Viron Kona |
“I kam zgjedhur miqtë e mi,
n`vështirësi, brenga,gëzime,
s`ka, or s`ka, them, si ata,
bashkë ndajmë edhe thërrime”.
Autori
-Po ia afroheshim Gosës së Kavajës, kur befas një polic na doli përpara dhe ngriti tabelën:Ndal!
-Po ky ç`ka?! – pyeti i habitur Haliti që ngiste makinën dhe që ishte dhe pronari i saj. Ishim të dy mësues dhe shkonim për një seminar përvoje në Rrogozhinë. Ndërsa polici po afrohej, Haliti pa shkarazi nga unë dhe befas klithi:
-Po ti se paske vënë rripin e sigurisë! Bobo, ç`na bëre!
Vetëm atëherë e pashë që nuk e kisha vënë rripin dhe u ndjeva fajtor.
-Do ta paguaj unë gjobën, - i thashë kolegut tim. Polici u afrua nga ana e shoferit, përshëndeti dhe tha:
- Ju lutem, patentën!
-Ka ndonjë problem shef? - i tha Haliti me një zë miqësor.
-Po, zotëria që ke përpara nuk ka vënë rripin e sigurisë.
-Ke të drejtë, po deshe na falë, jemi mësues ! - iu lut Haliti si i përvuajtur.
-Patentën! – foli prerë polici dhe nxori fletën e gjobave.
-Si të duash shef, - tha Haliti tashmë me gjysmë zëri duke nxjerrë patentën. Ndërsa polici po kryente veprimet e tij ligjore, po e shihja me vëmendje. I kishte kaluar të gjashtëdhjetat, si të thuash polici i vjetër në prag të pensionit.
Kur ai plotësoi fletën e gjobës, më shkuan sytë te emri i tij: Sadedin.
-Juve ju quajnë Sadedin? - e pyeta.
-Po, emrin e kam shkruar edhe në fletën e gjobës, ke ndonjë pakënaqësi, zotëri? - pyeti ai.
-Jo, s`kam ndonjë gjë për gjobën, thjesht më shkoi mendja t`ju pyes për diçka, por, druaj se mos po duket sikur po përpiqem të shmang dënimin...
-Mund ta bësh pyetjen, - tha polici.
-Jeni nga kjo zonë?
-Po, nga një fshat këtu afër, por me shtëpi banoj në Rrogozhinë.
-Faleminderit, - i thashë dhe shtova, -Shumë vite më parë kam njohur rastësisht një person me emrin Sadedin. Ne sot do të jemi në Rrogozhinë për një seminar, nëse ju jeni i lirë pasdite, ju ftoj ta pimë nga një kafe, si thoni?
-Po më fton për kafe vetëm se e kam emrin Sadedin?
Buzëqesha me humorin e policit.
-Emri juaj më kujton diçka me rëndësi dhe...
-Aty do të jem pasdite, - tha polici, - sa për rripin e sigurisë, në radhë të parë vendosja e tij është për të mirën tuaj...Kurse, gjoba do t`ju shërbejë si një kujtesë e përhershme që të mos gaboni më.
-Ke të drejtë, - pranova unë.
-Qe për të bërë dhe kjo! - i thashë kolegut tim Halitit dhe vijuam udhëtimin. E hoqa shpejt mendjen nga gjoba dhe po shihja me vëmendje mjedisin rreth e përqark. Rrogozhina kishte mbetur, thuajse po ajo qytezë e shumë dekadave më parë, madje, tani, edhe disi e mënjanuar, si një xhep për shkak se autostrada kalonte në periferi të saj. Dikur ishte e njohur veçanërisht si qendër e rëndësishme hekurudhore, ku ndalonte gjithë Jugu i vendit. E ndërtuar buzë lumit Shkumbin, ajo ndan thuajse në mënyrë të barabartë Jugun me Veriun. Edhe në lashtësi ka qenë një qendër e banuar, sepse aty kalonte rruga “Egnatia”, ose siç quhej atëherë “Rruga Mbretërore” që niste nga Roma dhe shkonte deri në Kostandinopojë...Madje, kisha lexuar se tek vendi i quajtur “Dy çesmet” thuhej se dikur kishte pirë ujë edhe vetë Cezari...Por, mua më kishte mbetur në mendje edhe fakti se në atë qytet kishte kaluar Ismail Qemali kur do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, në vitin 1912...
Sapo mbaruam seminarin për arsimin dhe po shija rreth e përqark, kur dikush më preku në sup. Njoha polic Sadedinin, tashmë të veshur civil.
-Shërbimin e mbarova, kështu që jam i lirë ta pimë kafen, - tha ai me dashamirësi, duke na dhënë dorën mua dhe kolegut tim Halitit. Teksa na drejtoi tek një lokal në qendër të qytetit, ai befas ndali dhe i thirri dikujt: - Shpëtim, o Shpëtim!
Drejt nesh erdhi një burrë rreth të tridhjetë e pesave, të cilin e kisha parë në seminar.
-Ju prezantoj me tim bir, - edhe ky është mësues si ju, jep mësim në një shkollë fshati.
-Ishim bashkë në seminar, - i thashë Shpëtimit dhe i shtrëngova dorën. Kështu bëri edhe Haliti.
-Gëzohem që njihemi më nga afër, - tha Shpëtimi dhe duke më parë drejt e në sy, tha: -Juve folët në seminar, dhatë përvojën tuaj, por po ato probleme thuajse i kemi edhe ne. Fjala juaj, si mësues i vjetër, u ndoq me interes.
-Faleminderit! - i thashë duke e parë me dashamirësi.
Shpëtimi ishte i qeshur dhe miqësor, i veshur bukur dhe me shije, një kravatë blu zbriste bukur në këmishën e bardhë.
-Po ju, nga u njohët? - pyeti ai, duke parë nga ne dhe nga babai i tij polic.
-Eh, ishte një njohje jo e këndshme, por, i ka puna edhe këto! - tha Sadedini.
-E kisha unë fajin, - thashë, - duhej ta kisha vënë rripin e sigurisë, kështu që e meritova një gjobë të mirë. Erdha gjoja për të dhënë mend e mia dhe po kthehem me mendtë e të tjerëve...
Si vendas që ishin, Sadedini dhe biri i tij Shpëtimi, e ndjenë për detyrë të na prezantonin qytetin. Nga biseda mbaj mend shpjegimin e emrit Rrogozhinë, i cili vjen prej rrogozit, që është një thurje e zhukës së kallamit e që shërben për izolimin e lagështisë, por që në kushtet e varfërisë përdoret edhe si shtroje.
-Çfarë ka të veçantë Rrogozhina? - pyeti kolegu im Haliti.
-Dikur, - shpjegoi Sadedini, - ka pasur një uzinë të zhveshjes së pambukut, ku vinte pothuajse i gjithë prodhimi shqiptar i pambukut, por tashmë ajo ndërtesë është shndërruar në një burg të njohur dhe të madh...Ka qenë edhe një ndërmarrje e Vaj-Sapunit, që tani është shndërruar në depo të çimentos greke...Në qytet zhvillohet një nga pazaret më të mëdhenj të gjësë së gjallë, dita e pazarit është ditë feste...
-Kam dëgjuar se këtu kanë ardhur dhe kanë banuar shumë grekë? - tha Haliti.
-Po, ata erdhën këtu në fundin e viteve 40-të, - u përgjigj Shpëtimi, - ishin partizanë grekë së bashku me familjet e tyre. Ishin të dënuar me vdekje nga Junta fashiste greke. Populli i Rrogozhinës i priti me ngrohtësi dhe ata bashkëjetuan për afro 20 vjet në harmoni të plotë derisa u larguan nga mesi i viteve 60-të. Vendi ku ata jetuan edhe sot mban emrin “Te grekët”. Pas viteve 90-të shumë prej tyre erdhën në Rrogozhinë për të ripërtërirë miqësitë me shqiptarët...
-Po komuniteti çam, është i madh?-e pyeta Sadedinin.
-Po, çamët përbëjnë komunitetin më të madh. Shumica e tyre banon në lagjen që mban emrin “Miqësia”. Çamët erdhën këtu në vitin 1944, të dëbuar nga grekët, por këtu gjetën një vëlla pritje të shkëlqyer. Madje, Rrogozhina është shembulli më tipik i harmonisë midis banorëve vendas dhe të ardhurve.
-Mbaj mend që prej këtu ka dalë edhe një nga grupet e njohura folklorike çame, - ndërhyra unë, - Ai grup u bë i njohur sidomos me këngën e famshme kushtuar Çelo Mezanit1).
-Ajo këngë është vlerësuar si një simfoni botërore, - plotësoi Shpëtimi. - Ne e këndojmë shpesh edhe sot, sidomos në shtëpinë tonë, pasi unë e kam nusen çame.
Kur u vendos një heshtje e shkurtër, Sadedini u drejtua nga unë:
-Po, hë, ç`ishte ajo veçanta për të cilën doje të më pyesje?
I pashë në sy me dashamirësi të dy miqtë e rinj, babë e bir.
-Më shumë se pyetje, ajo që dëshiroj t`ju them është një peng imi i vjetër. Kam vite që nuk e heq dot nga mendja, sa herë kaloj këtej. Atëherë punoja në Vlorë dhe kisha në dispozicion makinë dhe një shofer, Foto, e quanin 2). Ai ngiste një gaz kinez BÇ, makinë e përhapur në atë kohë. Atë mbrëmje, ishte viti 1980, ktheheshim nga Tirana, ku unë kisha marrë pjesë në një mbledhje me temë mbrojtjen e vendit. Atje u diskutua më shumë për bunkerët dhe mirëmbajtjen e tyre. Në mbledhje ndodhej edhe Kryeministri i vendit i asaj kohe, i cili ishte Kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë... Kur m`u dha fjala dhe nisa të flasë për një nismë të nxënësve të Shkollës së Mesme Tregtare të Vlorës, të cilët i kishin konsideruar qendrat e zjarrit (bunkerët) si “Shtëpi të dyta”, ai, Kryeministri, befas më ndërpreu dhe nisi të shprehte zemërimin e tij për ato raste kur bunkerët, në vend të objekteve për mbrojtjen e atdheut, shërbenin si WC publike...
Normalisht, pas ndërhyrjes së tij, unë duhej ta ndërprisja fjalën time, të thosha “faleminderit!” dhe të ulesha në vend, por, disi me kokëfortësi vazhdova diskutimin ku e kisha lënë. Ky veprim e nervozoi Kryeministrin, megjithatë ai e mbajti veten dhe më lejoi që ta çoja deri në fund fjalën time... Kur u bë një pushim 15 minuta, vura re se shumë kolegë dhe të njohur të mi bënin çmos të më shmangeshin, s`donin të binin në sy që po bisedonin me mua: “Ti qëndrojmë larg këtij!”, “Tashmë e hëngri dhe ky!”, “U bë kartë e djegur!”...Mbase ata mendonin se, pas komunikimi tim me Kryeministrin, që ishte i ashpër, unë do të kisha pasoja. Kjo edhe për faktin se, atëherë, tema e bunkerëve ishte e ditës. Për të justifikuar sasinë e madhe të tyre, thuhej se ato ndërtoheshin për të garantuar një mbrojtje të sigurt të vendit. Mbaj mend që, atëherë, një miku im përkthyes, i cili shoqëronte turistët e paktë që vinin aso kohe në Shqipëri, më ndali një ditë dhe më tha:
-Turistët e huaj që shoqërojë, më pyesin shpesh herë për bunkerët: pse kemi ndërtuar kaq shumë dhe a nuk përbëjnë këta bunkerë një kërcënim për fqinjët? Si t`u përgjigjem, çfarë t`u them kur më pyesin? - më kërkoi mendim miku im përkthyes. Heshta një çast dhe i thashë:
-U thuaj atyre që pyesin se, këta bunkerë nuk kanë as këmbë dhe as rrota, ata nuk lëvizin, por janë ndërtuar vetëm për të mbrojtur vendin. E, ndërsa miku im u largua disi i kënaqur se, gjithsesi e kishte një përgjigje, unë mendova atë që u shkonte në mendje atëherë edhe shumë të tjerëve: ata bunkerë, më shumë se sa për të përballuar një sulm të mundshëm të superfuqive, bëheshin për të trembur dhe mbajtur në gjendje tensioni dhe alarmi të vazhdueshëm vet popullin shqiptar, ndërtuesit e tyre...
Kur nisëm rrugën e kthimit për në Vlorë, shqetësimi dhe nervozizmi nga ajo mbledhje, që mund të ishte me pasoja për mua, po më shoqëronte edhe gjatë udhëtimit dhe, për shkak të asaj gjendje shpirtërore thuajse nuk flisja fare në makinë. Edhe shoferi, Fotoja, i cili ma njihte mirë tipin prej disa vjetësh, por që njihte edhe karakterin tim të ndjeshëm, thuajse nuk më trazonte, por, me heshtjen e tij më linte të “bashkëbisedoja” me veten. Kur sapo kishim kaluar fshatin Gosë, befas, në errësirën e thellë, nëpërmjet dritave të makinës dalluam një çift burrë e grua, që na u lutën me lëvizje të duarve t`i merrnim në makinë...U pamë në sy me shoferin dhe, ashtu në heshtje vijuam rrugën. Shumë njerëz ngrinin dorën gjatë rrugës, s`mund të ndalonim në çdo rast...Por, siç e pohuam dhe vetë më pas, të dy mendonim se nuk bëmë mirë që i lamë pa marrë ata që kishin dalë në rrugë, mbase kishin ndonjë hall dhe, ne, duhej t`i ndihmonim. Dhe, si ta kishim bërë me fjalë, sapo unë hapa gojën dhe shfaqa pendesën se “duhej t`i kishim marrë ata të dy”, shoferi, Fotoja ndaloi makinën, e kthehu në mes të rrugës dhe, pasi përshkuam rreth 300-400 metra, pamë se ata po ecnin në këmbë, por me shumë mundim...Dukeshin që ishin në hall. Fotoja hapi derën e makinës dhe i ftuam të hipnim. Ishin burrë e grua, të dy të rinj...
-Për ku jeni?
-Për në spitalin e Kavajës, gruaja është shtatzënë por e kapi një dhimbje e papritur dhe…
-Shpejt e në spital! - i thashë Fotos.
Duke bashkëbiseduar, burri shpjegoi se ishin nga një fshat aty afër rrugës, se gjendja shëndetësore e gruas kishte shkuar mirë deri ato kohë, por befas e kishin kapur dhimbje të forta...Faleminderit shumë juve, faleminderit! - përsëriste burri, por edhe gruaja e cila herë - herë rënkonte nga dhimbjet...
-Kaloi dhe një makinë përpara jush, por nuk na mori...Ajo shkonte drejt Jugut, por, për ne njëlloj ishte, si në jug si në veri, mjaft që të shkojmë në një shtëpi lindje...
-Ne kaluam, por nuk e dinim se e kishit këtë hall, ju morëm për udhëtarë të zakonshëm...
-Ah, ishit juve?Ju po shkoni në Vlorë dhe ...u kthyet për ne...?!
-Po, por këtë duhej ta bënim që në fillim...Ja, Kavaja afër është.
Burri vijonte të na falënderonte, ndërkohë që i ishim afruar spitalit. Menjëherë dolën dy infermierë dhe e morën gruan me barelë. Mjeku i urgjencës, gjinekolog, sapo pa gjendjen e gruas urdhëroi të bëhej gati salla e operacionit...Ai tha se e kishim sjellë në kohë, se çdo vonesë tjetër do të kishte pasoja për jetën e gruas dhe të fëmijës...Ndërkaq ai e siguroi bashkëshortin e gruas se gjithçka do të shkonte mirë...
Ne uruam një lindje të shëndetshme dhe u larguam. Ditën tjetër unë mora në telefon nga zyra dhe më thanë se gruaja kishte lindur...
-...Djalë! – plotësoi fjalët e mia polic Sadedini, i cili, kur unë tregoja, ai sa s`mi përpinte fjalët dhe dukej tepër i mallëngjyer, ndërsa këmbente herë-herë shikime me birin e tij.
–Ja ku e keni, - vijoi ai i qeshur, duke treguar të birin, - edhe emrin Shpëtim ia vumë në kujtim të asaj ngjarje...Ju ma shpëtuat djalin, gruan...Çfarë takimi i mrekullueshëm...!
-Shtrënguam duart me njëri - tjetrin dhe s`po e mblidhnim dot veten nga emocioni.
-Kaq është Shqipëria, e vogël, fare e vogël, asgjë nuk kalon pa u ndjerë...
Babë e bir buzëqeshnin. Ishin vërtetë momente që të linin pa fjalë, por, fundja, ç`duheshin fjalët...
-Më vjen mirë, shumë mirë që u njohëm me ju, - tha Shpëtimi, - Babai dhe nëna e kanë përmendur shumë herë këtë ngjarje, e thonë sa herë bie rasti apo dëgjojmë të flitet për Vlorën...
-Ne duhej të kishim ndaluar sapo ju pamë, që herën e parë, - thashë me një ndjenjë faji.
-Jo, - tha polici, - ju e bëtë, ju u kthyet nga rruga për ne...Por, edhe unë, pas lindjes së tim biri, duhej të isha interesuar ca më shumë, të vija në Vlorë dhe t`ju takoja, të njiheshim më mirë...
-Po, por ne nuk është se të lamë ndonjë adresë,-i thashë.
-Adresë apo takim nuk lamë, por ja që ti më kërkove dhe më gjete!-tha Sadedini me mirësi.-Këtë duhej ta bëja edhe unë, madje edhe me parë...
-Më mirë vonë se kurrë! - tha kolegu im Haliti. -Mbase duhej gjoba që ne të njiheshim.
Polici buzëqeshte. Ishim ende ne euforinë e emocionit, i cili na kishte përfshirë si një drethkël me lule, që i qepet dhe i përdridhet fort trungut të një lisi...
-Më vjen keq që e vura atë gjobë! - tha polici i menduar.
-S`ka gjë, - i thashë duke i shtrënguar krahun miqësisht, - ajo gjobë nuk na ndau, përkundrazi na bashkoi më shumë, u bë shkak që ne të rinjiheshim...
-Po ai, shoku juaj, shoferi, Fotoja, më duket se kështu ia thatë emrin...?
-Ah, ka vite që nuk jeton më, - i thashë Sadedinit me keqardhje të thellë. -Por, - vijova, -ai ishte një njeri i rrallë, i tillë ishte edhe si shofer. Ishte nga fshati Palas i Vlorës, i cili qysh atëherë quhej “fshati i shoferëve”, sepse çdo shtëpi kishte nga një shofer, kurse Fotoja ishte më i miri ndër të mirët... Mbaj mend që, sa herë që unë shkoja në mbledhje të gjata, ai kishte lejë të bënte ndonjë punë të tij, por ai tundte kokën, më thoshte “pa merak” dhe, pasi vishte një palë kominoshe ngjyrë gri, hapte kapakun e makinës dhe i bënte shërbime...Ajo makinë s`pati asnjëherë defekt, nuk na la asnjëherë në rrugë, madje as edhe një gomë nuk u bë gjatë udhëtimeve, ndonëse ne udhëtonim shpesh herë në rrugë të vështira...
Ndërsa unë flisja me dashuri për Foton, polici më ndiqte me mirësi dhe me shikim ëndërrimtar. Një çast, ai dhe i biri, Shpëtimi, këmbyen vështrime me njëri-tjetrin, diçka pëshpëritën mes tyre dhe pas kësaj, Shpëtimi tha:
-Edhe unë me babanë dëshirojmë t`ju themi diçka të veçantë.
-Me kënaqësi, - i thashë.
-Gruaja ime, - tha Shpëtimi, - ka vetëm tre ditë që ka lindur një djalë buçko, pas fëmijës së parë që e kemi vajzë... Ende nuk ia kemi vënë emrin djalit. Duke bashkëbiseduar tani me babanë, ramë në një mendje që, nëse je dakord, djalit t`ia vësh ti emrin. Edhe sime shoqeje me siguri që do t` bëhet shumë qejfi,pasi, edhe ti, - m`u drejtua ai mua, - edhe shoferi, i ndjeri, Fotoja, jeni edhe shpëtimtarët e mi dhe të nënës sime...Të lutem, prano të jesh kumbari ynë... Si thua? - m`u drejtua ai me një zë ku ndihej sa ankthi, por dhe dëshira që unë të mos ia prishja.
-Të lutemi ta pranosh këtë nder, - tha edhe Sadedini, - të gjithëve në shtëpi do t`u bëhet qejfi...
-Ndihem vërtet i nderuar, - i thashë buzagaz dhe i mallëngjyer, - por unë nuk kam vënë emër ndonjëherë...
-Gjithnjë ka një herë të parë, - tha kolegu im Haliti.
-Vëri emrin që dëshiron, - tha Sadedini, - ne duam që të jesh ti kumbari i nipit tonë.
Ndenja pak çaste i menduar, ata më shihnin në sy dhe prisnin...
-Nuk di se si do t`ju duket, por unë them t`i vëmë emrin e mikut tim dhe tuajit, që sot nuk e kemi më, do më pëlqente ti vinim emrin Foto, si thoni?
-E po, ja, e ringjallëm Foton e mirë dhe të dashur! -tha polici.
-Ta gëzoj emrin djali! Qoftë me jetë të gjatë! - thirri kolegu im Haliti.
Shpëtimi porositi për të gjithë nga një raki dëllinje, e cila, siç na tha, është pije karakteristike e Rrogozhinës.
-Për mua jo raki, por pije freskuese, sepse, ndryshe, do të marrë gjobën e dytë! -tha Haliti gjoja serioz dhe, duke parë nga polic Sadedini, vijoi: -Kam dëgjuar se kur një shofer pi raki dëllinje, gjoba është disa herë më e madhe!
-Mos e zgjat më tej se do të fluturojë patenta! - i tha Sadedini.
Të gjithë qeshëm me humorin e krijuar aty për aty dhe trokitëm gotat.
Shihnim njëri - tjetrin me gaz dhe ndiheshim mirë. Ishte një gjendje shpirtërore që na kishte përfshirë të gjithëve, një gjendje shpirtërore e magjishme, mallëngjyese, e gëzuar...Jeta, po thosha me vete, jeta! Çfarë nuk sjellë, edhe të papritura, edhe vështirësi, edhe...gjëra kaq të bukura! Mendoja këto i zhytur në kohë, duke kujtuar me respekt miqtë e mi të mirë, veçanërisht Foton, por edhe shumë miq dhe kolegë të tjerë me të cilët kisha kaluar vështirësi të shumta në punë dhe në jetë...
Isha përfshirë në përfytyrimet që më zgjuan ato çaste, kur Sadedini më preku pakëz në bërryl dhe më tha se, pas një jave, unë dhe kolegu im Haliti, jemi të ftuar në familjen e tyre për të festuar emrin e nipit të dashur...-Do ta tundim, hë, si thoni...?
1). Kënga e Çelo Mezanit është një këngë popullore shqiptare polifonike, vlerësohet si kënga më e mirë e çamëve. Është e kompozuar në periudhën e rilindjes sonë kombëtare, por u bë e njohur veçanërisht pasi u këndua në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës(1973,1978) nga grupi i Rrogozhinës. Kjo këngë zgjoi më tej interesin dhe vëmendjen për vlerat shqiptare të Çamërisë dhe të historisë së saj...Çelo Mezani ishte një kaçak, luftëtar, i cili jetoi nga fundi i shekullit të 19-të dhe luftoi kundër osmanlinjve. Në këngë përshkruhet veçanërisht momenti i rënies heroike të Çelo Mezanit, i cili u vra duke mbrojtur vatanin: Aman doli djelli në Malavire/ Qisi Çelua në Harile/ Hajde Hajde, Qisi Çelua në Harile /Qisi Çelua në Harile/ Për të shkretën Pajgorile/ Aman Aman, për të shkretën Pajgorile/ Mu te pusi i Sulejmanit/ Pusin e Çelo Mezanit/ Aman Aman, pusin e Çelo Mezanit/Kur na ra martinë e parë/ Çelua na ktheu surranë/ Aman Aman, Çelua na ktheu surranë/ Kur na ra martinë e dytë/ Çelua gremisi sytë/ Aman Aman, Çelua gremisi sytë/Kur na ra martinë e tretë/Çelua u vra me të vërtetë/Aman Aman, Çelua u vra me të vërtetë/Vanë nënës e ja thanë/Se Çelon e kanë vrarë/Aman Aman, se Çelon e kanë vrarë/Mos më thoni këtë fjalë/Se Çelon e kam të gjallë/Aman Aman, se Çelon e kam të gjallë....
2).Bëhet fjalë për mikun tim Foto Billa, shoferi i njohur vlonjat me origjinë nga Palasa, që punoi shofer në Vlorë deri në fund të jetës së tij.
P.s.: Emrat e përdorur në tregim janë emra imagjinarë (I vërtetë është vetëm emri Foto).
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen