Donnerstag, 13. Juni 2019

Buqetë poetike nga Sheremet Prokshi (1)

Sheremet Prokshi

PAS TERRIT TË NATËS SHKREPI BARDHËSIA
(Me rastin 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.)

Ende se kuptoja

Nëse ishte ditë
Se sytë dritë s’më bënin 
Në atë zymtësi,
Dhe hyri freskia një agu qërshori
Nëpër plasa muri shkrepi bardhësi.

Vështroja mes gishtash

Ankthin tortueues
Pisk ku kisha trupin nën kulmin rrënuar,
E në kokë më sillej vërbësi rrëmeti 
Flakë kalleshin plagët gjoksit të trazuar.

Isha i uritur

I ndërkyer, i zënë…
Tri ditë e tri netë
Pa pi ujë pa ngrënë,
Në tharkun e mbyllur si t’gjeja ushqim
Kur asgjë s’levizte përveç trupit tim?!...

JU si engjuj erdhët mbi zenit mejtimi

Të më nxirrnit prajshëm nga ai vend ngujimi ,
Me ju nisa hapin drejt një bote tjetër
Një fushe yjore, e lashtë
Shumë e vjetër…

Disi ndryshe veshur, ndryshe ju kam parë

Me armë çlirimtarësh nga larg duke ardhë.

Dukej fluturonim

Sikur t’ishim pendël
E shpesh pyesja veten
Mos isha në ëndërr?...

Mos ato ditë lufte që kam përjetuar 

Ninëzat e syve i kam ngatërruar?!
.
Ndiçja horizontin
Si në rrokullisje
Tjetër aromë ndjeja
Tjera fërshëllitje,
Zërit të së ardhmës bridhja me nxitim
Atdheut tim të dashur të nënqiellit tim.

I shtrirë përmbi bari

Dhimbjet më pushuan
Rreze ngrohtësie streset m’i larguan,
E me ritëm zemre kudo po festohej
Në çdo cep Kosove lirisë i këndohej.



FSHATIT TË BRAKTISUR

(Me 14 qërshor 1999, ditën e çlirimit të Drenasit.)

Valë të asaj kohe vinin pa u ndalur

Vështirë gjenim rrugën prej nga ishim nisur,
Binte shi rrëmbyeshëm fërshëllinin gjethet
Të lagur po ecnim fshatit të braktisur.
.
Në përzierje zërash zënte vend vegimi
Zjarri kallte pragjet shtrojen e çatitë,
Pamë po çfarë nuk pamë ato ditë zezone
Tymi blozhdë i bënte, zemrat, mushkëritë.

Trokëllimë e një kali vinte si prej qiellit

As shiu se shpërlante mynxyrën e nxirë,
Më tej lagjes tjetër rrënur e djegur
Një nënëloke rrinte me trupin e ngrirë.

Fare nuk e dinte, kush ishim, ku shkonim

Se sytë kishte muaj që e kishin lënë,
Por me vesh i kapte hapat nëpër shi
Lokja e mbështjellur me shallin e zi.

Unë jam nënë, unë jam, flet miku pranë meje,

Jam djaloshi yt, zbres bregut përhitur,
Të pyes për babain për vëlla e motër
Mos i mori mordja në luftën e krisur?!…

Janë diku moj loke, mos fol çka nuk flitet

Do të vijnë së shpejti si zogjët shtegtarë,
Ti rrofsh komandant, o trimi i pushkës
Kjo ditë qoftë bekuar e me fat të mbarë.

Hapen retë e pushoi shiu

Qielli merr ngjyrë të praruar,
E fshatarët përplot halle
Gjejnë vendlindjen e rrënuar.

Po nuk erdhën shumë të tjerë

Ishin nisur përjetësisë,
Nga atje dërgojnë mesazhe
Çlirimtarët e lirisë.

Thonë të duam njëri – tjetrin

Sepse gjaku s’bëhët ujë,
Mos gjykoni me inate
Për pak gjë mos bëni bujë!

Në trung kombi mos ngarkoni

Gurë e strese hierarkie,
Kapni frerët me durim
Dhe me dije urtësie.

Se s’të lë kjo tokë e lashtë

Të ngresh kokën mbi çati,
Kemi dhënë, mjaft kemi dhënë
Për të shtrenjtën liri!…

TE URA

Muranë gurësh e muri
Atë mbrëmje më dolën përballë,
Ku IBRI rridhte turbullt
Qytetit tonë të ndarë,
Nata dehej andej
Këndej grindem me fjalë
Dhe mplakem duke pritur
Të hapen krahët e bardhë!

Ecja me disa miq
Matanë që lanë shtëpinë,
Kopshtin, trojet e arat
Lendinat, bagëtinë,
Kujtojnë atë vit pas lufte
Me krismë e bubullimë
Kur horrat e Llazarit
Ringjallnin tragjedinë.

Ata që sot përtypin
Hanë bukë në tokë shqiptare
Mbjellin të zeza dite
Ngritin mure për ndarje,
Këtë farë të djallëzuar
As Ibri s’ka për ta larë,
Me turp do ikin një ditë
Atje prej nga kanë ardhë.


JA ÇFARË NDAN QYTETIN TIM


Ja çfarë ndan qytetin tim

Është ky lum me plot magji,
Ku dikur e hidhnim grepin
Me plot sharm e dashuri.

Ku dikur kalonim lirshëm

Përmbi urën gurë mbi gurë,
Dhe nuk ndihej
As që flitej
Se ndoj herë do bëhëj mur.

Se do bëhën therrë murrizi

Qindra ara andej lumi,
Mijëra djepa do braktisen
Fëmijët ku i zinte gjumi.

Do largohen përgjithmonë

Gjysherit tanë me djem e nipa,
Të mos kthehen asnjëherë
Andej shpati rripa-rripa.

Kush ka thënë

Kush ka menduar
Se një ditë do e kapin iken,
E t’përmallshëm mbi ndërtesa
T’shikojnë vendin ku u rritën.

Përmbi majet tekanjoze

T’i fryj hundët Car Llazari,
Ti shkretnojë tokat pellazge
Çdo armik që vjen i pari.

Të shikojmë nga largësia

Si vë gurë një çergashxhi,
Pak ngapak të vjen drejt jugut
me arushë e tupanxhi.



THIRRE VETVETËN MEDVEGJA IME

E shkretë e fjetur si qiell pa diell,
Ndjen vetëm dhembje
E kohë të rënda,
Vëndas të mbetur minoritarë
Duan shqip të flasin ku merr frymë nëna.

E shumë që ikën ende nuk kthehën
Ti rri e kotur
Me gjoks ngarkuar,
A nuk i sheh muret, pullazët
Kah i rrënon kohë e trazuar.

Thirre vetveten Medvegja ime
Trego kush ishe
Topallë, Siarinë,
Malet e rrafshi nga Mollë e Kuqe
Ia shtonin vendit gjithë hijeshinë.

Fol ngrite zërin
Luginë moj bij
Nxirre jasht mllefin se heshtja vret,
Ishit dhe jeni tokë Dardanie
Trungje me rrënjë prej mijëra vjet.



PËR TY ÇLIRIMTAR

Me pushkën e krahut
Dole prej shtëpisë,
Duke bartë me vete
Vrullin tënd rinor,
U nise drejt frontit
Me zemër gurë stralli
Plumbat për armikun
Ti shkrepje i pari.

Flamurin nga gjoksi
Kurrë nuk e largoje
E prekje, e puthje
Embël e shikoje,
Te shkëlqenin sytë
Vrapit tënd krenar
Ty zë ardhmërie
Trimi çlirimtar.

Nise ndër të parët
Hapin madheshtor
Rrugës e rrugicash
Maleve me borë,
Ti frymë atdhetari
Fryt i përjetësië
Sot të ndriçon emri
Dritës se lirisë.



GJYSHEN SE MERR GJUMI

Gjyshja mbrëmë më ka thënë
ka kohë gjumi s'më ka zënë.

Më ka thënë, në këtë muaj prilli
turbullirë më vjen nga qielli.

Bebëza syri më janë venitur
atë Zog Dielli duke pritur.

-Po çfarë pret? - e pyesja unë
-E pres Shpendin, lum o lum!!!...

Prit nënëloke, prit i thash,
Njoh një zog që më vjen tash



ERDHI ZOGU

Duke ia lidhe mbeses
gërshetin me fije,
erdhi ai zog mali
me katër - pesë yje,

Yjet iu pikasen
çupëzes nëpër bluzë
ngjyra trëndafili
I falën për buzë.

Pas pak u nis zogu
qiellit lart e lart
kishte lënë të fliste
me hënën e artë.



ERDHI ZOGU E NUK VJEN SHPENDI
(Në ditën tjetër)

Nëpër qiellin plot shkëndija
si cicërimë ndihej një zë,
erdhi zogu e nuk vjen Shpendi
ai pëllumb që nuk është më.

Thahej bari në lendina
në mal pishat morën zjarr,
n'vend të shiut binte lot syri
mbeti zbrazur prapë ai varr.

-Eh moj gjyshe!-psherëtiu mbesa
-tash e di çfarë dhembje ndjen,
pse shpesh tretesh në mendime
bjen të flijsh gjumi s’të vjen.


EMRA PËRJETËSIE
(Kushtuar Valmirit 2 vjeç, nënës e babait të tij
dhe familjes Deliu nga Abria e Drenasit,
të rënë nga barbaria serbosllave me 26. 09.1998)

Mallengjimi rritet
Dimër e pranverë,
Hapë porta të dhimbjes
Në çdo vit e stinë,
E në vjeshtë rrjedh loti
Me rigë shiu përzihet
Vrragët e pashlyera
Nëpër vena ngrijnë.

Shtresohen kujtimet
Djepit të VALMIRIT
Me nënën, babain
Me frymarrjen tonë,
Dhe sa kalojnë motet
Ai djep gjithë përkundet
Të ju mbajmë në zemër
Kurrë mos t’iu harrojmë.

Juve YJE ndritur
Mbi qiellin atëror
Ty HËNË e praruar
Me rreze lirie,
Vijmë sot përkujtojmë
FAMILJEN DELIU,
Engjuj lajmëtarë

Emra përjtësie.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen