Mittwoch, 12. Juni 2019

Buqetë poetike nga Fadil L. Curri (1)

Fadil L. Curri

ZONA E MËKATIT

Gjatë tërë jetës nuk jemi ndarë
edhe pse copën e bukës e ndanim baraz
nuk donim tjetri të ketë uri me fajin tone

Duket se diku paske ecur tinëzisht
natën i pavërejtur nga unë e bota
paske shkelur në zonën e mëkatit
fërkemat i paska incizuar smirëziu
filmin e mbaka në studion e pengut
ku nuk e ke pasur vendin, 
por paske shendin

Tashë po e kuptoj përse më je i ftohtë
përse u je ngjitur lutjeve të mbrëmjes
heretikëve të lirisë sonë agimore
përse po i lëpin ato që i ke pështyer

Sa keq që ke harruar urtinë popullore
kur njeriu si limoni shtrydhet e lëvozhga hidhet
sa keq që këtë mehlem një ditë ta bënë helm!



FUSNOTË
(Lidhja Shqiptare e Prizrenit sot)

Me mbiemër
por pa emër
me ecje në thembër

Si i ri 
si plak
qafën në lak

Me floçkë pa dhëndërr
prore dashuri në ëndër
pa kurorë në zhgëndër

Mjaft në përralla lehonë
duam dorëzani me jehonë
për veten tonë pronë



PËRSËRITJET

Vjedhjet po na behin në mes të ditës
Edhe daullet e tyre 
hiqemi se huk i dëgjojmë

Ditën e tregut po na i shesin trupet
Na japin lekë të rreme
Na marrin tokën e bukës
Na premtojnë dashuri pa puthje

Po na përsëriten kadastrat e fshira
Refren elegjie për gjeografinë trumcake
Shpesh në lojën shtesë të arenës 
Po humbim nga autogolat e Kalit të Trojës
Pastaj kronika e pafirmosur varroset me suicid

Sa keq që po na përsëriten përsëritjet
Kur mexhet i caktojmë me buzëqeshje morti
Po harrojmë që ritet duhet mbaruar me lutjet pagëzimore
Përsëri shtatin e epokave rrisim me mitet, përsëritjet!



SHQIPTARËT ORTODOKSË TË REKËS

Është për habi
500 vjet në robëri
i përballët fikjes me shqiptari

Josif Bageri i la këpucët
që anasit të ecin shqip
në 20 fshatrat e Rekës

Sërish është për habi
për 50 vjet në liri
dhiata poetike, Josifi im
t'u bë shkrumb e hi
as në plangun ku u lindët me pishë
nuk kuptoheni dot ti e zonja poezi



KRONIKË DASHURIE

Më the se më doje me sy dje në shpellën tis
Më the se më do me fabulën e mangët në teatër
Më the se do të më duash nesër si frymëmarrje e plotë

Të dua edhe kur brishtë hiqesh se më do
Të dua kur me ag nuk di të më duash mbrëmjes
Të dua kur do të më duash si akull sahare
Të dua kur ma ndërpret përrallën e pagëzimit
Të dua kur pohon gënjeshtër se më do ditënetshëm
Të dua kur më urren nga dashuri e madhe qorre
Të dua kur më mungon fjala e ëmbël rrënjore jotja
Të dua me kujtime kur mungon te prania ime gurore
Të dua kur me gabime shkruan krahasimin e jetës sime 
Të dua kur vonon para bixhozit takimin në kohë e vend
Të dua edhe kur ma prish busullën në globin miop
Të dua kur ia shterr shiun farës së arës sonë bukatore
Të dua kur edhe premtimin e bën lëngatë të pabesë
Të dua kur urisë esëll gotën e zbrazët ia jep duarkryq
Të dua me rrugën e bashkimit plot dromcime përçudnie
Të dua kur më dhuron në ëndërr trishtimet e kronikës

Të thashë se të desha dje me kujtesën e praruar
Të thashë se të dua sot me premtimin e mbirë
Të thashë se do të të dua nesër me shtatin e përtërirë
Të dua, përsëri, pjesa ime mbi harqet e Urës së Shenjtë

Shkup, 11 maj 2019



TË KAM THËNË

Tri herë të kam thënë për të
Për të të kam thënë tri herë
Të kam thënë për të tri herë

Se dashurinë jetike të kalasë
E tradhton me laviren puthje-helm
Në Hanin e Ferrit me pëlitje sysh

Ai me epoletat e padukshme të djallit
Me ty në faltore drekën e fal pasdarkeve
Kur ti i këndon himn, ai ty elegjinë me pjalm

Përsëri me ritin e fshirjes së gjurmëve
Në tokën pa popull me replikë e pa polemikë
Krah tij në varr do të shkosh me strajcën thatë

Të kujtohet kur popullin e këmbeu me tokën
Për hirë të trinisë së ecjes pa busull
Kah shtëpia e ndërtuar pa oborr e rrugë?

As fëmijët nuk do të besojnë se ke jetuar
Certifikata të njeh vetëm lindje e vdekje
Kur fletëjeta t’u nxi me Beatriçen e braktisur



Habi poetike
...?!
Kemi shkrimtarë pa letërsi, 
Kemi këngëtarë pa muzikë 
Kemi çlirimtarë pa liri 
Kemi të vdekur pa varre 
Kemi krime lufte pa zhdëmtim 
Kemi prijës pa popull
Kemi popull pa troje
Kemi tokë pa drith e bukë
Kemi barinj pa bagëti
Kemi këmbë pa të drejtë ecjeje
Kemi sy të mos e shohin të mirën
Kemi ligje pa shtetësi
Kemi gjuhë pa rrëfyer për dergjën
Kemi fletore pa fletën e jetëshkrimit
Kemi që s'kemi të tjera, nuk e di...



U KËNAQËM DUKE MOS U KËNAQUR

Heeeeejj, u kënaqëm duke mos u kënaqur
Duke mos u kënaqur po kënaqemi

U copëtuam me trumbetat e bashkimit
I duam të tjerët duke i urrejtur tanët
E gjejmë shtëpinë me sytë e qorrit
Po kënaqemi me dijen e të paditurve
Matematikën e mbledhjes e pjesëtojmë
Epokën e shkruajmë me shëmtinë e ditës
Gjeografinë ia besojmë sallonit të bixhozit
Po dashurohemi prore në të ndjerat
Po kënaqemi duke u ushqyer nga të vdekurit
Të gjallët po e bartin varrin si hijen e tyre
Me diell po flemë e me hënë po vjedhim
Jemi bërë antitezë e përdalë e autoportretit

Duke mos u kënaqur po kënaqemi
U kënaqëm duke mos u kënaqur, heeeeejj!



U LODHËM

U lodhëm duke dëgjuar këngë
U lodhëm duke lexuar poema
U lodhëm duke vrarë armiq si ata ne
U lodhëm duke marrë mirënjohje
U lodhëm duke rrëfyer heroizma feniksi

Për luftën ende e pashkruar me gjak
Për tokën e djegur nga harresa
Për Ilirinë varr e Çamërinë pa shqiptar
Për copat e hartës në kokër të shpinës
Për lirinë që me decenie e japim me lirim
Për Veriun e Jugun si fëmijët tanë, jetim...



EJA

Eja sonte
Nesër e kur të duash
Të kam pritur dje e tërë jetën
Kurrë nuk më erdhe 
As nuk më gjete si deshëm

Nëse do të më urosh
Merre me vete kohën
Mos më eja pa kokën
Varrose pjalmin e djallit para nisjes
Mjaft më me gjysmat e dashurisë
Rrugës etja të ketë kujdes nga tretja

Mos fli në grykat e tista
As nëpër sallonet e pista
Banorët e parë vrasin meritat
Të dytët ngjesin hartat të grisura
Bëjnë bixhoze me gjakra të thithura

Në daç e në dish Perëndinë
Eja si je pash dashurinë
Si dhiatën e bëjmë shtëpinë,
Trashëgiminë me dashurinë

Eja te unë pash t’ lumin Zot
Te kushdo tjetër do të jesh kot!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen