Shemsije Elshani |
(Rrëfim i përjetuar)
Kur kaloi muaji i dytë në burg, e mora me mend qe nuk do të më dënojnë për kundërvajtje. Këtë e vërtetoi edhe gardianja e cila më solli të nënshkruaj aktvendimin për zgjatjen e paraburgimit.
Inspektorët vinin nga Prizreni, ndaj për të kursyer kohën, në pyetje më mbanin tërë ditën.
Burgu nuk ishte diçka e re për mua. Nuk kisha qenë aty brenda veç fizikisht. Kisha qenë aty sa e sa herë nëpërmes shembujve të historisë sonë, nëpërmes personazheve të librave e të filmave artistik, apo nëpërmes herojve të këngëve. E kisha përjetuar pastaj sa e sa herë herë edhe burgosjen e njerëzve të mi të dashur. Por kur je vetë aty brenda, është ndryshe.
Atë ditë, kur ra buria e zgjimit, isha në ankth. Në fakt, aty çdo ditë ishe në ankth. Veç ankthi ishte ndryshe. Një ditë dëgjojë që torturonin dikë në dhomat lart. Një ditë dëgjoje të tërheqin dikë zvarrë pranë derës tënde, një ditë, të sillnin dikë të torturuar në dhomë. Dhe sikur e parandjeva, u hap dera ime. Hetuesia ishte në ndërtesën tjetër. Sa hyra në njërën prej dhomave, ende pa zënë vend në karrike, më pyeti një inspektore:
- Sa vjetë i ke?
- 20, i thash.
- Sa gjynah, të vdesësh, tha ajo duke u bërë se i vinte keq.
U rrënqetha. Nuk doja të vdisja.
- Nuk të vrasim jo, vazhdoi ajo me një ironi prej idioteje. -Të hedhim nga dritarja dhe themi që ke bërë vetëvrasje.
Hodha vështrimin nga dritarja, dhe po mendoja a thua shpëtoj gjallë, nëse vërtetë më hudhin.
Kur u ktheva në dhomë, në burg, isha shumë e shqetësuar. Natën, mezi më zuri gjumi. Kjo gjendje m'u shfaq edhe në ëndërr. Po ëndërroja sikur hetuesit më kishin marrë me vete dhe më kishin shpënë te dyertë e shtëpisë së Muratit. Murati ishte shoku im i fëmijërisë, i klasës dhe i aktiviteteve. Shtëpitë tona i ndante veç sokaku i përbashkët. Arësya pse më kishin dërguar aty ishte se dyshonin që kam fshehur në oborrin e tij material të ndaluar. Por në ëndërr ata nuk e dinin kush ishte Murati, dhe nuk e dinin që mu aty është dhe shtëpia ime. Nuk e dinin që ajo derë e madhe e drurit, me rezë të drurit, të cilën, unë kurrë nuk mësova t' a hapja, shihej nga dritaret e shtëpisë sonë si në pëllëmbë të dorës.
- Hape derën, sikur më kujtoi që jam në ëndërr polici. Dhe oh more zot, njësoj edhe në ëndërr, nuk mund ta hapja derën. S'arrija ta fusja dorën në mes dy dyerve, për ta ngritur rezen, ndërsa gishtat, nuk e përballonin peshën. Po kërkoja mos gjej ndonjë shkop a copë druri, kur më shkuan sytë te dritarja, aty ku nëna ime kishte makinën për qepje. Shoh nënën time të endë ca pëlhura të bardha. Duket të kenë qenë dimija për nuse që dikush i ka sjellur te nëna ime për t'i qepur. Policët nuk dinin gjë jo, as hetuesit që më shoqëronin. Ata nuk e dinin që më kishin sjellur te shtëpia ime. Nëna ime, nuk e priste që do të më shihte aty, ndaj si për inat nuk e hidhte as edhe një shikim për të më parë.
- Hape moj derën ç'pret, ma priti hetuesi, i cili më ktheu prapë në ëndërr.
Më duhej ta hapja derën, por nëna nuk më pa. Donte dhe një hap që të futem brenda derës dhe nëna nuk do të më shihte. Edhe në ëndërr e ndjeva atë dëshirën e zjarrtë për ta takuar shikimin e saj. Nuk arrija të pranoja faktin të më ikë ky moment pa u parë, ky moment kaq i rëndësishëm si për kohën poashtu edhe për vendin e për ngjarjen. Ndaj, bërtita me sa zë kisha:
- Nanë, nanë, nanë...
Ishte ora tre mëngjesit. Gjumin ma nxori gardianja e cila kishte dëgjuar thirrjen time në zyrën e vet.
Të nesërmen, kur po hanim mëngjesin, më thirrën për vizitë.
Vizitat i kishim njëherë në dyjavë, dhe për këto dy javë e kisha mbaruar. Po mendoja është ndonjë keqkuptim, apo mund të kenë ardhur ata nga hetusia. Por ç'të shoh, në vizitë nëna dhe babai. Ata andej telave, unë këndej. Në mes gardianja e cila ende nuk e kishte dorëzuar ndërrimin e natës.
- Pse kjo vizitë jasht orarit, i pyeta.
- Nëna jote ka parë mbrëm ëndërr, që ti e ke thirrë tri herë, nanë, nanë, nanë. U zgjua, doli jasht, tha, po m'thirrë Shema, tha babai.
P.S.
Nëna ime, këtë vit ka 90 vjetorin e lindjes. Kjo ishte arësya që e solla këtë përjetim.
Arësya tjetër është, thash t' ua kujtoj atyre që flasin kaq shumë kundër diktaturës n'Shqipni, që edhe ne të shtypurit nga diktatura titiste, ekzistojmë dikund.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen