Montag, 17. Juni 2019

Buqetë poetike nga Qemajl Juniku

Qemajl Juniku

BUZËQESHJE E PËRVAJSHME

Kalova  lehtas
Urës së Tabakëve
Uji gurgullonte përvajshëm

Një hije  mu kacavjerrë mbi kurriz
Me peshën e rëndë të kohës
E takova  rininë time plot mall
Qante e buzëqeshur
Sytë mbyllur i kishte
me qepallat e mallit tim

Urës së Tabakëve kalova
Heshtas
Fëmijëria ime fikall  vetëm
Dëneste
E mbulova me  petkun e gëzimeve të mia
Buzëqeshi përvajshëm
E unë mbeta lot i terur në qepallë

(Ura e Tabakeve është  ne  qytetin e Gjakovës)



PIKTURIM I ETHSHËM

Pikturova kohën
Mbi ballin e rrudhur të jetës
Me ngjyra malli
Loti syrit i rrodhi

Asnjë ngjyrë nuk dallohej
Jeta kuiste me pezëm
Villte vrer të zi
Pikturës  së bardhë

Dimrat e vetmisë sime
Pikturova
Brusha  mu ngri
Ngjyrat idhnake  kacafyteshin
E bardha mbi të zezën tretej
E zeza mbi të bardhën  në ngjyrë shkrumbi
Shndërrohej
Mbi pikture rrjedhke dëshpërimi
Pikturim i ethshëm



IKE PA FJALËN E FUNDIT
/Poetit Ali Podrimja/

Ike me Kosovën e strehuar në gji
Gjakun e saj  kurrë mos ta fal
Gurbetit kujtimet i lidhe dry

Miku im i shtrenjtë
Pa thënë asnjë fjalë të vetme ike
Vetmisë tënde pikëlluese
Në çdo cep  të botës
Lule Kosove mbolle
Me afsh zemre këndove shqip

Me ujq rrugëtove
Jetëshkretës
Me këmishën e shqyer të vatanit
Lirinë  e shpirtit për ta kërkuar
Kur zoti e kishte harruar popullin tënd
E thika e pabesive  të therte thellë

Ike
Shpirtëdjegur
Me copëzat e dashurive  të shkrumbuara
Me trëndafilat e shpresave të shpirtit flakë
Këlthitjen e parë të lindjes për ta kërkuar
Një copë tokë për varr
Evropës dinake që kombin ta përbuzi
Shekujve të çmendur

I rebeluari
Miku im Ali
Ike shpirtmllefosur
Me kujtimet e viteve të anktheve
Kur servilet  kurthet ngrehnin

Të gjitha ëndrrat e Erenikut tënd
I more me vete
Peshqit e fëmijërisë së Krenës
Gjakovës së plaguar kohërash të pista
Kur gjarpërinjtë i dredhshin trupit

Eh miku im Ali
Zemërplasur ike
Me gugimën e përvajshme të pëllumbave
Foleve të djegura
Agimet e mjegulluara për ti ndritur
Hija e vdekjes Kosovën të mos e errëson

Me mallkimin e vetmisë pikëlluese
Ike
Pa fjalën e fundit
Mbi kullën e  Ajfelit  u ngrite
Zotin për ta kërkuar
Kosovën  amanet për të ia lënë
Dashurinë tënde të fundit...



KUJTESË

Kur më përkunde në djep
Ime ëmë
Mbi kokë më rrinte shqiponja
E përgjakur

Gjyshja tregonte përralla tmerri
Për korbat e uritur
Pëllumbat e plaguar
Mbi shkrepat e Arbrit

Kur më përkundte në djep
Ime ëmë
Mbi kokë më rrinin engjëj
Të lidhur në pranga

Gjyshi tregonte përrallën
Për djajtë  e tërbuar
Blegërimat e qengjave të copëtuar
Nga ujqit e uritur
Nuk e dije se isha nisur
Rrugëtimit me  egërsira
Dhiareve gjembore të jetës

Tani  kujtesës  ende e ruaj
djepin
Shqiponjën e përgjakur
Përrallën e gjyshes për korbat e uritur
E  rrugëtimin e gjate me ujq...



PËRFLAKJE

E mbështolla jetën me çarçaf gëzimesh
Lotoj
Dashuritë mu shndërruan në klithmë
Pranverat në verdhësi

Varrin e dashurisë sime të parë
E kërkova
hullirave të rinisë së tretur
nuk e gjeta dot
fëmijëria ime lotonte

sa qenka plakur jeta
në rrjetë merimange mbyllur
e këlthet frikshëm
zjarret e zemrës mi ndezë
e përflakëm
e shndërrohem në flakadan ...



LIGËSHTIM

Në çdo dhembje të këngës një lot
Në çdo lot një pikëllim
Në çdo pikëllim një ofshamë
Në çdo ofshamë një klithmë
Në çdo klithmë  një ulërimë
Buzagazin ma ngrinë
Fytyrën ma zverdhë
Me ngjyrë morti
E më ligështon
E më ligështon përditë nga pak...



RRUGËTIM I ETHSHËM

Rruga e parë:

Sonte
Zymtësisë së qiejve
Yjet janë strukur mjegullnajave
Jeta e bërë xhuxhë
Kollitet e vjellë gjak
Koha si gjarpër i dredhur
Rebelohet
Thimthonë shpresat
Gracka  venë udhëtimeve tona
Litar për vetvarrje


Rruga e dytë:

Pse  jam nisur kaq i dërmuar
Me këtë strajcë dhembjesh
Rrugëve të mallit tim të shfrenuar
kërkoj yllin tim të tretur
E bëhem  si peshk i ngordhur
Lumit të ëndrrave të mia


Rruga e tretë:

Një qen endacak  leh
Turi fëlliqur
Përtypet e shkumëzon
Kockave të përjargura
Mbeturinave të kohëligës


Rruga e katërt:

Fanarët qenkan fikur
Evropa pështynë fytyrë e vet
Lakuriq lodron
Si derr i sëmurë kuis

Gjykatoreve të  kohës
Jeta  murmurinë e pranguar
Gjykatësit vjellin vrer mbi kode

Xhindet  ankthin thellojnë
Rrugëve tona
Karnavale  bëjnë
Mijtë mi grimcojnë ëndrrat e
Ujërat e jetës  i fëlliqin


Rruga e pestë:

Durimi po soset  mik
Qelbësira të kohës duke pastruar
Nuk jetohet në nevojtore
Si mizat në bythën e kalit


Rruga e gjashtë:

Tiktaku i orës është ndalë
Koha nuk matet më me shpresa
E kotësi fjalësh
Ëndrrave të ngrira
Ku qentë urinojnë

Rruga e shtatë :
Në të majtë u ktheva
Prapë ulërima
Në të djathtë
Këlthitje
Macet grithnin pasqyrat e kohës
Katran shkumëzonin
Teja jetën grimconte
Hija  ime e gjymtuar
Me lotin e ngrirë syrit
Gjëmonte
E tretet në ofshama
Rrugëtim i ethshëm



YLBER I ZBEHUR

Me ujë Ereniku
Ballin e djersitur ta flladita
Për t`i qetësuar dhembjet
Për ti ndalur ofshamat
Në gji t`i ruajta dashuritë e heshtura
Shekujve të  çmendur
Ah Gjakovë Gjakova
Zemra ime e plasur
Gëzimi im i shfrenuar
Motmoteve të uritura
Erërat e zhgënjimeve të përplasën
E unë bregut të Krenës së errësuar
Për ty ndeza zjarre
Katërdhjetë e dy gurëzi i numërova
Mos me të zënë ora e mallkimeve
Djajtë të mos vallëzojnë  lëndinave të
shpirtit
E korbat të mos krrokatin çative
Gjakovë
Fëmijëria ime e leckosur
Dallgë  e dashurive të mia të shtanga

Sa e qet sa e zemëruar
Në langonjtë e uritur lakmie
Fshehurazi ta thyejnë kupën e
buzëqeshjeve
E t`i vodhën  yjëzit e qiejve të ëndrrave
Mu në ferkun e ditëshpresave
Lotin ta fshiva syve të gjakosur
Ah Gjakovë ylber i zbehur
Rinia ime...



BREGUT TE KRENËS

Dola bregut të Krenës
Për ti freskuar
Dashuritë e mia të para
Trupin një rënqethje ma kaploj
Biografinë e buzëqeshjeve si ta shkruaj
Në ditarin e dhembjeve

Gurgullimave  të kroit rinor
Fëmijërija ime gulçonte tmerrshëm
Fjalët dënesnin të shtanguara

Bregut të  Krenës
Hija ime peshk i etur valëvitej
Rëra e përvëlonte trupin e saj
E më shikonte sertë
E më përbuzte me ironi
Diçka belbëzonte për mua...

(Krena, Lum ne Gjakove)




SHËNIME PËR AUTORIN

Qemajl Juniku  lindi në Gjakovë  në në vitin 1951. Shkollën fillore  dhe të mesme, e kreu në vendlindje, ndërsa  Fakultetin Juridik në Prishtinë  ku i përfundojë edhe  studimet pasdiplomike dhe mori titullin e Magjistrit të Shkencave Juridike. 
Përveç  poezisë, Qemajl Juniku ka shkruar edhe drama për të rritur dhe fëmijë.
 Në vitin 2006, përmbledhja e tij me pozi “Loti në aurorë”, mori çmimin  ”Përmbledhja më e mire e vitit”.                     
Jeton në Gjakovë dhe punon si avokat.

Veprat:
  • “Tërbime djajsh”, poezi, “Fjala”, 1994
  • ”Ora e mallkimeve”, “Pena”, 1996
  • “Me vdekjen në  krah”, “Rilindja”, 2000 
  • “Stuhi  ankthi” KL “Gjon N. Kazazi”- Gjakovë, 2004
  • “Loti në aurorë” KL “Gjon N. Kazazi”- Gjakovë, 2006
  • “Mbi krahët e shqiponjës”, 5  Drama për fëmijë, KL “Gjon N. Kazazi”- Gjakovë, 2007
  • “Rrugëtim mbi gjemba" KL ”Gjon  N. Kazazi”-Gjakovë, 2009
  • “Ofshamë gjaku” KL.”Gjon N.Kazazi”-Gjakovë, 2013
  • “Shungullimë Shqetësimesh“, KL”Gjon N.Kazazi”, 2016

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen