Donnerstag, 20. Juni 2019

Buqetë poetike nga Demir Gjergji

Demir Gjergji

BALADA E NUSES

Tupanët më s’binin për valle...
“Për tutje” po jepnin kushtrim.
Fustani, palë pas pale,
Nga tymi i pushkëve nxin.

Gjogun, që erdhi për nuse,
E grahu kalorësi i luftës.
Me lot i mbushe shtatë puse,
Tek prisja në skajin e udhës.

Në shesh të përgjakur beteje,
Ty dasma papritur t’u kthye,
Veç velloja me pamje prej reje,
M’u shfaq vajtimtare mbi krye.

Fëmijët tanë të nesërm,
Thirreshin me radhë nën armë...
Në fund dhe mua, pa shpresën,
Mbi kalë më panë të vrarë.



SHQIPONJA
-Parodi-

S’pyet aspak, 
Se e ka shembëlltyrën në bajrak,
As se i kanë shtuar një kokë rezervë,
Me kast,
Për çdo rast...
Në veshë s’i vijnë
Himnet që ia këndojnë
Në çdo festë, protestë, betim a bast....

Fluturon mbi kryet e “bijve” emërrëmbyes,
Lëshon tek-tuk ndonjë glasë
Majë më majë
Dhe bën tej e pafaj,
Nëpër qiej të paskaj.




REVOLTA E RËRËS

Rëra përgjatë bregdetit,
Shpalli pluralizmin nga të nxehtit:
Grimca pro e kundër
Grindeshin mes vedit,

Ne s’merrnim vesh asgjë.
Prej tyre giciloheshim e qeshnim.

Protesta, bojkote,
Postera, kryengritje.
“Rroftë!”
E “Poshtë!”

Ne përsëri, asgjë...
Shullëheshim për shtatë palë qejfe.
Pa ndjerë as krisma, as zë.

Revolucion!

Këtu s’mban më!
Rëra shtjellet në erë!
Na hyn në flokë, në sy, në veshë.

Nis të bjerë...
Përmbyset çdo gjë;
Nën të
E mbi të!




VETERANËT

Te klubi i ngushtë, në katund:
Heshtje dhe zhurmë...

Ata të luftës mburren me dhunë:
Paguaj unë!

Këta të paqes urtohen më shumë!




PLAGJIATURË

Unë, Udhës së Qumështit,
Ti, Kashtës së Kumtrit,
Në të njëjtën ëndërr,
Në kulmin e kumtit,-
E njëjta poezi
Në dy yllësi...

Nga kozmos i gjumit, 
Të ikur qyshkur,
Në Udhën e Pluhurit,
Të dy nën akuzë
Për një plagjiaturë!




ETËRIT
-Rrëfim jetimi-

S’i kam parë;
As kurorëshkelësin,
As atë tjetrin
Me karafilin gjak
Në jakë...

Mbaj mend njerkun,
Të tretin,
Që tek mbyllte sytë,
Më kërkoi te kryet.




HUMAN STORY
-Ciklikë-

Hyhet me pikëpyetje...

Vazhdon me kacafytje,
Me shpata e me shqyte,
Me korba e me qyqe,
Me gjyqe dhe me kryqe,
Me skica dhe etyde,
Me vese dhe vyrtyte.

Mbyllet me pikëpyetje!




PORTAT E HAPURA
-Kundërkronikë-

Portat e kështjellës, hapur prej qëmoti,
Si sy rojash vrarë tinëz prapa shpine,
Tek vrojtonin ditëve, netëve kot së koti,
Ndërsa nuk e dinin se ç’armik po vinte.

Fërgëllojnë paq mespërmes rrënojash
Diamante zonjash, hije kryezoti...
Në mëshikëza muzgjesh, feksje xixëllonjash,
Nëpër rruzuj vese, ndezur pika loti.

Portë e madhe hapur! Një hap e hyj brenda,
Çasti brenda meje tani është i lashtë.
“Me kë ish liria”, pyet befas mendja,
“Me frikën pas muresh a zemërimin jashtë?”




MARSHI NË MJEGULL

Me këmborë përçori i gjorë,
Tund dheun: “Ja tek jam këtu!”
Ndërsa pylli fle nën borë
Dhe fiken yjt mbi re, s’di ku.

As yll, as pyll... Veç borë e re,
Dhe një këmborë kumbon gjithkund.
Përçori i verbër, pa kope,
Në mjegull-terr këmborën tund!

Dhe bam e bum, dhe dang e dung!
Dhe tjetër zë s’dëgjohet kund...




PARANDJENJË

Pa u puthur, ende pa u puqur,
Më flet për lot, për plagë e ndarje,
I ikën ndjenjës më të bukur,
I frikesh si të jetë malarje.

A mos është kështu më mirë:
Ta shijojmë më parë farmakun,
Pastaj, thellë në errësirë,
T’ia ndjejmë njëri-tjetrit gjakun?




GËNJESHTRA

Para pushkatimit
E gënjyen:
“Prej pambuku janë plumbat.”

Dhe
Vazhdon të rrojë,
Në një qiell me pëllumbat!




UJË I URTË

Vaginës së luginës fle
Si shpend i moçëm në fole.

Zbritur-ngritur prej së thelli,
Erës në shkallare qielli.

Shkulm e zulmë, shkumë në kum...
Dhe në fund, fatlumë në gjumë.

Ëndrra brigjesh mbi lëkurë:
Qiej, stinë, stuhi e drurë.

Vaginës së luginës fle,
Veten re në gjumë e sheh...




TJETRA

Atë larg e lija...
Tek ti më sjell hija.
***
Rrokulliset loti,
Rrotullohet globi,
Prush më djeg i ftohti,
Ngricë më ngrin i ngrohti.

Brengë te një shteg,
Urë, breg më breg,
Dhimbjeve, strateg,
Festave, ajzberg.

Ditët si thëngjij,
Shkel e shkoj si xhind!
Nga pas, brinjë më brinjë,
Frymë e saj më grin.

Ja, dhe pak..., dhe pak!
Dhjetë,... tre,... një hap.
Ti shpirtin ma hap
Dhe loja nis prapë...

Andej mbyllen shtigjet,
Këtej digjen brigjet,
Shfuqizohen ligjet,
Triumfojnë rreziqet!
***
...Dashuri-mëria

Jetëve të mia.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen