Dienstag, 11. Juni 2019

Hamit Taka: DASHURI NE ISHULLIN E FEAÇËVE

Hamit Taka

DASHURI NE ISHULLIN E FEAÇËVE 

I

Fjala se ishin hapur kufijtë kishte marrë dheun, por unë e mësova vetëm pak orë para ndërrimit të viteve. Lash darkën e festës së Vitit të Ri në sofër, ku një herë në vit ndodhte të ishte aq e begatë, vesha ca rroba me ngjasme të mira dhe u sula si qeni, që ka këputur zinxhirin. M’u lëshuan prapa babai, nëna dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit e motrat, një lukuni e tërë, për të më ndalur, pasi të nesërmen do të damkoseshin si babai, nëna, motrat e vëllezërit e tradhëtarit të Atdheut. Na, more, ku vete, te monarko-fashistët grekë, që do të bëjnë mish për qen? Thërriste babai. Kthehu në shtëpi, bir! Kthehu shpirt! Kthehu xhan! Kthehu zemër! më lutej e më përgjërohej nëna me vraga lotësh në faqe, më e dhëmbshura në botë. Mos ik, vëlla! Vëllai ynë i madh! Vëllai ynë i shtrenjtë! Mos na lerë vetëm, vëlla, ti je mburoja jonë, ne të duam shumë! Qanin motrat. Ulërima e fundit ishte e babait: Ku vete pas atij qeni, nipit të kulakut! Ai të ka futur në qorrsokak, do të na nxijë edhe ne si veten… Se, t’ju themë atë që është e vërteta, ne me lëvere visheshim e papare hanim, ama biografinë e kishim qelibar. Por ato sharje për Besin, domethënë bashkudhëtarin e fatit tim, që dolën nga goja e babait më nervozuan aq shumë, sa isha gati të bëja atë, që s’e kisha bërë kurrë: t’i këpusja një të sharë vënçe. Po nuk ma nxënte goja. Ama prapa nuk më kthente dot më as babai as Zoti dhe as dreqi.
Të jemë i sinqertë, në ato çaste isha krejt i zbrazur. I papërgjegjshëm dhe i pandjeshëm. Nuk dija as ku shkoja dhe as pse shkoja. Nga njëra anë zhurma e hapave dhe thirrjet e familjes sime të stërmadhe, që më dukej se më ishin qepur prapa gjithë ushtarët e kufirit, gjithë qentë e kufirit, gjithë sigurimsat, gjithë spiunët e gjithë çeta vullnetare e fshatit, nga ana tjetër më vinin në mend fjalët e gjyshit veteran se tej kufirit ishte ferri vet, domethënë para më prisnin pritat, pusitë, dinakëria dhe urrejtja e monarkofashistëve. Ama, në ato çaste, nuk ndieja as dashuri as urrejtje as dhimbshuri as mallë as frikë. Një kurajo e verbër më shtynte të ikja nga sytë këmbët. Vetëm doja të ikja, të mos e ktheja më kokën prapa. Për pendesë as që bëhej fjalë. E përshëndeta me dorë për herë të fundit familjen time dhe çava ferrën. Kështu i thonë fjalës, se unë çava klonin, telat me gjëmba. Nuk thonë kot: i riu si veriu!
Bëmë si bëmë, e ndamë terrin më dysh, çamë mes maleve e pyjeve, çamë edhe lumin mespërmes, anashkaluam dy fshatra, se mos na kapnin policia e ushtria kufitare e monarko-fashistëve. Sidoqë mëndjen e kisha mprehur përballë rrezikut, pritave e pusive, prapë se prapë, kur pashë si ylberonin dritat shumëngjyrëshe fshatrave, më kujtoheshin fjalët e veteranit në shkollën 8-vjeçare, se të mesmen e lashë në gjysmë: “Këtej ditë, andej natë!” Se proletarët tej kufirit hiqnin të zitë e ullirit dhe në fshatra hante pula strall…
Mëngjesi i parë në tokën helene na zuri buzë një liqeni të vogël malor. Matanë liqenit ishte një qytet apo fshat, sepse atje edhe fshatrat ishin më të mëdha se qytetet tona periferike. Ndonëse ishte një ditë e kthjellët, xham, dielli ishte i zbetë e i vakët. Duke mos ditur nga t’ia mbanim e çfarë të bënim, u shullëmë dy-tri orë rrëzë një shkëmbi, pasi i ftohti i natës na kishte arritur në palcë. Hëngrëm pak nga tagjia, që kishte marrë Besi me vete, se unë ika si ai që i bie zjarri në shtëpi. 
-Ne s’jemi nisur për t’u fshehur ferrave, jemi nisur për një jetë më të mirë, -më tha Besi. 
-Ç’të bëjmë, nga t’ia mbajmë? -ia ktheva. 
– Nisemi. Ndjekim ata dy burrat, që ecin në qejfin e tyre. Pas tyre do të gjejmë nga mund të hyjmë në fshatin matanë, -i dha fund tundimit Besi. 
More, ky pinjollii i kulakut, si shumë kurajoz më hiqet, mos ka qënë ndonjë herë këtej kufirit? Kushedi ç’mund të ketë katranosur ky. Edhe mund të ketë bashkëpunuar me diversantët, që hynin e dilnin në kufirin tonë si macet nga vrimat e derës, thashë me vete. Nejse, i ndoqëm ata dy burrat, duke ruajtur një farë distance. Dhe, kur menduam se arritëm te vendbanimi përtej liqenit, na e preu rrugën dreqi. Dy-tri makina dhe njerëz që silleshin të shqetësuar rrotull tyre kishin ndaluar në një kryqëzim xhadesh. Zumë vend pas një shkurreje dhe vëzhgonim. Me sa dukej, ishte një aksident, se mbriti dhe një makinë policie me tre-katër policë. Atëherë na hyri frika në bark. Pamë një urë atje afër dhe u fshehëm nën të. Pa kaluar as dhjetë minuta na zuri gjumi si të vdekur. Kur u zgjuam, pamë edhe natën e tokës helene. E kthjellët ishte gjithçka në qiellin e asaj nate, ku vozisnin të njëjtat yje dhe e njëjta hënë, se unë mendoja mos në dhe’ të huaj edhe hëna edhe yjet duhej të ishin ndryshe, më të zbetë e më të ftohtë. Nga i ftohti dhe uria na dukej sikur kishim mbritur në tokën arktike. Dëgjonim zorrët tona që gurgullonin si uji i lumit nën urë. Hëngrëm nja dy kafshata nga tagjija që na kishte mbetur dhe morëm udhën pa udhë. Kur kaluam atë fshatin buzë liqenit, duke ikur me kujdes, i shpreha habinë Besit: 
– More Besi, si gjykon ti, deri tani s’na kanë trazuar fare këta monarkofashistët?! 
-Me sa duket këtu vigjilenca nuk është aq revolucionare sa tek ne, -ma ktheu ai.
Nuk përshkruhen peripecitë e udhëtimit, plot shtatë netë e shtatë ditë. Të kapur fort pas vendimit: për lirinë e një jetë të re edhe malin e bëjmë fushë edhe detin e bëjmë stere, nuk ka më kthim prapa, u bëmë ballë të gjithave, sidomos frikës e drojës. Frikë kishim vetëm nga policia greke, drojë nga të gjithë. Drojë për të kërkuar një copë bukë, një shishe ujë apo një kasolle për të fjetur. Ama, të jemë realist, ki inatin, fali hakun, bukën, ujin e ndonje cergë për të fjetur, nuk na i kurseu askush. Bile, na dukej sikur bëheshin tepër bujarë, kur merrnin vesh se ishim alvani, domethënë shqiptarë. 
Ditën e shtatë arritëm në një fshat të madh, gjysma det e gjysma mal, i cili ishte si paradhomë e një qyteti të madh bregdetar, emrin e të cilit e mësuam më vonë. Fushë nuk dukej gjëkund. Me se ushqehen këta njerëz? i thashë Besit. Ta shohim, ma ktheu Besi. Vendosëm të nguleshim atje si fillim. Gjetëm një kasolle të zbrazët në krye të fshatit dhe u futëm brenda. Sosëm paninet e furrëtarit bujar në fshatin e fundit ku kaluam natën, por jo copën e djathit, të cilën familja ime s’e konsumonte as në dy muaj. 
-Sa bujarë këta monarkofashistët! – i thashë Besit. 
-Edhe prindërit tanë të njëjtën gjë do të bënin, -ma ktheu ai. Unë vazhdova në timen: 
-Nuk na bën mish për qen monarkot. 
-Prit se mos e ka dardha bishtin prapa, -ma ktheu Besi. Mendova një çast se Besi, pinjolli i kulakut, mund t’i merrte si provokim pyetjet e një biografiqelibari si unë. Prandaj i thashë shpirthapur: 
-Ama kjo vigjilenca e monarkofashistëve jo që nuk është revolucionare, por qënka zero fare. 
Ai ktheu kokën, i befasuar nga fjalët e mia të sinqera dhe u shtri. 
Pasi e kishim mbushur plëndsin me panine e djathë, fjetëm si mbreti në kashtë. Të nesërmen thurrëm planin e veprimeve, sigurisht të matura. Natën do të zbrisnim afër detit, ditën do t’i ngjiteshim malit. E çfarë mali! Pjesa mbi ne ishte krejt e çveshur, më keq se mali i fshatit tonë, të cilit ia kishim qethur pyjet për drutë e furrës së bukës dhe i kishim djegur për kullotat e bagëtive. Ai mali i monarkofashistëve ishte nga Zoti ashtu, si vezë e ngjyrosur Pashke. Ama, poshtë neve, të luante mëndja nga shtëpitë e bardha dy e tre katëshe, mbuluar me tjegulla të kuqe gjak, mes blerimit të harlisur. Të nesërmen, jo, të pasnesërmen gjetëm një punë të vogël me nga tre mijë dhrahmi merokama, ashtu i thonë grekët ditëpunës. Por për ne ajo ishte një pasuri përrallore. Aq s’i merrnim asnjë muaj në kooperativë. Ashtu kaluam disa ditë, me pak-o punë e pak-o gjëra.
Natën ndihmonim ndonjë peshkatar, ditën ndihmonim ndonjë fshatar, që pastronte kopshtet apo meremetonte shtëpinë. Në atë fshat, ku shumica jetonin me turizëm, nuk kishte punë gjatë dimrit. Në prill fillon puna këtu, më thonin me njrëzillëk banorët.
Ato ditë kisha filluar t’u jepja një melodi nga ato populloret, që këndoheshin në fshatin tonë, vargjeve të Çajupit, të cilat kishte filluar t’i përmendte shumë kohët e fundit një mësues letërsie në fshatin tim: “Gjithë jetën nën urdhër/ qeseja kokërr hudhër”.
Sidoqoftë, në ato pak ditë që jetuam në atë fshat turistik bregdetar, kuptova një gjë: ata monarko-fashistët ishin robër që shihnin punën e tyre, jetën e qejfin e vet dhe s’donin t’ia dinin shumë për të tjerët. Por më habiste edhe fakti se nuk tregonin ndonjë armiqësi të madhe me ne. Ndërsa ata pak turistë, përgjithësisht nga Veriu i Europës, që shijonin qetësinë e fshatit pranë detit, kur merrnin vesh se ishim shqiptarë, na shikonin si UFO. Që të jemë i sinqertë, unë atëherë ngjaja tamam UFO. UFOOO! me të madhe. Thatanik, fytyrimtë, kokëvogël, sytë të kërcyer si të hardhucës, leshrat të gjata e të rralla, mjekra qose, ca fije të zbeta atje-këtu, në ngjyrën e kashtës së tharë. E ç’doni më tjetër? Katastrofë isha fare.
Besin, i cili kishte trup e forcë si të ariut, e morën peshkatarët në punë. Bile njëri nga peshkatarët u bë nuni i tij. E pagëzoi me emrin Kristo. Unë mbeta vetëm dhe s’dija nga t’ia mbaja. Dilja mbrëmjeve e mëngjeseve anës detit, se mos dukej Besi. Rrallë e takoja, por, kur ndodhte, më dëndëte me peshk, të cilin e piqja në një skarë. Pa vaj, pa gjë, bëhej i shijshëm, që të lëpije gishtat. Nuk më linte edhe pa ndonjë dhrahmi, se pronari e paguante Besin në krye të javës. Më në fund edhe unë, që nuk merrja dot një vendim për nuse, e mora një vendim burrëror: Do të dal hapur, nuk rri më fshehur e me frikë, sikur qeni qepën të hajë, thashë. Dhe ashtu bëra. Kërko punë këtu e kërko atje, u bëra i njohur si kërriçi balash. Dhe s’mund të mos i jem mirënjohës familjes së parë, që më mori në punë një javë plot. Ishte një familje, që u kishte vdekur i pari i shtëpisë dhe komandën e kishte gruaja, zonja Efi. Vëllai i saj, zoti Kostandinidhi, u bë i pari nun për mua. Kishte dëshirë të më pagëzonte me emrin e burrit të Efit, të ndjerit Jani. Edhe unë s’ia prisha.
Më në fund edhe Besi u bë firar. Kaluan disa javë që nuk dukej. Unë e prisja çdo mbrëmje tek vendqëndrimi i anijeve të peshkimit buzë detit. Kur më tundi një mbrëmje dorën nga anija, desh rash në det nga gëzimi, se s’dija as not, pa le. Sa u përqafuam e i rrahëm shpatullat njëri-tjetrit, Besi ia plasi: Do të ikim në ishull, më tha. Në çfarë ishulli? i thashë. Në një ishull. S’e di ti ç’është ishulli? Unë nuk e dija se Greqia kishte më shumë ishuj se qytete e fshatra bashkë, domethënë ishte vendi i ishujve. Por, më kishte mbetur në mëndje filmi i vetëm që kisha parë në kinema, herën e parë e të fundit që kisha shkuar te daja në Tiranë, kur isha nja 18 vjeç. Ai film ishte ndryshe nga ata që na sillte në fshat autokinemaja me partizanë, ballistë e kinezë. Filmi quhej “Aventurat e Uliksit” dhe thuhej se luante një kosovar. Që të jemë i saktë, nga tërë filmi, më kishte mbetur në mëndje Nausika, e cila thuhet se ishte bukuroshja e Mesdheut. Dhe, meqënëse ajo banonte në një ishull, që quhej ishulli i Feaçëve, mendoja se ai ishte ishulli i vetëm ku mund të shkonim.
– Ç’do të bëjmë në ishull, mirë jemi këtu?- i thashë Besit. 
– Kam gjetur punë të mirë e me para, që s’i kemi parë as në ëndërr,- m’u përgjigj. 
– Ma thuaj çfarë pune është, Besi, se më plase!
-Gurë, ore gurë! Do të nxjerrim gurë në madem, që këta e përdorin për të veshur e zbukuruar muret . 
Nuk durova dot më pa ia shprehur habinë dhe kundërshtinë time.
-Pak gurë kemi shkulur në fshat, sa të hante qeni, duke ndërtuar transhe e bunkerë maleve e kodrave? 
Por Besi ma preu me sopatë: Mos e zgjat më!

II

Të nesërmen në mëngjes morëm ato pak rraqe, që kishim mbledhur gjatë ditëve të qëndrimit në fshatin turistik dhe u nisëm me anijen e peshkimit, ku punonte Besi. Nga mesdita sosëm në ishull. Një ishull shumë i bukur, se, për mua, s’kishte si të mos ishte i bukur ishulli i Feaçëve, ku dallga hodhi Uliksin, për të takuar Nausikën. Ama nuk doli të na priste ne asnjë Nausikë. Shkuam direkt te shtëpia e pronarit të gurores. Na sistemuan në një dhomë jashtë shtëpisë dhe na ushqyen mirë. Pasdite na njohën me punën. Mendoja se do të punonim me qysqi e varre dhe për atë isha në hall të madh. Unë imcaku 60-qillosh të punoja gjithë ditën me qysqi e varre?! Po monarkofashisti kishte ca makineri, që e priste dhe e bënte gurin lule. Jo se ne do të mblidhnin lule e do të thurnim kurora, por nuk ishte si nxjerrja e gurit në kooperativë, që na kepuste në kërbishte.
Punuam ndonjë muaj bashkë me Besin. Merrnim para me grushta dhe ia bënim qejfin vetes. Natën flija si qëngj nga lodhja dhe shpërblimi i mirë i punës që bëja. Në ishull u bëmë shumë shpejt të njohur. Të shikoje e të dëgjoje nikoqiret helene: “pedhi mu” njëra e “moro mu” tjetra, “agori mu” njëra e “glikos mu” tjetra. E si të mos habitesha? “Pedhi mu” më thonin edhe gjyshet edhe kuklicat. Ama afendikoi dukej nursëz. S’na jepte muhabet fare. Na jepte vetëm urdhëra dhe para. Të gjithë ishullarët i flisnin barba Miço. Zonja quhej Katerina, Vajza e vetme quhej Margarita, kurse djalit, po ashtu i vetëm, i flisnin shkurt, Saqi. Kur ma mësuan emrin, burrat, gratë, pleqtë e fëmijët më thërrisnin “qirje Ilia”. Me emrin Ilia më pagëzoi vetë barba Miçua, domethënë nuni im i dytë, por i pari në ishull. 
Do të thoni ju pse Ilia e jo Kristo apo Jani, siç e kanë vënë në Eladhë gjysma e emigrantëve shqiptarë? Nuk e zgjodha vetë emrin e ri, më pagëzuan ata, monarkofashistët. Dhe se mos e merrni me ndonjë paragjykim kushedi. Jo, ashtu u erdhi mbarë. Se historia e emrit tim është pakashumë e ndërlikuar. Unë, siç jua kam treguar, jam fëmija i parë në familjen e Duro Shkozës me dymbëdhjetë fëmijë. Gjyshi im ishte plak me mënd. Mos u grindni u tha babit e mamit, domethënë djalit dhe nuses së djalit, se emrin e kam menduar vetë. Hë, baba, thuaje, nxitoi mamaja çakërrfqejf, që të mos dilte e babit. Do t’i japim emrin e djalit të Udhëheqësit tonë, tha imgjysh. Mamit i qeshi fytyra, babait iu zymtua më tepër nga ç’e kishte. E pamundur, s’bën! Ncëk! Ncëk! Ncëk! Nuk kemi tagër ne që djali ynë të mbajë emrin e djalit të Udhëheqësit. Ky zogthi ynë do të vishet me rrecka pecka, tërë arrna e tërë zhul, do të hajë bukë me qep, do të bëhet pis, do të bëj budallallëqe me thes e do të shahet me shokët mbarë e prapë, nga nëna e baba me fjalët më të pista. Nuk bën. Nuk bën. Kundërshtoi babi. Pastaj ia nisi mami, që në fillim mendoi se propozimi i vjehrrit do ta fashiste sherrin mes tyre.
Unë pajtohem plotësisht me vjehrrin tim të dashur, tha ajo. Me atë emër djalit tonë s’do t’i dhëmb koka kurrë. S’do të guxojë njeri t’i thotë as “mashallah!”. Mësuesit do ta kenë kujdes, nuk do ta ofendojnë e nuk do t’i vënë nota të ulëta, pa lëre t’i vënë nota jo kaluese. Qeveria do t’i japë shkollë edhe punë të mirë. 
Të dy ngulnin këmbë si mushka në të tyren. Puna vajti deri te sekretari i organizatës bazë, të cilit i kërkuan mendimin, aprovimin desha të thoja. Por ai kundërshtoi automatikisht dhe kategorikisht. Emri i djalit të Udhëheqësit është simbol, ai mëshiron rrënjët tona, prejardhjen tonë historike, gjë që s’mund ta përfaqësojë askush tjetër e jo më birboja juaj… Mirëpo babai im ka një huq, po t’i kundërshtosh për një gjë, ai bën të kundërtën, domethënë atë që i thotë koka. Sa emra të tillë ka në Shqipëri, tha ai nëpër dhëmbë dhe shkoi mënjëherë në gjëndjen civile, ku më regjistroi me emrin e djalit të Udhëheqësit. Dhe vërtetë, më në fund, pas 23 vjetësh, doli fjala e mamit. Edhe ku se! Mu te monarkofashistët. Se, po ta kisha emrin, ta zëmë Mahmut, me të cilin babai donte të rilindëte emrin e xhaxhait dëshmor, do të shtrëmbëronin buzët e do të prishnin hundët helenët. Kushedi sa do të përpiqesha të gjeja ndonjë punë për të qënë. Kurse me emrin që kisha, sa më pyetën: pos se lene(si të quajnë?), u përgjigja hazër-xhevap: Ilir. Aa! Ilia! Poli orea onoma!(Shumë emër i bukur!), thanë ata. Se mos u mbetet merak, nëna donte të më pagëzonte Çapajev, e kishte dëgjuar nga një roman sovjetik, emër i cili nuk do t’i shkonte shtatit tim të pakët.
S’është pa gjë ajo fjala: për hir të borzilokut vaditet dhe vazoja. Për hir të Nunit tim, barba Miços dhe zonjës Katerina, ngado që kaloja e kudo që hyja, greket, të vjetra e të reja, ktheheshin nga unë dhe m’i ngulnin sytë m’u në fytyrën time qose. Se ta dini, ndonëse 23 vjeç, akoma nuk kisha vënë brisk në faqe. Kur shkoja të pshonisja, shitëset më shikonin drejt në sy, më buzëqeshnin e më shërbenin si zotni i vërtetë. Arrita deri atje sa ulesha pa drojë në tryeza me helenet, pinim kafe, çaj apo ndonjë Coca Cola… E si ishte ajo Coca Cola! Unë deri atëherë s’i dija as emrin as ngjyrën e as shijen… 
Erdhi tamam koha që edhe unë të ndihesha i dashuruar. Dhe jo nga një e nga dy. Nuk e dija që kisha gjak kaq të ëmbël. Se për bukuri, aha, e shihte edhe bufi se ç’majmun i ngordhur isha. Njëzet e tre vjeç, gjashtëdhjetë kile burrë. Çudia më e madhe për mua ishte se, ndërsa vajzat e fshatit tim nuk m’i kthenin sytë fare, se mos ua ktheja unë xhanëm, vajzat greke më shikonin drejt e në sy. Më buzëqeshnin, më përshëndesnin dhe më drejtoheshin me fjalë, që nuk ekzistojnë në fjalorin tonë ose të bëjnë të skuqesh deri në kockë para burrave dhe grave: “ela agapi mu!”(Eja i dashuri im), “ela psiqi mu”(hajde shpirti im), “ ade kuklos mu”… e kush i mban mend të gjitha. Fillimisht unë se si bëhesha në fytyrë. herë skuqesha, herë hutohesha e herë buzëqeshja kuturu. Kjo më ndodhte se të gjitha fjalët i konvertoja me kuptimet e përafërta në shqip. Bëja përpjekje të komunikoja atra-patra me ishullarët, por, aha! S’isha asgjëkundi. Habitem edhe sot si nuk shqyheshin gazit me budallallëqet e mia. Se të jetë për ne shqipot, ia këpusnim gazit kur ndonjë minoritar grek deformon shqipen tonë. Përshembull, kur shokët e mi të klasës donin të thonin “keni”, shpreheshin “qeni”. Pa le kur donin të thonin “kini”, thonin q… ,e merrni vetë me mënd si e shprehnin. E si të mos ia plaste së qeshuri tërë klasa? Nuk përmbaheshin dot as mësuesit vështrimvëngër.
Mirëpo nuk zgjati shumë kjo jetë e paqtë në ishull. Një ditë erdhi një zotëri dhe e ftoi Besin të punonte në një anije të madhe, “transoqeanike”, thonin, pa ku dija unë. Besi në fillim e kundërshtoi, duke i folur hapur, se ishte një fshatar i thjeshtë, pa përvojë e pa njohuri as nga anijet, as nga deti, as nga historia e as nga gjeografia. Por pronari nguli këmbë dhe e bindi Besin. E kështu pinjolli i kulakut më la përsëri vetëm në mes të ishullit. Nejse, u ndamë me lot e me rrahje shpatullash. Gjaku s’bëhet ujë. Ama mua në ishull, pa Besin, më dukej vetja si Robinson Kruzoi. Sikur më prenë një krah. Vrava mëndjen se çfarë të bëja i vetëm kur të lija punën, për të vrarë vetminë e mërzinë. Eureka! thirra një mbrëmje aq fort, sa më dëgjuan edhe familjarët e afendikoit.
Kot s’thonë: nevoja dhe përvoja janë mësuesit më të mëdhenj. Fillova mësimin e gjuhës helene, se s’doja të dukesha si shurdhi në kuvënd mes ishullarëve. Ama iu futa punës derrçe, me themeli ju themë. Punova me një program, që e mendova vetë, pa ndihmën e askujt. Dhe pata sukses të pa imagjinuar. Se mos ma merrni për mburrje, por intuitën e kam brisk dhe kujtesën e kam zamkë fare. Edhe për zellin s’ma ha qeni shkopin. Arrita t’ua kuptoja fjalën ishullarëve sa hapnin gojën dhe e regjistroja menjëherë në memorje. Kur shkoja në apothiq, filloja t’i shkruaja, shqip sigurisht dhe i riprodhoja gjysmën e natës. Të mos ua hamë hakun, kur e panë ishullarët sa i vetmuar ndihesha pa Kriston, pa Besin pra, filluan të më afronin më shumë e t’i qanim bashkë hallet e mia. Ndërsa familja e afendikoit m’u bë si familja ime e kaluar asaj. Siç e kuptoni, le të rrimë shtremëbër e të flasim drejt, në vend të djallit atje te monarko-fashistët m’u paraqit ëngjëlli. Fillova të mos e ndieja më mungesën e Besit. Ai shpesh më merrte në telefon. Sigurisht në telefonin e afendikoit. Atij as i kishte shkuar nëpër mend se unë humba shokun, bashkëfshatarin tim, po fitova Margaritën. Ah, Margarita, Margarita! Sa iku Besi, ajo filloi të më afrohej si tigresha gjahut të vet. Si duket, deri atëherë kishte drojë nga ai. Dyshimi i mëparshëm se mos ajo dashuronte Besin, u shua menjëherë, qëkur ai u zhduk në horizont me transoqeanikun. Më hodhi këlyshët në tru me vështrimet e sjelljet e saj. Për 15 ditë isha dashuruar me të deri në gjak e deri në palcë. Ajo për mua ishte pëllumbeshë, ishte thëllënxë, ishte fllad plot aromë, ishte dallandyshe, që fluturonte në çast lart në qiell e në çast kthehej me cicërima tek unë. Ja, kjo ishte liria: i punësuar, i mirëpaguar, i dashuruar. Ndihesha si veshka në mes të dhjamit, kur thoshte gjyshi im.
Mirë e kanë thënë të parët tanë të varfër: mirëqënia të prish. Po thonin edhe këtë tjetrën. Paraja të bën të hedhësh valle nga sevdaja. Ashtu e pësova dhe unë, sa fillova ta ndieja veten Don Zhuani i ishullit. Çfarë t’ju mollois tani më parë? Mos ma vini re që, gjatë rrëfimit tim, përdor jo rrallë ndonjë fjalë greqisht, se kjo helenishtja m’u rrënjos në gjak. Kur e njoha mirë vendin dhe mësova gjuhën, u hapa si vaji në lakra. Mbrëmjeve e ditët e pushimit ikja me traget në atë qytetin e madh bregdetar, që ju tregova më parë. Atje bëhëj gallatë, bëhej qejf. Fillova të frekuentoja edhe buzuqet, pa le! Atje ishte tamam siç thoshte gjyshi im: U bë deti kos. Vu qejfi, vu dhrahmitë! Dhrahmitë i paguaja unë, se mos e merrni sikur m’i paguanin pronarët e buzuqeve. Nuk përshkruhet kënaqësia në ato lokale të nëndheshme. S’keni parë ju vajza bukuroshe, që vijnë vetë e të ulen në gjunjë me ato minifundet e gjokset e zbuluara. Edhe, për habi të Zotit, mua më vardiseshin më shumë se të tjerëve. Po nuk vëreja atë tjetrën: Kuleta, ku rezervoja dhrahmitë për njëmbëdhjetë vëllezërit e motrat e mia, m’u pocaqis fare. Njëlloj siç na boshatiset tani thesi me miell buke në shtëpi… Sa për shëndetin, lere mos e nga. U katandisa më keq nga ç’isha, me pesë para shpirt. Shumë herë mezi zgjohesha në mëngjes. Kur vonoja, vinte zonja Katerina. Në buzuqe ishe mbrëmë?, më thoshte qejfmbetur. Unë bëja sikur s’dëgjoja. Ajo ma përsëriste herë pas here me keqardhje: Afendikoi do të largojë nga puna… Ashtu m’u mërzit dhe ajo gurorja e ai afendikoi nursëz.
Dhe thonë pastaj se fati s’të buzëqesh dy herë. Ikën një ditë, vjen një ditë e re. Perëndon një yll, del një yll i ri. Në krye të platisë, mu në mes të ishullit, siç i thonë në Greqi sheshit, ishte një praktorio, nga ato që ne u themi kioska. Rastësisht shkova të merrja një paketë cigare. Më shërbeu një grua, që dukej sheshit se i kishte kapërcyer të pesëdhjetat, ama zonjë grua. Shumë e hijshme dhe shumë fisnike. Me buzëqeshjen dhe mirësjelljen e saj ta rrëmbente zemrën nga barku. Zonja fisnike, për habinë time, e kuptoi menjëherë se isha shqiptar. Dhe kjo ishte një enigmë për mua. Fillova ta frekuentoja kioskën e zonjës fisnike, për ato nevoja të vockla që asaj i gjëndeshin në atë kioskë: gazeta, bileta urbani, cigare, pije freskuese, kartomandila e kinkalerina të tjera. Kishte dhe telefon, nga mund të flisje me gjithë botën, kundrejt një pagese të vogël. Sa i thashë pronares se a mund të flisja me familjen në Alvani, ajo m’u përgjigjej: Ne, tani, me gjithë botën po deshe. Ia mësova dhe emrin. Sofia e quanin, që unë e ngatërroja me Safie. Ajo vinte gishtin mbi buzë, domethënë të mos ia ngatërroja emrin. Një tjetër mister ky. Një darkë, kur mora paketën e zakonshme të cigareve, Sofia më tha të prisja pak. Prita sa përcolli disa klientë dhe më ftoi të shkoja prapa kioskës, ku gjëndej një derë, nga ajo hynte dhe dilte. Më zgjati dy qeska të mëdha: një me tesha dhe tjetra, më e rënda, plot me ushqime.
S’kisha mënyrë tjetër veçse ta falënderoja dhe të ikja fort i kënaqur. Pas ca ditësh zonja fisnike më pyeti në se isha pagëzuar. Pasi shtanga një copë herë, më vetëtiu në mend ajo fjala popullore: dy të rrahura të bëjnë keq, dy të grëna s’të bëjnë dëm. Domethënë dy pagëzime s’më bënin dëm. Jo, iu përgjigja, duke u shtirur s’e nuk e kuptova mirë pyetjen në gjuhën e saj. Do të pagëzojmë ne, më tha, pa më pyetur në se dëshiroja të pagëzohesha apo jo. S’kisha si të mos tundoshesha duke shkuar në apothiqin tim. Kuptohet sa isha skuqur në fytyrë, se realisht jam djalë me cipë në faqe. Kur më vetëtiu në mend se duhej patjetër që pagëzimi të bëhej në një kishë tjetër, jo tek ajo që u pagëzova herën e parë, fatmirësisht m’u kujtua se në ishull ishin disa kisha dhe i kërkova Sofisë të më pagëzonin atje ku ishte pagëzuar, gjoja një shoku im. Ku të dëshirosh, më tha zonja Sofi. Në fundjavë, domethënë të dielën, do të vizitoja shtëpinë e saj dhe dora e fatit do të prektë vet trupin tim, domethënë të ardhmen time.
Të dielën, ndonëse kisha larë gjithë trupin me sapun aromatik, zonja më tregoi dushin dhe më afroi një palë rroba të reja, fringo, të cilat do t’i vishja për në kishë. Atë takëm do ta kishin zili djemtë që bëheshin dhëndurrë në fshatin tim. Ndonëse e kisha provuar dy herë, ajo shenjtëria e pagëzimit të tretë, që m’u inspirua nga një frymë hyjnore e padukshme nëpërmjet mjedisit kishtar, përkujdesjes dhe dashurisë së familjes së Nunit tim, zotit Spiro, kështu quhej burri i zonjës Sofi, m’u duk se më tjetërsuan jo vetëm në sensin fetar, por edhe vetë thelbin tim. Kur dola nga kisha, m’u duk se isha tjetër njeri. Në shtëpinë e nunit na priste një drekë madhështore. Por ajo që më surprizoi më shumë, ishte Anabela, e bija e nunit, studente në Universitetin e Selanikut, që thonë se mban emrin e vetë Irakliut. Ajo më buzëqeshi aq ëmbël dhe ndihej aq e lumtur nga prania ime, sa mua m’u duk se u ul vetë dielli pranë meje. Qëndruam tërë pasditen bashkë. Dolëm edhe buzë detit krah për krah. Unë kapardisesha me veshjet, që s’i kisha parë as ëndërr dhe me kryqin e florinjtë në qafë. Orët me Anabelën më fluturonin si sekontat. Vonë, afër mesnatës, u ndava me të, por gjumi nuk më vizitoi fare atë natë. Të nesërmen ajo iku në Universitet, unë nuk shkova në gurore. Punova në horafet me portokalle të nunit. Mbi horafet ishte hoteli me 28 dhoma për turizëm veror. Filluan ëndërrat ekstravagante. Zonja Sofia dhe Nuni m’u bënë sikur më kishin prerë kërthizën. Ama Anabela ishte idhulli im, vetë e Bukura e Dheut. Ajo ishte ta pije në kupë. Sa e sjellshme dhe sa e dashur tregohej me mua! 
Përfundimisht, pas pagëzimit të dytë në ishull dhe të tretit në Greqi, e lashë punën në gurore dhe tufat me dhrahmi në fund të javës. Fillova të punoja tek horafet e nëpër lulishtet e hotelit të Nunit të tretë. E ç’punë se? Gjëndej Gjoka në punë. Gjithë ditën sillesha nëpër horafet me portokalle, me perime e me lule… Eh, ç’familje e bekuar që ishte! Respekti respekt, ngrënia ngrënie e, mbi të gjitha, dashuria dashuri. U bë dhe Anabela me vëlla, tha një herë zonja Sofi. Të themë të drejtën s’më erdhën hiç mirë ato fjalë. Kisha filluar ta shikoja me sy tjetër, jo si motër. Më bënte flutura stomaku. Margarita e xha Miços m’u zhduk si një yll i largët, për t’ia lënë vendin një ylli të ri, Anabelës.
Ç’më kanë dëgjuar veshët për këta monarko-fashistët, thoja me vete. Dhe më vinte të prisja gjuhën për këtë etiketim të rracës helene. 
Kuptohet me sa entusiazëm e ç’hare i prisja të shtunat e të dielat, me shpresën se do të vinte Anabela. Por Anabela e dashur s’u duk në ishull dy muaj të tërë. Eshtë në sezon provimesh, më thoshte zonja Sofi. Për mua jeta pa Anabelën në ishull ishte një hiç i madh. Në hapësirën e ngushtë të shpirtit tim kishte vend vetëm për atë vajzë magjepsëse. 
Pra, jeta ime u kthye në rrjedhën e zakonshme. Unë isha ai që isha, Ilir Duro Shkoza. U mësova edhe me Nunin edhe me zonjën Sofi edhe me shtëpinë edhe me hotelin e horafet e tyre. Dhuratat e shpeshta, që merrja prej tyre, për mua kishin vlera më të çmuara se merokama, domethënë ditëpuna. Ishin, siç i themi ne në fshatin tonë, “thelë mbi bisht”. I grumbulloja për t’ua dërguar prindërve dhe njëmbëdhjetë vëllezërve e motrave të mia. Ndonëse i braktisa edhe buzuqet, kuleta nuk mbushej si më parë, kur punoja në gurore. Ndërsa me shtëpinë e barba Spiros, ishullin dhe Eladhën vetëm një fije më mbante lidhur, dashuria për Anabelën. S’më bënin më përshtypje ato fjalët përkëdhelëse të femrave helene. Nuk më hynte më në sy tjetër femër në botën e sipërtokës.

III

Anabela u kthye sapo mbaroi provimet. Më përqafoi me mallë e më puthi në dy faqet. Ndjeva një zjarr e një afsh të panjohur më parë në jetën time 23 vjeçare. Bashkë me të u kthyen edhe motivet e jetës në ishull, i cili më dukej një ishull paqeje dhe dashurie. Ndonjë të diel apo ditë feste gjatë pushimeve verore, i kaloja me Anabelën. Por më shpesh e takoja te kioska e zonjës Sofi, ku ajo shërbente shpesh. Sa më shikonte mua, më fliste: “ela agapi mu!” . Dilte nga dera prapa kioskës dhe unë atë prisja. Pinim kafe, pije freskuese, sidomos atë Coca Colën, që e kisha shumë për hosh. Ke uri? më thoshte dhe nuk priste përgjigjen, por shkonte e merrte hamburger, sanduiçe, panine, byreqe të freskëta, shishqebape të ngrohta dhe gjithmonë të shoqëruara me ndonjë kanaçe. Po lere me këto të ngrënat, se e katranosa fare, kur më pyeti një ditë: thelis pica(do pica). U tërhoqa dy hapa prapa, shqeva sytë: Ç’thotë kjo?! Nuk mund ta merrja me mend që një studente aq e edukuar, të më provokonte me gjëra të tilla mu në mes të ishullit. Jo, jo, i thashë prerë dhe ika disa hapa larg. Ama, kur e mora vesh ç’ishin picat, sa m’i përmendnin, më lëshonte goja lëng e më këputej nepsi. S’mund t’i thoja më Anabelës: Sa më hahen ato picat!
Shkurt, pranë Anabelës më flakëronte gjaku. Ndihesha zog me krahë të lirë. Kishte ardhur koha dhe ishin pjekur kushtet që të bëhesha dhe unë me nuse. Ja, sa t’i merrja fjalën dhe do të njoftoja nënën, se ajo e kishte merak mbi meraqe nusen time. Mirëpo më kishte mbetur edhe një peng: t’i thoja apo mos t’i tregoja fare Besit, pinjollit të kulakut, që tani e kisha bërë vëlla e kaluar vëllait. Nga dashuria e madhe për Anabelën kishte filluar të më brente shpirtin ai krimbi i keq i xhelozisë. Kisha frikë nga Besi. Jo se ishte kushedi sa i bukur, por femrat i ngjiteshin me të parë. Ky është mashkull i vertetë, thonin helenet. Mirëpo unë jam tip kalorsiak dhe i kërkova leje të dashurës sime t’ia prezantoja shokun, që e quanin Kristo. Ajo nuk e mori fare si surprizë dhe më tha e qetë: E njoh Kriston prej kohësh. E kam takuar rastësisht, një herë që shkova të mirrja peshk të freskët te anija e tij. Eshtë goxha djalë patrioti yt. Më ngriu gjaku. Më mirë të më kishte ngulur thikën në zemër. U bëra meit në fytyrë. Sidoqoftë, s’e haja dot fjalën. Prita sa më mori Besi në telefon dhe i thashë të dukej një herë nga ishulli. Ke ndonjë hall? Më pyeti Besi. Jo, më mori malli, ia ktheva. Besi sikur e priste me krahë hapur ftesën time. Fatmirësisht jam në Pire, kam plot kohë sa të shkarkohet transoqeaniku, më tha. Të nesërmen u gjend në ishull. Erdhi direkt te kioska. Ishte shëndoshur e zbukuruar shumë. Anabela e priti krahëhapur. E përqafoi me mallë dhe e puthi. M’u fik fare zemra e m’u prenë gjunjët kur i pashë në ato raporte miqësie. Dukej se ishin afruar shumë me njëri-tjetrin. Dhe sa ëmbël sillej Anabela me të. Një lëng i helmët më ngjitej nga stomaku në fyt. Ah, ky pinjolli i kulakut, kudo më del përpara, zbraza mllefin, me vete sigurisht. Se je këtu, thashë me vete, pa të ishim atje në fshat, ta tregoja unë ty! Kishte të drejtë babai. Më mirë të mos isha nisur me të. Vate, kaq e pat edhe kjo dashuria ime, thashë me vete. Anabela na futi krahët të dyve dhe na çoi buzë detit, ku pimë birra të ftohta të shoqëruara me kikirikë. Ndonëse unë rrija mbi gjëmba, bëmë qejf dhe Anabela nuk kuptoi asgjë. Mua më dukej se birra më shkonte pas kurrizit. Na përcolli të dy me të njëjtën dashuri dhe na puthi të dy kur u ndamë. Pse flihej atë natë? U rrotullova gjithë natën në shtrat si peshku në lym. Mendoja e ç’nuk mendoja.
Më në fund thurra një plan që do ta realizoja pjesë-pjesë. Fillimisht fillova t’i flisja mirë Anabelës për Besin. Ajo miratonte me kënaqësi. Kur ma përmendi një ditë Kriston, i thashë me marifet, se emrin e vërtetë e kishte Besim dhe ishte mysliman. Ajo më shikoi e habitur, bile m’u duk se ishte nervozuar, kur më tha: edhe ti mysliman je apo jo? Ç’përgjigje t’i jepja? Me siguri ajo e dinte nga Kristoja, domethënë,shoku im. Hajde taksirat! S’kisha nga t’ia mbaja. Po, i thashë, por e ndjeva që më iku gjaku nga fytyra. 
E lashë disa ditë dhe ia hodha fjalën prapë tek Besi. Kristoja është djalë i mirë i thashë, por në jetë ka vuajtur të zitë e ullirit. Pse ka vuajtur Kristoja, u habit Anabela,ai është djalë shumë i mirë? Askush nuk e përfillte, e përbuznin dhe ishte fare i vetmuar, i thashë. Ajo brofi sikur e kishte pickuar dikush në prapanicë, u zymtua dhe më pyeti tërë mllef: Pse e përbuznin Besin? Se ishte kulak, i shpjegova unë. Ç’domethënë kulak? Pyeti ajo. Domethënë armik i popullit? Iu përgjigja unë.Po pse armik i popullit? Ç’krim kishte bërë? Familja kishte qënë e pasur para luftës, i shpjegova. Ha-ha-ha! Qeshi ajo, po ishte një e qeshur sarkastike. Pse, të jesh i pasur, je armik i popullit? Pasuria vihet me punë të krahut apo të mëndjes ose të dyja bashkë, tha Anabela. Por të parët e tij e kishin vënë me mashtrime, i shpjegova unë. Nga e di ti se e kishin vënë me mashtrime, ti je fare i ri, ma ktheu ajo me ironi të madhe dhe i vuri çelësin kioskës. Hajde të pimë një kafe, se më zunë nervat me këto paragjykimet tuaja, më tha. Pimë kafen tek lokali i preferuar buzë detit. U kthjellova pak nga arsyetimet dhe mirësia që tregonte për të pasurit ajo vajzë e mësuar. Ishte tamam vendi i duhur dhe njeriu i duhur për t’u freskuar e kthjelluar truri. Mbeta mjaft i tronditur nga reagimi i saj. Por edhe reflektova. E gjeta veten në anën e gabuar. Më vjen keq për Kriston nga këto që mësova, më tha me trishtim Anabela kur u ndamë. 
Do të doja të isha në vendin e Besit. Nuk do të ndieja lumturi më të madhe, sikur Anabela të trishtohej një herë të vetme ashtu për mua. Por ditët kalonin dhe koha tregonte se prapë ajo ishte si më parë me mua. E kështu, në hartën e udhëve të zemrës sime me grekët, mbeti vetëm ajo me zemrën e Anabelës. Thoja vazhdimisht me vete: Çudi, vërtetë çudi! Një nuse monarkofashiste për mua! Ç’do thotë babai vallë? Pa le të ishte gjallë gjyshi partizan, do t’më zinte me dru.
Atë të diel, si çdo të diel, sillesha rrotull kioskës së Sofisë. Koha s’kalonte fare. Anabela vinte rreth orës dhjetë. Me orën e ishullit sigurisht. Jo vetëm se doja ta kaloja tërë ditën pushim me të, por, para së gjithash, doja të flisja me prindërit, kur mamit do t’i tregoja për nusen që kisha gjetur. Babait do t’ia merrte krahët me kujdes mami, se ai do të vinte ulërimën: Krushqi me monarko-fashistët?! Kur pashë makinën e vet, që ndaloi para kioskës, u sula drejt saj me një tufë lulesh në dorë. Por, kur nga makina zbriti një bukurosh dy metrosh dhe, të kapur të dy për beli, u drejtuan nga kioska, më ngriu buzëqeshja në buzë. Dora më dridhej nga emocioni, sa më ranë lulet në shesh. File mu, agape mu, thirri Anabela dhe m’u hodh në qafë. Më puthi dhe më pyeti buzagaz: këto lule për mua? Nuk iu përgjigja dot me fjalë, por i pohova me kokë. Më ranë pa dashur nga dora dhe mendova se nuk ia vlente t’i merrja sërish. Ajo i mblodhi vetë një nga një, i bëri sërish buqetë, siç ishin dhe bëri gjestin se i pëlqeu shumë aroma. Pastaj plasi bombën, pa iu dridhur as buza, as qerpiku, as shpirti e as zemra: fidancatos mu(i fejuari im), më tha. Mua më iku çehreja, u shëmtova më shumë nga sa isha. Ose më saktë më ngriu gjaku. I fejuari më shtrëngoi dorën, më buzëqeshi dhe më shprehu konsiderata të larta që isha miku i Anabelës. Unë rrija para tyre si ai qeni, që e ka rrahur i zoti. Ose si ndonjë nga ato bustet e lashtësisë greke, të nxjerra nga varret mijravjeçare të tyre.
-To onoma’ su?(emri juaj?) – më pyeti papritur i fejuari, tek rrija pikë e vrerë. 
-Ilia, -iu përgjigja. -Ine allvanos. Emrin e ka Ilir, por këtu i flasim Ilia, -i shpjegoi Anabela. 
-Aha, Ilir, Ilia! Sa mirë! Jeni një gjak…–ia bëri fejuari, por mua mëndja më shkoi rrufe te historia e emrit tim. 
-Aha, Ilir, Ilia! më rikumbuan në vesh fjalët e të fejuarit, që s’i mësova as emrin.. Hapa sytë nga këto fjalë. Nga na doli kjo, të jemë gjak me Anabelën, domethënë të dalim kushërinj? Se nuk isha edhe ndonjë burrë i shquar, që të luftojnë kombet për t’më përvetësuar, si Skënderbeu, përshëmbëll. -Gëzohem shumë, pasi edhe Anabela, barba Spiro, domethënë petheros mu(vjehrri im), janë arvanitas. Emri Spiros, vjen nga Strategu legjendar, Piros. Vjehrri im i do shumë shqiptarët, por nuk tregon se është i tillë, sepse spiunët e shtetit njoftojnë menjëherë lart…–filloi të më shpjegonte i fejuari i Anabelës me plot patos historik. Ra qielli e më zuri. Po, Zoti më dha mend dhe iu përgjigja: -Po, më kanë treguar që ditën e parë të njohjes. Anabela u përskuq në faqet e bukura, që nuk ishin më të miat. E mora vesh, more fidancatos, thashë me vete, e mora. E mora vesh dhe mirësinë e dashurinë e Anabelës, barba Spiros e zonja Sofisë. Medemek, qënka dashuri patriotike. Ata i afroi gjaku me mua, por ky imi duhet të jetë helmuar e si ra fare në të. Më plasi mua për patriotizëm. Më mirë të më kishe ngulur kamën në zemër, more fidancatos. I kërkova Anabelës telefonin, bëra ca hapa më tutje dhe i telefonova menjëherë Besit. Sa më tha: “Tungjatjeta Ilir!” ia plasa: -E dije ti se familja e barba Spiros është arvanitase? -Po. Edhe familja e barba Miços e shumë familje të tjera në ishull janë arvanitas… 
-Pse nuk më tregovë që në fillim, more i poshtër. -Besoja se e kishe mësuar. Edhe mua s’më kanë treguar ata vetë, të tjerë më kanë treguar. Pse do t’na afronin aq shumë e do të na bënin aq temenara barba Miçoja e barba Spiroja? Për sytë tanë të bukur? -Me demek ruhen nga qeveria. -Mbase edhe ruhen. Duan të jenë të qetë. -Me demek ruhen nga grekët, por s’kanë besim tek ne. -Mos fol gjepura! Se ruhen nuk do të thotë se s’kanë besim tek ne… E kuptoj sikletin tënd, por unë e ti, pra, ne shiptarët këtu në mërgim, mirësjelljen e femrave e ngatërrojmë me dashurinë. Këtë duhet ta kishe kuptuar… Por ti mos e vra mëndjen se vajza të tjera do të duan në ishull. Kemi edhe plot vajza të bukura shqiptare, këtu e në Shqipëri, -e mbylli bisedën Besi, se kishte punë në anije. Nuk mund të tregohesha pa respekt dhe edukatë. U përshëndeta me Anabelën dhe të fejuarin e saj, U urova shëndet, gas e lumturi dhe i vura zemrës një gurë. Të nesërmen u largova nga ishulli, ku varrosa dashurinë time të madhe. 
Një bashkudhëtar në anije, duke u larguar nga ishulli, më tha diçka, që më vuri në mendime të thella: “Atyre që i kërkonin Sokratit një këshillë , nëse ishte më mirë të martoheshin apo të rrinin beqarë , ai ju përgjigjej gjithmonë :
Bëni si të doni , në të dyja rastet , gjithësesi do të pendoheni”
Më as më ka shkuar mëndja për nuse. 
Për miq si Anabela, xha Spiroja dhe zonja Sofia, po. 
Aq më shumë për shokë të mirë e besnikë si Besi.

1 Kommentar:

  1. Ashtë një privilegj ta ndaj këtë dëshmi të mrekullueshme me botën. Kjo është Beth Walters nga Anglia. Burri im më divorcoi 4 muaj më parë dhe unë isha plot pendim sepse nuk dija çfarë të bëja për të ndryshuar problemet e burrit tim. Unë kërkova në internet për ndihmë se si mund të merrja ndihmë në martesën time dhe zbulova dëshmitarë të mrekullueshëm të magjisë së dashurisë, e cila ishte progresive me magjitë e saj. E kontaktova dhe doktor Wight më tha se ai do të përgatiste një magji për mua për të sjellë burrin tim mbrapa. Isha skeptik, por nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të punoja me të. 2 ditë më vonë, burri im më thirri të kthehesha në shtëpi nga ajo ditë dhe deri më tani, kam jetuar në paqe. Ai u kthye tani me aq dashuri dhe kujdes. Sot jam i lumtur t'ju njoftoj të gjithëve se ky lojtar magji ka fuqinë të sjellë përsëri dashnorë dhe gjëja më befasuese është se dashuria jonë është shumë e fortë tani, çdo ditë është lumturi dhe gëzim. dhe nuk ka asgjë si të jesh me njeriun që do. Unë do ta rekomandoj Dr.Wight për këdo që ka nevojë për ndihmë. Nëse keni ndonjë problem, kontaktoni Dr.Wight, ju garantoj 100% që ai do t'ju ndihmojë !!.
    Email: wightmagicmaster@gmail.com

    WhatsApp: +17168691327

    AntwortenLöschen