Montag, 10. Juni 2019

Buqetë poetike nga Violeta Allmuça

Violeta Allmuça

KOHA IME

Sonte koha ime më derdhet përmbi supe
Ndërsa bredh në udhët e urta të vetvetes
Për atë që dua gjithnjë isha farë e lulëzuar
Më priti thellë në shpirt me një ëndërr vere.

Fanarët ndriçojnë muzgun e pragmbrëmjes
Atje ku ekzistojmë unë dhe ti çelin petalet
Lëvizin ujrat e lumit poshtë këmbëve të urës
Përflaken dëshirat e ndezura ashtu si zjarret.

Për atë që dua jam silueta që pres në mbrëmje
E sfondi i udhëkryqeve dridhet si përmasa e reve
Valët pushtojnë brigjet në betejat e pafundme
Unë mbjell filizat e ëndrrave që rriten afër meje.

Derdhet horizonti i etur dhe ulet në stolin e gjelbër
Herë duket e herë fshihet pas trëndafilëve në dritare
Kordinatat zvogëlohen duke u afruar ndërsa treten 
Si kjo borë dimri që shkriu sot pas perdes dimërore...



MIKLIMI I JETËS

Ne jeta ime kemi në kujtesë të shkuarën
Si një rreth na sillet qysh kur kemi lindur
Zogjtë cicërojnë pa e kuptuar lirinë
Fluturimi i tyre është miklimi i qiellit.

Ne mallëngjyeshëm jemi në të tashmen
Aty ku mbin e rritet kujtimi ynë i purpurt
Dhe ndizen shkëndijat në mes të dimrit
Mbi dëborën ku yjet pinë verë ngjyrë gjaku.

Ne jemi ende në qendrën e së ardhmes 
Koha na derdhet mbi supe e ngrihet në këmbë
Vitet janë këndellur dhe asgjë nuk humbi
Ndonëse mbetëm kalorës të lirë në furtunë.

I dua ëndrrat që më pushtojnë e ikin nëpër ag
Kur luledielli hap petalet e ulet bri tryezës
Me bukëfurre të ngrohtë e qumësht të bardhë
Atje ku edhe ne mbetemi arkitekturë e jetës...



FRYMA E FJALËS

Fjalët janë frymë
Endacake nëpër ditë
Bredharake nëpër natë
Këmbëzbathura në erë
Të mitura e madhore
Krasitin me fërgëllimë
Të shkuarën të tashmen
Dhe bekojnë të ardhmen
Nuk tremben nga plagët
Me gjuhën e jetës flasin
Pinë verë të kuqe flakë
Kur ligjërojnë me Zotat



DITË E BUKUR

Dita bie erë jargavani
Zogjtë dhe mendimet e mia fluturojnë
Në harkun gjigant të kaltërsisë

Unë e dua të bukurën ditë
Të çelë lule dielli
Ku të fryjë aromë toke e jetë

Dhe pafundësisht besoj
Si këndon dita kur vjen
Me zërin që dashuroj



PRITA DRITËN

Linda nga pema e nënës
Lakuriq si rrënjët e agut
Dhe qava para syve të saj
Kur u takova me botën.

Kujtimi i nënës në ëndërr
Shihte dritën e dashurisë 
Natyra e veshur me lule
I jepte ngjyrë hijeshisë.

Kur shtegtoi ajo ditë e re
Prita dritën e hollë të marsit
Pashë nga afër yllin e nënës
Dhe qiellin me dallëndyshe...



VETËM

Dje desha t'i shes kujtimet
I kisha ruajtur në zemër
Pastaj unë mbeta vetëm
Hyra në foltoren e ditës
Me ëndrra nëpër xhepa
Mora një ftesë prej jetës
Engjëlli që më mbronte
S'më pyeti pse u trishtova
Kujtimet nuk po shiteshin
Më ruanin e më ngjiteshin
Nën reflekset e vetëtimës



KUJTESË

Në orët e heshtura
Kur peizazhet flenë gjumë
Zbrazet mëngjesi në tokë
I zhveshur nga yjet e dritës
Ulet mbi orkide të zgjuara 
Që lulëzojnë si magjitë
Petale të kuqe dashurish

Mëshira e gjembave vdes
Pa arritur në kujtesën time
Erërat tremben pas stuhisë
Shuhen ashtu si netët blu
Që urrejnë orët me ngricë
Kur dridhen sonte nën shi
Duke kujtuar kohën e harrimit

Për rrënjët hyjnore të mëngjeseve
Lutem në foltoren e shpirtrave...



DHIMBJA E VJESHTËS

Vjeshta përcjell gjethet me dhimbje 
E trishtojnë lotët e verdhë të shiut mbi urë
Veriu kafshon degët e heshtura të pemës
Si këpucët e udhëtarit që kafshojnë rrugë.

Koha shpejton hapat duke u arratisur në kohë
Krahët e zogut lëkunden nga perdja verore
Vjeshta zhvishet dhe mban në krahë degët
Duke përcjellë erërat mbi ëndrrat tokësore.

Sot mbi rrugë pashë buqeta të larme gjethesh
Dridhen fletët e rëna nga simptoma e rrëzimit
Njerëzit mbeten të dashuruar me pranverën
Veç sythet melankolike nuk i tremben dimrit...



KOHË PËR DASHURI

Agu kosit errësirën në dritaren time
Hijet pranë nesh gjurmojnë kujtimet
Lulet e zeza të natës bëjnë vetëvrasje
Erdhi koha për dashuri me shpirtërat.

Përjashta shoh detin e thellë ndriçuar 
Mbi breg lagen e më treten përfytyrimet
Në krahë më fle portreti yt i pambaruar
Dhe yjet e ndezur nëpër degët e vishnjes.

Zogjtë rriten duke kërkuar vetëm qiellin
Në rrëmujën e ekzistencës tokës i përulen
Kur kthehen të qetë në botën e zhurmshme
Cicërojnë dhe në baltën e njohur dinë të ulen.

Është kohë për dashuri vargjet i kemi shkruar
Flaka ndizet e shkëndijat na derdhen në supe
Ne udhëtarë të dritave që ndezim errësirat
Djegim rrufetë e verbuara dhe hijet e tyre...



BALADË

Tisi i mëngjesit u zhvesh ashtu siç zhvishet nusja 
Natën e parë të adhurimit ulur bri degës së jetës
Bri gjirit të zjarrit e agut ku i etur lulëzon ulliri
Dhe lulet e çelura të vishnjes që mëkojnë frymë.

Në krahë prehet balada e shpendit që më njeh
Dega e epërme më dhuron ngjyrën dhe ashtin 
Kroi më sjell kupën e ftohtë të ujit duke bulëzuar
Ndanë udhës ulen rrezet në breg dhe fijet e barit.

Lëngu i jetës ia shëroi plagën e zemrës nënës sime 
Shikoj një dritë që rrjedh nga sytë e saj të kthjellët
Ma jep frymën nga fryma e vet e më fshin dhimbjen 
Koha e ikur më sjell fjalët që lindin rrëzë pemës.

Të vdekurve ua largova sëmundjet dhe u fshiva mallin
Të gjallëve iu thashë të kthehen në stinën e pranverës
Ju falem që me lëngun e fjalëve ma zbukuroni baladën 
Bri vetvetes e bri vargjeve ku merr frymë trupi i jetës.



BRENDA MEJE

Pikla të bardha qetësie 
Varen mbi kristale sythesh
Fryn era nga larg e më sjell
Një serenatë të blertë yjesh

Brenda meje kisha rrënjët
Shëtisja udhëve pa emra
Fjalë të ëmbla i flisja lules
Ah, kishte ardhur pranvera

Dikush përkëdhelte petalet
Por lulja aromën ia fali
Prandaj nuk e besova më
Genocidin mbi lulet...



BALTË E ËMBËL

Brenda qenies time
Të virgjër si hëna e plotë
Vjen muaji i luleve

Rrënjët mbijetojnë gjatë
Në tokën time zbresin ngjyrat
Unë kërkoj trupin e atdheut

Gjurmët marrin frymë larg
Ndjekin vijën e milingonës
Mbrëmjeve përgjojnë mitet

Mbahem tek mëmëdheu
E ëmbël balta e tokës sime
Ndriçuar me dritë vetëtime.



MË THUAJ SONTE

Përqark më sillet ferrharrimi
Si një rreth brenda universit tim
Ndarë më dysh errësira dhe drita
Re të hirta tretin erën e zhveshur
Në duel të hershëm për hapësirën
E së shkuarës e syve të së nesërmes
Më thuaj sonte shpirti im të dua
E të shkruaj me bojën e ndjenjave
Në të gjithë lëkurën ku del e fshehta.
Kërkoj ende ca gjëra të çuditshme
Siç bëjnë fëmijët kur thithin sisën
Duke kërkuar sytë yllorë tek nëna
Fjala vjen si një tufë lulesh jete
Më thuaj sonte shpirti im të dua...!



URA E KUJTIMEVE

Unë çelur e mbaj
Odën e syve të mi
Të hyjnë në pafundësi
Horizontet dhe engjëjt
Petalet e portokalleve
Lulet e ndezura verore
Miqtë e rinj të paftuar
Dhe humbësit e lumtur.

Jetoj me porta hapur
Sytë si endacakë të zinj
Janë çmendur të shohin
Shtatë ditët e zhveshura
Në bulevardin universal
Pas ceremonive festive
Se liria është si epshi.

Frikësohem nga heshtja
Ura e kujtimeve një ëndërr
Ku vrojtohen largësitë
Perëndi do të humbas botën
Duke u kallur si vjeshta.



FESTËJETA

Njeriu u zbut mbi kërthizën e gruas
Kur zbuloi vizionin e tij aq frymëzues
Iu lut zotit të përjetshëm brenda vetes
Duke mbjellë nën diell bimën e jetës
Për festëjetën e pagëzimit të gjetheve
Që lindnin ashtu siç lindte fryti i agut 
Duke pirë fatin e vet në gjinjtë e butë
Njësoj si fryma e erës ndritur nga liria 
Ku njeriu në mbretërinë e shpirtit ka folenë
Në këtë botë jemi kur na pagëzon dashuria
Ndryshe mbetemi një hapësirë pa pemë...



RËNIE E LIRË

Edhe pak milimetra mund të biem
Në një rënie të lirë poshtë vetes
Ashtu si akullnaja që nis e shkrihet
Duke përfunduar thellë në oqean
Nga kulmi në duel me avullimin.
Të dashurit zhvirgjërohen nën qiell
Nga materia prej lënde trupore
Në arteriet e mbjella me lëng të kuq
Deri tek zhvirgjërimi i ëndrrave
Ngjyrosur bardh e zi si përrallat
Që tregojnë personazhe kukullash.
Zgjëndra fikej pas lundrimit të diellit

Me agun e varur si një medaljon.



NUDO

Retë u shthurën në mjegull
Ndërsa qielli fishkëllente lehtë
I zhveshur nudo në vetmi
Me kapelen e kaltër mbi kokë
Agu vjel yjet në qetësi
Re të hirta, të veshura në zi
Bota është e çmendur pa liri...



CELULOID

Shoh në celuloid dhe kohën gërmoj
Ndiej se më pikon lëngu i ëndrrave
Duke u derdhur nëpër qenien time
Muzgu si një skelet varet në mure
Shtrin duart ashtu si rrënjët e hënës
Pasi rreh me kamxhik zbrazëtinë
Sillem në rreth unë dhe hija e trupit
Të zgjidhim enigmën e re të vetmisë
Pa e gjetur ende qendrën e rëndesës
Ku ngulen shigjetat paralele në eshtra
Pres sa të shuhet zjarri mbi hirin e natës
E të dridhet njësoj si oksigjeni fryma jote
Që të ndizemi kur gërvishtim heshtjen

Duke menduar se jemi nginjur me ëndrra...



LULEVJESHTA

Kullosin sytë e zogut nëpër qiellin blu
Baticat dhe zbaticat trembin bregun
Nga ekzistenca e dritës mbi errësirë
Më duket se koha po ma vjedh jetën
Duke u zgjatur po rrëzon lulevjeshtën
Ëndrrat numërojnë betejat në ikje
Gjithçka që mbijeton është dashuria
Koha dhe njeriu, dy udhëtar në pritje...



NËSE KA MBETUR

Dashuroj një buzëqeshje
Me ngjyrën e majit
Në petalen përtej xhamit.

Më beso, rryma e shpirtit
E ndjen afër mungesën
Ndaj të afron me botën.

Nëse ka mbetur një çast
Le ta shijojmë nën lëkurë

Sa nuk është vonë...



FJALA

Në globin e madh
E bleva fjalën
Dikush ma vodhi.

Në xhepin e zbrazët
E mbylla fjalën
Diku më humbi.

Në majën e pemës
E lëshova fjalën
U përplas me degët.

Pastaj fjala
I kishte rrëzuar gjethet...



MOS...

Mos më kërko
Nuk jam fshehur
Nën lëkurën e sotme.

Mos më kërko
Në mendimet e ditës
As në akrepat e orës.

Mos më kërko
Ndoshta kam ikur
Unë jetoj nesër.



ZEMËR E LIRË

Më thuaj je qiell për zogjtë
Ku fryjnë erërat e tretura
Mbi kujtimet e të dashurve
Si shiu pas stuhive të mbetura

Më thuaj je qenie prej shpirti
Kur hyj në malin e syve të tu
Si mjellmat e parfumosura
Rrethuar prej harmonisë blu

Më thuaj je valë endacake
Si brigjet i thonë guackave
Kur përzihen atje në thellësi
Të gjejnë dritën sipërfaqeve

Më thuaj je zemra ime e lirë
Retë i djegim me një grusht diell
Vetëm kohën do ta marr hua
Të mrekullohem e qetë në delir...



SHPIRTRAT

Neonëve të fikur dimërorë
Përmes udhëve pa emër
Mbi sipërfaqen e mallit
Tik-taku zvarritet i lodhur
Në barkun e orës blu të qytetit.

Nga xhami i larë me vesë
Secili fal një tufë lulesh jete
Pas dritares shikoj universin
Nata po shkrihet rreth ditës
Duke lindur mbi erën e zhveshur.

Në duel mes së shkuarës 
Shohim sytë e të nesërmes
Ku elektrizohen sentimentet
Yllorët tashmë ndezin shpirtrat

Të shkruajnë me bojën e ndjenjës.



BEKOJE FJALËN

Fjala lindi në zemër si guri i epikës
Këndej dhe andej shfaqen gjurmë
Shenjat janë nëpër udhët e trupit
Ndaj fjalën e kam mbajtur nën lëkurë.

Dita mbështetet mbi krahët e lirikës
Mesnata ndizet e vishet me vetëtima
Postieri ngarkon në një trastë fjalët
I zbraz çdo mëngjes në dyert e botës.

Mes jetës e vdekjes bekoje fjalën njeri
Fjala kurorëzohet në zjarr e lidh dy brigje
Ne jemi zogj të kujtesës nën kubenë gri
Dhe pelegrinë gërvishtës të errësirave.

E kur agu mbështetet në sytë e fëmijëve
Damarët e tyre pajtonin fjalët me diellin
Bie shi e fjalët lagen në qelqin e dritares

Brirët e rrufeve shkundin retë e qiellit
____
Poezitë janë marrur nga profili i autorës në FCB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen