja, zotrote,
kjo do jetë "stalla" jote!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen