Mittwoch, 12. Juni 2019

Buqetë poetike nga Gjin Gjonpali (1)

Gjin Gjonpali

MESHË SHENJTE

Përse nuk bie këmbana
Ankohen ata
Që patën rrënuar kultet

T'vetprivuarit, s'e dëgjojnë
Të shurdhët janë
Për Zërin e Zotit

Nuk bie këmbana
Për krokodilët gojëhapur.
N'botën e gllabërimit, bekimi rri larg

Meshë, meshë e shenjtë
Parakalon Kryqi 
Me Jezusin n'kryqëzim

Ca luten me besimin e Rikthimit
Të tjerë dridhen
Nën ankthin e gozhdëve...

* * *
Tam-tam, tam-tam
"Krishti u ngjall
Mesha u krye; - shkoni n'Paqe..! "



PËSHTJELLIM

...Dhe s'më ka mbetë
Asnjë fjalë për Dashuri
E as një gen i gjallë ndjenjeje
S'më ka mbetur...

Gjithçka tjetërsohet
Me hakmarrje të Përtejme
Në zemrekun e Kohës
Diçka është prishur
E në imazhin tim
Revanshi i shkurdisjes
Me shpejtësi marramendëse
Drejt Hiçit ikën

Degët e pemëve
Që era i lëkund
Krahë vdekjeje më duken
Dhe rremat, që varkën
Mes valësh drejtojnë
Me fletët e një mulliri vdekjeje
Më ngjajnë...
Deti i paanë shterron
Për tu bërë rërë e prushtë shkretëtire

Pemë e lisa bien me rrapëllimë
Shndërruar në skelete të kryqëzuara
Skelete të trishtuar
Kujtim pa kthim
I një Kohe të shkuar

Po njerëzit?
Ha, ha, haaa...
Fjala njerëzore vdiq
U varros në një varr sa globi
Dhe Dashuria
Dhe Shpresa e vrerosur
Pluhur u bënë
U vetshpërndanë kozmosit
Për të mos u kthyer kurrë më
Tek njerëzit e mbetur si statuja

* * *
Oh, asgjë s'është kështu
Asgjë
Paçka se s'më ka mbetë
Asnjë fjalë për dashuri
E as, një gen i gjallë ndjenjeje
S"më ka mbetur...



ME HIRET DRITË-HIJE

Ç'është ai vësbtrim, i bukur blu
I zhytur thellë, ashtu n'dëshpërim
- E di sa e shkurtër është Jeta këtu
Dhe sa shpejt ikën, o shpirti im ?

Ç'është ai vështrim, blu i bekuar
Herë si det i qetë, herë si trazim
Herë ndjenjë e re, herë mall i shkuar
Herë si agshol, herë si perendim

Ah, bukuroshe me hiret dritë-hije
Kontrast e kolor, ylberesh mbi ujëvarë
Ndoshta Ti digjesh në një brengë dashurie
Po unë ku të digjem, të kallem më parë..?

Ta ndiejmë pra çastin, që u pamë sërish
Më ler t'i puth sytë, rrëmbushur me lot
Nëse na ndau kjo Jetë, në tjetrën do t'më vish
S'mund të hyjë midis nesh, ky Fat idiot

* * *
Ç'është ai vështrim, i bukur blu
I zhytur thellë, ashtu n'dëshpërim
- E di sa e shkurtër është Jeta këtu
Dhe sa shpejt ikën, o sbpirti im..?!



TEJLARG, A TEJ VETES THELLË

Vijnë si agime, muzgje e mëngjese
Vijnë si hënëplota e si hënëngrëna
Vijnë edhe ikin si erëra vjeshte
Fjalë të thëna e fjalë të pathëna

Ato fjalët e tua të Lamtumirës
Sikur i këndon stinëve një zog i zi
Me vaj të thekshëm e kumt baladash
Për vorrin e ri, pa bar përnën bli

Pas atyre fjalëve, ika nëpër botë
Pashë e ndjeva, kudo, në çdo vend
Muzgjeve ktheva edhe ndonjë gotë
N'vetmi i vetmuar, diku në një kënd

Por, ah, kur mu shfaqe pasqyrim
Në at' kupë kristal me verë
Ç'rrokullimë mori ky shpirti im
Si ortek bornaje me poterë

Ç'u derdh kështu mbi kupën kristal
Ky muzg i ngratë, ky muzg i shkretë
Po Ti si hëna, tejlarg përmbi mal
Me dritëzën tënde, përse baret..?

* * *
Të mbarta në shpatije e gryka malesh
Si një copëz qiell, si një pikëz loti
Si shtegtarët bujtës në vatra stanesh
Të mbajta në gji si dikur qëmoti

Qëkur e rrëmbeva at' copëz Qiell
Pyllit, gjethnaja m'erdhi si rrëfim
Jehona tejlarg, a tej vetes thellë
Më tha se ai Qiell, s'do ish qielli im

Pastaj, në gjumë t'pafaj fëmije
I pushtuar s'e di, se si rashë në kllapi
Gjersa doriu i agsholit, me galop zjarrmie
Trokoi lëndinave të syve të mi

* * *
Ç'u derdh kështu, mbi kupën kristal
Ky muzg i shkretë, ky muzg rebel
Po Ti si hëna, tejlarg përmbi mal
Me ditësyrin e bukur, përse më del..?!



MBI VELLON MA T'BUKUR

Fli trishtimi im, fli
Mbi vellon ma t'bukur
Që zgjodhi Pranvera
Për Njomzën e Saj.
Mbi vellon e Njomzës
Që u puth dikur
Në një muzg të shenjtë

Fli trishtimi im, fli
A e dëgjon zemrën e Saj
Poshtë asaj velloje
Dhe pikëllimin e Saj, a e sheh
Se si padukshëm nxin Qiellin
E bëhet lot i blertë hapësire

Fli trishtimi im, fli
Dhe mos u habit
Pse vellot janë kaq të bardha...

* * *
Fli trishtimi im, fli
Mbi vellon ma t'bukur
Që Pranvera zgjodhi
Për Njomzën e Saj

Asnjë puthje s'do të jetë
Si Puthja jonë e Parë
Asnjë trishtim s'do të jetë
Si trishtimi ynë

Fli trishtimi im, fli
Përmbi vellot
Që fshehin
Trishtimet, që ikën
Trishtimet, që vijnë
Përmbi vellot
Që fshehin
Trishtimet e botës...

Fli trishtumi im, fli..!



TEK NJË GUR E NJË KRYQ DRURI

Kodrina kurrizore
Zhduket nëpër hijet e muzgut

Në barkun e Saj
Unë rri i strukur galuc
Si Uliks vegimtar
Me tmerrin e tymit e zjarrit tragjik
Me klithmat e shuarjes dhe hirin e heshtjes
Me batërdinë, që la pas
Tundimi mëkatar, egërsia njerëzore

N' Itakën time: - Nikaj-Mërtur
Më pret në tjetrën botë
Duke endur e ç'endur pëlhurën e pritjes
E dashura ime e parë
Që s'ka krahasim me asnjë Penelopë

Penelopa ime
Më besnike se Penelopa homerike
Prej botës tjetër, rri e më vështron
Se si m'varet Lumturia
Diku mbi një hon
Që, as bie n'humnerë
Dhe as nuk shpēton

Ndërkohë
Në shenjë kujtimi
I djegur prej mallit
I lë një cigare duhani
Te koka e varrit
(Një rit i çuditshëm, për t'vdekunin)
Që, kryhet prej t'gjallit

Lë cigaren aty
Ku rri ngulur cekët
Një gur e një kryq druri
Ku vdes e ringjallet
Dashuria e një burri...

Kodrina kurrizore
Zhduket nëpër hijet e muzgut
Jam kthyer n'Itakën time
Nuk kam me kë të luftoj
As me kë të bëj Paqe...



PAS VITESH MUNGESE

Pas vitesh, mungese
Kërkova të gjej limane në sytë e Tu.
Ah, drita, ngjyrat ishin fikur
Por, i ndritur është çasti, kur je këtu
Dhe as që e dija, sa të kisha pritur

Më kish mbetur zemra
N'ato ditë
Kur me zjarr të desha pambarim
E dija Veten, prap të ri
Pa gjurmët e Jetës, n'portretin tim
Por, si naiv i leshtë u ndjeva
Nën vështrimin Tënd të habitur
Kaq shumë, vallë, kisha ndryshuar..?
Vallë kaq shumë, më kishe pritur..?

Ja, rrimë përballë
Si dy statuja
Me gjuhë memece, pa folur dot
Prej gjoksit zemrën, Zot, si s'e shkula
Ti i the të gjitha, me dy pika lot...



ZERO

Zero 
Zero, në mes si varr

Pozitivët - parajsorët
Negativët-ferrtokësorët
Tek Ti ndahen, tek Ti varrosen
- Zero, në mes si varr.

Zero
Zero, në mes si varr
S'e di përse në mes të Europës
Shqipëria ime
Krejt si Ti më ngjan

Zero, në mes si varr...



ERA
(Te Kisha e Nikajve)

Mbi Kryqin e Kishës
Qan era
Era qan e psherëtin
Mbi kryqet e varreve:
- " Mbeta korijeve, pa u kryqëzuar
Me bekim hyjnor të shenjtëruar
Mbeta korijeve, lis në lis, rënkimtare
Ah, e pakryqëzuara shenjtnisht në kryq
Ah, mëkati i padukshëm, te kryqet mbi varre..."

Mbi Kryqin e Kishës
Mbi kryqet e varreve
Qan e psherëtin era
Qan e psherëtin
Era e të vdekunve
Era e të gjallëve
Mbi Kryqin e Kishës
Mbi kryqet e varreve...



FRYMA

Shtatë herë më ra lëkura
Derisa mbeta asht

Erdhi i Paudhi, me lëkurë krokodili
I fryrê me ligësi, me vdekje i fryrë

Qeniet me lëkurë janë vogëlane
Veçse Fryma madhërohet në ashtin tim..!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen