Donnerstag, 20. Juni 2019

Bexhet Asani: Një mësimdhënës i harruar me varr të vandalizuar

Bexhet Asani

NJË MËSIMDHËNËS I HARRUAR ME VARR TË VANDALIZUAR

(Dr. Ali Vishko 1930-2009)

Prof. dr. Ali Vishko u lind në vitin 1930 në qytetin piktoresk të Strugës. Tërë jetën e tij punoi në Tetovë dhe në Shkup, për të arsimuar dhe edukuar gjenerata e gjenerata të rejash e të rinj në Maqedoni. Përveç procesit edukativo-arsimor ai u mor edhe me shkencë. Veprat historike që i ka lënë popullit shqiptar trashëgim janë të një niveli të lartë shkencor. Ai ishte një orientalist dhe njohës i shkëlqyer i osmanishtes. Ishte një njeri me biografi të pastër si loti. Kurrë nuk u gjunjëzua para organeve të UDB-së jugosllave. Meqë përmenda UDB-në famëkeqe, prof. Aliu leçiti, e largoi publikisht, një familjar të tij vetëm e vetëm se ishte bashkëpunëtor i organeve të sigurimit. Dhe nuk e pranoi si të afërm të tij gjersa shkoi në amshim. Për këtë leçitje ai rrezikoi karrierën e tij, si ligjërues universiteti, por tërë nuk ia bëri syri. Punoi me ndershmëri gjer në fund të jetës. 
Pasi doli në pension, kryesisht vitet e pleqërisë i ngrysi në vendlindjen e tij të dashur, në copëzën e parajsës strugane. Në këtë kohë e kam njohur për së afërmi profesor Ali Vishkon. Pothuaj ditë për ditë takoheshim dhe uleshim te një kafene në qendër të qytetit aty afër ëmbëltoreve “Dredhëza”. Ai gjithmonë mbante në sqetull disa gazeta e revista. Preferonte të pinte makijaton. Bisedonim me orë të tëra për shkencë e rrallë për politikë. Ishte i gatshëm të përgjigjej për çdo pyetje rreth studimeve të tij. Kohët e fundit kishte bërë një studim për kultet fetare në rajonin e Ohrit dhe të Strugës. Një studim i thukët nga një osmanolog i shkëlqyer. Ai kishte shkruar edhe për xhaminë kontestuese nga disa qytetarë të krishterë të Ohrit, për xhaminë Ali Pasha, në qendër të qytetit. Për inaugurimin e së cilës flitet dhe shkruhet nëpër portalet elektronike se do të vijë kryetari i Turqisë Taip Erdogan...!
Në Strugë ai respektohej nga intelektualët struganë dhe nga të gjithë qytetarët që e njihnin. Për një kohë nuk doli profesor Aliu te kafeneja e tij e preferuar. Dyshova se nuk do të ishte mirë me shëndetin! Profesor Ali Vishko i përkiste sektit bektashian. Në Strugë ka shumë pak familje të sektit bektashian. Meqë janë pak në numër ata nuk kanë teqe, për t’ i kryer rritet fetare. Si iu rëndua shumë shëndeti ai vendosi që ditët e fundit, si bektashi që ishte, t’ i kalonte në Teqenë Harabati Baba të Tetovës. Dëshira e fundit e prof. Ali Vishkos sipas dervishit: - Të më varrosni këtu nën hijen e blirit..!” Amanetin e mbajti dervishi. Ai u varros aty sipas dëshirës së tij.
Në gusht të vitit 2017 bashkë me delegacionin e Lnshpa “Pegasi” Albania, prof. Kristaq Shabani, Engjëll Shametaj, Aleksandra Shabani, Vladimir Lulaj dhe unë, delegacionin e udhëhiqte prof. Kristaq Shabani qëndruam në Tetovë. Ata kërkuan nga unë që të shkonin e të vizitonin ndonjë monument kulture apo vend historik. Unë aty për aty pa u hamendur vendosa që të shkonim e ta vizitonim Teqenë Harabati Baba. Të gjithë ishin dakord me këtë propozim. Hymë në kompleksin e teqesë. Pas disa minutash erdhi dervishi udhëheqësi i teqesë z. Avdyl Mutalip Beqiri, na futi brenda në dhomën e pritjes. Pasi na uroi mirëseardhje, ia shtruam vendçe bisedës. Unë e dija se bektashinjt nuk e kanë të ndaluar rakinë, dhe mysafirët që i kisha me vete ata e pinin rakinë. Si shoqërues i tyre më takonte mua që të kujdesesha për ta. I them dervishit do ta ngrejmë ndonjë dolli!? Ai vazhdoi bisedën si duket nuk më dëgjoi mbase fola ngadalë e me zë të ulët. Miku im ma bëri me shenjë lëre tani..! Pasi u ndalë dervishi i them përsëri: - Do ta ngremë dollinë apo jo..!? – Po si jo... – U ngrit në këmbë dy metra burrë dervishi, bile na kërkoi falje pse nuk na kishte thënë që në fillim të bisedës. 
Dervishi u kthye me një shishe raki të përzier me arra të njoma dhe me një tabaka me gotat e rakisë dhe me një gotë të madhe me lëng molle. E mbushi gotën me raki dhe ma drejtoi mua. Jo, jo mua atyre, ata e pijn, unë për ta e kërkova, ja do ta marrë këtë lëngun e mollës. Si u mbushën gotat e ngritëm dollinë. “Vetë e kam zier rakinë edhe lëngun e mollës vetë e kam bërë” - tha dervishi. Rakinë e lëvduan miqtë e mi kurse unë e lëvdova lëngun e pastër të mollës që më freskoi në atë vapë të gushtit. Që ta përmirësonte shtyrjen e ngritjes së dollisë, dervishi ia dha shishen e rakisë miqve, nga Gjirolastra që ta mirrnin me vete. Dervishit i dhashë dy librat e mi “Optika letrare” (2017) dhe “Hyjnia e syve” (2017). U habita dhe njëherit më erdhi mirë kur dervishi i Teqesë “Harabati Baba” të Tetovës, Avdyl Mutalip Beqiri bekoi librat e mi!

Duke bërë dua me dervishin e teqesë Harabati Baba, para varrit të prof. Ali Vishkos
Kërkova nga dervishi që ta vizitonim dhe të bënim homazhe te varri i prof. Ali Vishkos. Po tha dervishi pasi të mbarojmë bisedën do të shkojmë ta vizotpjmë varrin e prof. Ali Vishkos, por ende nuk e kemi rregulluar si duhet. Dervishi na tregonte se ditën që e kishin varrosur Ali Vishkon, ai kishte ikur nga Kompleksi i teqesë sepse disa ditë me radhë e kërkone policia. Pse: E pyeta unë. Nuk duhej që ta varrosnim këtu Aliun! Pse nuk duhej, ai ishte një intelektual i madh dhe një bektashi i devotshëm! Një javë i gjori dervish ishte fshehur që të mos e arrestonin shkaku i varrimit të prof. Ali Vishkos dhe më në fund e kishin lënë të qetë. Bëmë një dua para varrit të prof. Ali Vishkos, që i ndrittë shpirti nur. 
Në portalin “Maqedoniashqiptare.com” lexoj një shkrim që më tmerroi, me titull: PËRDHOSJA VANDALE E VARRIT TË PROF. DR. ALI VISHKOS NË KOMPLEKSIN “HARABATI BABA TEQE! 
“Me iniciativën e OJQ,”Nisma’68”, pas shumë e shumë peripecish u arritë që më 12.06.2019, në dhjetvjetorin e vdekjes të përkujtojmë këtë mësues të popullit, viganin e historisë kombëtare… Ai tërë jetën e tij më vitale ia kushtoi arsimit shqip në gjimnazin e Tetovës dhe në themelet e Universitetit të Tetovës në kohëra shumë të egra për shqiptarët. Janë qindra e mijëra nxënës e studentë që sot me mburrje thonë se janë produkt i prof. Vishkos…
Dhjetë vite për ndalesa banale, varri i tij ngeli i pamirëmbajtur. Ka patur iniciativa nga një grupi qytetarësh që A.Vishkos t’ i bëhet një varr monumental ashtu siç e meritonte. 
Kjo u prolongua me arsyetimin se konpetentët e “Harabatit” atë do ta bëjnë sipas arkitekturës të varreve të Teqes së “Harabatit”…
Meqë atëherë deri me 12 qershor 2019 nuk u ndërmorë asgjë, me gjasa reale që mos të ndërmerret asnjëherë, Shoqata “Nisma ’68” me përkrahjen e UT-së, studentët, arsimtarët dhe qytetarët e disa qyteteve shqiptare e përkujtuan dhjetë vjetorin e vdekjes së tij. Varrit të rrënuar pa asnjë shenjë i mbuluar nga kullosa, iu dha forma e kornizuar identifikimi.
Në vend të pllakës përkujtimore prej mermeri (të përgatitur që më parë), si zëvendësim u vendos pllakë metalike që qëndronte e ngulur, siç thuhet, as në tokë e as në qiell. Kjo u bë që të respektohet vendimi i ndalesës administrative i masës së përkohshme…
Nga ana e iniciatorit ”Nisma’68” kjo masë u respektua. Varrit iu dha vetëm forma që i duhet. Rreth varrit, u mbollën lule të freskëta dhe simbolikisht pjesëmarrësit mbi të vunë 79 gurëz aq sa vite jetoi.
Për këtë njohtuam Myfteninë e Tetovës e cila me shkrim na u përgjigj se mundemi ta mbajmë këtë përkujtim, por duke respektuar “ligjet positive (?!)…
Manifestimi ishte ashtu siç e meritonte prof. Ali Vishko.Të gjithë u çliruam nga ajo barrë e turpit që Tetovën dhe tetovarët i rëndonte këto 10 vite…
Një nismë e shkëlqyer e Shoqatës “Nisma ‘68” por ç’ do të ndodhë një ditë më vonë, në natën e kobshme të “13 qershorit 2019 varri i prof. A. Vishkos ishte i rrafshuar me tokë. Vandalët gjatë natës kanë patur aq kohë, jo vetëm mos të lënë asnjë gjurmë, por edhe të sumojnë edhe eshtrat e të ndjerit(?!).Vandalët padyshim kanë urdhëruesin e tyre,kapedanin. Kush është ai, publiku do ta marrë vesh së shpejti!”
Si ka mundësi që të sulmohet varri i profesor Ali Vishkos? Ai ishte njeri që nuk pati kurrë mosmarrëveshje me njeri të gjallë! Ai ishte një shqiptar me zemër luani. Ai ishte një mysliman i devotshëm. Si ka mundësi që vëllezërit e tij shqiptarë myslimanë t’ia përdhosin,t’ ia vandalizojnë varrin!? Të mos e lënë të prehet në amshim Mësuesin e Popullit, shkencëtarin e madh shqiptar prof. dr. Ali Vishkon. Një turp që s’do të harrohet! Çfarë shqiptarë, çfarë fetarë mund të jenë ata vandalë..!? Organet kompetente duhet ta zbardhin këtë ngjarje të shëmtuar.
U prehtë në paqe faqendrituri Ali Vishko!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen