PAS FESTAVE
Të paharruarit poet Zoi Dashi
Sa egoist
që është njeriu! Shpesh herë ai merr vendime edhe për gjëra që s’janë në dorë
të tij. Një të tillë vendim mori edhe Besimi, që ta harronte atë ngjarje pas së
cilës mezi e mblodhi veten. Të tilla kishte pat rrallë në jetën e tij, ndaj nuk
e kishte të lehtë ta shkulte nga mendja. Shokët kishin qenë gjithnjë kuptimi i
jetës dhe kurrë s’kishte guxuar të abuzonte me dashurin ë që jepte e merrte
prej tyre. Por ja që mes kujtimeve të shumta futej edhe ajo që e kishte
tronditur, duke e lënë pa gjumë për net të tëra? Çuditërisht, të njëjtin vendim
kryeneç e kishin marrë të dy shokët e tjerë, si t’u vinte turp nga vetja, që
kishin lejuar të arrihej deri në atë cak. Ishin miq të vjetër me njëri tjetrin
dhe kishin më tepër kujtime të bukura, se sa ngjarje të atilla të pakëndshme, e
cila do u kujtonte se diçka nuk shkonte në miqësinë e tyre .
Ishte mëngjesi i parë i pas festave të
Nëntorit aty nga mes vitet ’80. Një mëngjes i freskët, i dehur nga fjalimet dhe
pijet që të kujtonin madhështinë e
festave të kaluara. Mbeturina të flakura mbi blerimin e parkut të vetëm të
qytetit, ku mblidhej shumica e banorëve. Copa gazetash me pjesë nga fjalime
udhëheqësish udhëheqësish të lodhur nga të folurit, e nga të demaskuarit e
armiqve të jashtëm, që na kishin halë në sy. Nga ana tjetër ky grumbullim
festiv shërbente edhe si një konkurrencë e heshtur, për të dalluar familjet e
privilegjuara të qytetit e për të rrëfyer se cili do e festonte më mirë. Se
vërtet që ne jetonin në një rend të barabartësh, por barazia gjithnjë mbetet
relative. Njeriu gjithnjë e ndjen nevojën e krahasimit me të tjerët, dhe kur
s’ka me se të mburret, do zgjedhë fjalorin e fryrë dhe triumfin mbi armikun e
jashtëm, i cili edhe në kundërshton, ne s’marrim vesh asgjë nga apologjia e
tij. Sepse ne duhet të dëgjojmë zërat e lavdishëm, e jo kundërshtarët tanë.
Do kalonin
shpejt edhe këto ditë festash dhe gjithë njerëzit do përballeshin me problemet
e tyre të përditshme, duke lënë pas dore paradën.
Gjatë festës
Zamiri e kish tepruar pak me pije dhe pothuajse po harronte se të nesërmen
duhej të merrte dezhurnin luftarak në ndërmarrje. Nuk ishte vetëm i lodhshëm ky
shërbim, por edhe i mërzitshëm sa s’thuhej, aq më tepër kur të detyronte të
shkëputeshe nga krevati, pas asaj dite të lodhshme gëzimi e pijesh. Por festa
të përjetshme nuk ka, ndaj ai mori biçikletën dhe u nis për në punë. Bën t’i
hipi, por ajo ishte në disk. Dikush, duke dashur të ta përshëndeste, i kishte
futur një gozhdë në kopertonin e prapëm. Ishte herët dhe atë rrugë duhej ta
bënte më këmbë. E mori biçikletën për dore dhe bëri për nga ndërmarrja, ku
kishin gomistët e papërtuar.
Rruga ishte
e boshatisur. Rrallë herë kalonin autobusët e linjës Fier−Patos, që
transportonin njerëz të lodhur, ata që sa linin turnin e tretë dhe nxitonin për
të bërë një sy gjumë. Në lodhjen e këtyre njerëzve qëndronte lavdia e
atdheut!...
Pa mbërritur
tek parku i mallrave, përballë stacionit të autobusit, i zuri syri një siluetë,
që i tërhoqi vëmendjen. Dikush që po nxitonte t’i fshihej. Qenkej bërë padashur
njeri i rëndësishëm, derisa dikush i ruhej! Këtë ndjenjë s’mund ta pranonte,
ndaj u drejtua andej nga vazhdonte përpjekjet për t’u fshehur njeriu. Hija e njeriut të panjohur
preferoi të llokoçitej në baltërat e kanalit kullues, për të mos i rënë në sy
asnjë të njohuri.
Kur Zamiri
iu afrua buzës së kanalit, vuri re mikun e tij poet Luan Përçorin të ulur mbi
një tub, me kokën e futur në pëllëmbët e
duarve. Kështu enigmatik mbeti gjithnjë ky njeri! Ndërsa njerëzit nuk ishin
ngritur akoma nga krevati pas asaj nate feste, ai kishte dalë qysh herët për
t’i vjedhur natës magjinë.
−Po ti çfarë bën këtu?- i tha.
Luani
ngriti vështrimin e këputur, duke i lënë të kuptonte se duhej ta linte në
hallin e tij. Gjë që s’bëhej. Si mund ta vështrosh mikun në gjendje aq te
rraskapitur e të bësh sikur s’ta zuri syri? Sytë e Luanit ishin buhavitur nga
të qarët, kurse goja i ishte mbërthyer si të kishte harruar të fliste. Diçka
serioze duhej të kishte ndodhur me të.
−Më thuaj
ç’të ka ndodhur?
−Ik− mundi
të shqiptonte Luani me zërin e tij lutës,− Nuk dua të të shohin me mua. S’dua
të vuajnë edhe miqtë për shkakun tim.
−Gomar!-
shpërtheu Zamiri,− Ç’janë këto marrëzi që thua? Më trego çfarë ka ndodhur?
−Pas
arrestimit të Spiros, kanë vendosur t’i internojnë edhe familjen. Kam dalë këtu
t’i përcjell...
Habia poshtoi fytyrën e Zamirit si një
erë e fortë që të lë pa frymë.
Spirua
ishte kunati i Luanit dhe mik i vjetër i Zamirit. Kishin punuar bashkë në fund
të viteve 60 në azotikun e sapo futur në prodhim. Njeri punëtor e i ndershëm tek
zoti. Njeri i sakrificës që natë e ditë e kishe në repart, madje tre herë u
rrezikua për të humbur jetën. Njëherë ndodhi pas një bllokimi në kullën
kryesore të azotit, ku e mbuloi amoniaku dhe desh i mori frymën, e një herë
tjetër në periudhë remonti të repartit. Kurse herën e tretë desh humbi për
gjithmonë shikimin, sepse gjatë punës për mbushjen e një kolone të sodës
kaustike, shpërtheu një valvul dhe ai u la i tëri me sodë. Dy ditë ndenji në
ujë të vakët, sa u eliminua rreziku i verbimit, por lëkura e fytyrës dhe trupit
shumë vonë i largoi shenjat e djegies. Nga këto virtyte, tërhoqi vëmendjen e
udhëheqjes, e cila e tërhoqi si punëtor partie në aparat. Të tillë njerëz të
sakrificës i duheshin partisë.
Nuk ishte
thënë që punët t’i ecnin mbarë, siç i kishin ecur në uzinë. Në detyrën e re nuk
hynin në punë sakrificat dhe ndershmëria. Këtu duhej bindje dhe oratori. Me të
dyja këto ishte pak i mangët i ziu njeri, që s’kishte ditur të bënte tregti me
virtytet e shpirtit të njeriut. Bindjen e mbështeste në prova dhe s’kishte zot
që ia tundte, ndërsa oratorinë e konceptonte si mjeshtëri të shekujve të
shkuar, kur njeriu duhej të gjente mënyrën për të dalë në krye të turmës. Sot
mjaftonte puna, e cila fliste më bindshëm se qindra oratori. Puna të cilën ai
gjithnjë e kishte bërë me dashuri e përkushtim.
E kishin
sjellë në një sektor ku pak mund t’i ndrinte ylli. Punët me prodhimin e
përpunimin e naftës po shkonin keq. Dhjetëra kuadro u konsideruan shkaktar dhe
u përballën me akuza të rënda. Kjo nuk i ndryshoi shifrat e prodhimit,
përkundrazi: shtoi frikën tek njerëzit që nuk ndiheshin të lirë. Erdhi një ditë
që përgjegjësia nisi të kërkohej edhe lart, në instanca. U morën protokollet
dhe u studiuan, për të parë reagimin e kuadrove. Aty u krijua dyshimi që edhe
ai, njeriu i punës e i sakrificës, ia
paskej pat me hile Partisë dhe...
−Do jetë
ndonjë keqkuptim, − i tha Zamiri, duke pat parasysh se s’kishte veç disa muaj
që Spirua ishte dekoruar me urdhrin më të lartë të shtetit−Eja të pimë ndonjë
kafe këtu tek bufeja e parkut.
−Jo.
Mbrëmë gjithë natën i është kontrolluar shtëpia në Ballsh dhe sot në mëngjes,
familja do degdiset në Seman, si gjithë të internuarit.
−Nuk ka
mundësi.- këmbënguli Zamiri si për ta qetësuar− Këto gjëra s’mund të ndodhin
kaq rrëmbyeshëm. Eja të pimë kafen e të qetësohesh.
−Jo. Dua
të përshëndetem me motrën dhe me nipërit, se mund të ndodhë që të mos shihemi
më.
Diçka e
kobshme kishte zënë vend në mendjen e Luanit. Nuk mund të ishte i kot gjithë ai
shqetësim dhe Zamiri u bind se në çaste të tillë s’mund të lihet vetëm njeriu
që do. Biseduan gati gjysmë ore me sytë nga rruga, biseda ngecte dhe s’dinin si
mund t’i shpjegonin situata të tilla absurde. Mbase kishte kaluar mbi një orë,
që ata vazhdonin të qëndronin të strukur pas njëri tjetrit, atje buzë kanalit
kullues, kur së fundi tek kthesa e ish korpusit të jugut, u duk skoda, që
kishte ngarkuar plaçkat e Spiros. Sa shumë i ngjante përcjelljes së doktor
Zhivagos, që Zamiri sa e kishte lexuar. Ia kishte sjellë një mik i sapo kthyer
nga Kosova. Diku gjetkë shkruhej me duf për këto barbari, ndaj njeriut, ndërsa
tek ne flitej vetëm për armikun e jashtëm, pasi i brendshmi ishte vënë nën
kontroll. Ishte një kontroll që ngatërronte të jashtmin me të brendshmin, duke
i bërë shpesh herë të njëjtë. Armiq që çfarëdo emri t’u vije mbeteshin vetëm të
urryer.
Ajo ishte
një skenë që t’i mbushte sytë me lot. E motra e Luanit së bashku me fëmijët
ishin ngjeshur në karroceri, midis plaçkave të hedhura si e kishte sjellë
rasti. Prej një mushamaje që i mbulonte, nxirrnin pak kokat, si për t’u mbushur
me ajër. Një zë shpërtheu nga kraharori i Luanit. Thirri në emër të motrën dhe
pastaj e mbytën lëngimet. Një dorë iu përgjigj prej makinës që rrëshqiti tutje,
sikur e përpiu goja e një përbindëshi.
Sa ngjethëse ishin përcjelljet e
dhjetëra Zhivagove tona për të cilët s’guxonte të shkruante njeri, sepse
lubia ndodhej gjithkund dhe ajo s’kursente asnjë..
Kaq kishte
qenë e tëra! Puna, nderimi e lavdia... Zhgënjimi ishte jashtëzakonisht i madh.
Luani shpërtheu në lot, aq sa i këpuste shpirtin edhe më zemërgurit. Makina
kishte humbur tej kthesës së unazës së qytetit, duke marrë me vete dhimbjen e
keqardhjen e kujtdo që e ndjente të afërt rrezikun.
Mbetën buzë
kanalit ujë pak, si cironka që u zihet fryma prej asfiksisë. Diku mes
barishteve të kanalit ia kishin marrë këngës së ngjirur bretkosat. Ato çaste
Zamiri kujtoi për ku ishte nisur dhe i duhej të merrte një vendim. Përpara
dhimbjes së shokut, ia vuri ferrën dezhurnit. E dinte që kjo do e përballte me
ligjin, ndaj duhej të nxirrte ndonjë raport mjekësor për të justifikuar
mungesën. Doktor Vlashi nuk ishte kursyer kurrë në raste të tillë. Kjo ishte e
vetmja mënyrë për t’u shpëtuar pasojave. U kthyen në qytet pothuajse pa këmbyer
asnjë fjalë dhe morën rrugën drejt shtëpisë së Zamirit. Vetëm atje mund të
ishin të sigurt, larg syve kureshtar të qytetit, i cili akoma s’kishte marrë
vesh ç’po ndodhte pas gëzimit marramendës me të cilët kaluan festat e mëdha.
Zamiri kishte ca raki e turshi nga mbetjet e trapezit të festës. Ato çaste nuk
kishte rëndësi çdo hanin e pinin. E rëndësishme ishte që të largonin sado pak
mendjen nga ajo pamje e rëndë, që u kaloi para syve e që s’u shqitej dot prej
zemrave. Ndjenin nevojë të fshiheshin diku, larg syve të të njohurve, që mund
t’i bënin dhjetëra komente atij takimi të dhimbshëm.
Tek cepi i
turizmit, u ndalën për t’u takuar me mikun e vjetër Besim Lengun. Besua
drejtonte të vetmen gazetë të qytetit e në çdo kohë ishte i informuar për
ngjarjet që priteshin të ndodhnin. Ai mund të thoshte me javë para ndodhjes se
kush do arrestohej, e kush do internohej, madje edhe kush do u zinte vendin në
detyrat e tyre shtetërore. Sigurisht që edhe për ngjarjet me Spiron nuk duhej
të ishte pa dijeni, por ndodhinë e tij nuk e hapi asnjëherë mes nesh. Ndoshta
edhe ai ishte tronditur, por i pafuqishëm për të ndryshuar gjë, ishte
solidarizuar me ndëshkimin. Ai ishte nja një dhjet vjetësh më i madh se dy
miqtë e tij, e gjithashtu shkallët e karrierës i kishte ngjitur nga prodhimi.
Luani nuk e pëlqeu atë takim të papritur dhe duke mos dashur ta zgjaste më tej,
bëri disa hapa përpara, që të mos tërhiqte vëmendjen e tjetrit, por nuk ishte
kaq e lehtë heqja qafe e njeriut të padëshiruar. Ata ishim miq që kishin hyrje
dalje familjare me njëri tjetrin.
−Nga shkoni
kështu?- pyeti Besimi.
−Na lindi
një ide dhe po shkojmë të shkruajmë një shkrim me bashkautor− iu përgjigj
Zamiri.
Si dhelpër
e vjetër që ishte, e kuptoi përse bëhej fjalë dhe nuk e humbi rastin:
−Bëhet që
ta shkruajmë me tre firma shkrimin?
−Pse jo?-
pranoi në mëdyshje Zamiri.
Nuk e
shkoi ndër mend se duke dashur ta lehtësonte Luanin nga gjendja e vështirë, po
e rëndonte edhe më tepër. Ai kishte një neveri patologjike për Besimin. Shkaqet
ishin të shumtë, por të tillë që, s’mund të bëheshin pengesë për t’u prishur
takimin. Luani ziente dhe s’dinte ku të shfryhej.
Ishte
paradite dhe në shtëpi u gjenden vetëm ata të tre. U ulën në formë trekëndëshi.
Besimi, si më i madh në moshë, u ul në qoshe, kurse dy të tjerët, përballë
njëri tjetrit. Si zot shtëpie që ishte, Zamiri përgatiti një pjatë sallatë, dhe
mbushi gotat me raki. Uruan dhe kthyen gotat e para. Luani sa e vuri në buzë e
boshatisi gotën duke dhënë sinjalin se atë ditë duheshin prerë drutë shkurt. Në
çastin e heshtur që kaloi, Besimi vuri re fytyrën e nxirë nga pagjumësia dhe
brenga, të Luanit. Sigurisht që e dinte shkakun dhe u ndje krenar tek shihte
vendosmërinë e partisë në ndëshkimin e atyre që dilnin nga vija. Si më i pjekur
e ndjeu detyrë të mbante një fjalim të gjatë hyrës, duke u bërë të qartë se në
një jetë që zien, nuk është çudi, të përzhiten edhe njerëz që nuk e meritojnë.
Ata vinim nga familje të varfra, që të vetmen shpresë mbijetese e mbështesnin
tek vija e partisë, ndaj s’kishte pse trishtoheshin kur dëgjonin për spastrime
të tilla, që u krijonin përshtypjen se lufta më e egër po zhvillohej kundër
armikut të brendshëm, ndërsa vazhdimisht flitej për të jashtmit.
Nuk ia vunë
veshin dërdëllitjeve të tij prej triumfatori. Besimi fliste dhe atyre u ngjante
sikur pamëshirshëm cingriste një plagë të freskët që dhembte. Të tilla fjalime
nuk shkojnë, ndërsa ke gotën përpara se ajo mund të bëjë që mendja e njeriut të
pësojë edhe ndonjë devijim, por Besimi s’donte t’ia dinte. Ishte i dehur prej
kënaqësisë që i krijonte spastrimi i egër që po u bëhej kundërshtarëve.
Dikur edhe
vet Besimi e kuptoi se po bëhej i padurueshëm dhe kaloi në atë temë që na bënte
bashkë. Kishte më tepër njohuri nga dy miqtë e tjerë dhe lexonte letërsi të
ndaluar, por këtë e bënte për të parë se në cilin drejtim dekadentët e godisnin
letërsinë proletare. Ndërsa dy të tjerët edhe kur u binte në dorë ndonjë libër
i tillë, e lexonin me frikë, si të bëhej fjalë për ndonjë trakt të rrezikshëm
antiparti.
Ai fliste,
ndërsa Zamiri shikonte herë pas here reagimet e përmbajtura me sforco të
Luanit, i cili po arrinte në pragun e shpërthimit. Ato çaste ata e shikonin
veten si armiqtë më të mëdhenj të njëri tjetrit. Sa ngushtë ndodhet i zoti i
shtëpisë, kur ndjen se zemërimi i miqve mund t’i përdhosë folenë e shpirtit!
Ndaj Zamiri u detyrua t’i bënte thirrje Besimit të qetësohej e t’i lejonte të
shijonin atë gosti të sajuar varfërisht me mbeturinat e festës së shkuar. I
trokitën prapë gotat dhe Besimi s’po ndalej së rrëfyeri, duke u bërë të qartë
se armiqtë ishin shumuar dhe ata po vepronin në bashkëpunim me njeri tjetrin e
me agjenturat e huaja...
Aty ndodhi
edhe ajo që s’pritej. Luani s’duroi më, u ngrit dhe e goditi Besimin me grusht
në fytyrë. Gjaku spërkati murin. Si zot shtëpie, Zamirin sa s’e përpiu dheu. U
ngrit i verbuar e me një goditje prej mjeshtri e dërgoi Luanin me gjithë
karrige, tek muri që kishte nga pas. Pasuan disa çaste të çuditshëm kur
ligjërimi ishte trembur. Besimi e mblodhi veten i pari. U ngrit dhe tundi kokën
si për të parë se ku gjendej. Kur dalloi Luanin të mbledhur kruspull, u ngrit
dhe i dha dorën për ta ndihmuar. Tani ndjente dhimbjet e mikut më të forta se
të tij. Ai s’mbante mend të kishte ngritur ndonjëherë dorë mbi miqtë. Po tani
ç’të kishte ndodhur? Kjo është miqësia e vërtetë, që pret çaste të tillë për
t’u rrëfyer. Ndryshe ç’gjë tjetër do i bënte bashkë? Çaste të tillë acarimi
s’kishte pat kurrë mes tyre, por tani që ato kishin ardhur, duhej të rrëfenin vetveten.
Zamiri s’po merrte vesh ç’po bëhej.
−Na fal. E
djallosëm!- kërkoi falje Besimi i cili tronditej sa herë shikonte shenja gjaku.
−Nuk është
faji yt, − i tha Zamiri.-Ne e humbëm kontrollin që të tre.
−Por nuk
kemi asnjë shkak për të arritur deri këtu.
−As faji im
nuk është− u shfajësua Luani.- Të kam thënë që rakia e fortë e prish jo vetëm
revolucionet, por edhe çdo bisedë për to.
−Leri këto
fjalë Luan− ndërhyri Besimi,−Ne po flasim për letërsinë dhe ajo nuk i pranon
skena të tilla.
−Përkundrazi−nguli këmbë Luani që ato çaste ishte gati ta kundërshtonte
mikun e tij edhe për ekzistencën e vet Zotit.- Letërsi pa ngjarje s’mund të
ketë. Sa më të prekshme të jenë ato, aq më përgjëruese bëhet letërsia, kurse ti
s’guxove të shkruaje kurrë për to...
Luani po
bëhej gati t’i jepte grushtin tjetër, kur mes tyre u fut i zoti i shtëpisë,
duke e ndalur ndëshkimin. Çuditërisht Zamiri vuri re se të dy miqtë po i
ngulnin këmbët në tokë dhe po zgjatnin gotat për t’u mbushur. Ishte nga të
rrallët raste nga mund të kuptohej se rakia jo vetëm të merr mendjen, por
shpesh herë po ajo të bën t’i ngulësh këmbët në tokë. Pinë prapë dhe e harruan
grushtin. Bisedat shkonin deri në një farë vendi dhe prapë ngriheshin tonet. Të
zotit të shtëpisë i duhej shpesh herë të ngrihej e të futej mes tyre për t’i
qetësuar. Njollat e freskëta të gjakut në mur, i kujtonin se humbja e
kontrollit mund të sillte edhe pasoja më të rënda.
Vonë nga
pasditja u ngritën dhe u ndanë. Dukej se kishin vendosur ta hiqnin nga mendja
plasjen e grushtit. Madje, Besimi u premtoi bileta për teatër. Të nesërmen
trupa e Bylysit do jepte premierën e një drame të Driteroit, për misrat me
kubikë. Në mbrëmje Zamiri u detyrua t’u shkojë në shtëpi të dy miqve, më tepër
për të parë se çfarë shenjash kishte lënë grindja e një dite më parë, se sa për
t’i marrë me vete e të shkonin në teatër. Nuk donte që pas asaj ngjarje të
ngeleshin armiq të betuar, siç ndodh shpesh. Ngjarje të tilla bëjnë bujë në
qytetin e vogël. Edhe pse asnjëri nga të tre nuk kishte rrëfyer gjë për të,
paskeshin folur muret dhe në fillim e mësuan familjarët e të treve, pastaj
komshinjtë e më pas, pjesa më e madhe e qytetit. Nuk dinin vetëm shkakun pse
mund ta ndezin kaq ashpër sherrin, miqtë e mirë? Por ata të tre e kaluan me
humor, duke kujtuar një postulat të lashtë se, s’mund të jesh krijues pa jetuar
të tilla shaka të tepruara...
Fatmirësisht asaj ngjarje askush nuk i ngjiti ndonjë bisht politik, i
cili do u hapte probleme të tre miqve. Ajo ngjarje mbeti mes tyre e nuk
denoncoi asnjë armik. Si shumë kujtime të këqija, ai pati edhe anën e mirë,
duke e bërë Besimin të rrëfehej më i matur kur bëhej fjalë për pogromet e
tmerrshëm. Por bindi edhe të tjerët për faktin se jo të gjitha të këqijat i
pati sistemi, i cili s’do bënte aq dëme, po të mos kishte shërbëtorë kaq
zemërzinj e të përkushtuar. Bëheshin të tillë nga frika apo nga bindja, kjo
është pikë tjetër që s’lidhet me rrëfimin tonë.
E rëndësishme
dhe ngushëlluese është se ne shqiptarët harrojmë lehtë dhe kjo është arsye që
dramat na përsëriten herë pas here.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen