Samstag, 22. Juni 2019

Letërsia e Kosovës është vajzërore apo grua e bukur dhe e mençur?!

Intervista me Z. Pandeli Koçi (Sazan Goliku)

Nga: Alketa Maksuti Beqari

Në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në Salla “ Paolo Petta” pranë tavolinës më afrohet një Zotni dhe më thotë: Më falni, cilin autor po lexoni? I përgjigjem: Autor nga Kosova.
Gëzohem shumë që studioni autor nga Kosova. Unë jam marr nga vitet ‘ 70 me autorët nga Kosova.
Jam e interesuar të di më shumë për krijmtarinë e autorëve në Kosovë, sidomos të kohës para demokracisë. Nëse dëshironi mund të realizojmë një intervistë – shpreha interesin time me dëshirën.
Z. Pandeli Koçi pranoj pa hezitim.
Dua të vë në djeni lexuesit e këtij shkrimi, se në vitet kur demokracia nuk ishte vendosur, në Shkollën e Mesme , gjimnaziste, për historinë dhe gjeografinë e Kosovës njohuritë na përcilleshin nga Mësuesit me Shkrim. Në librin e letërsisë shqipe pak autorë studionim të Kosovës.
Kosova ishte e munguar.
Dhe për të plotësuar mungesën, falë rastësisë në Tempullin e Dijes, po ju sjell letërsinë e Kosovës së parademokracisë në Shqipëri.


1. Z. Pandeli Koçi, si erdhi ideja e botimit të veprave nga autorë të Kosovës?

Në vitet ‘ 70, punoja në redaksinë e poezisë tek Shtëpia Botuese “ Naim Frashëri”. Shef i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës ishte Dhimitër Fullani. Por para se të vazhdoj po tregoj se poezinë e Kosovës e njihja nga Agim Gjakova me veprën “…..dhe ata thanë se është një vend në botë” e botuar në 1962 dhe Adem Istrefi, student i letërsisë në vitet që edhe unë kam qënë student. Dashurinë për Kosovën e kam marr nga xhaxhai im, i cili më rriti pasi u kthye nga Argjentina, ku emigroi. Por, le të kthehemi tek letërsia e Kosovës.
Një ditë në tavolinën, ku punoja vjen shefi, Dhimitër Fullani dhe më thotë se kemi urdhër nga lart të botojmë vepra nga autorë të Kosovës. Me autorizim si ishte koha atëhere, shkoj të marr librat, botimet të cilat gjendeshin në Bibliotekën Kombëtare në arkiv ose të rezervuara. Autorizimin e kisha edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve, në atë kohë udhëzimet ishin gjithmonë nga lart. Kështu në ‘ 71 doli Antologjia e parë me titullin “ Për ty” , titull të cilin e mora nga Esat Mekuli dhe një vit më pas me Antologjinë e dytë të titulluar “ E di një fjalë prej guri”, titull i marr nga Azem Shkreli.
Në përzgjedhjen e poezive isha i kujdesshëm për vet kohën që jetonim. Në këto Antologji ishin Enver Gjelqeku, Ali Podrimja, Rahman Dedaj, Fahredin Guraj, Din Mehmeti, Jakup Ceraja, Agim Vinca, Josip Rela, Edi Shukriu, Flora Brovina, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja. Librat nuk lejoheshin të dilnin nga Biblioteka dhe më duhej t’ i shkruaja. Ndihmesë të madhe më ka dhënë gruaja ime, të dy deri sa mbyllej Biblioteka kopjonim poezitë duke I shkruar me dorë. Kishte raste i detyruar, fshehurazi t’ i fshija librat nga pas, të mbuluara nën xhaketë dhe shkoja në redaksi për të shtypur.

2. Si e cilësoni ju, nivelin e letërsisë të Kosovës së asaj kohe?

Po flas për poezinë se në atë kohë poezinë mbuloja. Ishte një poezi që I afrohej poezisë botërore me figuracione të ngjeshura dhe konceptimin poetik. Pra, faza e poezisë retorike ishte kapërcyer. Jugosllavia e asaj kohe ishte më e hapur me botën. Kishte edhe autorë tradicionalë apo me retorizëm të rëndomtë.

3. Në poezitë e autorëve sa e prekshme ishte tema e lirisë? Sa e dukshme ishte në vargjet e autorëve?

Para se të përgjigjem, po ju kujtoj që një pjesë e autorëve i kishin kushtuar poezi edhe Titos, gjithmonë do kujtojmë që poezia apo vepra analizohet nga koha dhe kushtet, vendi. Pra, jo vetëm tek ne ka ndodhur që i është kushtuar poezi udhëheqësit.
Kthehem tek përgjigjia e pyetjes, tema e lirisë ishte e simbolizuar te Fjala, Kulla, Gjaku, pra nëpërmjet hermetizimit. Pra idestë dhe aspiratat e tyre shpreheshin nëpërmjet ekuivokeve, për arsye që t’i shmangeshin goditjeve të regjimit. Në disa raste kanë përfunduar në burg si Jakup Ceraja, Rexhep Elmazi, të cilin dhe e vranë. Ashtu sikur ndodhi me Jusuf Gërvallën. Një vit pas vrasjes së tij, botova romanin “ Rrotull “ në 1983. Romanin ma dha e shoqja e Jusufit, Suzana, kur u kthye nga Gjermani, për arsye sigurie në Tiranë. Parathënia është shkruar nga Ismail Kadare dhe vizatimet së bashku me kopertinën nga Abdurrahim Buza. Më kujtohet një vizatim për skicimin e një ndgarjeje që përshkruan Jusufi tek romani si i lidhën serbet rrotull mullarit fshatarët dhe mullarit i vunë zjarrin. Botova reçensionin tim mbi romanin në gazeta “ Zëri i Popullit”, gjithashtu. Kjo ishte situata e poetëve, autorëve të Kosovës.

4. Si u prit romani nga shkrimtarët në Shqipëri?

Pak kritikë shkruheshe në atë kohë si në“ Drita” edhe “Nëntori”.

5. Niveli i letërsisë shqipe në Kosovë dhe Shqipëri si ndryshonte apo më saktë dallimet, veçoritë që i karakterizonin autorët e Kosovës.

Anton Pashku, babain e modernizmit të letërsisë shqipe.

6. Babai i modernizmit edhe nga autorët në Kosovë dhe në Shqipëri?

Po, babai i letërsisë shqipe moderne.

7. Pse është babai i modernizmit? Cilat janë veçoritë që e bëjnë të tillë?

Romani i tij, proza ka skemën e ndërtimit, strukturën dhe konceptin e përshkrimin e personazhit dhe rrjedhjes së ngjarjeve jashtë kufijëve të tradicionales, realistes si jemi mësuar ne ta shohim prozën, romanin. “ Oh” është vepra e tij që e personifikon si autor.

8. Të gjithë autorët e asaj kohe i keni botuar?

Jo të gjithë, Beqir Mysliun për shembull, ose autorin që ju po lexonit. Nuk më kujtohen rrethanat pse nuk e kemi botuar Mirko Gashin, një poet që është përkrah Ali Podrimes, Azem Shkrelit, poet i krahut verilindor që dallon oër stilin e tij të të shkruarit. Një bohem, i lindur në Grykën e Karadakut, aty ku bashkohen trojet shqiptare.

9. Si u krijuan rrethanat që ju filluat Lektor në Dega e Gjuhë Letërsisë, Lektor i Kursit Special për Letërsinë e Kosovës?

Jemi në vitet ’85 , vjen më takon Profesor Nasho Jorgaqi dhe më thotë se kam marr leje nga lart që me studentët e vitit të katërt të hap Kurs Special për Letërsinë në Kosovë. Për të përgatitur leksionet shfrytëzoja Historinë e Letërsisë, kritikën letrare të Kosovës, Gjurmë Albanologjike, revistën “ Jeta e Re”, “ Jehona” të Shkupit, gazetën “ Fjala”, libra me studime dhe kritika letrare që ndodheshin në Biblioteka Kombëtare. E kisha të vështirë sepse metodat, terminologjia me metodën e realizmit socialist tek ne.
Fillova me poezinë, me dramën e Anton Pashkut, me romanet. Kishte autorë si Beqir Musliu që nuk mund të flisja, dramën e Rexhep Qoses e të tjerë autorë.

10. Kur ju i trajtonit veprat e autorëve hynit deri në analizën e thellë të anës psikologjike të personazheve në dramë, roman apo tregim? Ose si e pasqyronit gjendjen shpirtërore të autorit?

Më tepër kanë qënë leksione panoramë, një herë në javë ishin leksionet, më pas dy herë, por me orë akademike dy orëshe ishin. Flisja për stilin e të shkruarit, tiparet e secilit dramaturg, por jo deri në hollësitë apo trajtimin e secilit personazh.

11. Sa ishin të interesuar studentët për lëndën?

Kishte studentë të interesuar si Mimoza Ahmeti, Ben Blushi që janë emra të njohur.

12. Lënda ishte firmë në vlerësimin e studentëve?

Po firmë, me notë.

13. Kur hyri demokracia lidhjet tuaja me letërsinë e Kosovës si vazhduan?

Pas ’91, botoja në faqe letrare të organeve të shtypit shkrime për autorë të Kosovës, kam shkruar për Anton Pashkun, Agim Vincin e të tjerë autorë.

14. Letërsia në Kosovë është vajzërore apo Grua e bukur dhe e mençur?

Pyetjes tuaj figurative unë nuk mund t’i përgjigjem se majat nuk janë arritur edhe sot. Nuk kemi më si ka shkruar Rahman Dedaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Rexhep Qosja. Nga brezi i ri kam lexuar pak për vet moshën dhe punëve të mija të kësaj kohe. Pra, pyetjes tënde nuk mund t’ I përgjigjem me figurat që përdorët ju.

Faleminderit, Z. Pandeli Koçi për kohën që më kushtuat. Ishte kënaqësi të realizoja intervistën me ju.

-   -   -

Pandeli Koçi ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë lektor i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh.

Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë. Ka qenë kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj nga 2008-2016.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen