Montag, 17. Juni 2019

Buqetë poetike nga Fatmir Gjestila

Fatmir Gjestila

GJURMET

kam zënë të mbledh gjurmët e fëmijërisë
shtigjeve të mjegullta të pyllit
anëve të brigjeve të mbytyna
lëndinave të vyshkuna
burimeve të shteruna
zallishteve të etuna
kam zënë t’i mbledh
e t’i vë jastëk
të gjumit
të ikun



NË MAJ

në maj
nata ngre çerdhen e ditës
agu - sy i përlotun bornaje të tretun
në maj
vesa ngre çerdhen e luleve
hëna - në rruzuj loti të ftohtë e mbytun
në maj
buronjat ngrenë çerdhen e buzëve
puthjet - petale të djeguna me mall kuqëlimi
në maj
lisnaja ngre çerdhen e diellit
rrezet - thurima të njomuna me mall gjelbërimi
në maj
zogjtë ia marrin këngës së patretun të mallit
eja ta thurim çerdhen e tyre të dashurisë.



E DI

Kam etje,
etje kam, 
si i marrë të pi krejt krojet e pishnajës e
prapë, prapë mbytem në një pikël vese...
 Atje lahet një shtojzavalle.

 Kam uri,
uri kam,
si i marrë të shtroj përpara krejt vjeshtën e
prapë, prapë mbytem në një pikël molle...
 Është tamël prej gjinit të një zane.
Kam mall,
mall kam,
si i verbër t’i përqafoj e t’i puth të gjithë
e prapë digjem në syrin e një buzëqeshjeje…
 Është syri i së Bukurës së Dheut.

E di, 
shpirtin ajo do t’ma marrë…
Atë 
po pres.



DITËT E LAJTHISË

Ai
mbolli një pemë, 
pema zuri shpejt
e ditët e mbartën në krahë:
në të parën 
degët buisin sythet, 
në të dytën sythet harrojnë degët, 
në të tretën gjethet zënë e pijnë sythet,
në të pestën degët, sythet, gjethet zënë vallen,
në të gjashtën vallja i tund shaminë e gjelbër diellit,
në të tetën
degët, sythet, gjethet, 
zënë e marrin udhën blu të qiellit, 
në të nëntën përfalen me re të bardha, 
në të dhjetën zënë e gjelbërojnë kupën blu, 
në të njëmbëdhjetën zënë e vetojnë kokrrat e para,
në të dymbëdhjetën 
degët, sythet, gjethet, dielli, qielli, retë,
kokrrat dhe Ai do e zëmë vallen nga fillimi.
Dhe vallja mos u ndaltë!



ZEMËRIM I PËRLOTUR

Më mbetën kryqëzuar,
kryqëzuar më mbetën duart; 
nuk mundem t’i zgjat drejt vitrinave,
nuk mundem t’i shtrijë drejt njerëzve,
nuk mundem t’i lëshoj mbi kryet e fëmijëve,
thjesht për të marrë lotin e një buzëqeshjeje.
Më mbetën kryqëzuar,
kryqëzuar më mbetën duart;
nuk mundem t’i zgjat drejt zogjve,
nuk mundem t’i shtrijë drejt diellit, 
nuk mundem t’i shtrijë drejt hënës, 
nuk mundem t’i zgjat drejt kujtimit të nënës
me një tufë lulesh të lidhura me një kordele reje, 
as drejt Zotit, 
me një tufë lutjeje fjalësh...
Nuk mundem...
nuk mundem... 
kryqëzuar më mbetën duart, 
të varur në një re loti sytë...
Oh, 
emri im i harruar, 
të ngjallin 
e të rivrasin çdo ditë.
Në ditën e varrimit 
do të m’i zgjidhin duart...
S’e di pse...
As atje...
As atje s’besoj të ketë punë.
Tashmë, 
shpesh e më shpesh 
bëj një pytje të marrë, 
një pyetje që kurrë s’kam dashur ta bëj:
Kush tha që të lind?



DOMINO

në lulishten e rrjepun të qytetit me drita blu 
luajnë domino...
tashmë me dy turne
nga mëngjesi në drekë
nga dreka në darkë...
burra të vyshkun në pritje të punëdhanësit
pleq të lidhun në bastunin e viteve të fundme...
përqeshun prej djemve të mardhun 
që pështyjnë lëvore farash luledielli 
teksa modernitetin përtypin idhnueshëm
në ekrane foldëgjuesish celularë...
luajnë domino...
dopio fushë – mëngjesi
dreka – dopio fushë
dopio fushë – mbrëmja
darka – dopio fushë…
nata - dopio gjashtë...
ëndrra - DOMINO!
e nesërmja…
si e djeshmja
e vjetër si ajo...
DO-MI-NO!



KALENDAR

Mbi tavolinën time numërohen ditëbardhat, 
numërohen e shkojnë njëra pas tjetrës 
të lidhuna me frymën e mallit për ty.
E ardhuna ngroh brymën e pritjes, 
e ikuna gëlon gazin e ardhjes, 
gazin e ardhjes tënde, 
mbretëreshë 
dhimbjeje,
e mira
ime.
Te ky kalendar ardhun larg prej folezës tënde 
ditë e përditë syni im sheh në një rruzull
sytë e tu që drynojnë të qeshuna malli,
vetmi të ciflosuna udhëve të heshtuna,
bufin lajmëtar të Harry Potter
të end formula me ty,
mbretëreshë 
dhimbjeje,
e mira 
ime.



KRYE MË KRYE

Në vendlindje 
njatjetohen pleqtë, 
si dikur, 
kur ndiznin zjarr me unur e eshkë 
dhe token krye më krye, 
si guri mbi gur, 
siç deshët kepen me brina në bjeshkë.
Token e kepen, 
tek vjeshta u bie 
mbi supet thatimë e mbi ta pikon lot;
përfalet me ta, 
me gjethe si hije, 
se mbase s’i gjen, 
kur të kthehet mot.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen