Mikel Gojani |
HIJA QË MË RRI VARUR
Ka kohë
Një hije
Që të trishton
E mbaj mister
Enigmën e saj
Nuk dëshiroj
Ta shpalos dot
Ndryshku i kohës
E pat mbuluar
Në thellësinë e humnershme
Një hije e zezë skëterrë
Pranë meje
Ka kohë
Që më rri varur
Unë
S'e kam zgjedhur rrugën saj
Trishtimi
Për një kohë
Shkaktarit të saj
M’ia ka këputur degën
Në erë
Çdo natë
Me veloren e saj lundron
Në thellësinë e liqenit
Sonte
Ajo hije e zezë
Pranë meje rri
Me plot egërsi
19 dhjetor 2017
KËNGËTOJ KËNGËN E MALLIT PËR JUGUN,
KËNGË MALLI PËR VERIUN, KËNGËTOJ!
1.
Këngëtoj këngën e mallit për Jugun
Këngë malli për Veriun-
Këndoj!
Diçka ngërthen në vete:
Drunjtë dridhen, dridhen, drithërohen...
Rënkojnë dhe përçartën
Shkëmbinjtë bëhen copë e grimë!
Nga dritarja e “Apollonisë”
Bëj një ëndërr shprese.
2.
Jam në qytetin më të bukur,
Edhe pse (s)jam mysafir i njoh të gjithë!
Janë njerëz të shpirtit tim,
Që lëviznin damarëve të kallur në heshtje.
Çdo gjë të botës sime pushtojnë,
Udhëtojnë nga Jugu në Veri,
Nga Veriu në Jug,
Si zogjtë shtegtarë,
Që kërkojnë diellin
Ta zënë në përqafim!
Ylberin e Frymëzimit
E donim më së shumti;
Këngë për te këndonin
Në Rozafë, në Adriatik, Apolloni...
3.
Çdo sëmundje m’u shërua
Kur në Shkodër
Me Luigjin u takova,
Bustin e shkollës sime.
Bëmë bisedë të gjatë me te
Më pyeti:
Si vajnë punët në Prishtinë, në Klinë, Fushë – Kosovë, Mitrovië…
Ç’mungon akoma atje
Ai shpirt civilizues?!
Ne vriteshim dikur
Në atë tokë arbërore,
Por sa herë vriteshim,
Rilindshim po aq herë!
Edhe me Migjenin,
Bëmë bisedë të gjallë!
Gjatë folëm për tullumbat e Lulit,
Për Zenelin dhe shumë të tjerë.
Për shumë të tjerë,
Që jetën akoma
Është duke ua kafshoi errësira!
Edhe në Fishtë
Atë Gjergj Fishta
Kërkon një copë diell.
Pak kanë ndryshuar kohërat vëlla- më tha Ai,
Të dëshmojnë sot Kadare, Kongoli Lera Zeqo
Mato Londo Istrefaj Spahiu...
Akoma ekzistojnë gërmadhat e një Balade të Vjetër
S’u shemben për t’mos lënë gjurmë as varre!
ÇARJA E TOKËS SIME
1.
Toka ime
Ka dhimbje të mëdha,
Nga thatësitë e stinëve
I vijnë çarjet e saj.
Nën guallin e Tokës sime
Po psherëtin gjaku ,I ku, i zi...
Renkime të thella
Dhe tepër të dhimbshme,
Ndjej,
Sikur vijnë
Nga varri i Xhaxhait
I vrarë më 1948.
Janë psherëtimë
Që çajnë rrashtën e Tokës,
Edhe pse boll
Mundohet t'ua zë frymën.
2.
Toka ime
Këto thatësira të stinëve të çarta
Të tërën po e çajnë
Sa i dhimbshëm,
Sa tragjike,
Është fati i Tokës sime!
Gjithmone
Në kaptimin e saj,
Po i mungon qielli i kaltë,
Një qiell lirie.
Eklipsi errësues
Po i zë frymën...
Gusht, 2018
IMAZH DRITERRESIRE
Stuhitë, deti, dielli...
Sërish:
Stuhitë, deti, dielli, stuhitë
Peshë çohen melankolitë!
Gjatë kësaj përsëritjeje
Dielli u shua në thellësi
Yjet nga horizonti i qilellit zbritën
Tokës i gllabëruan dritën!
Në këtë horizont të gjerë
Mbin një pemë e hidhur,
Me ca degë të saja
Nënqiellin e kapërtheu mortaja!
Më asnjëherë në jetë
Dritës që lind në këtë horizont,
Dot nuk do t'i besoj -
Se jetën ma bëri lojë!
Zllakuqan, 9.9.2018
DRITHËRIMË
Deti, dielli, stuhia ...
Sërish,
Stuhia, dielli, deti...
Paralajmërojnë
Net të skëtrreshme!
Gjatë këtyre stuhive
Tepër të trandshme,
Që drithërojnë një univers,
Dielli humb shkëlqesinë
Në thellësinë e detit
Te pafund.
Mbi këtë kohë të pakohë,
Mbin pema,
Me shijen e hidhur të pelinit;
Gjethet e verdha
I lëshon
Nga horizonti qiellor,
Duke fundosur
Çdo shprese ne pritje...
Zllakuqan, 3.11.2018
MES KUKUDHËSH
1.
Keto kohë te pakohë,
Si kërpudhat pas shiut
Kanë krijuar
Turma kukudhës!
Janë ziliqarë,
I vë në siklet inati i tyre,
Shpirtin ua trand
Virtyti i të tjerëve!
Nga ndjenjë shpirtligësie
Goja iu kundërmon
Aromë vjelljeje:
Janë të paduruar,
Fyejnë,
Ulërijnë…
2.
Kjo botë e larme
Është e vogël,
Me përpikëri kronisti
Njeh portretet e tyre.
Për ta
Gjithçka thonë perënditë
(Të vërtetat!!!),
Ndërsa Ata
Flasin me gjuhën e gënjeshtrave
Dhe të fantazisë së sëmurë -
Logjikën e kanë të tillë.
Kukudhët
Nuk shohin diellin
As rrezert e tij
Nuk i përjetojnë;
Eklipsi diellor
Mbi eter
Ua ka mbuluar
Horizontin e qiellit!
3.
Kukudhët
Si qente endacakë
Sorrollatën
Në kërkim të kohës së humbur!
Është e vështirë,
Jetën ta bësh të mbërthyer,
Mes kukudhësh,
Të pamëshirë!
S’e njohin botën e lirë…
Zllakuqan, më 6.12.2018
EKLIPS, LËSHOMË HISEN E DIELLIT !
Deri në pafundësi
Në pritje të një ëndërrimi,
Gjakim jo vetëm imi.
Koha kapton në pritje:
Pres,
Pres,
Hisen e Diellit tim;
Eklipsi qiellor
Frymën i ka zënë,
Edhe pse gjakimi
I Detit të gjerë
E ka marrë dheun!
I ka zënë frymën,
Mbërthyer e ka,
Brenda harqeve të skëtrreshme,
Sikur hienat e djeshme!
Sa i pamëshirshëm,
Sa mizor,
Ky eklips qiellor?!
Diellin tim -
Nuk lejon të zbres në tokë,
Brenda rrethit të hekurt
e ka zënë rob,
Dëshmon se jeton në kob!
Diellin tim,
Si një peng të trishtë,
E mban në harkun e hapësirës,
Në thellësitë e errësirës.
Eklips,
Ma lësho hisen e Diellit,
Kurrën e kurrës
Mëkatet nuk do t'i falin
Lartësitë e Qiellit!
KAPTOVA TRI RRUGË
Kaptova nëpër tri rrugë,
sa të vështira ishin.
Më zunë mugëtira, mugëtira të trishta.
Rrugëtimi i fundit
Në fillim të epokës së re.
Dy rrugëtimet
i tejkalova si mbi Rubikon.
Si ta mund këtë kohë që më ka zërë rrugën?
Klinë, 29 dhjetor 2018
KUJTIME TË BUKURA
(Nënës, në 13-vjetorin e vdekjes)
Në këtë histori jete
ka dhimbje dhe nostalgji,
ka gjurmë
ka butësi
dhe vrazhdësi.
Ruajmë kujtime të bukura
dhe të trishta.
Nderim malli
për nënat tona.
Në këtë galeri
grash të përvuajtura
është dhe e shtrenjta
Nana ime.
Nana ime
që vuajti shumë
në një rrugëtim kalvari.
Nana ime...
Ky zjarr përcëllues
ma përvëlon shpirtin.
Nënat tona
burim frymëzimi,
për çdo varg.
për çdo poezi,
për çdo libër,
Fletëza ditari
ruhen në kujtime.
Asnjë kohë
s’ do të mund t’i shlyejë
rrudhat e ballit.
Nëna ime dhe simotrat e saj
si qiriri dritë bënë për të tjerët
duke tretur vetveten.
27 prill 2016
KUR DO TA ZË DIELLIN NË PËRQAFIM
1.
Diellin përcëllues
Do ta zë në përqafim,
Kur eklipset trishtues
Të lartësive mbiqiellor
Do të shpërndahen,
Ndërsa dielli
Do të zbres në tokë.
Diellin
Do ta zë në përqafim,
Kur mbi bjeshkët e thepisura
Do të shkrihet dëbora
As fërfëllizë s'do të ketë,
Vitet e Brishta
Do humbin kuptimin.
Diellin
Mund ta zë në përqafim,
Kur buzëqeshjet ironike,
E hijenave të kohës,
Që bëjnë lojë
Dhe sjellin stinë të stuhishme.
2.
Janë këto hiena
Që sjellin re të zeza
Mbi lulekuqet e gjakut,
Të të njëjtit mal,
Të të njëjtit det,
Të së njëjtës pemë,
Të së njëjtës degë,
Të të njëjtit qiell,
Të të njëjte yje,
Lot, të të njëjtit sy,
Pashpresë
Të së njëjtës kohë...
3.
Sa i pamëshirshëm
Qenka malli,
Për ta përqafuar një herë në jetë
Diellin përcëllues!
Se koha është armiku më i madh Njeriut,
Ajo ecën me shpejtësi të madhe.
Ky gjakim
Burimin e ka
Nga miniera e hershme e lashtësisë
Dhe është mbëltuar
Në sy,
Në gjak,
Në ëndrra...
Kur kujtoj
Si të dal nga mbërthmi,
I errësirës
Me plot ankth,
Ndjej dhimbje,
Dhimbje,
Dhimbje të pafund...
Zllakuqan, më 21 maj 2019
DËNESË E HESHTUR
1.
Nepërkat
Kanë helmuar njerëzit
Dhe si kope
Zvarrë i tërheqin
Pas vetes.
I kanë helmuar
Të njëjtit
Të helmuar janë.
Do të mbesin në pafundësi...
Me njerëz
Bëjnë lojë,
Sikur të ishin ojë!
2.
Oh, sa e larme
Kjo botë!
Në mënyrë mëkatare
Vërdallë
Sa sillet kjo kohë?!
Në horizont
Mund të dëgjosh
Ndonjë zë,
Zë eteri!
Botën e ka pushtuar
Psherëtima vrastare,
Apo
Ndonjë dënesë të heshtur!
Mund të lind
Edhe ndonjë varg,
Hermetikisht
Të mbërthyer në metaforë.
3.
Kur ngurtësohet Ylberi
Vargjet,
Nuk e lartësojnë tempullin.
Nga syri i kaltër
Pikon lot shekullor,
Lot dhe dhimbje
Që paralajmërojnë
Buzëqeshje të vonuara...
18 qershor 2019
ZOGU QË KËRKON KROIN E HUMBUR
Zogu i buzëqeshjes
Dhe i shikimit
Kërkon kroin e humbur.
Zogu shtegtar,
Që shtegton për në Jug,
Shpreson
Do të kthehet në veri,
E vezët
Do t’i bëjë
Në strofkën e Perëndimit!
Të gjitha varrosen
Në derdhjen e lumit,
Në det.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen