Dienstag, 9. Januar 2018
Prend BUZHALA: ESE PËR FLAMURIN E SKËNDERBEUT
(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 8
E pasur është lista e trashëgimisë së qenies sonë identitare që e trashëgojmë nga Epoka e Skënderbeut. Në këto qenësi të trashëguara, është edhe Flamuri i Skënderbeut, që sot është Flamuri Shqiptar. A kemi mundur ta përfytyrojmë shqiptarin pa shoqërinë e tij me Flamurin kombëtar? Në të vërtetë, shoqërimi i shqiptarit me Kultin e Shqiponjës (kult i shndërruar madje në Hyjni) e shoqërimi me flamurin ndër mileniume, është i hershëm. Dhe e ka konsideruar vlerë të paprekshme, për të mos thënë dhe kryevlerë, sepse e ka konsideruar dhe e konsideron si shenjën më të paprekshme, më fisnike, më të lartë e më krenare të identitetit të vet e të qenies së vet. Te flamuri ka parë dëshminë e qenies së vet kombëtare dhe devotshmërinë e dashurisë ndaj Atdheut. Nuk është e rastit pse shqiptari betimin e bën mbi flamur, ashtu sikundër dikur e bënte mbi gur, apo edhe në librat e shenjtë.
1.
Ndërkaq, dihet historikisht që flamurin me shqiponjën dykrenore e kishte perandori romak nga Iliria, Kosntandini i Madh. Perandori Konstantin ka qenë ilir. Dhe në shekullin e Konstandinit nuk ka pasur sllavë në Evropën Juglindore që sot quhet Ballkan. Sllavët nuk kanë jetuar në territoret ilire për aq kohë sa ka pasur perandori romake, sepse ata janë konsideruar fise jo-civitates (fise që nuk njohin ligjet, organizimin shtetëror, kulturën etj). Sllavët erdhën pasi u shemb rendi botëror i Perandorisë romake dhe kur u formuan perandoritë orientale. ...
Këtë flamur e trashëgoi Skënderbeu prej ilirëve. As në kohën e Konstandinit nuk ka pasur Bizant, sepse Konstandini i Madh e ka konsideruar veten perandor romak, sado që Konstandini e formoi Konstandinopojën si qendër të veten (emrin e tij e ruan Stambolli i sotëm, se fjala Stamboll nuk është fjalë turke dhe sepse Stambolli kurrë nuk ka qenë qytet otoman e turk, i cili u pushtua pas ardhjes së Skënderbeut në Krujë). Kujtesën për flamurin ilir-arbëror-shqiptar nuk arritën ta zbehin asnjë perandori, amdje as perandoria otomane.
Studiuesi Jaho Brahaj dëshmitë e para të hyjnizimit të shqiponjës dykrenore tek paraardhësit tanë, i sheh tek dëshmitë arkeologjike të truallit pellasgo-ilir, tek qerret hyjnore, të cilat i tërhiqnin shpendët të dokumentuara që në shk VI para Jezu Krishtit. Këtë e dëshmon edhe ilirologu me famë evropiane, arbëreshi kroat Aleksandër Stipqeviq, tek vepra e tij “Ilirët- historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”(Prishtinë 1990).
Kulti i Shqiponjës dykrenore është ruajtur edhe në tregimet kozmogonike, sikundër janë përrallat shqiptare me tematikë mitike “Tri jetët”, ku personazhi depërton në botën e poshtme, në këtë reale e në atë të lartën dhe ku veprimin e bartjes së personazhit nëpër jetë e përtej-jetë, e kryen shqiponja mitike (sipas Jaho Brahajt).
2.
Sipas Marin Barletit ("Historia e Skënderbeut", 1506), kalorësit e Skënderbeut gjatë fushatës së tij në Pulje, në ndihmë të mbretit të Napolit, mbanin flamuj të vegjël, të kuq me një shqiponjë të zezë dykrerëshe në mes. Ndërkaq, dihet historikisht që flamurin me shqiponjën dykrenore e kishte perandori romak nga Iliria, Kosntandini i Madh. Studiuesja Lucia Nadin zbulon simbolin shqiptar. Flamuri i Kastriotit në afresket e një kishe në Venecia Flamuri i kuq me shqiponjë, pikturuar nga Veronese, është shquar në Kishën e Shën Sebastianit. Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti. Këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Anonimi i Tivarit, 1480 (i cituar prej Biemit, faqe 23) thotë: “L’isegna di Skander begh era un’aquila negra distinta in due tete sopra campo rosso”. Domethënë: “Flamuri i Skënder Beut ish një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”.
Barleti, 1508 (fletë XV) dëshmon: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta aquilis gerebat Scanderbegus”. Domethënë: “Skënder Beu mbante flamur të kuq të shkruar me shqiponjë të zezë dhe dykrerësh”.
Lavardin-i, 1576 (faqe 42) thotë:
“Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portoi une Aigle noire a deux testes”. Domethënë: “Në flamujt e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënder Beu kishte një shqiponjën e zezë me dy krerë”.
Faik Konica në shënimin “Fiamuri kombëtar i shqiptarëve”, botuar në revistën “Albania” (15 shtator 1901), ndër të tjera shkruan: “Ngjyra kombëtare jona është e kuqja edhe e zeza; këto ngjyma të vëna bashkë janë shenji kombëtar i shqiptarëve”. Për Marin Barletin Konica thotë: “Qe shkodran dhe e kish parë me sy Skender Beun”.
Flamuri, që në krijimet e para, si frymëzim poetik, evokohet si simbol i shenjtë kombëtar, si në vjershën e Zef Skiroit: ‘Flamuri i Arbërit’: ‘Fluturo te i rimti qiell/ Shejti flamur lyer me gjak’.
3.
Perandoria otomane për pesë shekuj rresht kishte bërë përpjekje që ta shuajë kujtesën për Flamurin e Skënderbeut, si thuhej atëbotë. Kishte lëshuar dekrete mallkimesh e dënimesh drakonike kundër flamurit kombëtar arbëror-shqiptar. Kishte lëshuar dekrete me dënime të rënda po qe se dikush mbante në kujtesë a në këngë emrin e Skënderbeut. Por kujtesa popullore doli më e fortë se një perandori. Dekada e parë e shk XX ringjalli shpresën për liri. Dhe kjo ringjallje ndërlidhet me emrin e Dedë Gjo Lulit e në luftërat e tij çlirimtare kundër Turqisë.
Gjithnjë ndër shekuj Flamuri ilir-arbëror-shqiptar merr përmbajtje të re: që nga Flamuri i Shën Kosntantinit ilir, deri te Gjergj Kastrioti që ngriti flamurin në Krujë, tutje nëpër shekuj e deri te periudha e kryengritjeve shqiptare të Dedë Gjo Lulit. Nëse Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (dhe flamuri i tij kuq e zi), ndërlidhen me krishterimin ilir-arbëror-shqiptar, atëherë qenka vetë Zoti që na thotë: pa Skënderbeun e flamurin e tij, ju nuk jeni shqiptarë! Nëse në Iliri kishte përmbajtjen e kohës antike, në atë të Skënderbeut të epokës që e krijoi, tek vargjet e Nolit shqiptohet përmbajtja e re historike:
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn' e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
E meritonte Fishta këtë përkujtim të amshueshëm me flamur, sepse vetë ai kishte kënduar për Flamurin:
Porsi fleta e Ęjllit t’ Zotit
Po rreh Flamuri i Shqypnís
E thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtrís.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
4.
Shqiponja fluturimin ka në lartësi. Prandaj edhe përfytyrimet e flamurit gjithmonë lidhen me maja malesh, me zhvillime betejash. Kështu, te Kulti i Malit të Tomorit, Mbretëresha e Shpendëve është Shqiponja, si shpend i shenjtë që nuk mund të kapet me dorë. Kësaj hyjnie pagane paraardhësit tanë i kanë kushtuar edhe valle shqiponjash, si dokumenton muzikologu Ramadan Sokoli. Ndërsa në Malësitë tona që shtrihen që nga Shqipëria e Mesme e deri në atë Veriore në Mal të Zi, ky kult haset në qëndisma festive, në arka nusesh, , në eksponate të vjetra arkeologjike, etnografike e historike, në varreza tumbare a të kultit religjioz, në kallëzime e në legjenda. Këto rite e kulte pagane të Shqiponjës u bartën edhe tek religjioni i ri, i krishterë. “U unifikua festa pagane e kultit të majave të maleve...Format e dekorimit të mblatave” me shqiponja, hasen edhe tek simbolet krishtera, ku një kryq haset në mes të shqiponjës dykrenore.
Mbi të gjitha, ky Flamur,. Që ntga Epoka kastriotiane, është identifikuar gjithmonë me kryemerin tonë historik, me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
5.
Festat shqiptare nuk mund të përfytyrohen pa flamurin kuq e zi.
Dasmat shqiptare në Kosovë nuk përfytyrohen pa flamurin shqiptar.
Me ta mbulohen trupat e dëshmorëve dhe arkivolet e të shkuarve tanë në amshim.
Më 1908, Kongresi i Manastirit shënoi një kryevepër kombëtare e historike, që, shqiptarët (pa marrë parasysh besimin), pas pesë shekujsh, përsëri e zgjojnë brenda vetes kujtesën europerëndimore, duke përzgjedhur për alfabet të vetin shkronjat latine...kthimi kah Perëndimi! Më 1912, kur në Vlorë u ngrit ky Flamur, i anatemuar për pesë shekuj, përsëri ndodhi një rikthim tjetër: hedhja poshtë e simboleve orientale, otomane e aziatike dhe përqafimi i simbolit kombëtar me shenjë europerëndimore.
Aty, në rrëfanën e Flamurit, lidhen edhe kryemra shqiptarë, që nga Skënderbeu, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri... e deri te Adem Jashari!
Ai mbetet ende ideal kryeshqiptar: për bashkim, qytetërim, civilizim europerëndimor.
Kryeshenjë e identitetit shqiptar.
Kthimin gjithmonë te burimi, tek rrënjët...
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen